EL FATIHA, SYNIMET DHE ÇËSHTJET MË TË LARTA

0
190

Imam Ibnul Kajimi në “Medarixhus-salikin” thotë:

Mësoje se surja El Fatiha ka përmbledhur brenda saj, synimet dhe çështjet më të larta dhe të rëndësishme me formën më të plotë dhe të kuptueshme. Ata kuptohen qartë në përmbajtjen e saj.

1. Ajo na prezanton të adhuruarin, e lartësuar dhe begatiplotë. Ajo na e prezanton të adhuruarin nëpërmjet tre emrave kryesorë: Allah, Er-Rab, Er- Rahman, të cilat janë baza dhe themeli i të gjitha emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta. Kështu surja është ndërtuar mbi uluhijen (Allah), rububijen (El rabb) dhe mëshirën (El rahman).
Fjala Ij-jâke nea’budu “… vetëm ty të adhurojmë” na mëson uluhijen pra njësimin, teuhidin e Zotit në uluhije (Meritën e adhurimit).

Fjala: ij-jâke nestein “vetëm tek ty mbështetemi dhe kërkojmë ndihmë” na mëson rububijen, pra besimin se vetëm Allahu është Rab: Zot Krijues, Furnizues, përkujdesës dhe rregullues i të gjitha çështjeve. Është Ai të cilit duhet t’i mbështetesh dhe t’ia besosh punët e tua. Kërkimi i udhëzimit në rrugën e drejtë bëhet duke u mbështetur dhe shpresuar në mëshirën e të madhërishmit.

Ndërsa el hamdu lavdërimi dhe përlavdërimi i Tij i përmban të trija çështjet. Pra atij i takon hamdi lavdia dhe të gjitha përlëvdimet, për faktin se Ai është i adhuruari (uluhije), për rububijen e Tij, gjithashtu edhe për mëshirën e Tij. Pra lavdërimi dhe madhërimi janë plotësuese të lavdisë së Tij.

2. Kjo sure ka përmendur dhe pohuar vërtetësinë e ringjalljes dhe llogarisë së robërve sipas punëve të tyre të mira apo të këqija, dhe faktin se Allahu i madhëruar do të jetë i vetëm atë ditë në gjykimin që do të japë për krijesat. Ai do të gjykojë mes tyre me drejtësinë e Tij absolute. Të gjitha këto bëjnë pjesë në fjalën e Tij: maliki jeumid-din sunduesi i ditës së gjykimit.

3. Kjo sure përmend dhe pohon vërtetësinë e institucionit të profecisë. Pra profetët e Zotit janë të vërtetë, besnikë dhe të mbështetur nga Zoti i gjithësisë. Kjo kuptohet dhe përftohet nga kjo sure me disa mënyra e këndvështrime.

Së pari, vërtetësia e ekzistencës së profetëve përftohet nga dëshmia e Zotit se Ai është Rabul alemin, Zoti i botëve. E pra Ai që është Rab / Krijues, Furnizues, Sundues, Rregullues i çështjeve të krijesave dhe Kujdestar i tyre, është e pamundur që t’i lërë ata të çoroditur e të painformuar. Ai kurrë nuk do t’i linte pa u mësuar atë që u sjell dobi në jetën e dynjasë dhe në ahiretin e tyre dhe pa i këshilluar e tërhequr vërejtjen për çdo gjë që i dëmton në ato drejtime. Kjo do të cënonte tërësisht Rububijen e Zotit dhe do të ishte një përshkrim i Zotit me diçka që nuk i shkon madhështisë së Tij. Ata që e pohojnë një gjë të tillë nuk e kanë vlerësuar dhe madhëruar Zotin ashtu si e meriton.

Së dyti, përftohet nga emri i Zotit që është “Allah” që do të thotë i adhuruari, Ai që meriton dashurinë e plotë, përunjësinë, nënshtrimin dhe madhërimin. Por robrit nuk mund të njohin në mënyrë të shtjelluar mënyrën se si ta adhurojnë Zotin, veçse nëpërmjet Profetëve. Pra është Zoti Ai që e përcakton se si duhet ta adhurojmë, cilat janë ato punë, fjalë dhe ndjenja të cilat Ai i do prej nesh dhe na kërkon që, nëpërmjet tyre, t’i shprehim dashurinë madhërimin e përunjësinë. Dhe këtë Ai e ka bërë nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve që u dhuroi atyre.

Së treti, nëpërmjet emrit “ Er-rahman” i Gjithëmëshirshmi. Pra, mëshira e Tij e madhe dhe gjithëpërfshirëse nuk do të lejonte kurrë që Ai t’i linte robërit e Tij të çoroditur të pa informuar dhe pa i mësuar si t’i arrijnë ta përkryejnë veten e tyre dhe të arrijnë majat e përsosmërisë njerëzore. Çdokush që e vlerëson mjaftueshëm emrin e Zotit “Er-rahman” patjetër do të kuptojë se dërgimi i Profetëve dhe shpallja e librave është një domosdoshmëri që ky emër e dikton. Madje dërgimi i profetëve dhe shpallja e librave është një domosdoshmëri e këtij emri, më shumë se sa zbritja e shiut, nxjerrja e bimësisë dhe kokrrave. E pra mëshira e Er-rahmanit dikton zbritjen e asaj që i jep jetë tokës dhe trupave, por edhe zemrave dhe shpirtrave. Të privuarit e të verbuarit në vështrimin e tyre arrijnë të shohin vetëm atë pjesë të mëshirës të cilën arrijnë ta dallojnë edhe bagëtitë e kafshët. Ndërsa të urtet e të mençurit arrijnë të shohin përtej këtij niveli.

