Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Paqja dhe lavdërimet qofshin mbi Pejgamberin e fundit.
Allahu i Madhëruar i solli në jetë krijesat për ta adhuruar Atë dhe që të mos i shoqërojnë shok në adhurim.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Xhinnët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” (Surja Dharijat, ajeti 56)
Ai i dërgoi Pejgamberët si përgëzues, qortues, e thirrës në adhurimin e Allahut një e të vetëm.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Çdo populli Ne i çuam një të Dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” (Surja Nahl, ajeti 36)
Si pasojë e kësaj, adhurimet janë shenjë dhe përforcim i njësimit të Allahut. Për shembull, namazet janë legjitimuar për të përkujtuar Allahun e Madhëruar.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kryej faljen për të më kujtuar Mua!” (Surja Ta-ha, ajeti 14)
Allahu i Madhëruar vendos Fytyrën e Tij para fytyrës së robit të Tij në namaz përderisa nuk e lëviz shikimin përpara.
Gjithashtu agjërimi është adhurim i sinqertë vetëm për Allahun e Madhëruar, ashtu siç transmetohet në hadithin që transmetojnë Buhariu dhe Muslimi:
“Secila vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua e Unë jap shpërblimin për të.”
Gjithashtu pasuria është e gjitha e Allahut, që ua trashëgon robërve të Tij, kurse zekati është e drejta e Allahut në këtë pasuri.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim.” (Surja Hadid, ajeti 7)
Gjithashtu ka thënë:
” …e (ata) që caktojnë një pjesë të pasurisë së tyre për lypësin dhe për nevojtarin.” (Surja Mearixh, ajeti 24-25)
Ndërsa haxhi është ligjëruar për vizitën e Shtëpisë së Shenjtë të Allahut, për vazhdimësinë e përkujtimit të Allahut, shfaqjen e bindjes dhe nënshtrimit ndaj Tij, për vënien në dukje të madhërimit të adhurimeve dhe legjislacioneve të Tij, për t’u parë qartë dukuritë e njësimit të Tij në haxh në çdo adhurim prej adhurimeve të tij, në çdo vendqëndrim, vepër apo dhikër që i përket haxhit.
Së pari, ndërtimi i Shtëpisë së Vjetër (Qabes).
Allahu e urdhëroi të dashurin e Tij, Ibrahimin, paqja e Allahut qoftë mbi të, që të ndërtojë Qaben për të qenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, për të qenë drejtimi i besimtarëve që e njësojnë Allahun, që të jetë një minare prej nga ku lartësohet thirrja e tevhidit (njësimit të Allahut).
Ndërkohë që Ibrahimi bashkë me të birin, Ismailin, ndërtonin dhe ngrinin themelet e Qabes e lusnin Allahu e Madhëruar duke thënë:
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Surja Bekare, ajeti 127).
Lutja e tyre ndërkohë që ndërtonin Qaben është ndër argumentet më të fortë të tevhidit të tyre, shpresës që kishin nga Allahu dhe frikës së mospranimit të veprës së tyre.
Disa prej selefëve, paraardhësve tanë të devotshëm, qanin kur lexonin këtë ajet:
“Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Surja Bekare, ajeti 127)
Pastaj thoshin:
“O i dashuri i të Gjithëmëshirshmit! Ti po ngre themelet e Qabes dhe ke frikë se nuk do të të pranohet vepra.”
Allahu i Madhëruar deshi që të jetë ky vend që ndërtoi Ibrahimi me Ismailin, paqja e Allahut qoftë mbi të dy, vendi i adhurimeve të haxhit e të tavafit.
Allahu i Madhëruar urdhëroi që ai vend të pastrohej nga çdo gjë që e kundërshton tevhidin.
Pastaj erdhi pas tyre pasardhësi, i dashuri i Allahut, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili e pastroi Qaben nga idhujt ditën e çlirimit të Mekës, ndërkohë që po recitonte fjalën e Allahu të Madhëruar:
“Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!” (Surja Isra, ajeti 81)
Pastaj, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i shpjegoi njerëzve adhurimet e haxhit, me qëllim që Qabja të qëndronte minare e tevhidit deri në ditën kur Allahu të marrë tokën me çfarë ka në të. Ai filloi t’u thoshte njerëzve:
“Merrni nga unë adhurimet tuaja (të haxhit).”
Gjithashtu thoshte:
“Qëndroni në vendadhurimet e babait tuaj, Ibrahimit.”
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!”
Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”.
Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!
Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!
