Home Zgjodhëm për ju. DEFINICIONI DHE LLOJET E PASTËRTISË

DEFINICIONI DHE LLOJET E PASTËRTISË

Fjala “tahare” në aspektin etimologjik (gjuhësor) ka kuptimin: “pastërti”, “dëlirësi”, ndërsa në terminologjinë e fikhut do të thotë:

“Mënjanimi ose pastrimi i ndyrësirave dhe largimi i papastërtive që ia pamundësojnë besimtarit namazin”.

-Pastërtia është dy lloje: e brendshme dhe jashtme:

a) Pastërtia e brendshme ose kuptimore

Është për qëllim pastrimi i besimtarit nga  ndyrësira e shirkut dhe e mëkateve,  kjo pastërti arrihet me teuhid dhe vepra të mira. Ky lloj i pastërtisë është më i rëndësishëm se pastërtia e trupit, madje nuk mund të arrihet pastërtia e trupit, nëse është prezent ndyrësira e shirkut. Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّمَا الْمُشْرِكُونَ نَجَسٌ

“Vërtet, idhujtarët (mushrikët) janë të ndyrë…”Suretu Teube, 28.

Kurse Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Besimtari nuk ndyhet kurrë[1]”.

Prandaj është e kërkuar prej çdo myslimani, i cili ka arritur moshën e pjekurisë, ta pastrojë zemrën e tij nga ndyrësirat e shirkut dhe dyshimit; kjo arrihet me sinqeritet, teuhid dhe bindje. Gjithashtu nga ai kërkohet ta pastrojë veten dhe zemrën nga ndyrësirat e mëkateve, mbetjet e zilisë, urrejtjes, tradhtisë, mendjemadhësisë, syefaqësisë, mashtrimit; kjo arrihet me pendim të sinqertë nga të gjitha mëkatet. Kjo pastërti është pjesa e parë dhe më e rëndësishme e besimit.

b) Pastërtia e jashtme ose trupore

Të pastruarit e trupit nga ndyrësirat. Kjo është pjesa e dytë e imanit (besimit) për të cilin Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) thotë“Pastërtia është pjesë e imanit[2]”.  Në këtë kapitull të fikhut shtjellohen dispozitat që kanë të bëjnë me këtë lloj të pastërtisë. Pastrimi i jashtëm bëhet me mënyrat të cilat i ka përligjur Allahu i Lartësuar për besimtarët dhe ai gjithashtu është dy lloje:

– Pastrimi me ujë: Ky lloj është ai esencial dhe është për qëllim mënjanimi i ndyrësirave, nga trupi, rrobat dhe vendi ku falemi me ujë, si: abdesi, gusli, etj.

– Pastrimi me dhe të pastër: Ky lloj i pastrimit zëvendëson ujin. Me fjalë të tjera, në këtë lloj të pastrimit kalohet në rast të pamundësisë së përdorimit të ujit.

 

Alaudin Abazi

Previous articleS’më bëri dobi pasuria
Next articleSUNETI PËR NJË DIETË TË SHËNDETSHME