Çdo fëmijë është ndryshe dhe i veçantë

0
212

Fëmija lind i edukuar njëzet vjet përpara.

Çdo fëmijë paraqet një botë të veçantë, andaj prindi i mirë vazhdimisht bën përpjekje për t’u futur në brendinë e shpirtit subtil të çdo fëmije të tij, me qëllim që të formojë një shtyllë bazë (të fortë) të karakterit të mirë në të (fëmijën), sepse në të kundërtën nuk mund të arrijë në cakun e dëshiruar për shkak se te fëmija formohen teket.

Pa dyshim që çdo prind dëshiron të jetë i dashur dhe i respektuar nga fëmija i tij. Por, sa investohet në këtë drejtim, kjo mbetet një çështje për përsiatje. Nuk është aspak e lehtë që të arrihet në cakun e lartpërmendur, sepse po jetojmë në një kohë ku gjërat kanë ndryshuar nga vendet e duhura e që morali është bërë si fundërrinë. Për këtë arsye me përkushtim, gjithnjë duhet hulumtuar rruga më e mirë dhe më e përshtatshme.

Shumë këshilla prindërore tregojnë se prindi duhet të jetë i kujdesshëm që në radhë të parë, kurrë nuk duhet të lëndohet personaliteti dhe dinjiteti i fëmijës. Vazhdimisht duhet të kujdeset në ruajtjen e shpirtit të çiltër të tij, qoftë ai i qetë apo problematik.

Dashuria dhe respekti i fëmijës arrihet vetëm atëherë kur prindi bën punë të përkushtuar e me shembuj praktikë e kurrsesi me predikime bajate edukative. Përndryshe do të jetë familje e shthurur dhe e paedukatë e mirësjellje. Aq sa, nëse fëmija “arrin” të mos e do prindin e tij, ai nuk ia pranon as këshillën, dhe këtu mjerisht, mbyllet rrethi. Në raste të tilla, fëmija dëgjon vetëm nga frika që të mos e përjetojë dhunën. Por, sa vlen kjo? Andaj, nuk duhet harruar asnjëherë, se ai prind i cili nuk arrin që të fitojë respektin dhe dashurinë e fëmijës së tij, nuk do të arrijë kurrë në cakun e dëshiruar. Çdo përpjekje e tij e mëvonshme do të jetë e kotë dhe që në fillim e dështuar.

Për këtë arsye, para së gjithash, fëmija duhet të orientohet në drejtimin e duhur. Dhe po që se arrihet kjo, atëherë çdo gjë tjetër në vazhdim do të shkojë më lehtë. Fundi i fundit ky është çelësi i suksesit të cilin e dëshiron çdo prind, por që, mjerisht, çdo prind nuk mund ta gjejë…

Kanalizimi i drejtë i synimeve të fëmijës

Prindi, kurrë nuk duhet të harrojë se fëmija i tij (e sidomos ai i shkollës së mesme) posedon një energji të pashtershme. Madje edhe imagjinata e tij është mjaft e bujshme. Po qe se arrihet që kjo energji të kanalizohet mirë, atëherë do të arrihen lehtë objektivat e planifikuara në edukimin e tyre. Në të kundërtën, akumulimi i kësaj energjie patjetër që do të shpërthejë aty ku nuk duhet, e kjo mund të kalojë në devijim dhe të zgjas tërë jetën (e fëmijës), madje mund të jetë edhe e kobshme. Mjerisht, gjëra të tilla ndodhin jo rrallë, e që prindërit e tillë kalojnë pa ndonjë dënim të merituar.

Keqtrajtimet psikike dhe fizike duhet të jenë diçka që i takojnë kohës së kaluar. Është e pakapshme dhe e pafalshme që fëmija të jetë i “disiplinuar” (si robot) vetëm para të pranishmëve jashtë familjes (mysafirëve). Përkundrazi, ai (fëmija) duhet të jetë gjithnjë faktor me vlerë, i respektuar dhe i edukuar mirë, sepse i takon së ardhmes.

