A bën të hyj në internet dhe të flas me ndonjë vëlla musliman?

Communication concept. Isolated on white

Pyetja:

Jam një vajzë qe falem rregullisht dhe e përdor shumë internetin. Dua të di se a e kam të lejuar nëse hyj në internet dhe flas me ndonjë vëlla musliman, mirëpo me kujdes shumë të madh?

Përgjigja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Biseda me djem të huaj në internet është një problematikë mjaft e komplikuar, për shkak se është një derë që nëpërmjet saj mund të na vijnë shumë sprovime e mëkate. Për këtë qështje ka diskutime të shumta nëpër internet, ku disa dijetarë janë më rigoroz e disa të tjerë janë më liberal.

Çështjen e parë që duhet të kesh parasysh është se bisedat e tilla janë të lejuara vetëm në raste të nevojshme e jo për kalim të kohës dhe për njoftime me njerëz. Për shkak, se si e thashë, është një rrugë me të cilën mund që shejtani të të fus në mëkate hap pas hapi, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, sepse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për të shëmtuara e të irituara…” (Nur, 21)

Ja edhe disa kushte rreth këtij lloji të kontaktit:

1. Biseda të jetë rreth çështjeve të nevojshme si: pyetja për ndonjë çështje, dituria, etj. Allahu i Lartësuar thotë: “ …e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm” (Enbija, 7)

2. Mos përdorimi i fotos në asnjë rast.

3. Mjafton shkrimi, s’ka nevojë për bisedë me zë.

4. Gjatë bisedës të ketë seriozitet dhe mos kalimi në biseda prej të cilave nuk ka aspak dobi.

Në të vërtetë…shumë njerëz kënaqen vetëm pse bisedojnë me gjininë tjetër, pa marë parasysh se për çfarë bisedon. Mashkulli i intereson të dëgjojë zë femre, sidomos kur është zë i bukur dhe i butë. E njejta gjë i intereson edhe vajzës. Sepse gratë janë pala tjetër e burrave. Secilit i intereson të bisedojë me palën tjetër, po edhe në qoftëse është vetëm me shkrim. Andaj tema e bisedës duhet të jetë serioze, larg nga joserioziteti dhe emocionet.

5. Dialogu të jetë në vendet publike në internet, nëse është e mundur, për arsye kjo se është më mirë për mosndërhyrjen e shejtanit. Profeti (Paqja dhe bekimi I Allahut qofshin mbi të! ) thotë: “Një burrë nuk takohet me një grua pa qenë shejtani i treti mes tyre.” (Transmeton Tirmidhiu)

6. Gjithashtu, duhet patur kujdes, sepse ata me të cilët flasim në internet zakonisht janë imagjinativë, mundet që mashkulli të paraqitet në emër të femrës, ose femra të paraqitet si djalë…pastaj kush është? Nga cili vend? Çfarë qëllimi ka? Çfarë kulture posedon? Çfarë punon?.. etj. Të gjitha këto nuk i dimë.

Ua tërhek vërejtjen motrave të nderuara se kjo është rezik shumë i madh, ju them këtë, se gruaja shpejt beson dhe mashtrohet nga fjalët e zbukuruara dhe mund të bjerë në kurth të ndonjë gjuetari. Sepse ai herë paraqitet si këshilltar i sinqertë e herë si sakrificë që kërkon shpëtimtarin e vet, e herë si beqar i cili kërkon partnerin e jetës së tij, e herë si i sëmurë që kërkon shërim,…etj.

Këto ishin kushtet që i kanë përmendur disa nga dijetarët islam, të cilët janë pyetur rreth kësaj çështjeje. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi