DËSHMORËT NUK VDESIN

0
182

Muaji mars në historinë më të re të Kosovës ka hyrë edhe si muaji i përkujtimit të sakrificës së familjes Jashari, respektivisht rënies heroike të tyre në altarin e lirisë. Rrëfimi për komandantin legjendar, Adem Jasharin, dhe familjen e tij, të shquar përveç tjerash edhe për fetarizëm, është vërtetë inspirues. Ai para nesh sjell rëndësinë dhe rolin e pazëvendësueshëm të martirizimit në realizimin e idealit më të shtrenjtë, lirisë. Nga rrjedhat dhe ngjarjet e zhvilluara në botë, sidomos tash kohëve të fundit në vendet arabe, kemi mësuar se qenka ligj kozmologjik i Allahut të Madhëruar që kosto e fitimit të lirisë të jetë edhe gjaku. U desh që në Egjipt, Libi, Tunizi, e tash edhe në Siri, të shuhen qindra mijëra jetë njerëzish, që të gëzohet liria.

E lusim Allahun e Madhëruar që ta përshpejtojë lirinë e vëllezërve tanë në Siri!

Kështu, duke përfituar nga ky rast, jo vetëm në përkujtim të familjes Jashari, për të cilët shpresojmë dhe lusim Allahun e Madhëruar t’i ketë pranuar për dëshmorë, por edhe në përkujtim të të gjithë atyre që për shekuj të tërë dhanë jetën në emër të Allahut dhe fesë së Tij, të themi ca fjalë për vlerën dhe rolin e kësaj vepre sublime dhe këtij akti madhështor, me shpresën se do të jenë mësim dhe këshillë për ne, për të mos shkelë mbi idealet për të cilat ata dhanë gjënë më të çmuar, pra jetën.

Objektivat e martirizimit

Që në fillim, do të doja të bëj një ndalesë tek martirizimi ose rënia shehid në rrugën e Allahut, për të mos u keqkuptuar sikur Islami na qenka një fe, e cila për derdhjen e gjakut të njeriut po e shpaguaka me Xhennet. Xhihadi në rrugën e Allahut është përcaktuar për realizimin e objektivave më humane të mundshme, duke filluar nga:
– çrrënjosja e idhujtarisë (el-Bekare: 193) dhe mbizotërimi absolut i fjalës së Allahut (et-Teube: 40);
– participimi dhe angazhimi konkret për çlirimin e njerëzve nga despotët dhe tiranët (el-Haxh-xh: 39; en-Nisa: 75);
– ruajtja e xhamive në të cilat përkujtohet Allahu i Madhëruar (el-Haxh-xh: 40) si dhe udhëzimi i njerëzve dhe futjen e tyre në fenë që Allahu i Madhëruar përzgjodhi për ta, pra në Islam (en-Nasr: 1-2).
Sigurisht, objektivat e kësaj vepre madhështore janë të shumta, por natyra e ligjërimit nuk na lejon të zgjerohemi më shumë. E rëndësishme është që botëkuptimet e gabuara përkitazi me Xhihadin të zhduken. Këtë mund ta kuptojmë edhe nga porositë që Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] që thërrisnin për përmbajtje nga tejkalimi i kodeve përkatëse të luftës, të përcaktuara sipas fesë, e që konsistonin me kursimin e të moshuarve, grave, fëmijëve, objekteve fetare, murgjve, mbjellave nga vrasja respektivisht shkatërrimi .

Vëllezër besimtarë!

Pozita e dëshmorëve

Vepra e dëshmorëve nuk është si çdo vepër tjetër. Ajo ka një status të veçantë. Përderisa kosto ka jetën, pra gjënë më me vlerë për njeriun, atëherë edhe shpërblimi për të është më i madh. Në fakt, Allahu i Madhëruar e llogarit si një lloj tregtie me Të, që jo vetëm në Kur’an, por edhe në librat e mëparshëm qiellor e ka vërtetuar atë. Në Kur’anin e Madhëruar, në kaptinën et-Teube, ajeti 111, thotë:
All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhill e Kur’an. E kush është zbatues më i sigurt i premtimit të vet se All-llahu? Pra, gëzonju tregtisë që e bëtë me Të. Ky është suksesi i madh.”

Është kjo një tregti, fitimi i së cilës parasheh shpëtimin nga zjarri i Xhehennemit (es-Saff: 10-11), ngase, siç thotë Allahu i Madhëruar (Ali Imran: 185) shpëtimi ka botëkuptimin e vërtetë vetëm atëherë kur të shpëtosh nga Xhehennemi dhe të hysh në Xhennet.
Shehidit, që për shkak të angazhimeve të tij në fushëbeteja nuk ka mund të fal namaz dhe të agjërojë shumë, i është premtuar shpërblim ekuivalent me atë të agjëruesit që fal namaz. Buhariu në Sahihun e tij ka regjistruar këtë hadith të Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam]: “Shembulli i luftëtarit në rrugën e Allahut –po Zoti e di se kush njëmend është luftëtar në rrugën e Tij- është sikur shembulli i agjëruesit falës…”

Shehidi është njeriu që edhe nëse humb jetën, fiton. Allahu i Madhëruar ka premtuar se ai gjithsesi, i gjallë apo vdekur qe, do të fitojë. Buhariu shënon në Sahihun e tij se Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Për atë që lufton në rrugën e Allahut duke mos patur qëllim tjetër përveç luftës dhe vërtetimit të fjalës së Allahut, Allahu ka garantuar se do ta fus në Xhennet ose, bashkërisht me fitimin e plaçkës do ta kthejë në shtëpinë, prej së cilës ka dalë!”
Madje jo vetëm kaq, Allahu i Madhëruar ka sqaruar se pavarësisht fatit të tij në betejë, ai do të mbetet i gjallë. Kjo për shkak se vepra të cilën e ka ofruar bën që emri i tij të përjetësohet. Allahu i Madhëruar ka thënë:

E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni: “Janë të vdekur”, Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni (gjallërinë e tyre).” (el-Bekare: 154)

Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. 170. Janë të gëzuar me atë që u dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa i bashkuar radhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen.” (Ali Imran: 169-170)

Përmbyllje

Të nderuar vëllezër!
Më lejoni që në fund të kësaj hutbeje, të përkujtoj prapë se është ligj i Allahut të Madhëruar se liria nuk fitohet ndryshe, nuk realizohet dot pa derdhur mundin paraprakisht (Muhammed:7; el-Haxh-xh: 40-41; et-Teube: 14 ), por jo edhe çdokush që vritet është dëshmor. Ka njerëz që kanë qëllime të caktuara, ndoshta kanë luftuar vetëm për famë, dhe siç cituam edhe Pejgamberin, [alejhis salatu ves selam] më parë se ‘…-Zoti e di se kush njëmend është luftëtar në rrugën e Tij -…’, por, e rëndësishme për ne është që të mos shkelim mbi idealin e tyre, të mos keqpërdorim pozitat tona, përkundrazi, të punojmë që ai ideal të jetësohet në çdo cep të vendit tonë dhe botës mbarë.
Le të shërbejnë këto fjalë si një këshillë dhe përkujtim për borxhin që ua kemi atyre që derdhën gjakun për lirinë tonë!

Allahu i pastë mëshiruar dhe i shpërbleftë me Xhennet!

Sedat ISLAMI – Hutbe e mbajtur në Xhaminë ‘Gazi Ali Beg’ në Vushtrri, 9.3.2012.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here