Eklipsi ne kohën e profetit -alejhi selam-

0
265

Dielli dhe hëna në librin e Allahut.

Allahu i madhëruar në Kuran njofton: “(Allahu) është ai i cili krijoi natën, ditën, diellin dhe hënën. Secili lundron në trajektoren e tij” El-Enbija: 33.
Ky ajet përmban dy njoftime:
1- Nata, dita, dielli dhe hëna janë prej krijimit të Allahut. Ibn Abasi radiallahu anhu tregon: “Allahu e krijoi natën para ditës” e transmeton Abdurrazaku me zinxhirë të saktë. Kjo do të thotë se dita është ndarë nga nata pas krijimit të diellit.

2- Dielli dhe hëna janë trupa që lundrojnë në trajektore. Kjo do të thotë se ato janë në lëvizje të vazhdueshme dhe kjo lëvizje është rrethore siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu-: “Rrethore siç lëviz koka e boshtit” E transmeton Ibn Ebij Hatim.
Në librin e Allahut gjithashtu thuhet: “Allahu është ai i cili i ngriti qiejt pa shtylla mbajtëse që shihen pastaj u lartësua mbi arsh dhe nënshtroi diellin dhe hënën; secili prej tyre ecën për në afatin e caktuar. Ai i rregullon çështjet, i sqaron mrekullitë në mënyrë që ju të jeni të sigurtë në takimin me Allahun” Suretu Rrad: 2.
Kurse në një sure tjetër thuhet: “Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj dhe të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.” Suratu El-Isra: 12.
Këto ajete njoftojnë edhe dy gjëra të tjera:
1- Dielli dhe hëna janë mrekulli të Allahut për banorët e tokës dhe fjala mrekulli sipas gjuhës së Kuranit do të thotë shenja treguese të fuqisë së Allahut krijuesit të botës.
Këtë mrekulli ndoshta njeriu nuk mund ti ndjejë ashtu siç duhet veçse nëse e humb atë dhe për këtë arsye Allahu i madhëruar në Kuran supozon:
“Thuaj: Nëse Allahu do tua bënte natën të përhershme deri në ditën e kiametit, cili zot veç Allahut do tu sillte dritë?! A nuk dëgjoni?! * Thuaj: Nëse Allahut do tua bënte ditën të përhershme deri në ditën e kiametit, cili zot veç Allahut do tu sillte natën që të preheni në të?! A nuk shikoni?! * Prej rahmetit të tij është se ai ju ka bërë natën dhe ditën që të preheni dhe të kërkoni prej mirësive të tij në mënyrë që të falënderoni” suretu El-Kasas: 71-73.
2- Dielli dhe hëna nëpërmjet tyre llogaritet koha. Nëpërmjet diellit llogariten ditët dhe stinët kurse nëpërmjet hënës llogariten muajt dhe vitet.

Eklipsi i diellit dhe i hënës.
Dielli dhe hëna janë trupa që lëshojnë dritë mbi tokë siç thotë Allahu i madhëruar në kuran: “Allahu është ai i cili e bëri diellin ndriçues dhe hënën vezulluese” suretu Junus: 5. Ato lindin, perëndojnë dhe ndajnë me njëri-tjetrin ditën dhe natën dhe kjo është gjendja e tyre normale sipas të cilës Allahu i ka krijuar ata që në ditën e krijimit të tyre, mirëpo nëse drita e tyre ikën dhe dalin nga zakoni i tyre atëherë diçka ka ndodhur me këta dy trupa qiellorë dhe kjo quhet [Kusuf] ose eklips.
Ikja e dritës së diellit dhe hënës është një shfaqje e madhe e fuqisë së Allahut bile te kujton edhe me kiametin se Allahu nëse ka mundësi të prishë adetin e tyre në ndriçim dhe vezullim ka mundësi të prishë edhe ketë botë kur ti vijë ora e saj e fundit.
Çdo shenje treguese e fuqisë së Allahut që shfaqet ne tokë si: eklipset, tërmetet, vullkanet, stuhitë, tufanet etj. Allahu i madhëruar i dërgon ato për frikësim siç thotë në kuran: “Ne nuk i nisim shenjat veçse për frikësim” Suretul-Isra: 59.
Katade -Allahu e mëshirofte- në komentimin e këtij ajeti thotë: Allahu i madhëruar i frikëson njerëzit me çfarëdo lloj shenje që do në mënyrë që ata të zënë mend, të kujtohen dhe të kthehen te Allahu.

Eklipsi i diellit në kohën e profetit alejhi selam.
Eklipsi është një dukuri që ka ndodhur një herë në kohën e profetit alejhi selam dhe duke qenë e tillë kemi mundësi të njihemi me çfarë ka bërë ai në këtë ditë.

