DËLIRËSIA

0
542

Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“O ummeti i Muhamedit! Askush nuk është më xheloz se Allahu kur e sheh robin apo robëreshën e Tij duke bërë kurvëri. O ummeti i Muhamedit! Sikur të dinit çfarë di unë pak do të qeshnit e shumë do të qanit.”

Dëlirësia apo ndershmëria nënkupton përmbajtjen e vetes nga epshet e ndaluara dhe gjërat e pahijshme. Dëlirësia është virtyt i lartë i besimit dhe zbukurim për burrin dhe gruan në këtë dhe botën tjetër. Ajo na ruan imanin, dëshmon devotshmërinë tonë; me anë të saj fitojmë kënaqësinë e Zotit dhe e ruajmë jetën dhe shëndetin tonë. Njëkohësisht, ajo është edhe rruga për jetë të lumtur bashkëshortore, meqë bashkëjetesa ndërtohet mbi dëlirësi dhe pastërti.

Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an:

Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le ta përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij. En-nur:33

Ndërsa, Abdullah ibn Mes’udi transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte: “O Allahu im, më udhëzo, më bëj të devotshëm, më bëj të dëlirë dhe më pasuro.” Këtë hadith e transmeton Muslimi.

Ndoshta, përgëzimi më i mirë për burrin e dëlirë dhe gruan e dëlirë mund të ishte hadithi i shtatë llojeve të njerëzve të cilët do të jenë nën hijen e Allahut, ditën kur nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij, në të cilin përmendet: burri që e fton ndonjë grua e bukur dhe me pozitë, ndërsa ai i thotë asaj: “unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith e përfshin edhe gruan e dëlirë që e fton ndonjë burrë, kurse ajo i thotë: “unë i frikësohem Allahut.”

Vallë, cili njeri me arsye të shëndoshë do ta linte këtë shpërblim?! Cila kënaqësi mund të barazohet me këtë dhunti madhështore?!

Dëlirësia ka dobi të shumta, prej tyre janë:

Me anë të dëlirësisë jetësohet imani. Allahu i Lartësuar i përshkruan besimtarët duke thënë: “dhe ata që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)”.
Shpëtimi nga punët e liga dhe dëmet e tyre.
Pastërtia e individit, pastrimi i shoqërisë.
Burri i dëlirë dhe gruaja e dëlirë do të jenë nën hijen e Allahut Ditën e Gjykimit.
Dëlirësia është nder në këtë botë dhe shpëtim nga zjarri në botën tjetër. I Lartësuari thotë: “E, nëse përmbahen, është më mirë për to. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha”.
Përmbajtja nga punët e liga është rruga për martesë të suksesshme.
Përmbajtja nga punët e liga dëshmon qëndrueshmërinë kundrejt mëkateve.
Dëlirësia është mbrojtje për familjen; Ai që ruan nderin e njerëzve Allahu ia ruan nderin atij. Njeriu mund ta edukojë veten e tij në dëlirësi duke i zbatuar urdhrat e Allahut dhe duke u ndaluar nga ndalesat e Tij. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush përpiqet të jetë i dëlirë Allahu e bën të dëlirë.” Pra, kush e kërkon dëlirësinë Allahu ia jep atë.

Hamud Es-Selijm

Përktheu: Jusuf Kastrati