Home Zgjodhëm për ju. DEXHALLI

DEXHALLI

Fetë në formë legjende na flasin se si para rrënimit të plotë të botës do të paraqitet një njeri, i cili do të bëjë vepra të jashtëzakonshme dhe mrekullira dhe i cili, nëpër mbarë botën, do t’i mashtrojë njerëzit, se ata do ta ndjekin atë dhe do t’i be­sojnë se ai është Zot.

Legjendat na përshkruajnë se ai është me një sy, por është jashtëzakonisht i aftë që me atë sy, mund të shohë se ç’po ndodh në skaj të botës, e me vesh mund t’i dëgjojë edhe pësh­përitjet e njerëzve përtej detit. Sipas dëshirës së tij edhe shiu do të bjerë dhe bimët do të mugullojnë. Ai do t’i zbulojë pasuritë e fshehta, do t’i shërojë të sëmurët, do t’i ringjallë të vdekurit dhe me shpejtësi të erës do të fluturojë. Do ta mashtrojë çdonjërin i cili do ta shohë dhe do t’i përulen, sikur All-llahut, në sexhde. Vetëm  besimtarët e vërtetë do ta shohin në fotografinë dhe qenien e tij të vërtetë; ata nuk do t’i mashtrojnë veprat e tij mbinjerëzore. Ata në fytyrën e tij do t’i lexojnë shenjat e mos­besimit (kufrit).

Ky është Dexhalli apo i dërguari i rrejshëm, Antikrishti, një prej paralajmërimeve të rrënimit të plotë të botës, për të cilin po lexojmë nëpër veprat teologjike.

Dexhalli, në të vërtetë, tashmë është lajmëruar, siç e thotë këtë shkrimtari polak Leopold Vajsi, i cili e ka pranuar Islam­izmin dhe jetoi në Mekke. Quhet Muhammed Esed[39]. Ky De­xhalli me një sy siç thotë Leopold Vajsi, është progresi mate­rial, materializmi dhe bollëku material, ato janë idole bashkë­kohore. Me fjalë tjera, civilizimi i epokës së atomit, me një sy dhe i çalët, i cili përparon vetëm në një drejtim,shikon vetëm në një orientim, ky është ai orientim i materializuar. Ai nuk e posedon syrin tjetër, “shpirtëror”, atë sy i cili e observon, shikon aspektin shpirtëror të jetës. Për këtë jeta e materializuar është fuqi pa mëshirë, shkencë pa fe, teknologji pa etikë-moral.

Dhe vërtet ky Dexhall arriti që me anë të shkencës, nëpërmjet telegrafisë pa tela të dëgjojë se ç’po ndodh në skajin tjetër të botës, nëpërmjet televizionit të shohë se ç’po ndodh në këndin më të largët të botës. Ai, sot, në mënyrë artificiale krijon shi, shkretëtirën e bën të plleshme, i shëron të sëmurët, i trans­planton zemrat e të vdekurve në kraharorin e të gjallëve, me raketa fluturon rreth Tokës, me bombat atomike mbjell vdekje dhe shkreti dhe e zbulon xehen e artë në brendi të bjeshkës.

Dexhalli i këtillë i ka mashtruar e gënjyer njerëzit, e ata filluan ta adhurojnë.

Para një defileu të këtillë verbues të progresit shkencor të Perëndimit, me njerëzit e Lindjes e kemi humbur besimin në vetvete dhe me përulje e nënçmim shikojmë në traditën tonë dhe në fenë tonë.

Duke e përjetuar kompleksin emocional të vlerës më të mëngët dhe prapambeturinë, menduam se feja jonë është lloj mitologjie së cilës i turpërohemi dhe së cilës duhet t’i lirohemi në mënyrë që të inkuadrohemi në karavanin e progresit dhe të hyjmë në tempullin e ri, tempullin e shkencës ku do ta adhu­ronim zotin e ri i cili quhet fuqia materale.