1- Eklipsi ka ndodhur në ditën që ka vdekur Ibrahimi biri i profetit alejhi selam.
Profeti alejhi selam ka pasur një djalë me emrin Ibrahim i cili mendohet ti ketë lindur profetit alehi selam në vitin e tetë të hixhretit dhe profeti alejhi selam është gëzuar pa masë për të.
Enesi radiallahu anhu thotë: “E kam parë profetin alejhi selam duke e shtrënguar dhe puthur dhe më pas e kam parë atë kur po jepte shpirt dhe profeti alejhi selam tha: Syri loton, zemra mërzitet, por nuk themi veçse fjalë që kënaqin zotin tonë. O Ibrahim, ne me ndarjen tënde jemi të mërzitur” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
El-Mugira bin Shu’be radiallahu anhu tregon: “Është zënë dielli në kohën e profetit alejhi selam në atë ditë që vdiq Ibrahimi (i biri i profetit alejhi selam)” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
El-Uakidij dijetari i madh i historisë profetike i vdekur në vitin 207H e përcakton këtë ditë dhe thotë: Ibrahimi ka vdekur në vitin e dhjetë të hixhretit kur ai ishte 18 muajsh.
Pra, eklipsi i diellit në kohen e profetit alejhi selam është ngjarje që ka ndodhur në vitin e dhjetë të hixhretit.

2- Profeti alejhi selam harron mërzitjen e tij për të birin dhe niset për në xhami.
Aisha radiallahu anha tregon: “U zu dielli në kohën e profetit alejhi selam dhe ai menjëherë doli për në xhami, i rreshtoi njerëzit mbrapa vetës, mori tekbir dhe lexoi gjatë” e transmeton Buhariu.
Një tjetër sahabi që quhet Ebu Bekra radiallahu anhu tregon për atë ditë: “U zu dielli në kohën e profetit alejhi selam dhe ai doli duke tërhequr zvarrë rrobën e tij derisa mbërriti në xhami pastaj njerëzit u mblodhën pas tij dhe ai fali me ta dy rekate” e transmeton Buhariu.
Kjo do të thotë se profeti alejhi selam sapo ka parë zënien e diellit ka dalë menjëherë për të bërë atë që kërkohet në këto momente kur shfaqen shenjat e shprehjes së fuqisë së Allahut sepse Allahu siç i thamë më lart nuk i çon ato veçse për frikësim.

3- Kur mbërrin në xhami thërret njerëzit për në namaz me shprehjen: “Ejani për në namaz me xhematë!”.
Abdullah bin Amr bin El-As radiallahu anhu tregon: “Kur u zu dielli në kohën e profetit -alejhi selam- është thirrur për në namaz me fjalën: Ejani për në namaz me xhematë!”
Në këtë lloj mënyrë bashkonin njerëzit sa herë që lipsej nevoja për bashkim jashtë kohëve të pesë namazeve.
Pra, sipas traditës profetike për namazin e eklipsit nuk ka ezan dhe njerëzit mblidhen për në namaz me fjalën: “Ejani për në namaz me xhematë!”.

4- Njerëzit i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij namazi.
Esma radiallahu anha thotë: “Shkova te Aishja (motra e saj) dhe e gjeta duke u falur. I thashë: Ç’kanë njerëzit? Ajo bëri me shenjë nga qielli dhe njerëzit të gjithë në këmbë duke u falur. I thashë: Subhanallah mrekulli?! Ajo bëri shenjë me kokë se po. Atëherë unë hyra në namaz dhe u fala (gjatë) derisa po më binte të fikët dhe hodha mbi kokë ujë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, kërkohet ti kushtojmë këtij namazi një rëndësi të veçantë siç i kanë kushtuar sahabët në kohën e profetit alejhi selam dhe jo te merremi me dukurinë se si ndodh siç ndodh në shumicën e rasteve sot, por të merremi me domethënien e dukurisë e cila është nxitja e njerëzve për kthim nga Allahu.

5- Profeti alejhi selam fal me njerëzit një namaz të gjatë.
Aishja radiallahu anha tregon: “U zu dielli në kohën e profetit alejhi selam dhe ai menjëherë doli për në xhami, i rreshtoi njerëzit mbrapa vetës, mori tekbir dhe lexoi gjatë. Pastaj mori tekbir dhe ra në ruku dhe qëndroi gjatë. Pastaj tha: Semiallahu limen hamideh, u ngrit dhe nuk ra në sexhde dhe lexoi gjatë por më i shkurtër se i pari. Pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë por më shkurt se në rukunë e parë. Pastaj tha: Semiallahu limen hamideh, rabena ue lekel-hamd. Pastaj ra në sexhde. Ai të njëjtën gjë bëri dhe në rekatin e dytë dhe kështu plotësoi katër ruku me katër sexhde” e transmeton Buhariu.

