Tregim kushtuar fëmijëve që kanë mbetur pa personin më të dashur të tyre, nënën
Besniku e vuri re se nuk ishte duke marrë vesh asgjë nga ajo që po lexonte. Sytë e tij ishin duke parë shkronja dhe shikuar fjalë, por ai nuk e kuptonte domethënien e tyre. Ai, në të vërtet, nuk ishte duke menduar rreth mësimit, por rreth asaj gruaje keqbërëse dhe shqetësimet që po u shkaktonte; si ua bëri zeher jetën atij dhe motrës së tij fatkeqe e ua bëri ferr të zjarrtë.
E shikoi orarin dhe pa se nuk i kishte mbetur vetëm se edhe një javë para provimit, ndërkohë që ai kishte nevojë të lexonte dhe të parapërgatitej. Por…, si të lexonte e të përgatitej? Ku të gjente qetësi dhe përqendrim në këtë shtëpi, kur kjo grua ishte duke e ndjekur dhe duke e munduar aq shumë, saqë nuk e linte të qetë asnjë moment?! Kur ajo ngopej me të, shkonte te motra e tij, e cila përjeton mjerime prej saj. Vallë, a dëshironte Besniku që të ngelte këtë vit shkollor, kur në vitet e mëparshme ishte më i dalluari ndër shokët dhe i pari i klasës?
Teksa ishte i thelluar në këto mendime, papritmas dëgjon zërin e asaj gruaje si shtrëngatë ere. Megjithatë, shtrëngata edhe pse kalon një herë në muaj mbi fushat e mbjella dhe i dëmton, më pas pasojnë shirat, toka ujitet, dielli del dhe bima e dëmtuar rikthehet e së bashku me të dalin edhe bimët e tjera. Kurse shtrëngata e shtëpisë së tyre çdo moment fryn dhe ua thyen zemrat atij e motrës së vogël gjashtëvjeçare. Pastaj, kjo thyerje nuk rregullohet më kurrë….!
Furtuna e erës është më e mëshirshme, më e butë, më fisnike e humane se kjo grua. Kjo grua, që të tjerët e shohin të bukur, të ëmbël e që i robëron zemrat, nuk është vetëm se një gjarpër i cili ecën qetë dhe butë, kurse sherrin -helmin- e ka të fshehur në gjuhë.
Besniku dëgjonte fyerjet, sharjet dhe zhurmën e dorës së saj…! Iu thaftë dora, e cila është duke rënë mbi fytyrën e fëmijës së pafajshme! Nuk mundi të qëndronte ulur. Por, as nuk ka mundësi të shkojë e ta mbrojë motrën nga frika e babait. BABAI! Ky njeri i cili bëri besëlidhje me gruan e tij të re dhe e ndihmoi atë që të luftojë kundër vajzës së mjerë e t`ia zërë frymën e jetës para se ta kuptonte çfarë ishte jeta. U ngrit të shikojë nga dritarja dhe pa të motrën të mbështetur në mur, të dërmuar, të mërzitur dhe duke qarë. Fytyrën e kishte të zverdhur, rrobat e vjetruara. Kurse afër saj rrinte gjysmëmotra më e vogël, fytyra e së cilës ishte plot shëndet, sytë i shkëlqenin dhe ishte e zbukuruar me rroba të shtrenjta. E ndjeu se zemra i shkoi te sytë dhe i bëri ato të rridhnin lot. Vallë, çfarë faji kishte bërë kjo fëmijë që të poshtërohej me këto mundime? A nuk ishte ajo gëzimi i babait dhe stolia e jetës së tij? A nuk ishte ajo për babanë personi më i çmuar? Çfarë ka tani ajo që u bë e pavlerë dhe e urryer? Në këtë shtëpi nuk dëgjon vetëm se fyerje dhe qortime ndaj saj, kurse të gjitha llastimet i takojnë motrës së saj, e cila është dy vjet më e vogël, por i tërë përqendrimi është për të. A thua se ekzistonte vetëm ajo, kurse motra e tij u bë shërbëtore në shtëpinë e babait të saj. Madje edhe më keq, pasi shërbëtorja ka mundësi të shërbejë në ndonjë shtëpi ku njerëzit kanë zemër, ndjenja dhe janë fetarë e sillen me të si me fëmijën e tyre. Kurse babait të kësaj jetimeje, kjo grua nuk i ka lënë në gjoks zemër që ta mbronte me denjësi ose të sillej mirë me të. I qenka përcaktuar kësaj jetimeje të mos i ketë të dy prindërit, pasi i vdiq e ëma e ka mbetur pa të dhe i vdiq edhe ndërgjegjja e babait, e mbeti edhe pa baba.
E dëgjoi zërin e njerkës duke thirrur:
-Eja këtu, oj derre e mjerë!
“Derre” ishte emri i saj dhe ajo e thërriste gjatë gjithë kohës vetëm se kështu. E, kur vinte babai i saj në mbrëmje, atëherë e thërriste “vajzë” dhe thoshte: “Eja këtu vajzë, shko andej vajzë!” Kurse gjysmëmotra e saj gjithmonë ishte “e dashur”: “Ku je e dashur, eja këtu e ëmbla ime…!”
Zëri u rikthye duke rënkuar:
-A nuk dëgjon se motra jote është duke qarë? Shko shihe çfarë kërkon dhe sillja! Pse nuk i përgjigjesh? A je memece? Pyete çfarë dëshiron!
Ajo e gjora u përgjigj me zë të frikësuar:
-Është duke kërkuar çokollatë!
-Pse ke mbetur pra duke pritur, shko dhe jepja atë që kërkon!
Kjo e gjora mbeti duke mos ditur si t`ia sqarojë se pjesa e mbetur e çokollatës ishte e saj. Babai i saj kishte blerë dje një çokollatë e ia kishte dhënë motrës së vogël, ajo filloi ta hante derisa kjo e shikonte. Motra e vogël u bezdis nga shikimet e saj dhe e ndau një pjesë e ia hodhi asaj, ashtu siç ia hedh njeriu kafshatën maces, e cila i shkreptin sytë nga ushqimi. Ajo e shkreta e mori atë pjesë me gëzim. Nuk mundi ta hante, edhe pse ia kishte ënda, por e fshehu. Orë e çast shkonte te vendi ku e kishte fshehur dhe e shikonte. Nga ëndja, e kafshoi një herë. Por motra e saj e llastuar e vërejti këtë dhe tani po i kërkonte çokollatën.
-Ku ku për ty, oj e mallkuar, ku është çokollata?
Ajo heshti, por motra e vogël tha:
-E ka lënë atje oj nënë, kjo e mallkuara e mori prej meje.
E mori gruaja vajzën e saj dhe vajzën e burrit e i dërgoi te vendi ku ishte fshehur copa e çokollatës, ashtu si dërgohet i akuzuari për t’u marrë në pyetje. Kur u “vërtetua” se kishte bërë “krim” dhe kur njerka e pa “dëshminë” (çokollatën), filloi sprova e madhe për vajzën.
-Oj vjedhacake e mjerë! A kështu të ka mësuar nëna jote, të vjedhësh atë që nuk është e jotja?
Besniku ishte në gjendje t`i përballonte të gjitha, përveçse t`i ofendohet e ëma. Kur e dëgjoi se ajo e përmendi atë, nuk arriti ta përmbante veten dhe thërriti:
-Unë assesi nuk lejoj që ti të flasësh keq për nënën time!
Njerka iu përvesh atij dhe iu vërsul. Gjithmonë ajo e poshtëronte nënën e tyre dhe qëllimisht e lëndonte, kurse ai duronte duke heshtur dhe nuk shfaqte vëmendje dhe përfillje. E kjo e tërbonte edhe më shumë gruan. Prandaj ia kishte ënda dhe mezi priste të gjente rrugë për ta shfryrë (shëruar) tërbimin. E, tani i kishte ardhur rasti ta bënte këtë.