Kështu të verbuar dhe pa vetëdije, jemi gjunjëzuar, sepse nuk ditëm ta dallojmë mjetin prej qëllimit. Me fjalë tjera, fu­qinë materiale e kemi bërë qëllim, ndërsa harruam se ajo është vetëm vegël dhe mjet.

Mjet është hekurudha, telegrafi, rryma elektrike, energjia atomike. Roli i këtyre mjeteve është që të vihen në shërbim të njeriut, që t’i plotësojnë nevojat e tij materiale dhe që t’ia mundësojnë aktivitetet ideore, meditimin dhe fisnikërimin e shpirtit me njohuri autentike. Dhe, në vend që këto mjete neve të na shërbejnë, ne u jemi vënë atyre në shërbim: po përpiqemi dhe po angazhohemi, po luftojmë dhe ndërmjet veti po grin­demi që të posedojmë vetura, radio dhe televizorë. E kur një ditë këto gjëra t’i posedojmë, rritet lakmia jonë dhe dëshirojmë të kemi vetura edhe më të mëdha dhe më luksoze, magnetofonë stereo-fonik, barkë për rekreacion, jahtë, vilë, kopsht, basen personal për notim dhe përfundimisht avion privat. Gjykimi ynë racional, para rrëkesë, rrebeshit të të mirave gjithnjë e më të reja të konsumit të cilat i mbushin vitrinat, humbet dhe shndë­rroeht në uri të tmershme, e cila sa më shumë që blejmë, bëhet aq më e ashpër. Dhe kështu pangopësia dhe lakmia pa përfun­dim ndërrohen: posa zbutet njëra, e reja shpërthen. Synojnë vetëm kah një cak, që të arrihet fuqia ende më e madhe materi­ale ose luksozi jetësor të cilin teknologjia e përditshme e servon nëpër vitrinat e shitoreve.

Dhe sikur që qytetari i rëndomtë e grumbullon pasurinë konsumuese, shtetet grumbullojnë armë dhe municion që njëra tjetrën me këto mjete, në luftëra të pakompromis ta shkatërro­jnë, e pastaj sërish të fillojnë të grumbullojnë armë edhe më të rrezikshme dhe bomba edhe më rrënuese.

Bota është bërë skenë e marrë në të cilën budallenjtë vrapojnë vetëm në një drejtim – në drejtim të fuqisë materiale. Dexhalli me një sy është idol bashkëkohor: “Nuk ka zot përveç materies, ajo është zot”.

Kjo është lutja e përditshme. Po zhduket besimi në Zotin, e me këtë besim në një përmasë të madhe zhduket edhe ndjenja e sigurisë dhe qetësisë. Koncepti filozofik i botës është bërë xhungël në të cilën po lufton kthetra e dhëmbi syrit, po zhvillo­het lufta klasore, racore dhe ideologjike. Botë e llahtarshme përplot me frikë dhe krime. Askush s’është në qiej që të kujde­set për këtë botë dhe ta ruajë atë.

Deri këtu na solli adhurimi i Dexhallit të cilin e quajmë fuqi materiale. Rezultat i kësaj është ky njeri i pikëlluar, i bre­ngosur, i frikësuar dhe i shqetësuar. Edhe ai djalosh i cili e ka bërë zakon të marrë drogë nëpër rrugët e Londrës dhe Parisit. Ose vetëmbytjet dhe çmendjet të cilat më së shumti janë paraqitur në vendet e pasura, në vendet me standard dhe bollëk të lartë sikur që janë Suedia, Norvegjia dhe Amerika.

Ky njeri i frikësuar, i cili e ka humbur sigurinë, po orvatet që me anë të veglave industriale – teknologjike ta kthejë këtë siguri nëpërmjet syrit magjik në dyert e shtëpive i cili funksio­non në bazë të rrezeve ultra të kuqe dhe e zbulon vjedhësin. Ose, me ndihmën e ziles alarmuese në arkë dhe kardiogramit çdomujor që të zbulojë gjendjen parainfraktike. Rolin e ngjashëm e ka edhe er-kondishni (aparati elektronik për rregu­llimin e ajrit të ngrohtë dhe të ftohtë në shtëpi), polisa e sig­urimit, me dhjetra lloje vitaminash, ilaçesh për qetësim dhe disponim dhe me dhjetra aparate tjera me të cilat e kursejmë angazhimin dhe mundimin fizik.