Tek fëmijët e të gjitha moshave janë të bezdisshme refrenet e përditshme, jo rrallë edhe kërcënuese për gabimet që bëjnë, (e që mund të jenë edhe normale ato gabime). Shpeshherë kësaj i shtohet edhe tortura psikike kërcënuese, madje edhe fizike. E tërë kjo lë plagë të pashlyeshme në shpirtin e tij, që shpesh mund të ketë edhe pasoja serioze gjatë tërë jetës së tij. Andaj, kërkohet nga prindi që t’ia kanalizojë me bindje synimet fëmijës të vet, si dhe t’ia shndërrojë shtëpinë dhe ambientin e saj në vend kënaqësie e jo në një skëterrë për të.

Fëmija nuk dëshiron vetëm mësim

Çdo ditë, pos të shtunës e të dielës, fëmijët mësojnë më së paku 4 orë në ditë. Kësaj i shtohen edhe detyrat e shtëpisë, të cilat kërkojnë një anëtar të familjes për t’i ndihmuar, për shkak se janë të vështira për t’u kuptuar e për t’u zgjedhur vet nga fëmija. Angazhimet vazhdojnë t’u epen edhe gjatë pushimeve stinore, veç kësaj nga ata kërkohen edhe “referatet”- (analizat kuptimore), esetë etj. Natyrisht që të gjitha këto janë të parapara me planprogram mësimor, ku fëmija ose nxënësi në këtë rast dashtë e pa dashtë duhet të ballafaqohet me to.

Ajo çka është me rëndësi dhe që kërkon ky diskutim është, që kjo të mos bëhet një barrë e rëndë, shpesh edhe e papërballueshme për fëmijët duke i ndenjur gjithnjë mbi kokë me fjalë cinike: ku i ke librat, mëso, kapi librat, dembel (dembele), përtac (përtace)… etj., ngase dihet mirëfilli se fëmija duhet të merret edhe me aktivitete e punë të tjera.

Në këtë drejtim më së paku vlejnë kërcënimet e aq më pak ofendimet. Por, duhet krijuar vetëdijen tek ai (fëmija) se të gjitha këto bëhen vetëm për të mirën e tij, e që njëkohësisht t’i tregohet ndonjë shembull krahasues, me qëllim që bindja ta pushtojë tërë qenien e fëmijës, se duhet edhe të luajë por më shumë të mësojë.

Lidhur me këtë, nga ana tjetër, shpesh mund të dëgjohet nga fëmijët, se: “mësimet e bashkë me mësimet më është gërditë (neveritë) shtëpia”. Në raste të tilla askush nuk e lodh mendjen se për ç’arsye e thotë fëmija një gjë të tillë. Ndërkaq, kjo është shumë e qartë: se me fëmijën nuk punohet, por i epet liri e tepruar, saqë ai kalon në rebelizëm si dhe fjalët që nxjerrë nga goja aspak nuk janë të korrigjuara e të matura, as ndaj prindërve të tij. Ç’është më e keqja , prindërit e këtyre fëmijëve, shpesh edhe mburren për një gjë kaq të pa vend, në vend se të turpërohen. Siç vërehet, të dy palët dëshirojnë të arrijnë një autoritet të pakontestueshëm, duke harruar se një autoritet i tillë është vetëm i rrejshëm. Saqë, për të arritur këtë “autoritet”, ata shpesh zgjedhin rrugën më të gabuar dhe më të papërshtatshmen.

Në këtë rast, kisha thënë për këta prindër, e jo edhe për fëmijët, se autoriteti aq i dëshiruar ndaj fëmijëve të tyre, ose mburrja me fëmijët e tyre, mund të arrihet e të fitohet vetëm me një punë të zellshme, plot përkushtim e sinqeritet. Me një takt pedagogjik e sidomos me taktin pedagogjik të Muhamedit alejhis selam ngaqë ishte i përkryer për t’i arritur të gjitha këto në mënyrën me të mirë njerëzore. Si dhe të ketë dashuri të ndërsjellë ndërmjet prindit dhe fëmijës.

Sa i kuptojmë fëmijët?

Çështje shumë e rëndësishme për çdo prind është edhe vet dëshira dhe aftësia e tij për ta kuptuar fëmijën e tij. Po që se arrihet kjo, do të krijohet një raport i ngrohtë miqësor në relacionin prind-fëmijë. Andaj, i pa lumtur do të jetë ai prind, i cili nuk lodhet aspak për këtë që ta kupton fëmijën e tij, i cili çdo ditë dhe në të shumtën e kohës, qëndron para tij (prindit) dhe i cili mund të “incizojë” çdo fjalë dhe çdo sjellje të prindit të vet, e nga i cili në tërësi varet se a do të jetë një figurë e dashur, apo jo e dashur.

Edhe pse gjatë jetës, shpesh na ndodhë të shohim fëmijë të edukuar mirë si dhe fëmijë të pa asnjë fije edukatë, ka edhe fëmijë të cilët janë në mes të këtyre dyjave, të edukatës dhe jo edukatës. Ka raste që shohim gjëra të këndshme tek fëmijët, ka edhe asosh që janë herë-herë edhe nevrikosëse, megjithatë jeta është e tillë dhe si të tillë duhet ta kuptojmë.

Por, duhet qenë thellë të bindur se çaste vërtet të lumtura mund të përjetojë vetëm ai prind, i cili di të punojë me fëmijën në mënyrën më të mirë të mundshme e sidomos nga mësimet që i sjellë pedagogjia fetare-islame. E themi këtë me bindje kaq të madhe, sepse vetëm aty mund t’i gjesh të gjitha normat e një karakteri të përkryer njerëzor si dhe metodën më të përsosur e udhëzuese për ta kuptuar një shpirt të njomë të filizave të vegjël e të rinj. E tëra kjo kërkohet sepse fëmija ka aq shumë aftësi, sa që është në gjendje të “incizojë” ose të “gëlltisë” çdo germë që nxirret nga goja e prindit, por, s’duhet harruar se gjërat negative të cilat zënë vend te fëmijët, jetojnë më gjatë në memoriet e tyre, sesa ato të mirat.

Përgatitjet dhe kujdesi i vazhdueshëm i prindërve

Për t’i arritur të gjitha këto objektiva, prindit i nevojitet një përgatitje e vazhdueshme, qoftë ajo edhe pas bërjes prind i më shumë se dy fëmijëve, sepse është alfa dhe omega e përgjegjësisë së tij ndaj fëmijës së vet.

Nuk duhet harruar se shumica (për të mos thënë të gjithë) e fëmijëve, kur fillojnë t’i kuptojnë gjërat si duhet, e kuptojnë edhe dozën, mënyrën dhe strategjinë e prindërve të tyre për kultivimin e edukatës dhe moralit në ta. Mund të themi, se fëmija përveç që është pasqyrë e prindit, është edhe “juria” më meritore që e vlerëson punën dhe përkujdesin e tij.

Nëse prindi nuk i vë me kohë në binarë gjërat të cilat kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve të tij, do të jetë e kotë çdo orvatje e mëvonshme e tij. Nëse prindi zgjedh metodën e diktaturës e jo metodën e bashkëpunimit e të dialogut, ai në hap të parë do të jetë një prind i dështuar, edhe më keq, fëmija i tij vështirë edhe mund ta falë, por edhe më vështirë e ka që ta harrojë të gjithë atë që ia lëndon shpirtin e tij. Fundja, të gjithë ne dikur kemi qenë fëmijë, e shpesh kemi përjetuar gjëra të këndshme, por edhe aso që kot mundohemi t’i harrojmë.

S’do mend se të gjithë e dinë se duhet një përgatitje e vazhdueshme për edukimin e fëmijëve, e sidomos prindërit dhe kjo mbetet në përgjegjësitë e tyre, s’po themi në ndërgjegjen e tyre për shkak se kemi parasysh dhimbjen për fëmijët që më së paku kanë faj pse mbesin të pa edukatë e të pa moralshëm.

Nëse neglizhohet në këtë përgjegjësi, e tërë kjo më së shumti i kushton prindit, e pastaj një pjesë edhe shoqërisë. Ngaqë si prind i cili nuk din ta çmojë fëmijën e tij, kurrë nuk do të ketë ardhmëri të ndritshme, dhe përmes kësaj ia pengon edhe ardhmërinë e fëmijës, pastaj një pjesë edhe shoqërisë dhe popullit. Përkundrazi, përmes kësaj papërgjegjësie sjellë vetëm bela dhe jo rehati si në familje ashtu edhe në shoqëri.

Në vend të mbylljes së këtij shkrimi po e vëmë një fjalë të urtë, por me qëllim mesazhi:
“Fëmija lind i edukuar njëzet vjet përpara”.

Andaj, të thërrasim sa më shumë në atë që, në të ardhmen të ketë sa më shumë fëmijë të edukuar e jo të humbur, sepse fëmija nuk ka faj, por fajet i ka prindi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here