O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të Dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Surja Bekare, ajeti 125-129)
Gjithashtu ka thënë:
“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur.
Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj haxhilerët le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë.
Këto (janë urdhërimet). Për atë që nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij. Ju janë lejuar bagëtitë, përveç atyre që ju janë thënë (se janë të ndaluara). Andaj, largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme.
Përuluni plotësisht para Allahut me sinqeritet, duke mos i shoqëruar asgjë Atij (në adhurim). Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.
Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Surja Haxh, ajeti 26-32)
Së dyti, telbija është tipari dallues i besimtarëve që e njësojnë Allahun e Madhëruar.
Telbija është tipari dallues i haxhilerëve duke filluar që atëherë kur Ibrahimi, paqja e Allahut qoftë mbi të, i thirri njerëzit që të kryenin haxhin duke vënë në zbatim fjalën e Allahut të Madhëruar:
“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (Surja Haxh, ajeti 27)
Arabët në kohën e injorancës e kryenin haxhin dhe i përgjigjeshin Allahut të Madhëruar, por duke e përzier me shirkun e tyre duke thënë:
“Të përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi. Të përgjigjemi, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, përveç një ortaku që Ti e posedon atë dhe çka ka ai.”
Atëherë erdhi Vula e Pejgamberëve sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që të shfaqë haptas njësimin e Allahut dhe të shembë shtyllat e shirkut duke u përgjigjur:
“Të përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi. Të përgjigjemi, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç teje, Ty të përgjigjemi. Falënderimi, mirësia dhe pushteti të takojnë vetëm Ty, Ti nuk ke asnjë ortak.”
Disa prej njerëzve shtonin përtej kësaj telbijeje, por i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk i kundërshtoi ata përderisa ishin në tevhid.
Kurse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk shtonte gjë në të. Në këtë telbije gjendet njësimi i Allahut të Madhëruar, mohimi i çdo lloj ortaku që mund t’i shoqërohet dhe atribuimi i falënderimit, mirësisë e pushtetit vetëm Allahut e se Ai nuk ka asnjë ortak.
Transmetohet me zinxhir transmetimi të saktë nga Ibn Umeri radijAllahu anhuma se ai përdorte telbijen e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shtonte duke thënë:
“Tu përgjigja dhe e ndoqa urdhrin Tënd. E gjithë e mira është në Duart e Tua. Kërkimi dhe vepra kthehen tek Ti.” (Transmeton Muslimi)
“Të përgjigjem me frikë dhe dëshirë o Poseduesi i mirësisë.” (Transmeton Ibn Ebi Shejbeh, ashtu siç e përmend Ibn Haxheri në Fet’hul Bari)
Gjithashtu transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu:
“T’u përgjigja për haxh me një nënshtrim të plotë dhe robëri.”
Telbija fillohet kur hyn në ihram, hapi i parë i fillimit të haxhit. Ajo vazhdon për atë që bën umre derisa ta shohë Qaben. Ai në atë kohë e lë telbijen dhe fillon rrotullimin rreth Qabes (tavafin). Ndërsa për haxhiun vazhdon derisa të gjuajë gurët ditën e kurbanit (dita e Kurban Bajramit).
Ngritja e zërit gjatë telbijes është e pëlqyer. Haxhi më i mirë është ai haxh ku ngrihen zërat gjatë telbijes dhe derdhen gjakrat e kurbanit ditën e therjes së kurbaneve.
Transmetohet në hadith se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Më erdhi Xhibrili e më tha:
“O Muhamed, urdhëroji shokët e tu që të ngrenë zërin gjatë telbijes sepse ajo është prej tipareve dalluese të haxhit.” (Transmetoi dhe saktësoi Hakimi dhe ka rënë dakord me të Dhehebiu.)
Përsëritja e telbijes dhe e fjalës “t’u përgjigja” tregon për vazhdueshmërinë e përgjigjes. Gjithashtu thuhet se fjala “telbije” vjen nga qëndrueshmëria dhe kuptimi i saj është qëndrova në derën Tënde herë pas here, iu përgjigja thirrjes Tënde herë pas here dhe vazhdova në bindje ndaj Teje.