Çdo mjet material, prapë e kërkon mjetin tjetër material për të gjetur mbështetje. Dhe kështu vazhdimisht, nuk ka siguri. Përkundrazi, kemi tepër shqetësim, frikë dhe mllef. Vrapi kah mjetet më të mëdha materiale nuk është duke e dhënë rezultatin e kërkuar dhe të dëshiruar.

Njeriu harron se në këtë humnerë në të cilan e ka kaluar jetën e tij, në fillim ka gabuar kur mendoi se kjo botë është pa Zot dhe se njeriu është hedhur në këtë botë, pa ligjësitë të cilat e ruajnë dhe se është pa Krijues të cilit do t’i jetë përgjegjës.

Njeriu ka gabuar edhe herën e dytë kur filloi ta adhurojë fuqinë materiale dhe u orvat ta bëjë burim të fatit të tij, të sig­urisë së tij dhe qëllim të jetës dhe përpjekjeve të tij. Ai, në vend të All-llahut, e vendosi atë. Ai fuqinë materiale e përfytyroi për shpëtuese, e cila do t’ia japë sigurinë, qetësinë dhe paqen e humbur, se kjo fuqi mund ta ruajë nga vdekja dhe shkatërrimi. Ndërsa ajo pikërisht është shtrembëruar në të kundërtën dhe është bërë ajo e cila ia mori qetësinë shpirtërore dhe, në fund, u bë mjet i luftës e cila e mbyt njeriun dhe e masakron atë.

Njeriu ka gabuar edhe herën e tretë kur e mendoi se kimia, fizika dhe elektronika janë shkenca, ndërsa feja mit dhe bestytni. Sikur të kishte menduar më tepër do të mësonte se ki­mia, fizika dhe elektronika janë vetëm aspekte të shkencës, degë të cilat i studiojnë disiplinat e caktuara shkencore, ma­rrëdhëniet, kualitetin dhe kuantitetin, derisa religjioni është shkencë universale, ose thënë më mirë, ajo është gjithëdituri, sepse ajo e studion parafillimin e sendeve dhe përfundimin e tyre absolut, qëllimet definitive të botës fenomenale, kuptimin e përgjithshëm të jetës dhe përfundimisht fshehtësinë universale të dhembjes.

Kimia, fizika dhe elektronika janë shkenca të vogla, e feja është e madhe. Ajo në gjirin e saj i përfshin të gjitha shkencat tjera.

Nuk ka kundërthënie ndërmjet fesë dhe shkencës, sepse feja, në qenësinë e saj është fund i njohjes e cila domosdo i nënkupton të gjitha shkencat. Së këndejmi rrjedh edhe nevoja e të studiuarit të fesë, sepse ajo është e cila në mënyrë organike, shkencave të vogla ua cakton qëllimet, ua parasheh caqet dhe në suazën e jetës ideale vë detyrat solide.

Feja është ajo e cila e valorizon ndërgjegjen dhe i jep asaj normativ, e ndërgjegjja, për shembull, energjisë nuk­leare do t’i caktojë detyrë dhe obligim konstruktiv, e nuk do ta përdorë për shkretërimin dhe mbytjen e të pafajshmëve. Feja është ajo e cila na thërret që rrymën elektrike ta bëjmë, për shembull, mjet për ndriçim, e jo për shkatërrim. Feja na mëson se të gjitha shkencat janë mjete e jo caqe, sikur edhe këtë se progresi material është mjet, e jo cak-qëllim.

Njësoj janë edhe mjetet materiale. Sepse, materia, sikur edhe ne, është krijuar, e nuk është zot i cili adhurohet. Prandaj, materia nuk mund t’i falë njeriut siguri, qetësi dhe fat. Përkun­drazi, sipas natyrës së saj materia është e prishur dhe relative, po sikur edhe të gjitha sendet tjera në këtë gjithësi të papërk­ryer. Për këtë, materia edhe nuk është e përshtatshme që njeriu plotësisht në të të mbështetet e as nuk paraqet fuqi objektive.