-Nuk më lejon ti mua…? I lutem zotërisë suaj, më lejoni. Unë jam nën nderin tuaj… oh! A nuk mjafton se unë lodhem e rraskapitem për të të ofruar ushqim dhe i bëj të gjitha shërbimet e tjera ndaj teje? Kurse ti nuk vlen për asgjë, vetëm se të shkruash në fletoren tënde. I tërë mundi pas teje më paska humbur, o i njollosur… Por nuk është për t’u çuditur, pasi ti je i biri i nënës tënde!
-Të thashë, mos e përmend nënën time, përndryshe unë do të të bëj që të heshtësh!
E liga qëllimisht iu afrua djalit katërmbëdhjetëvjeçar dhe filloi të bërtiste që ta dëgjonin fqinjët:
-Do të më rrahësh? O besëthyes, o mohues i mirësive…o njerëz! Më ndihmoni…!
Fqinjët nga zhurma që dëgjuan u grumbulluan, kurse Besniku u përvodh në dhomën e tij, në skutën që e quajtën dhomë, të cilën ia caktuan atij dhe së motrës që të çlirohej zonja e shtëpisë dhe mos t`i kishte gjithmonë këta fëmijë të bezdisur para fytyrës.
***
Në mbrëmje u kthye babai, i mërrolur. Ai zakonisht rrinte ashtu, i ngrysur, nuk qeshte para fëmijëve. Këtë e bënte me qëllim, që ata të kenë frikë dhe të mos sillen pahijshëm e të fitojnë moral të keq. Ai më herët nuk ka qenë kështu, por ia vuri vetes këtë traditë prej asaj dite që u paraqit në shtëpi kjo shtriga dhe ia hodhi helmin në trup. Ajo ia ka ngulitur atij në mendje se Besniku dhe motra e tij janë dy fëmijë të llastuar (halitur) dhe të neveritshëm, se nuk bën punë me ta vetëm se ashpërsia dhe ngurtësia.
Kjo e liga, kur afrohej koha e kthimit të babait, i hiqte rrobat e saj të vjetra dhe vishej me rroba të bukura, ashtu siç e largonte nga vetja fytyrën e vrazhdë djallëzore duke e zëvendësuar me një fytyrë me shenja dëlirësie e pafajësie. Gjithashtu, nuk harronte t`i pastronte edhe dy vajzat e t’u vishte atyre rroba të njëjta, që mos ta kuptonte babai se ajo preferonte vajzën e saj ndaj jetimes.
Kur hyri babai, ajo e takoi me pritje të mirë, të përzemërt dhe emocionuese, por fytyrës i dha ngjyrën e dhimbjes, që të kuptohej se i ishte bërë zullum gjatë ditës. E përcolli atë në dhomën e fjetjes, duke e ndihmuar të hiqte pallton dhe atje i tregoi ndodhinë e përgënjeshtruar të ditës duke e deformuar atë, e kështu ia mbushi gjoksin me hidhërim dhe tërbim ndaj fëmijëve të tij.
Ai doli nga dhoma duke mos parë para vetes nga hidhërimi. E thirri vajzën, e cila erdhi e frikësuar, ashtu si shkohet për vdekje. Ajo u ndal para tij si do të shtangej një qengj i dobët para ujkut. Kurse ai u ul në një karrige të lartë, si të ishte karrige gjyqi. Filloi t`i bërtiste e ta qortonte ashpër, duke i sqaruar shëmtinë e vjedhjes. Gjatë kësaj kohe e shikonte Besnikun me sy të shtrembër. Këto shikime i paralajmëronin atij të keqen. Ai nuk kishte çfarë të bënte, kur dëgjonte se si akuzohej motra e pafajshme për vjedhje, por vetëm heshtte. Iu afrua babait me qëllim që t`ia sqaronte çështjen dhe me këtë vetëm se i përshpejtoi vetes të keqen.
Zëri i babait të zemëruar dhe të shqetësuar shpërtheu si vullkan mbi djalin e vogël dhe shtëpia filloi të dridhet:
-O i pacipë, dëshiron ta rrahësh njerkën tënde, edepsëz i mallkuar! Kam menduar se kur t’i arrish të katërmbëdhjetat, do të bëhesh burrë! A e rreh njeriu njerkën e tij? Do ta thyej dorën, ore fatkeq!
