Shkruan: Orhan Bislimaj
Para disa kohësh, një profesor i shkollës së mesme më tha: Hoxhë, interesant, nxënësit që falin namaz janë më të dalluarit në shkollë! Dhe, si shkak për suksesin e tyre, ky mësues e konsideronte të ishte pikërisht fetarësia. Unë, veçse ia vërtetova këtë, sepse, sipas Qitapit (Kur’anit), namazi është pritë kundër të këqijave. E, aty, ku nuk ka të këqija, natyrshëm shtohen të mirat.
Sinqerisht, më erdhi shumë mirë, që me këtë diskurs, kryetari i ri i Prizrenit, prof.dr. Mytaher Haskuka, e filloi detyrën e tij, duke falur namazin e xhumasë në xhaminë e Suzi Zerrinit (Suzi Prizrenasit). Ndoshta, z. Haskuka, nuk e ka ditur rëndësinë e kësaj xhamie, por kjo xhami ka qenë vatër e arsimit shqip, sepse pranë saj, Suzi Zerrini, në vitin 1513, e themeloi bibliotekën e parë në Kosovë dhe rajon. Sikundër kësaj, është mirë, që z. Halil Matoshi dhe islamofobët e tjerë, e që unë preferoj t’i quaj më shumë si krishterimocentristë se sa islamofobistë, duhet të gërmojnë në vlerat origjinale të shoqërisë tonë. Mugëtira e marksizmit, leninizmit, stalinizmit, etj, kanë perënduar si lëvizje të rrezikshme e primitive. Ndërsa, liberal-demokracia dallon prej tyre, sepse e promovon lirinë e besimit dhe të fesë. Gabimi më i madh për njeriun është kur të tjerët i mat me kutin e vetvetes.
Njerëzit fetarë kanë “megabajt” më shumë se sa ata që janë robër të materializmit. Kanë fuqi kreative më shumë se sa Halil Matoshi, ani pse ky është I veshur me petkun e pushtetit. Le të dijnë të gjithë se islamizimi i ka shpëtuar shqiptarët nga sllavizmi. Nuk po e them vetëm unë, por edhe secili studiues objektiv. Po ashtu, le të dijnë të gjithë se botëkuptimi islam, ka qenë një promotor i lëvizjeve kryesore kombëtare shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë, rrënjët i ka në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt më 10 qershor 1878, pikërisht në xhaminë e Mehmet Pashës – Bajraklisë në Prizren. Këtë Kuvend e kryesoi myderrizi i madh, Ymer Prizeni, rahmet i pastë shpirti. Po, hoxhë Kadri Prishtina, e themeloi në Shkodër Komitetin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në këtë drejtim, janë me dhjetëra ideologë, që fenë e kanë pasur si një arsenal për kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar shqiptarë. Një gjë të tillë, e kanë bërë edhe shumë ideologë nga vëllezërit katolikë. Po, çfarë të keqe ka, gjersa një udhëheqës e manifeston fenë e tij. Në fakt, ky është duke vazhduar atë që e kishin gjyshër e stërgjyshër. Rreziku më i madh është prej këtyre njerëzve që nuk kanë profil të vlerave, pra, që janë të pa fe, të pa sojë e të pa pragë.
Disa herë e kam përmendur, se vetë populli amerikan, që merret si referencë e demokracisë, aktin e besimit në Zot, e kanë qëndisur në dollarin e tyre, në mënyrë që përditë ta shohin (In God, we trust). Pra, jo vetëm një herë në javë, por më shpesh e për çdo çast, duhet kujtuar Krijuesin. Të dalësh kundër faljes së namazit, do të thotë të çohesh kundër “amerikanizmit”, demokracisë, shqiptarisë dhe kundër popullit. Ky namaz, i shtyri udhëheqësit fetarë të Kosovës, që t’i hapin dyert e Medresesë “Alauddin” për t’i shërbyer atdheut e kombit në momentet më të vështira, kur nuk e bën të tjerët një gjë të tillë. I njëjti namaz, bëri që mbi 15 xhami të Prizrenit të shndërrohen në shkolla për nxënësit e studentët, gjatë viteve ’90-ta. E, në xhaminë e “Bajrakut” LDK e asaj kohe, që ishte lëvizje gjithë popullore, e themeloi degën e saj në Prizren. Po ky namaz, I shtyri shumë imamë e hoxhallarë e besimtarë, që të rrokin armën për të luftuar për çlirimin e atdheut dhe për të qenë luftëtarë të dalluar. Po ky namaz është faktor për shoqërinë idealiste, larg drogës, alkoolit dhe veseve të këqija, etj.etj. Prandaj, Kosovës i duhen njerëz, të shkathtë, të mençur, të drejtë, të sinqertë, të pastër, të arsimuar dhe mbi të gjitha fetarë. Muslimanë apo të krishterë, secili në fenë e tij. Kosovës, më së paku i duhen ateistët, sepse nuk i do Zoti, e besa as populli dhe janë kundër liberal-demokracisë. Këta njerëz janë armiqtë të vetvetes. Prandaj, sa më larg tyre! Përndryshe, namazin e Bajramit e ka falur edhe kryetari i kaluar prof.dr.Ramadan Muja. E, kemi qenë të nderuar, që kryetari LDK-së, dega në Prizren, z. Haxhi Avdyli, vizitën e parë pas zgjedhjes së tij në krye të LDK-së, e ka bërë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren.
PEJGAMBERI A.S. KA THËNË: “ÇDO PUNË QË NUK FILLOHET ME EMRIN E ZOTIT, ËSHTË PA BEREQET”