Kur i thërriste i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem shokët e tij, ata përgjigjeshin duke thënë: “T’u përgjigja o i Dërguar i Allahut dhe ndoqa urdhrin tënd”. Pra përgjigjja ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është pasimi i udhëzimit dhe rrugës së tij, ndërsa përgjigjja ndaj Allahut të Madhëruar është njësimi dhe bindja ndaj Tij. Besimtari vazhdon t’i përgjigjet Allahut të Madhëruar derisa ta takojë Atë. Ai që dëshiron të takohet me Allahun, Allahu do të dojë që të takohet me të e do ta përgëzojnë engjëjt me kënaqësinë e Tij ndërkohë që besimtari do të gëzohet. Kurse ai i cili e urren takimin me Allahun e Madhëruar, Allahu e urren takimin me të.
Shpërblimi i atyre që i përgjigjen Allahut dhe të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është xhenneti.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Për ata që i përgjigjen Zotit të tyre, është përgatitur e mira e madhe. Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij – sikur të ishte e tyre gjithçka që gjendet në Tokë, madje edhe një herë aq, ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Njerëzve të tillë u është përgatitur llogari e rëndë dhe strehimi i tyre është xhehennemi. Eh, sa shtrat i shëmtuar që është ai!” (Surja Rad, ajeti 18)
Së treti, madhërimi i Qabes është prej madhërimit të Zotit të Qabes.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Surja Haxh, ajeti 32)
Gjithashtu ka thënë:
“Me të vërtetë, faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.” (Surja Bekare, ajeti 96)
Madhërimi i Qabes realizohet me anë të drejtimit drejt saj në namaz, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar:
“Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë.” (Surja Bekare, ajeti 144)
Gjithashtu realizohet me anë të rrotullimit rreth saj,prekjes së dy anëve të saj dhe puthjes së gurit të zi. Këto gjëra bëhen në ndjekje të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që të bëhen tavaf rreth Qabes duke thënë: “Dhe le të bëjnë tavaf (rrotullohen) rreth Shtëpisë së Vjetër (Qabes).” Kjo gjë tregon se tavafi bëhet vetëm rreth Qabes. Nuk lejohet tavafi rreth asnjë shtëpie tjetër në tokë, as rreth varreve, pemëve e as gurëve. Prej këtu haxhiu mëson se çdo tavaf rreth diçkaje tjetër përveç Qabes është i kotë dhe se nuk është adhurim ndaj Allahut të Madhëruar, përkundrazi është adhurim ndaj atij që e ka legjitimuar atë dhe ka urdhëruar që të bëhet prej shejtanëve prej njerëzve dhe xhinnëve.
Prej dukurive të njësimit të Allahut në tavafin rreth Qabes është se kur preket err-rruknul jemani (njëra prej anëve të Qabes) dhe Guri i Zi besohet se ato preken sepse janë adhurime ndaj Allahut. Ai që bën tavaf i prek ato për t’iu bindur Allahut dhe për të pasuar të Dërguarin e Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Si shkak i kësaj, prijësi i besimtarëve Umer ibën el-Hatabi kur preku Gurin e Zi dhe e puthi atë, tha:
“Pasha Allahun, unë e di që ti je një gur që nuk bën as dëm as dobi. E nëse nuk do ta shihja të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke të puthur, nuk do të të puthja.”
Gjithashtu prej këtyre dukurive është se ai që bën tavaf, fal pas vendit të Ibrahimit dy rekate të shkurtra, ku lexon suren Fatiha, suren Kafirun dhe Ihlas. Në rekatin e parë lexon suren e distancimit nga shirku:
“Thuaj: “O ju mosbesimtarë! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni.” (Surja Kafirun, ajeti 1-2)
Në rekatin e dytë lexon suren Ihlas, e cila është cilësi e të Gjithëmëshirshmit dhe është e barabartë me një të tretën e Kur’anit.
Së katërti, vrapimi mes dy kodrave Safa dhe Merva dhe tehlili (fjala la ilahe il Allah) gjatë tij.
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem hipte në kodrat Safa dhe Merva dhe vraponte mes tyre duke vënë në zbatim urdhrin e Allahut të Madhëruar:
“Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre.” (Surja Bekare, ajeti 158). Fillonte me kodrën Safa duke thënë: “Filloj me atë me të cilën ka filluar Allahu.”
Pastaj ngjitej në kodër dhe ngrinte duart e tij në drejtim të Qabes duke shfaqur njësimin e Allahut duke thënë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Allahu është më i Madhi. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i vetëm e i pashoq. Atij i takon gjithë pushteti dhe falënderimi. Ai ngjall dhe vdes. Ai është i plotfuqishëm mbi çdo gjë. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm. E realizoi premtimin e Tij. E ndihmoi robin e Tij. I mundi i vetëm të gjitha grupet.”