Besniku tentoi të bënte ndonjë sqarim:
-Vallahi, o baba, nuk është e vërtetë…!
-Prapë paturpësi! A nuk të ka mbetur asnjë moral? Edhe e përgënjeshtron njerkën tënde?
-Unë nuk e përgënjeshtroj. Por them se ajo thotë fjalë të pavërteta.
Në këtë moment, babai u ngrit i humbur në hidhërimet me të cilat ishte mbushur nga dredhitë e kësaj gruaje. Iu vërsul djalit dhe filloi ta rrihte sikur të kishte humbur vetëdijen. Nuk u mjaftua vetëm me kaq, por ia mori fletoren e zezë, në të cilën Besniku kishte shkruar të gjitha mësimet, dhe e grisi, pastaj e la atë dhe motrën pa darkë si dënim dhe tërheqje të vërejtjes ndaj tyre.
***
Çifti me vajzën e tyre hëngrën darkë dhe shkuan të flinin. Djaloshi ishte shtrirë duke shikuar fletoren e grisur, për të cilën kishte kaluar net të tëra duke e shkruar. Nuk i hahej dhe nuk i flihej nga mërzia. Ajo ishte fletorja për të cilën kishte qorruar sytë duke e shkruar, nëpërmjet saj ai ndërtonte ardhmërinë. U ngrit dhe filloi t`i mblidhte pjesët e grisura, ashtu si do t’i mblidhte nëna pjesët e trupit të fëmijës që i është ekspozuar ndonjë bombe… Por, jo, janë me mijëra pjesë, nuk ka mundësi të bashkohen. Nuk ishte e mundur të kthehej në fletore që lexohej, ashtu si nuk do të mund të ktheheshin pjesët e fëmijës në një trup që flet e lëviz. Ai u bind se ra nga provimi dhe e humbi vitin. Iu bë shumë e paduruar kjo dhe nuk arrinte dot ta qetësonte veten nga këto padrejtësi. E ndjeu se bota po i sillej dhe filloi të kthente kujtimin e ditëve të kaluara ashtu si do të kthehej një film pas.
Përnjëherë iu kujtua fytyra e ëmbël e nënës dhe buzëqeshja e saj, e cila e bënte të harronte të gjitha dhimbjet. Gjoksin e saj e kishte vend ku gjente qetësinë gjatë fatkeqësive të jetës. Iu kujtua ajo kur ishte në moshën më të re dhe të shëndetshme. Iu kujtua shtëpia, kur ishte e qetë, e pastër dhe plot dashuri. Iu kujtua babai, kur ishte baba i vërtetë, që derdhte shpirtin prindëror nga dy sytë e mallëngjyer, duart e tij plot butësi dhe bamirësi, gjuhën gjithmonë të lagur me fjalë të mira dhe të dashura.
E riktheu kujtimin atëherë kur nënën e kishte të sëmurë, por ai nuk merakosej, duke paramenduar se ishte një sëmundje e rastësishme dhe kalimtare… Pas një kohe, ai vërejti në shtëpi rrëmujë, pa shqetësimin në fytyrat e familjarëve, i dëgjonte ata duke qarë dhe si e largonin nënën të shtrirë në një dërrasë nga shtëpia duke e fshehur lajmin prej tij. Por, ai kuptoi se nëna e tij kishte VDEKUR! E vdekur…!
