Dhënia e zekatul fitrit për fëmijën në barkun e nënës

0
219

Rreth kësaj çështjeje dijetarët ndajnë dy mendime:
Mendimi i parë: Preferohet dhënia e zekatul fitrit për fëmijën në barkun e nënës, por nuk detyrohet. Ky është mendimi i dijetarëve të katër medhhebeve.[1]
Argumentet e këtij mendimi:
1. Përcillet se Othmani, radijallahu anhu, e jepte zekatul fitrin për të voglin, për të madhin dhe për foshnjën.”[2] Ndërkaq, Ebu Kilabete, Allahu e mëshiroftë!, ka thënë: “Njerëzit e jepnin zekatul fitrin, madje e jepnin edhe për foshnjën.”[3] Gjithashtu, tregohet se Sulejman ibn Jesari, Allahu e mëshiroftë!, është pyetur se a duhet dhënë zekatul fitri për foshnjën, me ç’rast ka thënë po.[4]
Nga këto transmetime, dijetarët që mbajnë këtë mendim, kanë kuptuar se një gjë e tillë është e preferuar.[5]
2. Meqë kafsha në barkun e nënës së saj nuk bën pjesë në mesin e atyre për të cilat duhet dhënë zekati, atëherë as fëmija në barkun e nënës nuk hyn në mesin e atyre për të cilët duhet dhënë zekatul fitri.[6]
3. Rregullat dhe dispozitat e kësaj bote (të të gjallëve) nuk zbatohen kundrejt fëmijës në barkun e nënës, përveç trashëgimisë dhe testamentit, madje me kusht që të dalë i gjallë nga barku i nënës së vet.[7]
Mendimi i dytë: Dhënia e zekatul fitrit për fëmijën në barkun e nënës është e detyruar. Ky është një prej transmetimeve të imam Ahmedit,[8] kurse disa të mëhershëm dhe Ibn Hazmi detyrimin e saj e kanë kushtëzuar që fëmija në barkun e nënës duhet t’i mbushë njëqind e njëzet ditë para se të arrijë agimi i ditës së Bajramit,[9] sepse kjo është koha kur embrionit i jepet shpirti. Këtë e vërteton hadithi i Ibn Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të!, që thotë: “Na ka treguar i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, që njëherazi është më besniku: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së vet duke qëndruar dyzet ditë si pikë e lëngshme (nutfeh), pastaj, për po aq ditë, bëhet droçkë gjaku (alekah), më pas, për dyzet të tjera, bëhet copë mishi. Pas kësaj i dërgohet një engjëll, që e frymëzon me shpirt duke u urdhëruar me katër gjëra: (1) me shkrimin e rriskut (furnizimit), (2) kohëzgjatjen e jetës, (3) veprat e tij dhe (4) a do të jetë i lumtur apo i dëshpëruar…”[10]
Përgjigjja ndaj argumentimit me këtë hadith: Jeta e fëmijës nuk dihet sigurt dhe askush, përveç Allahut, nuk e di se ç’ka në mitër. Ka mundësi të supozohet shtatzënia e të mos ekzistojë fare.[11] Prandaj, fëmija nuk posedon asgjë pa dalë në këtë botë.[12]
Argumentet e këtij mendimi:
1. Transmetimet nga Othmani, radijallahu anhu, nga Ebu Kilabete dhe Sulejman ibn Jesari, Allahu e mëshiroftë!, me të cilat argumentojnë edhe dijetarët e mendimit të parë. Nga këto transmetime këta dijetarë kuptuan obligueshmërinë e zekatul fitrit për fëmijën, duke ditur se Othmanin, radijallahu anhu, në lidhje me këtë nuk e kishte kundërshtuar asnjë sahab.[13]
Përgjigjja ndaj këtij argumenti:
Së pari: Zinxhiri i transmetimit të Othmanit, radijallahu anhu, është i dobët.
Së dyti: Ebu Kilabete, Allahu e mëshiroftë!, nuk përmend kush janë ata që e jepnin zekatin për foshnjën, madje, edhe po të përmendte ndonjë sahab, nuk do të ishte argument i mjaftueshëm për obligueshmëri.
Së treti: Po ashtu, transmetimi i Sulejman ibn Jesarit, Allahu e mëshiroftë!, nuk është i saktë.[14]
Së katërti: Edhe sikur këto transmetime të ishin të sakta, mund të thuhet se ajo që nënkuptohet prej tyre është se dhënia e zekatul fitrit për embrionin është e preferuar, jo e detyruar.
2. Hadithi që e përcjell Abullah ibn Omeri, radijallahu anhu,tek thotë: “Pejgamberi,sal-lallahu alejhi ue sel-lem,e ka detyruar dhënien e zekatul fitrit, një saë[15] elbi apo një saë hurmash për çdo person, të madh apo të vogël, të lirë apo rob.”[16]Ky hadith përfshin edhe embrionin sepse edhe ai quhet “i vogël.”[17]

Përgjigjja ndaj këtij argumentimi: Hadithi i përfshin vetëm të gjallët e kësaj bote, kurse embrioni nuk përfshihet sepse atij nuk i thuhet “i vogël”, as në kontekstin gjuhësor, as në atë zakonor.[18]

