DOBITË QË SJELLË PËRMENDJA E ALLAHUT

DOBITË QË SJELLË PËRMENDJA E ALLAHUT

Dobitë që vijnë nga përmendja e Allahut (dhikri), janë të shumta. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “el-Vabilus-Saj-jib minel-Kelimit-Taj-jib” ka thënë: “Në përmendjen e Allahut ka më shumë se njëqind dobi.” Ndër ato që përmendi janë edhe këto:

Përmendja e Allahut largon shejtanin.
Përmendja e Allahut është nga punët me të cilat Allahu është i kënaqur.
Përmendja e Allahut largon nga zemra shqetësimin, ankthin, depresionin dhe mjerimin.
Përmendja e Allahut e bën zemrën të jetë e gëzuar, e fortë dhe e ndriçon (me dritën e imanit).
Përmendja e Allahut shton riskun.
Përmendja e Allahut është shkak që Allahu të të përmendë ty, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “…Prandaj, më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj ju…”[1] Sikur përmendja e Allahut të mos kishte asnjë dobi tjetër përveç kësaj, do të mjaftonte kjo si vlerë dhe mirësi. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nga ajo që ka transmetuar prej Zotit të tij të Madhëruar ka thënë: “…Kush më përkujton Mua në vetvete, do ta përkujtoj atë në Vetvete. Kush më përkujton Mua në turmë (grup njerëzish), do ta përkujtoj atë në një turmë që janë më të mirë se ata (te melaiket)…”[2]
Përmendja e Allahut e gjallëron zemrën. E kam dëgjuar shejhul-Islamin, ibën Tejmijen, Allahu i Lartësuar e pastrofte shpirtin e tij, duke thënë: “Përmendja e Allahut është për zemrën siç është uji për peshkun. E, si do të jetë gjendja e peshkut kur largohet nga uji?”
Përmendja e Allahut është forca e zemrës dhe e shpirtit. Nëse dikush e humb atë (përmendjen e Allahut), atëherë mbetet si një trup nga i cili është larguar forca. Kam qenë prezent te shejhul-Islam ibën Tejmije një herë dhe ai e fali namazin e sabahut, më pas u ul duke përmendur Allahun e Lartësuar (duke bërë dhikër) derisa u afrua gjysma e ditës. Më pas ktheu kokën nga unë dhe më tha: ”Ky është mëngjesi im. E, nëse nuk ha mëngjes, më humb forca.” Ose tha fjalë të afërta me këto.”
Përmendja e Allahut i shlyen mëkatet sepse është nga punët më të mira. Nuk ka dyshim që punët e mira i fshijnë punët e liga.
Kur një besimtar bëhet i njohur tek Allahu i Lartësuar me përmendjen e vazhdueshme të Tij për sa kohë që është në rehati, Allahu do ta kujtojë atë kur të jetë në vështirësi. Ka ardhur në një transmetim se kuptimi i kësaj është: nëse besimtarin që është në rrugë të drejtë dhe që gjithmonë e përmend Allahun e godet ndonjë vështirësi ose i lutet Allahut për ndonjë nevojë që ka, melaiket thonë: “O Zot, zë i njohur nga një rob i njohur!” Por nëse e lut një njeri që është larg rrugës së Allahut të Lartësuar dhe kërkon nga Ai ndonjë gjë, melaiket thonë: “O Zot, zë i panjohur nga një rob i panjohur.”[3]
Përmendja e vazhdueshme e Allahut është shkak që njeriu ta ndalë gjuhën e tij nga gibeti, shpifjet dhe e padrejta. Njeriu nga natyrshmëria e tij flet dhe nëse nuk e angazhon gjuhën e tij vazhdimisht me përmendjen e Allahut të Lartësuar dhe me rikujtimin e urdhrave të Tij, atëherë pa dyshim që do ta angazhojë me harame ose me një pjesë të tyre. Mënyra e vetme që njeriu të shpëtojë prej harameve që përmendëm më lart është vetëm me përmendjen e vazhdueshme të Allahut.
S’ka dyshim se vendet, tubimet ku përmendet Allahu janë vende ku janë prezentë melaiket. Ndërsa vendet dhe tubimet e kota e pa vlera janë vende ku janë prezentë shejtanët. Çdokush le të zgjedhë atë që i pëlqen më shumë sepse ai do të jetë me atë grup në këtë botë dhe botën tjetër (nëse ka qenë nga të shpëtuarit do të jetë me të shpëtuarit, nëse ka qenë me të humburit do të jetë me të humburit. Allahu na ruajttë prej tyre!).
Në zemrën e njeriut ka ashpërsi, e cila largohet vetëm me përmendjen e Allahut. Gjithsecili duhet ta shërojë këtë ashpërsi me përmendjen e vazhdueshme të Allahut. Ham-mad ibën Zejdi tregon nga Ma’la ibën Zijadi se një njeri i kishte thënë Hasenit: “O babai i Seidit, po ankohem te ti për ashpërsinë e zemrës sime.” Ai i tha: “Largoje ashpërsinë me përmendjen e Allahut. Sa më shumë të jetë zemra e pakujdesshme (ndaj përmendjes së Allahut), aç më shumë i shtohet ashpërsia, por nëse e kujton Allahun, kjo ashpërsi largohet, shkrihet ashtu si shkrihet plumbi mbi zjarr. Nuk mund të largohet me asgjë tjetër ashpërsia e zemrës më mirë sesa me përmendjen e Allahut të Lartmadhërishëm dhe Fuqiplotë.”
Përmendja e Allahut është shërimi i zemrës dhe ilaçi i saj, ndërsa pakujdesia është sëmundja e saj. Zemrat janë të sëmura, por shërimi dhe ilaçi i tyre gjendet në përmendjen e vazhdueshme të Allahut. Mekhuli ka thënë: “Përmendja e Allahut është shërim, ndërsa përmendja e njerëzve është sëmundje…”
Përmendja e Allahut është shkak që Allahu i Lartësuar të të bekoj, të të mëshirojë dhe melaiket e Tij të luten për atë që e përmend Allahun. E kush bekohet dhe mëshirohet nga Allahu, edhe melaiket e tij luten për të. Ai ka shpëtuar dhe ka fituar gjithçka. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, përmendeni shumë Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe mbrëmje! (Ai, Allahu) Është Ai që ju bekon, mëshiron, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është mëshirues ndaj besimtarëve.”[4]
Ky bekim dhe kjo mëshirë nga Allahu dhe lutjet e melaikeve të Tij janë shkak që t’i nxjerrin njerëzit (që e përmendin vazhdimisht Allahun) nga errësirat në dritë.