Fjalë që e dëgjonte dhe e kalonte duke mos ia vënë veshin domethënies. Ai kishte dëgjuar për vdekjen dhe kishte lexuar diçka në libra, por nuk e kishte parë për së afërmi dhe ajo ende nuk kishte vizituar shtëpinë e tij. Nuk e kishte shijuar kuptimin e saj tek asnjë i dashur dhe i afërm i tij. Por, ditët shumë shpejt ia mësuan kuptimin e vdekjes. Ajo ndodhi pasi i vdiq e ëma, në mëngjesin e ditës së nesërme, kur atë e zgjoi vaji i motrës, e cila ishte shumë e dashur për nënën e saj. Motra, gjithashtu, ishte e dashur edhe për babanë atyre ditëve. Ajo, atë mëngjes, i hapi sytë dhe nuk gjeti nënën pranë saj t`i jepte gji dhe ta përqafonte, prandaj vaji i saj u shtua. Kurse Besniku filloi ta thërriste: NËNË…U shqetësua dhe filloi ta kërkonte. Ai gjeti babanë dhe disa nga të afërmit duke qarë. I pyeti se ku e kishte nënën, por nuk iu përgjigjën… Kur u nis për të shkuar në shkollë, thirri prapë, që të vinte e ëma dhe t`ia përgatiste çantën, ta vishte dhe ta përcillte te dera duke e puthur dhe këshilluar që të mos zihej me askënd e mos të luante në rrugë të asfaltuar. Kur u largua pakëz nga shtëpia, e ktheu kokën se mos po shihte të ëmën, pasi kur ai arrinte në atë vend, ajo përsëriste lamtumiren dhe porositë, por nuk e pa. U kthye nga shkolla, por në vend të nënës gjeti një grua të huaj duke i dhënë gji motrës… Pse ajo gruaja e huaj i jepka gji motrës? Ku ishte nëna?
E ktheu kujtesën mbrapa dhe pa babanë atyre ditëve kur vdiq e ëma. Ai ishte i butë dhe miqësor ndaj tij dhe motrës, mundohej t`u bëhej atyre nënë dhe baba. Por ky baba ndryshoi nga ajo ditë ogurzezë. Ditën kur i tha: “Besnik, babai do të sjellë nënë të re në shtëpi.” Nënë të re? Këtë nuk e kishte dëgjuar më parë. Ai dinte se si sillej motra e re; nëna e lindte nga barku i saj. Por nënë tjetër të re, nga lind kjo? Ai priti derisa i erdhi nëna e re. Në fillim ajo ishte e ëmbël, me rroba të bukura, faqet i kishte ngjyrë muzgu, buzët të kuqe, jo si buzët e njerëzve të tjerë. U çudit nga kjo ngjyrë buzësh. Por, nuk e deshi dhe nuk anoi kah ajo asnjëherë. Ditëve të para ajo ishte e butë dhe e dashur, si një fidan i imët. Por, kur kaluan ditët, kur ajo u vendos e u stabilizua dhe i forcoi rrënjët, u bë e thatë si trungu i pemës së madhe që i tradhton ata që e shohin me fletët dhe lulëzimin e jashtëm. Kur lindi vajzën, u bë një dreqe, gjarpër i fshehur që mbulohet me lëkurën e një gruaje të bukur. Allahu na mbrojttë nga gruaja e bukur që në realitet është një shejtane në formë gjarpri të fshehur.
U fshinë të gjitha fotografitë e së kaluarës së dashur dhe u zhduk filmi. Nuk mbeti nga tërë ajo që po kujtonte vetëm se kjo foto e shëmtuar dhe e neveritshme e kësaj gruaje. Iu zmadhua aq shumë, derisa e përfshiu tërë jetën dhe iu mbush e tëra me këtë, që ta pengonte depërtimin e dritës së shpresës…
E dëgjoi zërin e saj duke qeshur dhe iu duk si të reshurat e mitralozit që goditën zemrën e tij. Qeshja e kësaj gruaje, që ka marrë vendin e nënës, përzihej me vringëllimat e të qeshurave të babait të tij…
Ashtu i heshtur dëgjoi edhe një zë vaji të zbehur, të mërzitur dhe të vazhdueshëm. I ra ndërmend motra, të cilën e kishte harruar gjatë çasteve të kujtimit. Uria që ndjente, i kujtoi se edhe e motra e mjerë kishte mbetur pa darkë. E ndoshta edhe nuk kishte drekuar fare, pasi kjo e liga tërë ditën nuk e lë të qetë duke e shtyrë t`i shërbejë asaj dhe vajzës së saj. Ajo e mban të mbyllur kuzhinën, duke i dhënë asaj vetëm një copë bukë të thatë. Kurse vajzën e saj e ushqen fshehurazi. Kur vjen babai, para tij në mbrëmje ajo e vesh fytyrën me dëlirësi dhe i ankohet se si kjo vajzë është e sëmurë dhe e dobët.