Pra, ky namaz ndryshon nga namazet e tjera sepse ka: katër lexime, katër ruku, katër sexhde dhe të gjitha këto në dy rekate. Ky namaz siç shihet dhe nga forma e kryerjes së tij është i gjatë bile aq i gjatë sa njëri prej këtyre leximeve tregohet se ka qenë i barabartë me suren El-Bekara.
Ibn Abasi radiallahu anhu tregon: “U zu dielli në kohën e profetit alejhi selam dhe ai fali një namaz të gjatë aq sa mund të lexohet surat El-Bekara. Pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë pastaj u ngrit dhe lexoi gjatë por më shkurt se leximi i parë” e transmeton Buhariu.
Atëherë nëse njëri prej katër leximeve ishte sa surja El-Bekara dhe të tjerat pak më të shkurtra, i bie që profeti alejhi selam të ketë lexuar shumë gjatë kuran dhe prandaj Esma radiallahu anha tha në hadithin e mësipërm: derisa po më binte të fikët.
Aishja radiallahu anha thotë: “Nuk kam bërë as ruku dhe as sexhde më të gjatë se ato” e transmeton Muslimi.

6- Profeti alejhi selam në namaz bën lëvizje që nuk kanë lidhje me namazin.
Ibn Abasi radiallahu anhu tregon se profetin alejhi selam e kanë parë në këtë namaz duke lëvizur sikur donte të kapte diçka pastaj e kanë parë duke u zmbrapsur. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Këto lëvizje nuk janë lëvizje të namazit dhe prandaj janë çuditur sahabët se cili është shkaku i tyre gjë për të cilën do të pyesin pas namazit siç do të vijë më poshtë.

7- Profeti alejhi selam qëndron në namaz deri në përfundim të eklipsit.
Ibn Abasi radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam kur mbaroi namazin ishte shfaqur dielli.
Qëndrimi në namaz deri në shfaqjen e diellit apo hënës ka ardhur edhe në porositë e profetit alejhi selam siç tregon Ebu Bekra, El-Mugira bin Shuebe dhe Xhabiri radiallahu anhum se profeti alejhi selam ka thënë: “Kur ti shihni se u zunë (dielli dhe hëna), faluni derisa të shfaqen!” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

8- Profeti alejhi selam pas namazit tregon për veprimet e bëra në namaz dhe që nuk kanë lidhje me të.
Aishja radiallahu anha tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Pashë në këtë namaz çdo gjë që më është premtuar derisa pashë një bistak prej bistakëve të xhenetit dhe tentova ta marr atë dhe prandaj më patë duke ecur përpara. Pastaj pashë xhehenemin duke copëtuar vetveten dhe prandaj më patë duke u larguar” e transmeton Buhariu.
Pra, profeti alejhi selam ka parë xhenetin dhe xhehenemin dhe ky ka qenë shkaku i lëvizjeve të tij në namaz.
Xheneti.
Për sa i përket xhenetit në një hadith tjetër thuhet se profeti alejhi selam ka thënë: “Më është shfaqur çdo gjë ku keni për të hyrë (në botën tjetër). Mu shfaq xheneti dhe mora prej tij një bistak por duart nuk ma mbajtën dot” e transmeton Muslimi
Në një transmetim tjetër thuhet: “Unë pashë xhenetin dhe u mundove të marr një bistak të cilin sikur ta kisha marrë do të kishit ngrënë prej tij deri në fund të dynjasë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Xhehenemi.
Ndërsa për sa i përket xhehenemit profeti alejhi selam në hadithin e Aishes radiallahu anha të lartpërmendur tha se e kishte parë atë duke e copëtuar vetveten nga egërsia dhe përveç saj ka parë edhe gjëra të tjera:
a- Në një transmetim tjetër thotë: “Pashë zjarrin dhe nuk kam parë pamje më të egër sesa sot” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
b- Në një transmetim tjetër thotë: “Mu shfaq zjarri dhe unë i fryva nga frika se mos ju kaplojë dhe fillova të lutem duke thënë: O zoti im, a nuk më ke premtuar se nuk do ti dënosh ata kur të jem në mesin e tyre?! O zoti im, a nuk më ke premtuar se nuk do ti dënosh ata kur ata janë duke të kërkuar falje” e transmeton Ibn Hibbani dhe e saktëson sheikh Albani.
Kjo dua e profetit alejhi selam ishte një garanci që ia kishte dhënë Allahu atij në kuran: “Allahu nuk do ti dënojë ata (njerëzit) kur ti të jesh mes tyre dhe as do ti dënojë ata kur janë duke kërkuar falje” suratu El-Enfal: 33.
Këto dy gjëra i ka quajtur garanci Ebu Hurejra radiallahu anhu kur u thoshte njerëzve: “Keni pasur mes jush dy garanci njëra ka ikur dhe ka mbetur tjetra: Allahu nuk do ti dënojë ata (njerëzit) kur ti të jesh mes tyre dhe as do ti dënojë ata kur janë duke kërkuar falje” e transmeton Hakimi dhe pikërisht këtë garanci profeti alejhi selam e shfrytëzon këtu në këtë moment të vështirë.
c- Profeti alejhi selam gjithashtu njofton se ka parë se kush ishin shumica e banorëve të zjarrit dhe thotë: “Pashë se shumica e banorëve të zjarrit ishin gra. E pyesin se pse, o i dërguari i Allahut? Ai u thotë: sepse ato mohojnë. I thonë: Mohojnë Allahun? Ai u thotë: mohojnë mirësinë. Sikur ti bësh mirësi ndonjërës prej tyre gjatë gjithë kohës dhe pastaj sheh prej teje diçka (jo të mirë) thotë: Nuk kam parë kurrë hajër prej teje” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
d- Profeti alejhi selam njofton gjithashtu se ka parë në zjarr një grua prej Beni Israilëve dhe thotë: “Mu shfaq zjarri dhe pashë aty një grua prej Beni Israilëve duke u dënuar për një mace të cilën e kishte lidhur, as nuk i kishte dhënë të hajë dhe as nuk e kishte lënë të lirë të hante vetë në tokë” e transmeton Muslimi.
e- Profeti alejhi selam ka parë në zjarr vjedhësin.
“….derisa pashë aty atë që vjedh me shkop duke tërhequr zorrët e tij në zjarr. Vidhte haxhilerët me shkopin e tij. Nëse e dallonin u thoshte: u kap vetë pas shkopit dhe nëse nuk e dallonte njeri e merrte dhe ikte” E transmeton Muslimi.
ë- profeti alejhi selam ka parë në zjarr disa qafirë duke u dënuar.
“Pashë në të Ebu Thumame Amr bin Malik duke tërhequr zorrët e tij në zjarr” e transmeton Muslimi.
Amr bin Malik ose Amr bin Luhej është arabi i parë që ka ndryshuar fenë e Ibrahimit alejhi selam në mesin e arabëve.

