A ËSHTË E VËRTETË QË PREJ SENDEVE TË PARA ALLAHU KA KRIJUAR LAPSIN?

0
299

Pyetja:
Selam alejkum, desha të pyes diçka, mundësisht përgjigje me ajete kuranore ose me hadithe të Profetit a.s..
Pyetja është: A është e vërtetë që prej sendeve të para Allahu ka krijuar lapsin?
Selam alejkum!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Gjëja e parë që e ka krijuar Allahu i Lartësuar nga ekzistenca ishte uji, pastaj Arshi, pastaj lapsi, pastaj qiejt dhe toka.
Argumenti për këtë është hadithi të cilin e shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili e cilëson të saktë, ku Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Vërtet, uji është krijuar para Arshit.” Gjithashtu kemi disa transmetime të tjera, ku thuhet: “Allahu i Lartësuar nuk ka krijuar asgjë nga krijesat para ujit.”
Kurse ajo që ju bëni pyetje, se a është lapsi gjëja e parë e krijuar, këtë e kanë thënë disa, por e vërteta është ajo që thamë më herët, pasi me këtë bëhet bashkimi i të gjitha haditheve të sakta që kanë ardhur në lidhje me gjënë e parë që është krijuar.
Në një hadith, të cilin e shënon gjithashtu Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë nga Ubade Bin Samiti, Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“ ان أول ما خلق الله القلم ثم قال: اكتب فجرى بما هو كائن إلى يوم القيامة”
“Së pari, kur e krijoi Allahu i Lartësuar lapsin, i tha: “Shkruaj çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Gjykimit.”

Hadithin e sollëm në gjuhën arabe, pasi mund të lexohet në dy forma, duke pasur parasysh rregullat gramatikore të saj, prandaj edhe mund t`i ketë dy kuptime, varësisht si lexohet.
E para: Se Lapsi është gjëja e parë që është krijuar.
E dyta: Gjëja e parë me të cilin është urdhëruar lapsi kur u krijua ishte urdhri për të shkruar.
Ata që e lexuan dhe i dhanë kuptimin e parë kanë arritur në përfundimin se lapsi është gjëja e parë e krijuar, por kjo nuk është e qëndrueshme, pasi hadithet e tjera vërtetojnë se uji dhe Arshi janë krijuar para lapsit.
Prandaj, kuptimi i dytë është më i qëndrueshëm dhe është në pajtim me transmetimet e tjera që kanë ardhur në lidhje me këtë çështje.
Ibën Haxheri thotë: “Lapsi është krijesa e parë duke përjashtuar ujin dhe Arshin…”
Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here