-E gjorë kjo vajzë, nuk ha fare… shikoje trupin e saj. Pse nuk po e dërgon te mjeku? Por çfarë t`i bënte mjeku kur ajo është kokëforte dhe e pasjellshme…-, thotë ajo. -Unë e thërras të hajë, por nuk më përgjigjet… kryeneçësia e saj do ta shkatërrojë.
Kurse babai i saj, duke u besuar këtyre fjalëve, e thërret dhe i thotë:
-Çfarë ke kështu që mban inat? Ha, se do të të rrah.
Ajo e gjora, afrohet për të ngrënë. Por kur e sheh atë grua, e cila e shikon që mbrapa babait me sy kërcënues dhe vëren se ajo fytyrë është shndërruar në fytyrë hiene, frikësohet dhe fillon të dridhet…
Gruaja i thotë burrit të saj:
-A të kam thënë se është shumë kryeneçe dhe ka nevojë të edukohet?
Babai lëviz kokën dhe fillon ta edukojë duke e goditur në fytyrë, duke i tërhequr veshin ose edhe duke e nxjerrë nga kuzhina dhe kështu darka e saj përfundon me kaq.
Besnikut iu kujtua motra dhe shkoi tek ajo, e ngriti dhe e përqafoi.
-Çfarë ke? Pse qan? Hesht zemra ime.
E përqafon dhe e përkëdhel.
-A je e uritur?
A je e uritur? Por, ku t’ia gjejë ushqimin? U ngrit të kërkonte. Për fatin e tij e gjeti derën e kuzhinës hapur, pasi zakonisht ishte e mbyllur. Në tavolinë gjeti mbetjet e ushqimit. Ia solli së motrës. Ajo u gëzua dhe hëngri. Besniku ndjeu dhimbje nga gëzimi i motrës së saj, që u ngop me mbetjet e ushqimit, dhe prapë iu kthyen në kujtesë fotografitë e të kaluarës dhe iu paraqit nëna në mendime.
E mori në gjoks motrën dhe e përqafoi duke e shtrënguar dhe duke i dhënë ngrohtësi, për të cilën nuk kishte mundësi ta ngopte. E gjora, në brendësi kishte zbrazësinë e përkëdheljes prindërore, që nuk kishte mundësi t`ia jepte i vëllai, pasi edhe atij i mungonte e njëjta gjë.
E mori dhe e vendosi në shtrat duke e puthur dhe duke e përkëdhelur. Filloi t`i tregojë diçka për të cilën edhe ai vetë kishte nevojë të dëgjonte- rreth nënës, të cilën mezi e kujtonte edhe vete Besniku, pasi kishin kaluar disa vite nga ndarja.
Kur e përmendte Besniku atë duke thirrur “nënë”, motra ndiente shqetësim dhe frikë, pasi nuk kuptonte për kë po fliste vëllai i saj. Motra e saj njihte vetëm një grua që e thërriste me emrin “nënë”, ajo ishte kjo grua e ligë që ia mbushi jetën plot ankth.
Ndoshta vepra më kriminale që kishte bërë kjo grua shpirtligë ishte se ia kishte shëmtuar kësaj vajze emrin më të ëmbël dhe më të përkëdhelur të çdo fëmije, fjalën që mëson të shqiptojë çdo fëmijë, ajo është “NËNA”.
Pas një kohe ata futen në një gjumë të thellë, pasi kishin përfunduar edhe një ditë të zakonshme për ta. Vallë, kur do të përjetojnë ata ndonjë ditë të pazakonshtë? Ndoshta ëndrra do të jetë rast për ta për të përjetuar diçka të mirë, që nuk kanë mundësi ta përjetojnë në realitet.
__________________________________
Ali Tantavi
Përktheu dhe përshtati: Alaudin Abazi