Dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

0
562

Enes Ibn Malik r.a. përcjell nga i Dërguari a.s. të ketë thënë:

‘Tek ai që gjenden tri gjëra ka gjetur me to ëmbëlsinë e imanit: Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për ta sesa çdo gjë tjetër pos tyre, ta dojë njeriun duke mos e dashur për asgjë tjetër, por vetëm për hir të Allahut dhe ta urrej kthimin në pabesim- pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij- ashtu siç urren të hedhet në zjarr.’ (Muttefekun alejhi)

Dashuria e robit ndaj Zotit të tij është dritë që Allahu e hedh në zemrën e atij që do prej robërve të Tij të mirë, aq sa robi padyshim se do gjej ëmbëlsinë e kësaj dhe nuk do të ketë dert për pengesat që i has për hir të Allahut. Dëgjo fjalën e Allahut xh.sh.: ‘O ju që besuat! Kush largohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se Allahu do ta sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve, që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo (cilësi e atij populli) është dhuratë e Allahut që i jep atij që do. Allahu është dhurues i madh, i dijshëm.‘ (El-Maide: 54)

Dhe kështu, dashuria e robit ndaj Zotit të tij është e ndërlidhur (ngushtë) me dashurinë e Allahut ndaj robit të Tij, ashtu sikurse dashuria e robit ndaj Zotit të tij është argument mbi njohjen e tij për Të. Ka thënë Hasan el-Basri: ‘Kush e njeh Zotin e vet, e do Atë, dhe kush e njeh dynjanë heq dorë prej saj, kurse besimtari nuk dëfrehet derisa të shkujdeset, kur mendon (mediton kohën në dëfrim) mërzitet.’

Po cili është argumenti për sinqeritetin e atij që thërret në dashurinë ndaj Allahut? Përgjigja e kësaj është në Librin e Allahut: ‘ Thuaj (O i Dërguar): “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua që Allahu t’ju dojë juve, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.‘ (Ali Imran: 31) Ka thënë Dhun-Nun el-Misrij r.a.: ‘Prej shenjave të njeriut që e do Allahun xh.sh. është të pasuarit e të Dashurit të Allahut s.a.v.s. në moralin e tij, veprat e tij, urdhrat dhe sunetet e tij. E kush është i sinqertë në dashurinë e tij ndaj Allahut dhe të Dërguarit a.s., çdo gjë e shtrenjtë bëhet e lirë(pavlerë) për ta në rrugën e Allahut. Dëgjo fjalën e Allahut xh.sh.: ‘Thuaj (o i Dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju sesa Allahu, sesa i Dërguari i Tij dhe sesa lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.‘ (et-Tevbe: 24) Sa bukur është thënë:

Nuk dëgjon Zotin, dhe mendon dashurinë ndaj Tij!

Kjo vërtet në analogji është e pakuptimtë

Sikur ta kishe dashurinë e sinqertë për Të, do ta dëgjoje Atë

Ai që do dikë, e dëgjon atë (përkthim i lirë)

Një fshatar (beduin arab) erdhi te i Dërguari a.s. dhe tha: Kur është Çasti (Kijameti)? I tha i Dërguari a.s.: ‘Çfarë ke përgatitur për të?‘ I tha: Nuk kam përgatitur shumë punë për të, mirëpo unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Tha (i Dërguari a.s.): ‘Ti do jesh me ata që i do.‘ (Muttefekun alejhi) Sahabët u gëzuan shumë me këtë përgëzim, ngase ky hadith është vërtetë një përgëzim i madh për atë që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij. S’ka dyshim se dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit nuk i afrohet asnjë punë tjetër në shpërblim. Andaj, besimtari duhet të shikoj dashurinë e jobesimtarëve ndaj zotave dhe mbrojtësve të tyre përveç Allahut, dhe pastaj të dojë më shumë Allahun sesa çfarë duan ata, thotë Allahu i Lartësuar:

‘E nga njerëzit ka të tillë që në vend të Allahut besojnë idhuj, i duan ata sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, por ata që besuan dashurinë më të madhe kanë ndaj Allahut.’ (el-Bekare: 165)
Shkëputur nga libri ‘Qëndrueshmëria, në 100 hadithe profetike’, kapitulli i parë, Veprat e fshehta (të zemrës)