Dashuria në këndvështrimin e Islamit

Dashuria në këndvështrimin e Islamit

Dashuria, në këndvështrimin e islamit.

 Fenomeni i dashurisë është parë dhe dëgjuar shpesh tek njerëzit. Njerëzit thonë: jam i dashuruar, kam rënë në dashuri, jam martuar me dashuri… etj. Kemi parë dhe dëgjuar në lëvdimin e saj citate filozofësh, vargje poetësh, këngë të kënduara dhe ilustrime e piktura, siç kemi parë edhe dëgjuar për njerëz të zhgënjyer prej saj, njerëz që u ka shkaktuar vuajtje, dhimbje, probleme, përçarje, zënka, shkatërrime familjesh dhe madje, raste që kanë shkuar deri në vdekje për shkak të saj. Ky fenomen duke qenë se ka përhapje të gjerë dhe me ndikim të qartë në jetën e njerëzve, është e nevojshme të njihemi me këndvështrim e Islamit rreth këtij fenomeni. Sepse çdokujt që beson në Allahun dhe ditën e gjykimit i interesojnë kufijtë që ka vendosur Zoti i tij Allahu i Madhëruar.

 A lejohet të dashurosh?

 Allahu i Madhëruar është Krijuesi ynë dhe askush më mirë se Ai nuk e njeh natyrën njerëzore dhe pikat e dobëta të saj dhe askush veç Tij, nuk mund të japë një gjykim më të drejtë, sepse ai ka dy cilësi të larta siç thuhet në Kur’an: “Ai (Allahu) është sunduesi mbi robërit e Tij dhe Ai është i Urti dhe i Dijshmi” (suratu El-Enam: 18). Këto dy cilësi janë [I Urti] dhe [I Dijshmi], që do të thotë: i Urtë në gjykimet e Tij dhe i Dijshëm në lidhje me krijesat e tij. Prandaj le ta nxjerrim këtë gjykim prej fjalëve të Tij.

Ajeti i parë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe prej mrekullive të Tij është se ka krijuar prej jush gra(bashkëshorte), që të preheni tek ato dhe bëri mes jush dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka mrekulli për atë që mendon”  (suratu Er-Rum: 21.)

Ky ajet na tregon për mrekullinë e ndarjes së njerëzve në meshkuj dhe në femra dhe në detajet e tij përmban dy gjëra mjaft të rëndësishme, që kanë lidhje me çështjen tonë:

E para: Tregon se gratë janë prehje për burrat, prandaj dhe ata nuk gjejnë qetësi derisa ta arrijnë atë. Kjo sepse Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun që ta popullojë këtë tokë dhe kjo nuk arrihet nëse ai nuk do të shtohej, prandaj dhe Ai i ndau ata si të gjithë gjallesat e tjera në tokë në meshkuj dhe femra. Mirëpo edhe kjo nuk do të mjaftonte, nëse ata nuk do të çiftëzoheshin realisht dhe kështu i bëri ata t’ia ndjejnë nevojën njëri-tjetrit. Ja ç’tregon Imam Taberiu për babanë e njerëzimit Ademin -alejhi selam-!

Ai thotë: Është përcjellë prej disa sahabeve si Ibn Abasi, Ibn Mesudi etj -radija Allahu anhum- të cilët njoftojnë se:  “Iblisi doli nga xheneti kur u mallkua dhe në të (në xhenet) banoi Ademi. Ai (Ademi) ecte nëpër të (xhenet) i vetmuar pa bashkëshorte që të prehej te ajo dhe njëherëai fjeti, pastaj kur u zgjua gjeti pranë tij një grua të ulur, të cilën e krijoi Allahu nga një brinjë e tij. Ai e pyeti atë: kush je? Ajo i tha: jam një grua. Përse je krijuar? Ajo i tha: për tu prehur tek unë. Melaiket për të parë se deri ku kishte mbërritur dija e tij i thanë: Si quhet, o Adem? Ai tha: Hava! Ata i thanë: pse është quajtur kështu? Ai u tha: sepse është krijuar nga diçka e gjallë. Pastaj Allahu i tha: O Adem, bano ti dhe gruaja jote në xhenet dhe hani prej tij tëlumtur kudo që të doni!” e transmeton imam Taberiu.

