A e dini se: Perse u krijuan njerëzit dhe xhindët

0
529

Urtësia në krijimin e njerëzve dhe xhindëve, të cilën autori – Allahu e mëshiroftë – e ka marrë prej fjalës së Allahut:

“Unë (Allahu) i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm që të më adhurojnë.”

Pra, urtësia (e krijimit) është adhurimi i Allahut e jo kënaqësia në ngrënie, pirje dhe marrëdhënie intime.
Adhurimi është Teuhidi, sepse debati është zhvilluar në lidhje me të. Adhurimi është i ndërtuar mbi Teuhid dhe çdo lloj adhurimi që nuk ka Teuhid, nuk është adhurim, e sidomos kur disa selefë e komentuan thënien e Allahut: “vetëm që të më adhurojnë” – vetëm që të më njësojnë. Kjo është në përputhje të plotë me atë që ka nxjerrë autori – Allahu e mëshiroftë – pra, që adhurimi është Teuhidi. Atëherë çdo adhurim që nuk bazohet në Teuhid është i papranueshëm.

I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka treguar në një hadith kudsij se Allahu thotë:
“Unë nuk kam nevojë për pjesën (punën, ibadetin) që ma kushtojnë në ortakëri me të tjerë. Atë që punon një punë dhe gjatë saj shoqëron me Mua dikë tjetër, e lë bashkë me shirkun e tij (d.m.th. nuk e shpërblej për punën në të cilën më ka bërë shok).”Muslimi.
“…sepse debati është zhvilluar në lidhje me të.” – Pra, në lidhje me Teuhidin ndërmjet të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) dhe kurejshëve. Këta të fundit adhuronin Allahun, bënin tauaf dhe faleshin për Të, por pa e njësuar Atë, dhe jo sipas mënyrës së ligjëruar në Sheriat. Kështu ai (adhurimi) është asgjë, për shkak se ata nuk patën Teuhid. Allahu ka thënë:

“Asgjë tjetër nuk pengon që t’u pranohet ndihmesa (shpenzimi, dhënia) e tyre, përveç asaj se ata nuk besuan në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Teube, 54).

Kush nuk ka Teuhidin nuk e ka adhuruar Allahun. Ky është kuptimi i fjalës së Allahut:

“Dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj.” (Kafirun, 3).

Pra, ju nuk jeni adhurues sipas mënyrës së adhurimit tim, sepse adhurimi juaj është i ndërtuar në shirk, pra, nuk është (konsiderohet) adhurim i Allahut (subhanehu ue teala).

Shkeputur nga “Libri i Teuhidit”