Pastaj lutej me çfarë të dëshironte duke ngritur duart. Ai e përsëriste këtë dhikër dhe dua tri herë. E transmeton Muslimi.
Së pesti, lutja e ditës së Arafatit.
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem eci me shokët e tij për në Arafat. Disa prej tyre shqiptonin telbijen, disa prej tyre tekbirin (fjalën Allahu ekber). Ai i dëgjonte ata dhe nuk i kundërshtonte.
Atij ia kishin ngritur çadrën në vendin Nemira me urdhrin e tij. Ai qëndroi aty derisa dielli e kaloi gjysmën e qiellit. Pastaj urdhëroi që të përgatitej deveja e tij për rrugë dhe ecën derisa mbërritën në Batnul Uedi, në tokën e Uranes. Aty ai mbajti një fjalim madhështor ndërsa ishte mbi devenë e tij. Në atë fjalim sqaroi bazat e Islamit dhe shembi shtyllat e shirkut dhe injorancës. Aty ai sqaroi gjërat e ndaluara për të cilat kanë rënë dakord të gjithë popujt, të cilat janë gjakrat, pasuritë dhe nderet. Në atë fjalim ai e vendosi injorancën nën këmbët e tij, ashtu siç vendosi nën to të gjithë kamatën e injorancës dhe e hodhi poshtë atë. Ai i këshilloi që të sillen mirë me gratë. Sqaroi të drejtat dhe detyrat e tyre, sqaroi se të drejtat e tyre janë furnizimi dhe veshmbathja e tyre sipas arsyes së shëndoshë e nuk e caktoi atë. Ai i la amanet popullit të vet që të kapeshin fort pas Librit të Allahut. I njoftoi ata se nuk do të humbnin përderisa të ishin të kapur fort pas tij. Pastaj i lajmëroi se ata janë përgjegjës për të dhe i kërkoi të flisnin e të dëshmonin. Ata iu përgjigjën duke thënë:
“Dëshmojmë se e ke transmetuar shpalljen, e ke çuar në vend amanetin dhe se ke qenë i sinqertë.”
Pastaj ngriti duart e tij drejt qiellit dhe kërkoi nga ata që të dëshmonin para Allahut tri herë. Gjithashtu urdhëroi ata që ishin prezentë të lajmëronin ata që nuk ishin aty. Pastaj fali drekën dhe ikindinë duke i bashkuar dhe i shkurtuar. Kur mbaroi namazin, hipi në deve derisa mbërriti në vendqëndrimin e Arafatit. Ai qëndroi aty, iu drejtua kibles dhe filloi të lutej e përgjërohej deri në perëndimin e diellit. Ai urdhëroi njerëzit që të largoheshin nga Batni Uraneh dhe i tregoi se ai nuk është vendqëndrimi i vetëm i Arafatit. Ai i tha: “Unë qëndrova këtu, ndërsa Arafati është i gjithi vendqëndrim.”
Ndërsa lutej, ai i ngrinte duart ashtu siç i ngre i varfri teksa kërkon ushqim. Ai i tregoi atyre se lutja më e mirë është lutja ditën e Arafatit. Imam Ahmedi ka përmendur një hadith nga Amru ibnu Shuajbi, nga babai i tij, nga gjyshi i tij se ka thënë:
“Lutja më e shpeshtë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ditën e Arafatit ka qenë: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e pa shok. Vetëm Atij i takon pushteti e falënderimi. Në dorën e Tij është e gjithë e mira dhe Ai është i Gjithëpushtetshëm mbi çdo gjë.”
Gjithashtu ka cituar Bejhakiu nga hadithi i Aliut radijAllahu anhu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Lutja ime më e shpeshtë dhe e Pejgamberëve para meje në Arafat ka qenë: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e pa shok. Vetëm Atij i takon pushteti e falënderimi. Ai është i Gjithëpushtetshëm mbi çdo gjë.” (Shiko Ze’dul Mea’d)
Së gjashti, haxhi të përkujton vendet dhe ndodhitë e botës tjetër.
Kjo duket haptazi ndërkohë që haxhiu lë vendin e tij, familjen e tij, fëmijën e tij duke u drejtuar për tek Allahu i Madhëruar. Ai heq rrobat e tij dhe vesh izarin dhe ridanë (rrobat e haxhiut), të dyja të bardha dhe të pastra ashtu siç është qefini i të vdekurve. Ai qëndron me haxhilerët në tokën e Arafatit dhe përkujton qëndrimin e madh në ditën në të cilën njerëzit qëndrojnë para Zotit të botëve.