Këto ishin vetëm disa nga dobitë e përmendjes së Allahut të radhitura nga dijetari i njohur Ibën Kajim el-Xhevzij-je, Allahu e mëshiroftë dhe na bashkoftë me të në xhennetin Firdeus!

Motër dhe vëlla i dashur musliman, nëse ke qenë nga ata që e ka lënë anash përmendjen e Allahut, shpejto në përmirësimin e saj sepse koha nuk premton. Shpejto dhe ec rrugës së Allahut dhe rrugës së të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kujto mirësitë që Allahu të dhuron në vazhdimësi. Kujto udhëzimin me të cilin Allahu e dërgoi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, që të na nxjerrë nga errësirat e mosbesimit në dritën e besimit të sinqertë. Ki kujdes që rendja pas familjes dhe pasurisë të bëhet shkak që ta lësh anash përmendjen e Allahut, se një gjë e tillë të shpie në humbje të sigurt. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut, e kush e bën këtë, të tillët janë të humbur.”[5]

Në fund, e lus Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta që të na bëjë prej atyre që e përmendin Allahun në pasuri dhe skamje, në shëndet dhe sëmundje, në rini dhe pleqëri, në dritë dhe errësirë, në lehtësim dhe vështirësi dhe në çdo moment tonin në këtë jetë.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Përmblodhi dhe Përshtati: Sabahudin Selimi

_______________________________

[1] El-Bekare: 152.

[2] Transmeton Buhariu 7405.

[3] Këtë më së miri mund ta kuptojmë me ngjarjen e Junusit alejhi selam dhe atë të Faraonit në kohën e Musait alejhi selam. Junusi alejhi selam, edhe pse e përpiu peshku, ai nga barku i peshkut në thellësi të detit iu drejtua Allahut me lutje dhe Ai e pranoi lutjen e tij, pasi Junusi alejhi selam ishte prej atyre që vazhdimisht ishin në përmendjen e Allahut Fuqiplotë. Zëri i tij ishte i njohur tek Allahu i Plotfuqishëm. Allahu i Lartësuar thotë: “(Përkujto) Dhen-nunin (Junusin alejhi selam) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira (në barkun e peshkut në thellësi të detit) ai tha se: “Nuk ka të adhuruar me merit pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetes!” Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” (El-Enbija: 87-88) Ndërsa në rast të kundërt kemi Faraonin në kohën e Musait alejhi selam, të cilin Allahu Fuqiplotë e përmbyti në det. E, kur ai pa se si përfundoi puna e tij, iu drejtua Allahut me besim dhe bindje tek Ai. Mirëpo Firaoni nuk ishte nga ata që e kishin zërin të njohur tek Allahu dhe kështu Allahu refuzoi t’i përgjigjet thirrjes së tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i kapërcyem beni israilët përtej detit, e faraoni dhe ushtria e tij i ndoqi mizorisht dhe armiqësisht derisa e përfshiu atë përmbysja (në det), e ai tha: “Besova se nuk ka Zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë jam nga muslimanët!” Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!” (Junus: 90-91) Allahu i Lartësuar nuk e pranoi pendimin e tij, edhe pse Faraoni në ato moment e besoi Allahun dhe u kthye tek Ai.

[4] El-Ahzab: 41-43.

[5] El-Munafikun: 9.