Feja jo vetëm që nuk është kundër shkencës, por ajo e ur­dhëron, nxit, gjithashtu, ia jep rolin e ndërmjetësuesit për njohje si një ndër mjetet e shumënumërta të cilat i posedon njeriu, sikur që janë: kongenitaliteti (natyra e pastër e brend­shme), aftësia e të observuarit, intuita, frymëzimi dhe revelata.

Refuzimi i shkencës dhe mospranimi i mjeteve progresive materiale është njësoj gabim sikur edhe adhurimi i mjeteve të tilla dhe të nënshtruarit e njeriut atyre e kjo është një ndër shkaqet e prapambeturisë së vendit tonë[40]. Me fjalë tjera, në Lindje do të ballafaqohesh me një prej dy fenomeneve: ose do ta takosh atë që e mohon shkencën dhe kufizohet në fe dhe Kur’an, ose atë i cili e mohon fenë dhe kufizohet në shkencë materialiste dhe mjetet materiale. Mirëpo, të dy këto raste paraqesin shkaqet e tragjedisë së civilizimit të kësaj zone. Asnjëri prej këtyre dy rekomanduesve të drejtimeve nuk e ka kuptuar kuptimin e vërtetë të fesë, e as kuptimin e vërtetë të shkencës.

Feja, e posaçërisht Islamizmi, e shikon shkencën si obli­gim të domosdoshëm. Në këtë aspekt i dërguari jonë thotë se shehid është kush vdes në rrugë të diturisë… se dijetarët janë trashëgimtarë të të dërguarëve të All-llahut…, dhe se e kemi detyrë të kërkojmë dituri qoftë kjo edhe në Kinë. Fjala e parë me të cilën filloi shpallja e Kur’anit është “IKRE” (“Mëso, studio, hulumto…).

Islamizmi është fe e arsyes dhe ithtarëve të tij u drejtohet me  metodë racionale. Për këtë shkenca dhe progresi material shkencor kanë rëndësi të jashtëzakonshme në fenë tonë, porse gjithmonë janë trajtuar si mjete e jo qëllime, e idole të adhuru­ara. Vetëm ky është qëndrim i vërtetë ndaj shkencës dhe pozitës së saj.

Me fjalë tjera, mjeti material nuk i jep shpirtit siguri dhe qetësi, por vetëm ia siguron rrugën kah begatia dhe bollëku dhe ia siguron nevojat e përditshme jetësore. Ai nuk sjell siguri. Edhe pse ekzistojnë frigoriferët, aparatet radio-televizive, magnjetofonët, er-kondishnët, shevroletët dhe aparatet tjera materiale, mbetet shkretia shpirtërore. Përkundrazi, sa më i va­rur të jetë njeriu nga këto mjete dhe më tepër të vrapojë pas tyre, aq më e madhe është edhe pasiguria dhe shkretia e tij shpirtërore.

Siguria shpirtërore, rehatia dhe paqja arrihen vetëm me një mjet: e ai është të besuarit se ekziston Zoti, i cili e ka krijuar gjithësinë se ai Zot është në mënyrë universale i drejtë, se gjithësisë ia ka imponuar ligjësitë, të cilat e mbajnë dhe çdo gjë me urtësi dhe arsye në gjithësi e ka paraparë; të besojmë se All-llahut do t’i kthehemi,se dhembjet dhe vuajtjet tona nuk do të jenë të kota, se individualiteti njerëzor është e vërtetë univer­sale, e jo vidhë a aparaturës e cila në tokë do të humbet.

Vetëm bindja e thellë kësisoj ia kthen njeriut vlerën dhe dinjitetin e tij. Këtë nuk mund ta bëjë frigoriferi, televizori, magnjetofoni, as çfarëdo mjeti tjetër material, sado i rëndësishëm të jetë. Me këtë bindje të thellë futet qetësia në shpirt dhe njeriu i tillë e arrin konsolidimin shpirtëror dhe ba­raspeshimin e brendshëm dhe ndjehet më i fuqishëm sesa vdekja dhe sesa dhuna. Me këtë bindje njeriu u konfrontohet rreziqeve edhe më të mëdha, i ngadhënjen; me imanin e tij në mburojë më të fortë se të tankut, në fortifikatën e cila nuk mund të pushtohet me kurrfarë torpedo, sepse kjo fortifikatë e tejka­lon edhe vetë vdekjen.

Me këtë besim njeriu e ndjen se e ka kthyer personalitetin dhe individualitetin e tij, se ai është vërtet ai dhe se, nëpërmjet të kuptuarit dhe njohjes së All-llahut të përkryer dhe një, e njohu vetveten, esencën dhe pozitën e vet.

Kush e ka ndje në këtë njohje të rrallë, e di se kjo është gjendje e frymëzimit dhe përjetimit të brendshëm, e jo imagji­natës. Nuk është kjo dekorim mashtrues i sigurisë imagjinuese, por është e vërteta qenësore. Kjo është përjetim dhe zgjim i vërtetë, e jo ëndërr dhe imagjinatë.

Këtë bindje të thellë religjioze e njohim nëpërmjet kundërthënies së saj: nëpërmjet situatës së adhuruesve të shumënumërt të Dexhallit, Mesiut – antikrishtit bashkëkohor, i cili posedon tru elektronik. Këta adhurues të shumënumërt të cilët ndërmjet veti grinden i përdorin drogat dhe pa qëllim bredhin në dyert e marrëzisë dhe vetëmbytjes, me hapa të përgjakshëm i afrohen luftës së tretë botërore.

Instinkti jonë do të na tregojë kush ka të drejtë: kjo shumicë e cila njëri tjetrin e han dhe e cila, nga urrejtja dhe smira shkatërron, ose kjo pakicë në zemrat e të cilëve është re­hatia dhe e cila e kuptoi se Zoti ekziston.

Feja nuk e refuzon as jetën as arsyen. Kjo posaçërisht është rast me Islamizmin, i cili ka lindur prej dashurisë për jetë, i cili jetën e mbron dhe kujdeset për të. Gjithashtu ai nxit në respektimin e arsyes, në zgjerimin e idesë shkencore, e prezen­ton legjislacionin bashkëkohor, i cili i bashkon shpirtin dhe trupin dhe i bën një. Në Islamizëm nuk guxon të vijë deri te dominimi i   shpirtit ndaj trupit e as trupit ndaj shpirtit; porse edhe njëra edhe tjetra të sillen si njësi të pandara. Me fjalë tjera, Islamizmi nuk kërkon prej nesh që sensualtietin, instiktin tonë ta vdesim, por ta rregullojmë dhe të kujdesemi në suazën e kufijve të lejuar. Norma religjioze islamike nuk është përcaktim ekskluziv i lutjeve, vetmisë dhe asketizmit. Norma fetare islamike është puna dhe veprimi. Të përjetuarit shpirtëror të Zotit duhet të kurorëzohet me veprim për mirëqenien e sho­qërisë dhe dobisë së përgjithshme. Madje edhe vetë lutja islame nuk është e plotë nëse manifestohet vetëm me përulje shpirtërore, por ajo njëkohësisht duhet të manifestohet edhe me trup duke u përulur (ruku’) dhe prosternuar (suxhud).

Ose, të bëhemi edhe më të qartë: lutja islame, namazi, është simbol i kësaj tërësie të pandarë, simbiozës së trupit dhe shpirtit; shpirti është i bindshëm, gjuha madhëron dhe trupi përulet.

Edhe vizita (tavafi) rreth Qab-es e simbolizon pikën qen­drore, një pol: të gjitha lëvizjet dhe të gjitha idetë janë të ori­entuara kah një cak – Krijuesi, Qenies së vetme i cili i pavarur, indipendent ekziston, ndërsa çdo gjë prej tij varet. Për atë edhe tavafi është simbol i këtij integriteti tresh dhe unitetit të tyre: material, psikik dhe shpirtëror.