3. Foshnja është krijesë njerëzore, lejohet që të lihet testament në emër të saj dhe trashëgon, andaj edhe atë e përfshijnë citatet që flasin rreth kësaj teme. Rrjedhimisht, sa u përket dispozitave të zekatul fitrit, fëmija në barkun e nënës krahasohet me fëmijën që ka lindur dhe jeton në këtë botë.[19]

Mendimi më i saktë

Mendimi më i saktë rreth kësaj dispozite është mendimi i parë, arsyetuar me sa vijon:

1. Në parim, asnjë çështje nuk gjykohet si detyrim pa argument të qëndrueshëm, gjë që këtu nuk ekziston.

2. Sipas disa dijetarëve ky është mendimi i dijetarëve të katër medhhebeve.

3. Dhënia e zekatul fitrit për foshnjën nga ana e disa të parëve tanë, siç u pa në transmetimet e mësipërme, e të cilat pothuajse të gjithë dijetarët e fikhut i përmendin në librat e tyre.

4. Krahasimi i kësaj me sadakatë (lëmoshat) e tjera vullnetare.[20]

5. Ajo që jepet për zekatul fitër nuk është pasuri e madhe, prandaj, dhënësi i saj shpërblehet për këtë, njëkohësisht nuk dëmtohet materialisht.

Allahu e di më së miri.

Arben Ahmetaj

[1]. Sqarime:

Dijetarët e katër medhhebeve kanë rënë në ujdi për mosobligueshmërinë e dhënies së zekatul fitrit për fëmijën në barkun e nënës, kurse Ibnul Mundhiri, në librin e tij El Ishraf ala medhahibil ulema (3/72), përmend konsensusin e dijetarëve për këtë çështje. Shih Tuhfetul fukaha (1/336),El Xheuheretu nejiretu ala Muhtesar el Kudurij (1/133), Et Tefriu fi fikhil imami Malik ibn Enes (1/164), Edh Dhehiretu (3/157), Bahrul medhheb (3/210), Reudatu talibine (2/295), El Mesailul fikhijetu min kitabi Rriuajetejni uel uexhhejni (1/246), El Mugni (3/99).

Dijetarët e medhhebit hanbeli në librat e tyre kanë cekur se preferohet dhënia e zekatul fitrit për embrionin. Disa prej tyre kanë thënë se edhe medhhebet e tjera e kanë këtë mendim. ShihEl Furu, i Ibnul Muflihut (4/221), Hashijetu rreud el murbi, i Ibnul Kasimit(3/277), ndonëse gjatë hulumtimit në këtë temë nuk kam hasur citate të dijetarëve të medhhebeve në fjalë që do ta vërtetojnë një gjë të tillë. Gjithashtu, Ibnul Mundhiri, në librin e tij El Ixmau (f. 47), ka thënë se imam Ahmedi e parapëlqente dhënien e zekatul fitrit për foshnjën, gjë që tregon se të tjerët nuk e preferonin. Prandaj, nëse nuk konfirmohet se një gjë e tillë është e preferuar te të gjitha medhhebet, them se ajo është e lejuar te të gjithë, kurse e preferuar te dijetarët hanbeli.

[2].Musanef Ibn Ebi Shejbe (2/432), 10737; Mesailul imam Ahmed, transmetimi idjalit të tij, Abdullahut (1/170), 644; El Muhala (4/253-254).

[3]. Musanef Ibn Ebi Shejbe (2/397), 10362; El Muhala (4/254).

[4]. Musanef Abdirrezak (3/319), 5790; El Muhala (4/254).

[5]. Shih El Mugni (3/99).

[6]. Shih referencën paraprake.

[7]. Shih referencën paraprake, Sherhu Zerkeshij ala Muhtesar el hirekij (2/547).

[8].Shih El Hidajetu ala medhhebil imam Ahmed (f. 142), El Insafu fi marifeti rraxhihi minel hilaf (3/168), ku autori thotë: “Ibn Nasrullahu… ka thënë: “Mund të thuhet se është e detyruar dhënia e zekatul fitrit për embrionin që i ka mbushur katër muaj, kurse para kësaj periudhe është e pëlqyer.”

[9]. Shih El Muhala (4/253), El Ilam bi fevaidi Umdet el ahkam (5/129), Tarhu Tethribi (4/60), Fet’hul Bari (3/369), Umdetu el Karii (9/110).

[10].Sahihul Buhari (4/111),3208; Sahihu Muslim (4/2036), 2643.

[11]. Shënim: Këta dijetarë bëjnë fjalë për kohën e tyre, kur nuk kishte mjete dhe vegla precize për të ditur shtatzëninë.

[12]. Shih Tuhfetul fukahai (1/336), Tarhu Tethribi (4/60).

[13]. Shih El Muhala (4/253-254), Sherhu Zerkeshij (2/547).

[14]. Shih Tarhu Tethrib (4/60).

[15]. Njësi peshe.

[16]. Sahihul Buhari (2/132),1512; Sahihu Muslim (2/677), 984.

[17]. Shih El Muhala (4/253).

[18]. Shih Tarhu Tethrib (4/60), Fet’hul Bari (3/369).

[19]. Shih El Mugni (3/99), Sherhu Zerkeshij (2/547).

[20]. Shih El Mugni (3/99).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here