Disa dijetarë kanë thënë:
“Prej kuptimeve më madhështore të tevhidit në haxh është se haxhi i përkujton njeriut botën tjetër, sepse njeriu që nga momenti i parë i haxhit pasi del nga shtëpia e tij drejtohet për në mikat, vendi prej ku fillohet haxhi për ata që vijnë nga jashtë kufijve të Mekës. Atëherë i vjen urdhri i Allahut të Madhëruar që të heqin rrobat e tyre në mikat dhe çdo rrobë e cila është mekhijt, që shkon pas formave të trupit. Pasi heq rrobat e tij, ai përkujton ditën kur familja e tij i zhvesh rrobat e tij kur vdes për ta larë atë. Sot në këtë ditë ai zhvesh veten e tij, por nesër (kur të vdes) zhvishet. Pastaj pasi vesh rrobat e ihramit, përkujton rrobën e qefinit. Kur i vesh rrobat e ihramit ai ndalohet nga parfumimi, prerja e flokëve, nga argëtimi me bashkëshorten. Si pasojë e kësaj ai përkujton se kur të shkojë në varr, do të ndahet nga çdo gjë prej argëtimeve të kësaj bote dhe kënaqësive të saj, e çka ka në të prej epsheve dhe dëfrimeve. Gjithashtu haxhiu në haxhin e tij ndalohet nga këto gjëra për të përkujtuar botën tjetër.
Pasi ndodhet haxhiu në tokën e Arafatit, ai përkujton qëndrimin e njerëzve para Allahut të Madhëruar, të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë synet. Prandaj thuhet:
“Haxhi ndihmon në përkujtimin e botës tjetër.”
Së shtati, përmendja e Allahut në haxh.
Haxhiu shkon drejt Zotit të tij duke e përmendur Atë, duke shqiptuar telbijen dhe duke iu përgjigjur Atij. Është larguar nga dunjaja, ka lënë vendin, tokën, familjen, rrobat dhe zbukurimet e tij, është drejtuar për tek Allahu me flokë të pakrehura e me pluhur ndërkohë që është muhrim, ka hyrë në ibadetin e haxhit. Shqipton telbijen, madhëron Allahun, i lutet dhe i kërkon falje Atij. Qëndron në vendet e adhurimit dhe e pushtojnë ndjenjat e dashurisë, dëshirës, frikës dhe shpresës. As zemra e as gjuha e tij nuk lodhen së përmenduri Allahun, Krijuesin dhe Zotin e tij.
Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar haxhiun ta përmendë Atë, gjë që e ka përsëritur në shumë vende në Kur’an, aq sa çdo ajet ku Ai i drejtohet haxhiut, aty e urdhëron me përmendjen e Tij. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Nuk është gjunah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur!
Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër.
Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të xhehennemit).”
Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari.
Dhe madhëroni Allahun në (tri) ditët e caktuara (të teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjunah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (Surja Bekare, ajeti 198-203)
Këto ajete janë mbyllur me përmendjen e Allahut të Madhëruar me qëllim nxitjeje që haxhi të mbyllet me përmendjen e Allahut. Pra, ashtu siç fillon haxhi me përmendjen e Allahut, ashtu mbaron.
Kemi shkruar një temë për këtë çështje, gjë që e bën të panevojshme përsëritjen e saj këtu.
Shiko, Allahu të mëshiroftë, këto adhurime madhështore dhe vendet që lidhen me to. Ato u japin hov ndjenjave e zemrat besimtare gufojnë fort nga përmendja e Allahut të Madhëruar, shfaqja e përgjigjes ndaj thirrjes së Tij dhe drejtimit për tek Ai, i vetmi dhe pa shok.
Lusim Allahun e Madhëruar, Zotin e Arshit të nderuar (vendi ku Allahu vendos këmbët e Tij, ashtu siç i takon Madhërisë së Tij), që të na dhurojë sinqeritet në fjalë e vepër, në fshehtësi dhe haptazi, të na mbushë zemrat tona me bindjen ndaj Tij, dashurinë, madhërimin e frikën ndaj Tij, të na e bëjë rizk vizitën e Qabes, t’i pranojë robërit e Tij që i përgjigjen thirrjes së Tij, t’i kthejë ata në shtëpitë e tyre të sigurt e të fituar me haxh të pranuar e gjynahe të falura. Lutja jonë e fundit është që i gjithë falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, e paqja qoftë mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen e të gjithë shokët e tij.
Përshtati:
Ardit ULQINAKU