Në këtë mënyrë Islamizmi ia kthen njeriut adezionin e tij e bën prej tij simbiozën e shpirtit dhe materies, ia kthen qetësinë dhe e përfundon këtë luftë të përhershme të sensualitetit dhe arsyes dhe prej tyre lind diç e re: sensualiteti i paramenduar, i ekuilibruar në të cilën treten dy kundërthënie sikur që ba­shkohet ndjenja dhe ideja, përjetimi i brendshëm dhe manifes­timi i jashtëm. Në këtë mënyrë u shmangemi kundërthënieve ndërmjet ndjenjës dhe arsyes, arsyes dhe fjalës, fjalës dhe veprës. Në vend të kontrasteve të tilla, në vend të njeriut të tillë të dezorganizuar, e kemi njeriun e ri i cili e bashkon shpirtin dhe trupin, veprën dhe fjalën, përjetimin e brendshëm dhe manifestimet e jashtme.

Me bashkimin e shpirtit dhe materies, njeriu arrin të bash­kohet me Krijuesin e tij, e kjo është të afruarit e njeriut Zotit, kur njeriu hyn në rrethin e dritës dhe shkel jashtë kufirit të kësaj bote fenomenale.

Mësimi burimor islam lëviz rreth kësaj ideje bashtore, themelore, idesë së njësisë (tewhidit). Këtë ide Kur’ani e kon­firmon me çdo shkronjë të tij, me çdo fjalë, me çdo ajet dhe e përsërit në figura, rrëfime, shembuj, urtësi dhe maksima të ndryshme.

Islamizmi ia paraqet epokës së materies derën e vetme të shpëtimit, rrugëdaljen dhe zgjidhjen e vetme. Me fjalë tjera, Islamizmi i ofron njeriut tërë trashëgiminë e vet shpirtërore e nga ai nuk kërkon që t’i lëshojë të arriturat e tij shkencore apo materiale. E tërë çka Islamizmi kërkon është që njeriu të real­izojë unitet të suksesshëm ndërmjet materies dhe shpirtit, në mënyrë që në këto baza të ngrihet civilizimi i ri, civilizimi i fu­qisë dhe mëshirës, civilizimi ku fuqia materiale nuk do të jetë idol, por mjet dhe vegël në dorën e zemrës mëshiruese. Në këtë mënyrë do të zhduket Dexhalli, lajmëtari i rrejshëm i fesë dhe do të vendoset shoqëria ideale njerëzore.

Dhe, përfundimisht, do të përpiqem të përgjigjem në pyetjen e shtruar me ngurrim: përse na krijoi All-llahu?, përse na solli në këtë botë? dhe çfarë është urtësia e kësaj peripecie të cilën e përjetojmë?

Kur’ani në këtë pyetje përgjigjet me disa ajete të tij:

All-llahu e krijoi njeriun me kureshtjen e mbjellë instink­tivisht në të, që nëpërmjet saj t’i mësojë fshehtësitë e kësaj bote dhe vetvetes, e nëpërmjet vetvetes ta njohë Krijuesin. Duke e njohur Krijuesin e tij të Lartë, do të fillojnë ta adhurojnë dhe duan dhe në këtë mënyrë do ta meritojnë dashurinë e Tij dhe dhuratat e Tij.

Për këtë All-llahu edhe na krijoi, për këtë cak përfundim­tar, të na dojë dhe shpërblejë. Ai edhe na dënon që të na bëjë të vetëdijshëm dhe nga gjumi të na zgjojë dhe me këtë të na aftësojë për dashurinë dhe begatitë e Tij.

Me dashuri është krijuar,

Për dashuri është krijuar,

Dhe për dashuri është dënuar.

I hyjnuar dhe i lartësuar je Ti, i cili je Mëshirues dhe i Urtë.

Ti i cili na krijove!

Previous articlePOROSI NGA SUREJA JUSUF
Next articleSHËRIMI I SHPIRTRAVE DHE PËRMIRËSIMI I SHPREHIVE TË KËQIJA