4. Në përmendjen e jeumid-din ditës së gjykimit. El din është shpërblimi me drejtësi. Pra ajo është dita kur Allahu i madhëruar do të llogarisë dhe shpërblejë robërit sipas punëve të tyre. Ai do t’i shpërblejë ata për të mirat që paraqitën dhe do t’i ndëshkojë për poshtërsitë, të këqijat dhe mosbindjen ndaj Tij. Por është e pamundur që Allahu i madhëruar, i gjithëmëshirshëm dhe i drejtë të ndëshkojë kënd pa i dërguar më parë qortues që t’u tërheqin vëmendjen dhe t’i mësojnë kufijtë e Tij.

E pra argumentet e Zotit u plotësuan dhe u qartësuan veçse nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve të Tij. Vetëm pas dërgimit të profetëve dhe shpalljes së librave, shpërblimi dhe ndëshkimi mund të thuhet se u bë i meritueshëm. Në lidhje me zbatimin ose jo të porosive të profetëve dhe shpalljeve të Zotit u ndërtua “tregu” i ditës së gjykimit dhe shpërblimit me drejtësi. Vetëm kështu punëmirët u dërguan në përjetësi mes mirësive dhe punëkëqijtë u flakën e përflakën në zjarrin e ndezur fort.

5. Në fjalën e Tij : “ ij-jake neabudu” vetëm ty të adhurojmë. Pra Allahu i madhëruar na mëson që t’i lutemi dhe t’i shprehim përkushtimin tonë duke i thënë: “Vetëm ty të adhurojmë”. Adhurimi i Zotit është shprehje e mirënjohjes, lavdërimit, dashurisë, madhërimit e përkushtimit me përunjësi ndaj Tij. Dhe e gjitha kjo i shprehet Atij nëpërmjet rrugësh dhe veprash që Ai i do dhe është i kënaqur me to. Dashuria, mirënjohja dhe frike-respekti ndaj Zotit është diçka e ngulitur dhe brymosur në natyrën e robit, por mënyra e shprehjes së kësaj dhe rrugët fjalët ndjenjat dhe veprat me të cilat duhet të shprehet ky adhurim nuk ka mundësi të njihen hollësisht nga ky rob thjesht me logjikën e arsyetimin e Tij. Për këtë ekziston nevoja e dërgimit të profetëve dhe shpalljeve të Zotit.

Është e domosdoshme qartësimi i Profetëve për mënyrën dhe rrugët e shprehjes së adhurimit ndaj Allahut. Nga kjo kuptohet lehtësisht dhe është shumë e logjikshme të thuhet se dërgimi i profetëve është një çështje logjikisht e pranueshme madje e detyrueshme. Logjika nuk mund të pranojë që bota të jetë pa profetë. Ashtu sikurse është e pamundur që kjo botë të ekzistojë pa Krijues ashtu është e pamundur që të jetë pa profetë dhe pa shpalljet e Zotit. Ai që mohon ekzistencën e profetëve, ka mohuar edhe ekzistencën e Dërguesit të tyre, Zotit. Prandaj edhe i madhëruari e ka konsideruar mohimin e profetëve si mohimin e Tij.

6. Fjala e Tij “Ihdines-siratal mustekim” na udhëzo në rrugën e drejtë. El hudâ udhëzimi është shtjellimi dhe tregimi qartësisht i çështjeve dhe pastaj dhënia apo pajisja me forcë të mjaftueshme e sukses për ta ndjekur atë. Por inspirimi e forca për ta ndjekur dhe punuar sipas udhëzimit vjen pas qartësimit dhe shtjellimit të saj (udhëzimi). Por qartësimi i të vërtetës dhe shtjellimi i saj nuk mund të logjikohet pa dërgimin e profetëve dhe shpalljeve të Zotit.
Pas këtij qartësimi dhe shtjellimi dhe në varësi të përgjigjes dhe respektimit të tij, vjen edhe inspirimi dhe dhënia e suksesit që, hap pas hapi, të punosh dhe të nënshtrohesh sipas tij. Vetëm pas qartësimit dhe pranimit të së vërtetës të sjellë nga Profetët dhe shpalljet e Zotit mund të vendoset imani në zemër, të të bëhet i dashur dhe të zbukurohet në zemrën tënde si dhe të të jepet mundësi që t’i japësh përparësi atij kundrejt çdo gjëje tjetër, të jesh i kënaqur me të dhe të anosh me gjithë qenien tënde në plotësimin e tij. Kështu pra kemi dy lloje udhëzimi të ndryshme nga njëra-tjetra dhe sigurisht që fitorja dhe shpëtimi nuk mund të arrihet veçse nëpërmjet plotësimit të të dyjave. “Medarixhus-salikin” Ibnul Kajim

Në suren Fatiha janë përmbledhur mësimet dhe kuptimet e gjëra të Kur’anit madhështor. Kumtet e saj që kërkojnë përqendrim dhe meditim janë të shumta dhe të rëndësishme. Zemra e robit nuk ka për t’u rregulluar dhe përmirësuar derisa t’i meditojë dhe t’i kuptojë ato mirë. Prandaj Allahu i madhëruar e bëri atë të detyrueshme të lexohet nga robi 17 herë (e pakta) gjatë natës dhe ditës (24 orë).

Burimijetes.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here