9- Këshillat e profetit alejhi selam këtë ditë.
a- Profeti alejhi selam i porositë shokët e tij se ç’duhet të bëjnë kur të ndodhë eklipsi siç tregon Aishja radiallahu anha se profeti alejhi selam ka thënë: “Kur ti shihni se u zunë: madhëroni Allahun, lutjuni atij, faluni dhe jepni sadaka” e transmeton Muslimi.
Sekreti i përmendjes së këtyre punëve është se secila prej tyre largon zemërimin e Allahut.
b- Profeti alejhi selam qartëson se eklipsi nuk ka lidhje me vdekjen apo lindjen e dikujt.
Profeti alejhi selam atë ditë ka thënë: “Njerëzit thoshin: dielli dhe hëna nuk zihen veçse për shkak të vdekjes së një njeriu të madh. Jo, ato janë dy mrekulli të Allahut që jua shfaq juve dhe kur të zihen, faluni derisa të shfaqen!” e transmeton Muslimi.
c- Prej këshillave të asaj dite ka qenë edhe fjala e tij: “O ymet i Muhamedit, nuk është kush më xheloz se Allahu kur bën zina robi apo robresha e tij. O ymeti i Muhamedit, sikur ta dinit atë që di do të qanit shumë dhe qeshnit pak. A nuk i kam përcjellë porositë e Allahut?!” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Pra, këshillimi i njerëzve pas namazit të eklipsit është traditë profetike dhe është e pëlqyeshme që imami ta bëjë këtë gjë pas namazit dhe ta ruaj këtë traditë.

10- Profetit alejhi selam i është shpallur atë ditë se njerëzit do të dënohen në varr.
Aishja radiallahu anha tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Më është shpallur se ju do të sprovoheni në varret tuaja si ose afërsisht me sprovën e mesiut dexhalit. Do t’ju thuhet: Ç’thua për këtë burrë? Për sa i përket besimtarit do të thotë: ai është Muhamedi i dërguari i Allahut na ka ardhur me fakte, udhëzim dhe ne iu përgjigjëm dhe e ndoqëm. Atëherë do ti thuhet: fli i qetë se e dinim se e besoje atë. Kurse munafiku dhe dyshuesi thotë: nuk e di, i dëgjova njerëzit duke thënë diçka dhe e thashë dhe unë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo është ajo çfarë ka bërë profeti alejhi selam atë ditë dhe këto janë fjalët dhe porositë e tij për një dukuri e cila nuk ka ndodhur veçse njëherë në jetën e tij por ama e ruajtur ne detaje nga ana e shokëve të tij të nderuar. Allahu na bashkoftë me ta dhe me profetin tonë alejhi selam në xhenet! Amin!

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here