Pra, Ademi -alejhi selam- nuk gjeti prehje edhe pse ishte në xhenet, derisa Allahu i krijoi atij bashkëshorten dhe kështu janë të gjithë pasardhësit e tij, sepse Allahu i Madhëruar kishte vendosur që kjo krijesë të qëndronte në tokë deri në një kohë të caktuar (deri ditën e kijametit).

E dyta: Tregon se ata pasi bëjnë lidhje në çift, Allahu hedh në zemrat e tyre dashuri dhe mëshirë, sepse pa këto të dyja nuk mundet që ata të vazhdojnë së bashku për një kohë të gjatë edhe pse ia kanë nevojën njëri-tjetrit siç thamë më lart. Kjo sepse ata shumë shpejt bien në kundërshtime, për shkak të ndryshimit të natyrave të tyre, apo dhe problemet dhe sfidat të jetës.

Ky ajet duke qenë se bën fjalë për bashkëshortët, atëherë mund të themi se dashuria mes tyre është një dashuri që Allahu i Madhëruar e do atë, madje ai është shkaku që ua ka hedhur atë në zemrat e tyre. Dhe tani nuk na mbetet tjetër, veçse të shohim se ç’gjykim ka dashuria e lindur mes mashkullit dhe femrës jashtë rrethit të martesës?!! Dhe për të gjetur këtë gjykim duhet të ndalemi te një ajet tjetër.

 Ajeti i dytë.

Allahu i Madhëruar thotë: O Muhamed! Thuaju besimtarëve që të ulin prej shikimeve të tyre dhe të ruajnë nderin e tyre. Kjo gjë është më e pastër për ta dhe Allahu e di mirë se çfarëpunojnë * Dhe thuaju besimtareve që të ulin prej shikimeve të tyre, të ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin bukuritë e tyre veç asaj të dukshmes dhe të lëshojnë shamitë e tyre mbi xhepat e kraharorit! Të mos ia tregojnë bukuritë e tyre veçse burrave të tyre, apo baballarëve të tyre, apo baballarëve të burrave të tyre, apo fëmijëve të tyre, apo fëmijëve të burrave tëtyre (me gratë tjera), apovëllezërve të tyre, apo bijve të vëllezërve të tyre, apo grave të tyre(myslimanëve), apo atyre që i kanë nën pronësi (skllevërve), apo atyre ndjekësve që nuk anojnë nga gratë (janë me të meta dhe nuk ndjejnë epsh ndaj tyre), apo fëmijëve të cilët i kuptojnë auretet e grave dhe as të mos përplasin këmbët (për tokë), që të dihet se çfarëfshehin prej zbukurimeve. Dhe që të gjithë pendohuni tek Allahu, o besimtarë në mënyrë qëtë shpëtoni! (suretuEn-Nur 30-31.)

Këto ajete përmendin disa norma apo rregulla në lidhje me marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave, si dy gjini të të njëjtit lloj që bashkëjetojnë në këtë tokë dhe ja detajet e saj!

1- Ulja e shikimeve të meshkujve ndaj femrave dhe të femrave ndaj meshkujve, urdhër ky i cili padyshim është për ata meshkuj dhe femra që janë të huaj për njëri-tjetrin, që do të thotë se nuk kanë mes tyre as lidhje martesore dhe as lidhje gjaku.

Është e qartë se Allahu i Madhëruar me këtë kufizim të shikimit, do që të vendos nën kontroll anën instiktive të animit të tyre ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që kjo anë të mos kapërcejë kufijtë e saj, për tu bërë pastaj problem shoqëror. Kjo sepse ana e instinktit është bërë për t’i shërbyer një qëllimi tjetër (çiftëzimit në martesë) dhe jo lidhjeve jashtëmartesore.

2- Porosia në ajet është për besimtarët edhe sepse vënia nën kontroll e instinktit, kërkon një forcë më të madhe se forca e tij dhe ajo është forca e besimit. Kjo nuk do të thotë që rregulli është vetëm për besimtarët, përkundrazi është për të gjithë, por prej besimtarëve pritet zbatimi i saj sepse kanë besimin, kurse prej jobesimtarëve nuk pritet një gjë e tillë.

