Cilat janë dituritë në të cilat duhet të thellohemi më shumë?

0
161

S’ka dyshim se njerëzit janë të ndryshëm në aftësi dhe dhunti prandaj duhet që njeriu të shikojë me vëmendje dhe zhbirim në vetvete, dhe të gjejë atë që mund të bëjë ai më mirë dhe fushën ku mund të shkëlqejë sepse “vlera e çdo njeriu është ajo që ai mund të bëjë”. Dhe aty të derdhë gjithë mundin e vet dhe të përpiqet fort me sa ka mundësi. Le të jetë plotë pasion, sepse “kush angazhohet me dituritë e vogëla dhe i lë ato të lartat – duke pasur mundësi për to – është si ai që mbjell misër në tokën ku mund të rritet gruri, apo si ai që mbjellë pemë pa fruta në tokën ku mund të rriten hurmat arabe dhe ulliri”

Ndërsa “kush anon natyrshëm kah një lloj diturie – edhe nëse ajo është në gradë më e ulët se të tjerat – le të mos merret me diçka tjetër veç saj, përndryshe do të jetë si ai që mbjell arra kokosi në Spanjë apo si ai që mbjell ullinj në Indi, të gjitha këto nuk japin fruta.” Siç ka thënë Ibn Hazmi – Allahu e mëshiroftë.

Por pyetja që shtrohet është: Cila është dituria më fisnike?
Dituria më e lartë është ajo që të afron te Krijuesi yt dhe ajo që të ndihmon të arrish kënaqësinë e Tij, dhe ajo është: dituria rreth Kuranit dhe Sunetit.

Hafidh Ibn Rexhebi – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Ajo që ka detyrë muslimani të kujdet për të dhe t’i jap rëndësinë e duhur është: hulumtimi rreth asaj që ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Pastaj të përpiqet t’i kuptojë ato të dyja dhe të zgjerohet te kuptimet e tyre. Pastaj le të merret me saktësimin e tyre nëse janë çështje shkencore. E nëse është prej çështjeve praktike, le të përpiqet të veprojë prej tyre sa të ketë mundësi prej urdhëresave dhe të largohet prej ndalesave. Dhe le të jetë pikësynimi i tij i gjithi i përqëndruar në këtë gjë dhe jo tek të tjerat.

Kështu ishte gjendja e shokëve të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe e atyre që i pasuan ata ashtu siç duhet. Ishin në kërkim të dijes së dobishme mbi Kuranin dhe Sunetin.”

Hafidh Ibn Haxheri – Allahu e mëshiroftë – duke treguar se cila është dituria që duhet të shtohet ka thënë: “Ajo është dituria që të bën të kuptosh se cilat janë detyrimet e tua si njeri me logjikë, prej adhurimeve dhe riteve fetare, njohuria mbi Allahun dhe cilësitë e Tij dhe çfarë detyrimesh ke kundrejt Tij, siç është: zbatimi i urdhërave të Tij dhe pastrimi i Tij prej mangësive. E të gjitha këto sillen rreth tefsirit (komentimit të Kuranit), hadithit (fjalëve profetike) dhe fikhut (rregullave fetare)”

Rreth këtyre kuptimeve sillen fjalët e dijetarëve në kontekstin e diturisë së dobishme ku duhet thelluar dhe zgjeruar, prandaj nuk po e zgjasim më shumë me citime.
Dhe këtu duhet të theksojmë se plotësimi studentit në dituritë e lartpërmendura që quhen: dituritë e synuara (ose dituritë që janë qëllim në vetvete, dituritë kryesore) është i lidhur pashmangshmërisht me plotësimin e kuptimit të tij dhe të përvetësimit të një numër shkencash ndihmëse/ mjete, siç janë: shkencat e gjuhës arabe, shkenca e usul fikhut (bazat e jurispeudencës islame) terminologjia e hadithit etj…
Kështu disa prej këtyre shkencave është detyrë të studjohen, sepse është detyrë marrja e mjeteve të duhura që të ndihmojnë të arrish tek qëllimi. Kjo sepse kuptimi i fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij është i lidhur detyrimisht me kuptimin e disa çështjeve paraprake. Kësisoj ato janë prej çështjeve për të cilat dijetarët kanë thënë në rregullin e fikhut: “Ajo pa të cilën nuk plotësohet detyrimi (uaxhibi) është vet detyrim”. Prandaj kjo është detyrim. Ndërsa ajo që nuk është detyrë të studjohet është ajo dituri që nuk ndikon në kuptimin e fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit (sal lall llahu alejhi ue sel lem), dhe ajo mbi të cilën nuk ndërtohet ndonjë çështje praktike. E s’ka dyshim se në varësi të sasisë që merr dijetari prej këtyre diturive ndihmëse dhe aftësimit të tij në to – sidomos ato dituri mbi të cilat ndërtohet kuptimi i sheriatit dhe që nuk janë prej studimeve të miratuara apo ato dytësore – do të jetë edhe aftësia e tij për të hulumtuar (për të bërë ixhtihad) dhe për të nxjerrë gjykime fetare (istinbat). Sepse dituritë janë të lidhura me njëra-tjetrën.

“Nxitesi per lexim”

Perktheu: Emin Bilali

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here