Me çfarë mendon njeriu, me zemër apo tru?

0
413

Pyetja:

Pyetja ime ka të bëjë me zemrën dhe mendjen e njeriut, si e shpjegon Islami rolin e këtyre dy organeve tona, cili i paraprin tjetrës në marrjen e vendimeve tona qofshin të mira apo të këqija, zemra mendjes apo mendja zemrës (zakonisht kur duam të bëjmë një punë themi “ma merr mendja” ose “po ma ndien zemra”).

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shumë shkencëtarë të prirë nga vështrimi materialist i organizmit të njeriut besonin se në një të ardhme të afërt, pas zgjerimit të shkencës së fiziologjisë (shkencë e cila studion ndërtimin dhe veprimtarinë e organeve të trupit), do të jetë e mundur të sqarohet mënyra e funksionimit të të menduarit të njeriut fiziologjikisht, sikurse shpjegohen mënyrat e funksionimit të pjesëve të tjera të organizmit të tij. Mirëpo edhe pse lënda e fiziologjisë ka shkuar mjaft përpara, ende deri më tani nuk është arritur të shpjegohet forma e funksionimit të mendjes së njeriut.

Shkencëtarë e kohës bashkëkohore të cilët e kanë studiuar intelektin e njeriut thonë se me anë të ligjeve të fizikës dhe kimisë mund të shpjegohet forma se si funksionojnë organet e caktuara në trupin e njeriut, sikurse: funksionimi i të dëgjuarit; ata thonë se valët e zërit godasin timpanin e veshit dhe kjo dridhje e krijuar arrin nëpërmjet nervit dëgjimor në tru. Gjithashtu edhe shqisa e shikimit është reflektim i rrezeve të dritës që i sheh njeriu dhe këto pamje shndërrohen në valë dhe nëpërmjet nervit pamor dërgohen në tru, etj. Me gjuhën e fizikës dhe kimisë deri këtu mund të shpjegohet forma e funksionimit të këtyre organeve, por pas kësaj, kur kërkohet sqarimi i mënyrës se si perceptohet kjo në mendjen e njeriut dhe çfarë zhvillime ndodhin më pastaj, atëherë nuk ka sqarime.

I përmenda këto shpjegime që ta kemi parasysh se mënyra e funksionimit të intelektit të njeriut është enigmë dhe e paqartë për ne, së paku deri me tani. Por gjithashtu duhet ta përmendim edhe atë se të menduarit e njeriut ndërlidhet ngushtë edhe me shpirtin e tij dhe derisa njohuria e njeriut rreth esencës dhe përbërjes së shpirtit është e kufizuar, atëherë edhe njohuritë e tij rreth mënyrës së të menduarit të njeriut do të jenë të kufizuara. Zoti i Madhëruar thotë: “Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”.[1]

Pas këtyre sqarimeve të cilat i konsiderojmë shumë të nevojshme themi se pikëpyetja rreth vendndodhjes së mendjes është një problematikë e cila ka ngritur polemikë te njerëzit që nga kohërat e lashta. Rreth kësaj ka folur edhe Aristoteli në librin “Mbi Shpirtin” dhe ai përmban qëndrimin se vendi i mendjes është zemra dhe jo truri, ndërsa roli i trurit është që t’i shërbej zemrës në të cilin gjendet mendja.

Debati në lidhje me këtë çështje është evident edhe te dijetarët islamë; shumica e atyre janë të mendimit se vendndodhja e mendjes është zemra dhe për këtë mbështeten në një numër të citateve kuranore në të cilat Zoti i Madhëruar i kritikon jobesimtarët që nuk mendojnë me zemrat e tyre. Ndër këto citate përmendim:

“Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë”.[2]

“Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.”[3]

“Ne kemi paracaktuar për xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë.”[4]

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!”[5]

Një numër tjetër i dijetarëve islamë janë të mendimit se vendndodhja e mendjes është truri. Ata nisen nga fakti se kur të çrregullohet truri, atëherë edhe mendja çrregullohet dhe nga çrregullimi i trurit vijnë deri te sëmundjet mendore.

Shejhul Islam Ibën Tejmije është pyetur në lidhje me vendndodhjen e mendjes dhe është përgjigjur kështu:

“Ndërsa në lidhje me pyetjen: Ku është vendndodhja e mendjes? Mendja ndodhet tek njeriu i cili logjikon, ndërsa ndërlidhja me trupin e tij është në zemër, ashtu si thotë Zoti i Madhëruar: “Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë” (Haxh, 46). E kanë pyetur sahabin Abdullah ibën Abasin: `Si e arrite tërë këtë dije?` Ai tha: `Me gjuhën pyetëse dhe zemrën e mençur`. Por me shprehjen ”zemër” mund të jetë për qëllim organi që ka formën halore dhe që gjendet në anën e majtë të trupit,… ashtu si përmendet në hadithin i cili shënohet në dy koleksionet e sakta (Buhariu dhe Muslimi), në të cilin i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Vërtet në trup është një organ, nëse ai është i mirë, atëherë i tërë trupi është i mirë dhe nëse ai është i keq, atëherë i tërë trupi bëhet i keq. Ai organ është zemra”. Por gjithashtu mund të jetë për qëllim brendësia e njeriut përgjithësisht, pasi zemra e ndonjë gjëje është edhe brendësia e saj, sikurse zemra e grurit, bajames, arrës etj. Dhe në këtë kontekst nëse është për qëllim me zemër kjo, atëherë mendja është e ndërlidhur edhe me trurin, prandaj edhe është thënë se mendja është në tru, ashtu si përmendin shumë mjekë dhe kjo transmetohet nga Imam Ahmedi. Ndërsa një pjesë e pasuesve të tij thonë se esenca e mendjes është në zemër dhe kur të plotësohet përfundon në tru”[6].

Ai në fund përmend se të dy mendimet janë të arsyeshme dhe mundohet të bëjë një pajtim rreth këtyre qëndrimeve duke thënë se filli i të menduarit dhe gjykuarit është në tru, ndërsa filli i dëshirës dhe esenca e qëllimit është në zemër.[7]

Sido që të jetë hulumtimet mjekësore bashkëkohore kanë arritur në përfundim se roli i zemrës nuk është vetëm një pompë e gjakut në organizmin e njeriut, ashtu si paramendohej në shekullin e kaluar, por përbërja e zemrës është shumë më e ndërlikuar. Ata kanë zbuluar se në brendësi të zemrës gjenden disa qeliza nervore të cilat janë shumë komplekse dhe deri më tani nuk kanë kuptuar se si funksionojnë.[8] Gjithashtu mjekët tani vërtetojnë lidhjen e ngushtë mes zemrës dhe trurit duke bërë lidhjen mes asaj që e kupton njeriu dhe mes asaj që e ndien.[9]

Prandaj pa u zgjeruar më shumë themi se ndoshta mendimi më i arsyeshëm është konstatimi se me anë të trurit njeriu percepton dhe kupton gjërat e ato truri i përçon në zemër, ndërsa zemra i administron mendimet dhe ajo urdhëron respektivisht ndalon veprimet apo marrjen e vendimeve. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

[1] Isra, 85.

[2] Haxh, 46.

[3] Kaf, 37.

[4] Araf, 179.

[5] Muhamed, 24.

[6] Mexhmu Fetva Ibën Tejmije, vëll. IX, f. 303-304.

[7] Po aty.

[8] Esrarul Kalbi Verr Rruh, http://www.kaheel7.com/ar

[9] Po aty.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here