3- Allahu i Madhëruar me këtë urdhër do t’i ruajë ata nga zinaja, sepse menjëherë pas urdhrit për uljen e shikimit vjen urdhri për ruajtjen e nderit, madje kjo i shkon shumë përshtat një ajeti tjetër në Kur’an ku thotë: “Mos ju afroni zinasë, se ajo është ndyrësi dhe rrugë e keqe” suretul-Isra: 32.

4- Ulja e shikimit është më e pastër për zemrat, ç’ka do të thotë se lëshimi i syve mund të prishë zemrat e tyre dhe t’i ndyjë ato me ndjenjat e epshit, të cilin në një ajet tjetër e ka cilësuar si sëmundje. Allahu i Madhëruar kur i këshillon gratë e profetit të Tij dhe çdo besimtare pas tyre thotë:  “O gratë e profetit, ju nuk jeni si të gjitha gratë e tjera (në grada dhe mirësi), nëse doni të jeni të devotshme. Atëherë mos zbusni fjalët që të lakmojë ai i cili ka në zemër sëmundje, por thoni fjalë të pranueshme! (dmth: biseda të nevojshme dhe serioze)” (suretu ElAhzab: 32.) Pra, Allahu ndalon që femra të flasë me një mashkull me fjalë të buta e të ëmbla siç mund t’i flasë burrit të saj, që të mos lakmojnë ata që kanë në zemra sëmundjen e epshit. Ky ajet edhe pse nga ana e jashtme duket sikur bën fjalë për një lloj të veçantë burrash (të sëmurët pas femrave), mirëpo ndalimi i përdorimit të bisedave ledhatuese është i përgjithshëm për të gjithë burrat e huaj dhe dijetarët janë dakord për këtë gjë.

5- Nga ky ajet janë përjashtuar shikimi i befasishëm dhe shikimi për ata që duan të martohen, siç shpjegon profeti -alejhis salatu ues selam- në fjalët e tij.

Shikimi i befasishëm është përmendur në hadithin e Aliut, ku profeti -alejhi salatu ue  selam- e këshillon: “O Ali, mos e paso shikimin me shikim, sepse e para është e jotja dhe e dyta ështëkundër teje!” e transmeton Ebu Daudi dhe të tjerë dhe saktëson shejkh Albani.

Kjo do të thotë se, nëse dikush sheh befasisht një femër dhe e ul shikimin ndaj saj, nuk konsiderohet kjo gjë si thyerje e urdhrit të Allahut, por nëse e pason atë me shikim tjetër atëherë kjo konsiderohet thyerje e urdhrit të Allahut.

Ndërsa shikimi i atyre që duan të martohen është përmendur në disa hadithe prej tyre hadithi i El-Mugira bin Shube-radija Allahu anhu- i cili tregon:  “Kërkova një grua për martesë dhe profeti -alejhi salatu ue  selam- më tha: a e pe atë? Unë i thashë: jo. Ai më tha: Shihe, se kështu është më mirë, për tu puqur me njëri-tjetrin!” e transmeton Ahmedi, Tirmidhiu Nesai etj dhe e saktëson shejkh Albani.

6- Allahu i Madhëruar kur e urren diçka nuk mjaftohet vetëm me ndalimin e saj, por ndalon edhe nga rrugët që çojnë tek ajo që urren, si masë ruajtëse dhe parandaluese. Në këtë ajet përveç urdhrit për uljen e shikimit i cili i shërben këtij rregulli, kemi edhe ndalimin nga ekspozimi i bukurive femërore ndaj njerëzve të huaj, sepse ajo më shumë se çdo gjë tjetër ngacmon instinktin dhe pastaj lind ajo e keqe që nuk e do Allahu.

