Cili është njeriu i fundit që do të hyjë në Xhenet

0
219

Thotë Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të): “I fundit që hyn në Xhenet është një burrë i cili një herë ecën e një herë rrëzohet, e ndonjëherë e përfshin zjarri. Kur e kalon atë, kthehet drejt tij dhe i thotë: “I Lartmadhëruar është Ai që më shpëtoi prej teje! Më ka dhënë Allahu diçka që s’ia ka dhënë askujt prej të parëve dhe të mëvonshmëve!”

Pastaj i shfaqet atij një pemë dhe ai thotë: “O Zot! Më afro tek ajo pemë që të pushoj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj.” I thotë Allahu i Lartmadhëruar: “O biri i Ademit! Ndoshta nëse Unë ta jap atë, ti do të më kërkosh edhe diçka tjetër?” Thotë: “Jo o Zot!” dhe i premton se nuk do t’i kërkojë gjë tjetër pas saj. Dhe Zoti i tij i Lartmadhëruar e justifikon, sepse ai do të shikojë gjëra që nuk do të durojë ndaj tyre. Dhe kështu Allahu e afron tek ajo pemë, e ai pushon nën hijen e asaj peme dhe pi prej ujit të saj.

Pastaj i shfaqet një pemë tjetër më e bukur se e para, dhe ai thotë: “O Zot! Më afro tek ajo që të pushoj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj. Dhe nuk të kërkoj më gjë pas kësaj!” Dhe Zoti i thotë: “O biri i Ademit! A nuk më premtove se nuk do të më kërkoje më gjë pas kësaj?!” Pastaj i thotë: ‘Ndoshta nëse Unë të jap atë që do, ti do të më kërkosh diçka tjetër?” E ai i premton se nuk do të kërkojë më gjë tjetër. Dhe Zoti i tij i Lartësuar e arsyeton, sepse ai shikon gjëra që nuk ka durim ndaj tyre. E kështu e afron tek ajo, e ai pushon nën hijen e saj dhe pi prej ujit të saj.

Pastaj i shfaqet një pemë pranë portës së Xhenetit, e cila është më e bukur se dy të parat. Njeriu thotë: “O Zot! Më afro tek ajo që të pushoj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj, dhe nuk do të kërkoj më gjë tjetër.” Thotë: “O biri i Ademit! A nuk më premtove se nuk do të më kërkoje gjë tjetër?!” Thotë: “Po o Zot! Nuk të kërkoj më gjë tjetër pas saj.” Dhe Zoti i tij i Lartmadhëruar nuk e qorton për këtë, sepse ai shikon gjëra që nuk rri dot pa i kërkuar. E (Allahu) e afron tek ajo.
Kur e afron tek ajo, ai fillon të dëgjojë zërat e banorëve të Xhenetit dhe thotë: “O Zot! Më fut aty (në Xhenet)!” (Allahu) i thotë: “O biri i Ademit! Çfarë të kënaq prej Meje? (Sh.p.: Çfarë të të jap që t’i të ngopesh aq shumë sa të mos kesh çfarë të kërkosh më nga Unë?) A kënaqesh të të jap sa dynjaja dhe edhe një herë sa ajo?” Thotë: “O Zot! Po tallesh me mua dhe Ti je Zoti i botëve?!” – Atëherë qeshi Ibn Mes’udi (sahabi që transmeton hadithin prej Profetit) dhe tha: “A nuk po më pyesni përse qesh?!” I thanë: “Përse po qesh?” Tha: “Kështu qeshi i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) dhe e pyetën: “Përse qesh o i Dërguari i Allahut?” Ai u tha: “Nga qeshja e Zotit të botëve kur i tha (njeriu): “Je Zoti i botëve dhe tallesh me mua?!” Dhe Allahu i thotë: “Unë nuk tallem me ty, por Unë kam mundësi të bëj gjithçka që dua.” (Transmeton Muslimi (187)

Dhe në një transmetim tjetër ka shtuar: “Dhe e kujton atë Allahu: “Kërko këtë dhe këtë” e kur i ndërpriten dëshirat Allahu i thotë: Ajo është e jotja dhe edhe dhjetë si puna e asaj, pastaj e fut në shtëpinë e tij (në Xhenet) dhe hyjnë tek ai dy gratë e tij prej hyrijeve (gratë e Xhenetit) dhe i thonë: “Falenderimi i takon Allahut që të bëri të jetosh për ne dhe na bëri të jetojmë për ty” dhe ai thotë: “Askujt nuk i është dhënë ajo që më është dhënë mua.” (Muslim (188) /xhamiambret

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here