Ja ç’thotë Ibn Abasi -radija Allahu anhu- kur ka lexuar ajetin ku Allahu i Madhëruar i ndalon gratë të dalin jashtë të zbukuruara: “…dhe mos u zbukuroni si në kohën e injorancës!” (suretu El-Ahzab: 33) ka thënë: “Kjo ka ngjarë në kohën mes Nuhut dhe Idrisit e cila ka qenë një mijë vjet. Dy barqe nga bijtë e Ademit njëri prej tyre banonte në fushë dhe tjetri në mal, ku ata të malit kishin burrat e bukur ndërsa gratë jo shumë të bukura. Kurse gratë e fushës ishin të bukura por burrat jo shumë të bukur. Iblisi shkon te një burrë prej burrave të fushës, në pamjen e një djali dhe hyn tek ai qiraxhi. Ai i shërbente atij dhe një ditë merr një vegël muzikore si fyelli i bariut dhe nxori një zë të padëgjuar ndonjëherë më përpara. Kur e morën vesh njerëzit erdhën për ta dëgjuar dhe caktuan një festë për tu bashkuar pranë tij një herë në vit, ku gratë zbukuroheshin për burrat. Një burrë nga mali vjen tek ata dhe sheh gratë dhe bukurinë e tyre, pastaj shkon dhe njofton shokët e tij dhe zbresin tek ato dhe mes tyre u shfaq zinaja. Kjo është fjala e Allahut […dhe mos u zbukuroni si në kohën e injorancës!] ” e transmeton Taberiu.

Kjo ngjarje tregon gjithashtu se këtë pikë të dobët të njeriut e shfrytëzon mjaft mirë Shejtani, i cili si armik i përbetuar i njeriut mundohet t’i çojë në humbje nëpërmjet saj.

Nga këto dobi të marra nga ajetet mund të nxjerrim se: nëse Allahu ka ndaluar për uljen e shikimit të femrave dhe meshkujve ndaj njëri-tjetrit, bisedat ledhatuese me to dhe ekspozimin e bukurive femërore, atëherë në mënyrë indirekte ai ka ndaluar nga dashuria jashtë rrethit martesor, sepse ajo nuk mund të shfaqet nëse ata nuk e lëshojnë shikimin ndaj njëri tjetrit, nuk bisedojnë me njëri tjetrin biseda ledhatuese dhe femrat nuk ekspozojnë bukuritë e tyre.

Dallimi mes normave isalme dhe joislame mbi dashurinë dhe lidhjet mes meshkujve dhe femrave.

Duke parë në dobitë e nxjerra nga ajetet kur’anore dhe fjalët profetike mund të themi se lidhja me femrat në islam është ndërtuar mbi bazën: pëlqe, martohu pastaj duaj ose dashuro, nëse mund të shprehemi me gjuhën e njerëzve! Që do të thotë: zgjidhe atë që të pëlqen, pastaj lidhu me të në martesë pastaj duaje atë.

Kurse lidhjet me femrat në një shoqëri joislame janë të ndërtuara mbi bazën pëlqe, dashuro… pastaj martohu! Që do të thotë: zgjidh atë që të pëlqen, pastaj dashuroje dhe së fundi martohu me të!

Në shoqëritë islame dashuria lind pas lidhjes së martesës, duke mbuluar kështu edhe instinktin, edhe qëllimin e jetës. Ajo ndërtohet  mbi baza të shëndosha dhe të qëndrueshme dhe ruan të drejtat e palëve.

Ndërsa në shoqëritë joislame dashuria lind para martese, madje ata nuk quajnë dashuri veçse dashurinë paramartesore, asaj i thurin lavde dhe asaj i këndojnë, kurse dashurinë bashkëshortore e konsiderojnë dashuri të llojit tjetër.

Dashuria paramartesore më shumë i shërben anës së epshit dhe fryrjes së tij, sesa martesës dhe qëllimit të jetës, sepse në emër të saj është përhapur shthurja dhe marrëdhëniet e jashtëligjshme.

Ajo duke i shërbyer epshit ka baza të brishta dhe shpesh herë prishet pa shkuar në martesë dhe kur prishet shkelen të drejtat e palëve, sepse nuk ka një akt ligjor që t’i mbrojë përveçse në rastin më të mirë të ndonjë përgjegjësie morale e shumë e shumë dëme të tjera i vijnë shoqërisë prej saj, që lus Allahun t’i ruajë myslimanët dhe familjet e tyre nga kjo sëmundje shoqërore e kohës sonë!

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli