BËJ MIRË O BIRI IM

0
256

I ftuar: Prof. Abdurrahman Hamud Sumejt

Sekretar i përgjithshëm i Komitetit të Kuslimanëve të Afrikës

Drejtues i këshillit administrative i shoqatës së ndihmës të drejtpërdrejtë.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju! Të nderuar teleshikues, u urojmë mirëseardhjen në një emision të ri nga programi ynë javor “Familjet e lumtura”. Shpresojmë që ky emision të jetë më i veçantë, pasi do të flasim rreth bamirësisë dhe sadakasë. Para se të fillojmë, dua t’ju rrëfej një histori.

Një vajze të re në moshë, të cilën e njoh personalisht, i vdiq babai. Pas një farë kohe, ajo vuri re, se vëllezërit e saj u dhanë shumë pas kësaj bote dhe të mirave të saj. Kjo e dëshpëroi dhe vendosi t’i këshillojë dhe orientojë me anë të një hileje tepër të zgjuar. Ajo shkroi një letër, ku u përpoq të imitonte shkrimin e babait të vdekur. Pasi e përfundoi letrën, ajo e firmosi, futi brenda saj një foto dhe e vendosi në një zarf. Në letër ajo shkruante, në emër të babait:

“Fëmijëve të mi tepër të shtrenjtë!

Tashmë ju jeni të gjallë mbi tokë, kurse unë do të jem i vdekur nën tokë. Vallë a luteni për mua gjatë namazit dhe lutjeve tuaja?

Fëmijët e mi të dashur! A ju shkon ndër mend, që nga pasuria që u lashë trashëgim t’u jepni të varfërve në emrin tim? A më kujtoni mua duke ndihmuar dhe përkrahur nevojtarët dhe hallexhinjtë e shumtë?

Të gjithë ju e dini se unë nuk mund t’ju privoja nga pasuria që kisha mbledhur, qoftë dhe një dinar të vetëm. Unë tashmë jam në varr, kurse ju i gëzoheni pasurive që u lashë trashëgimi dhe u gëzoheni rrogave tuaja. A më kujtoni ndonjëherë duke dhuruar të holla për shoqatat bamirëse, në emrin tim?

Me respekt

Babai juaj filani… Zoti e mëshiroftë!

Më poshtë, vajza e të vdekurit shkroi dhe një porosi, të cilën gjoja babai e kërkonte nga fëmijët e tij. Ajo shkroi sikur babai i porosiste të grumbullojnë një sasi të hollash dhe t’ia dorëzojnë nënës së tyre, me qëllim që t’i japin për bamirësi. Në fakt ashtu ndodhi. Ata e grumbulluan shumën e kërkuar dhe me të ndërtuan një xhami me emrin e babait të tyre.

Duke ditur që familjet e lumtura mendojnë dhe planifikojnë mbi të ardhmen e fëmijëve, duke i nxitur për vepra të mira, emisioni ynë i sotëm do të jetë me temë:”Bëj mirë o biri im” ku i ftuar është doktori Abdurrahman Sumejt. Ne i urojmë atij mirëseardhjen dhe fillimisht e pyesim se ç’mendon mbi titullin e emisionit”.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Është diçka, për të cilën e lus Zotin që t’ju japë sukses dhe t’i udhëzojë fëmijët dhe nipërit tanë drejt bamirësisë dhe veprave të mira.”

Dëshira për të bërë mirë është në natyrën e njeriut.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ne duam që boshti i këtij emisioni të jetë rreth jetës tënde personale, marrëdhëniet me gruan tënde, fëmijët dhe gjithçka që ka të bëjë me bamirësinë. Si ua ke bërë të dashur familjes tënde diçka të tillë, sidomos duke ditur që ju e ushtroni aktivitetin tuaj në Afrikën e zezë”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Fillimisht dua të më lejoni të bëj një korrigjim; Afrika nuk është e zezë, por është thjesht Afrika.

Së dyti unë nuk mendoj se jam një person me reputacion ndërkombëtar, por jam shumë më pak. Gjithashtu mendoj, se dëshira për të bërë mirë gjendet tek çdo njeri, veçse disa njerëz e zhvillojnë më shumë këtë ndjenjë, ndërkohë që disa të tjerë e mbysin atë.

Një herë ndodheshim duke mbledhur donacione për të ndihmuar popullatën e shkretëtirës së madhe (Çad, Sudan) të prekur nga thatësira shkatërruese. Kur vajta në zyrën e shoqatës, gjeta një grua të zbukuruar me të gjithë llojet e makiazhit dhe stolive të tjera. Ajo kishte veshur pantallona dhe këmishë të ngushtë. Fillimisht kur e pashë me atë veshje, doja t’a nxirrja jashtë nga zyra. Megjithatë, i thashë me një zë të thatë: ”Çfarë dëshironi”?

Ajo mu përgjigj: ”Unë dua të dal vullnetare dhe të vij me juve në shtetet e Afrikës për të ndihmuar të varfërit dhe nevojtarët”.

Edhe pse ishte veshur në një mënyrë jo të përshtatshme, gjë e cila është e papranueshme për ne, e mira vazhdonte në zemrën e asaj gruaje. Unë mendoj se fajin që ajo dhe gra të tjera vishen në atë formë, nuk është vetëm i tyre, por në radhë të parë i të gjithë neve. Problemi është tek ne, që nuk ua kemi bërë të qartë të mirën nga e keqja. Çdo njeri lind me natyrë të pastër, siç ka thënë dhe i dërguari i Allahut. Kur shohim një mace që ushqen kotelet e saj, një klloçkë që mbron dhe ushqen zogjtë e saj, të gjithë ne habitemi dhe prekemi. Nëse kjo ndodh tek kafshët, si mund të ndodhë e kundërta tek njerëzit?! Është e paimagjinueshme që të ketë njerëz të mëdhenj ose të vegjël, që nuk kanë dëshirë t’i ofrojnë një nevojtari disa të holla. Secili nga ne, një miliardë muslimanë dhe njëqind e pesëdhjetë milionë arabë, kanë në zemër dëshirën për të bërë mirë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kush të ka nxitur t’i hysh rrugës së bamirësisë dhe si filloi”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Interesi im për Afrikën ka mbi njëzet vite që ka filluar. Asokohe isha doktor i specializuar në Britani dhe Kanada, ku kam kaluar disa vite. Një grua na dhuroi disa donacione për të ndërtuar një xhami në Malavi. Kështu ne vendosëm të shkojmë të ndërtojmë xhaminë dhe të kthehemi. Por kur arritën në Malavi, mbetëm të shokuar nga ajo që na panë sytë. Ishte një shuplakë e rëndë që pësuam, shuplakë e cila na zgjoi nga gjumi i shkujdesjes dhe harresës. Kudo që shkelnim, banorët e qyteteve dhe fshatrave nga pyesnin: ”Kush jeni juve”?

Ne u përgjigjeshim: ”Jemi arabë”.

Ata na pyesnin sërish: ”Çfarë janë arabët? Nuk e dimë kush janë arabët”.

Më pas u thonim: ”Jemi muslimanë”.

Përsëri përgjigjeshin: ”As muslimanët nuk i njohim”.

Atëherë, personat që ishin në shoqërinë tonë nga Malavi u thonin vendasve: ”Ata janë Elasali”.

Këtë fjalë filluam t’a dëgjojmë shpesh herë dhe në çdo vend të ri që shkelnim. I habitur, i pyeta shoqëruesit tanë mbi kuptimin e fjalës Elasali. Ata më thanë që ajo fjalë do të thoshte muslimanë. Unë i pyeta nëse ajo fjalë kishte ndonjë kuptim në gjuhën e tyre popullore dhe ai më tha që kuptimi i saj është një njeri injorant dhe i prapambetur. Këtë fjalë, vendasit e përdornin për të identifikuar muslimanët, të cilët ishin të prapambetur dhe të paarsimuar, pasi deri atëherë asnjë musliman nuk kishte përfunduar universitetin.

Në zonën Minguçi  p.sh ndodheshin 486 mijë fëmijë që nuk vazhdonin shkollën, pasi nuk kishin mundësi të paguanin edhe pse tarifa ishte vetëm dy dollarë në vit. Një musliman nga Malavi e kishte të pamundur t’a siguronte këtë shumë dhe pranonte të quhej elasali. Veç kësaj, muslimanët nuk kishin asnjë shkollë të mesme. Kurse në universitetin e vetëm studionte vetëm një student musliman edhe pse muslimanët përbënin shumicën në Malavi. Por për shkak të kristianizimit, injorancës dhe neglizhencës tonë si arabë dhe muslimanë, numri i muslimanëve atje kishte rënë në 17% të popullsisë. Ky fakt bëri që jeta ime të marrë një kthesë të re. Ky udhëtim ishte shkaku, që ne themeluam Komitetin e Muslimanëve të Afrikës, aktiviteti i të cilit filloi të zgjerohej dhe sot përfshin të gjithë Afrikën”.

Kutia për mbledhjen e donacioneve.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Dikur më keni treguar se ideja e kutive për mbledhjen e donacioneve ka qenë ide e njërit nga djemtë e tu. Do të donim të na e tregonit si ka ndodhur”!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Një ditë, më erdhi djali im i madh Suhejbi, që asokohe ishte tetë vjeç dhe më tha: ”Dua të më japësh një kuti, pasi dua të mbledh donacione nga shokët e klasës”!

Asokohe kutitë e donacioneve akoma ishin të panjohura nga njerëzit. Sigurisht, kuti të tilla unë kisha parë në Amerikë dhe Kanada, por jo tek ne. Kështu, të dy vajtëm tek një marangoz, të cilit i kërkova të më prodhonte një kuti. Me t’a përfunduar, unë ia dorëzova Suhejbit. Asokohe arsimi nuk e njihte akoma burokratizmin e sotëm dhe mësuesit gëzonin kompetenca dhe autoritet. Mësuesi i djalit ishte gëzuar shumë me idenë e Suhejbit. Ai i kishte kërkuar që të shkojë tek të gjithë klasat e shkollës. Gjashtë nxënës të tjerë kishin kërkuar kuti si ajo e Suhejbit dhe ne ua siguruam dhjetë të tilla, të cilat ua shpërndamë nxënësve. Kjo çështje u përhap në të gjithë shkollën, madje dhe në shkollat e tjera, saqë kemi prodhur gjysëm milion kuti, të cilat i shpërndamë në të gjithë shkollat e Kuvajtit.

E habitshme është se një nga prindërit më erdhi një ditë dhe më kërkoi me ngulmim që të më puthte kokën. Unë në fakt nuk e njihja. Ai më tregoi se i biri kishte vajtur me një kuti në shtëpi, ku kishte futur një çerek dinari. Më pas i ishte drejtuar të atit duke i thënë: ”O baba! Unë do të fus në këtë kuti çdo ditë çerek dinari. Po ti sa do të fusësh”? Atëherë babai kishte futur një dinar dhe më pas e kishte pasuar me dhjetë dinarë të tjerë. Më pas djali ishte drejtuar nga e ëma, të cilës i kishte kërkuar të marrë pjesë në këtë donacion. Ajo kishte futur të gjithë stolitë e floririt që kishte”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ky është një shembull ku fëmija i vogël orienton të gjithë familjen dret të mirës”.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Pikërisht për këtë erdhi babai i tij dhe më falenderoi”.

Feja nxit për të bërë mirë.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë u takua me disa njerëz në rrugë, të cilët i pyeti:”A i ke mësuar fëmijët e tu të bëjnë mirë dhe si”?

Të gjithë përgjigjet ishin “Po” kurse përsa i përket pyetjes “si?” disa prej tyre përgjigjeshin se i kishin dërguar të mësojnë në xhami. Disa të tjerë “Duke më parë mua kur bëj mirë dhe ndihmoj të varfërit” Disa të tjerët përgjigjeshin se ua mësonin këtë virtyt duke i dërguar në shkolla. Cili është komenti juaj mbi këtë doktor Abdurrahmani”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Mendoj se kultivimi i virtyteve dhe bërjes mirë tek fëmijët tanë bëhet duke qenë vetë shembull dhe model i mirë në këtë drejtim. Më pas i edukojmë me mësimet dhe direktivat e fesë. Asgjë tjetër nuk e edukon dhe ia kultivon fëmijës dëshirën për të bërë mirë, siç e bën feja jonë. Kjo nuk është fjala ime, por e ekspertëve që merren me luftën kundër fenomeneve negative. Para njëzet viteve kam marrë pjesë në një trajnim për sensibilizimin e rrezikut të drogave. Drejtuesi i trajnimit na tha: ”Unë nuk jam fetar dhe ata që më njohin e dinë mirë këtë. Arma më e mirë për të luftuar drogat dhe narkomaninë është thellimi dhe kultivimi i vlerave dhe mësimeve të fesë”.

Është e pakontestueshme, që kultivimi i dashurisë për Zotin dhe të dërguarin e Tij në zemrat dhe mendjet e fëmijëve, i bën ata që të kontribojnë në vepra të mira”.

Dialog me vajzën e doktorit.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Meqë ju jeni shembull dhe model në çështjet e bamirësisë, padyshim që ju i keni edukuar dhe fëmijët tuaj me këtë vlerë dhe ndjenjë njerëzore. Kjo është diçka të cilës i kushtojmë shumë rëndësi në programin tonë javor “Familjet e lumtura”. Ne nuk duam që fëmijët tanë të jepen dhe të angazhohen me gjëra të kota dhe pa vlerë, por duam që të kenë objektiva dhe synime të larta dhe t’i shërbejnë njerëzimit.

Tani në linjë direkte kemi vajzën tuaj Sumejen, të cilën do e pyesim mbi disa gjëra. Fillimisht e përshëndesim atë me përshëndetjen islame:”Esselamu alejkum Sumejje”!

Sumejje:”Ve alejkum selam!”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sa vjeç jeni ju Sumejje, në cilën klasë mësoni dhe i sati fëmijë jeni në familjen e doktor Abdurrahmanit”?

Sumejje: ”Unë jam nëntëmbëdhjetë vjeçse, jam në vitin e dytë në universitet dhe jam fëmija i katërt në familje”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Babai juaj udhëton çdo vit në Afrikë dhe u merr dhe juve me vete. Siç e dinë të gjithë njerëzit, Afrika është vendi i problemeve, urisë dhe epidemive. Edhe pse je në moshë të re, ti preferon të shkosh në Afrikë, ndërkohë që shoqet dhe koleget e tua udhëtojnë në Europë dhe Amerikë, ku dëfrehen dhe argëtohen. A ndikon diçka e tillë në psikologjinë tënde dhe ndoshta dhe të shqetëson”?

Sumejje: ”Përkundrazi, jo që nuk mërzitem duke vajtur në Afrikë, por prezenca ime atje më bën të ndihem mirë. Atje vizitoj vende dhe shtete, për të cilat nuk kisha dëgjuar kurrë më parë. Afrika ka një natyrë të virgjër dhe të pashpërfytyruar nga njeriu. Veç kësaj takimet me njerëz të kulturave të ndryshme është shumë e vlefshme”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Gjatë qëndrimit tuaj në Afrikë privoheni nga ushqimet e shijshme, nuk flen në hotele pesë yjesh, nuk ke vende argëtimi, as pishina etj… A të bën të vuash diçka e tillë”?

Sumejje: ”Nuk vuaj për gjëra të tilla, pasi që në vegjëli jam edukuar dhe ambjentohem shpejt. Gjithashtu, modelet e mi babai dhe nëna janë me mua dhe ata vetë jetojnë një jetë të tillë të vështirë. Kjo ma lehtëson shumë misionin”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Gjatë qëndrimit tuaj në Afrikë dhe udhëtimeve të shumta, a të ka ndodhur diçka të cilën nuk e harron”?

Sumejje: ”Një herë ndodheshim në krahinën Vexhir në veri të Kenias, krahinë e cila ishte prekur nga një thatësirë e paparë. Një orë para namazit të sabahut, dëgjuam zëra fëmijësh. Më vonë mësuam se ato zëra ishin të fëmijëve që mësonin Kuran në mejtepe. Ata fillonin të mësonin një orë para namazit të mëngjesit dhe e ndërprisnin një orë pas namazit. Diçka e tillë padyshim që më preku shumë. Për shkak të thjeshtësisë së jetesës, më dukej sikur jetoj në kohën e të dërguarit të Allahut dhe të sahabëve”.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Më lejoni profesor Xhasim që të bëj një koment të shkurtër mbi këtë ndodhi”!

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Urdhëroni doktor”!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Kur ndodhemi në Afrikë, flemë direkt pas namazit të jacisë. Kjo, pasi nuk ke me ç’të merresh tjetër, as telefon, as televizor asgjë tjetër. Atë ditë u ngritëm herët, në orën tre të natës. Unë i thashë sime shoqe: ”A i dëgjon këto zëra”?

Ajo më tha: ”Po i dëgjoj”. Të njëjtën gjë pohuan dhe fëmijët e mi, të cilët shprehën dëshirën të shkojmë të shohim se çfarë bëhej. U nisëm të gjithë, por kur arritëm zërat e fëmijëve pushuan. Të nesërmen u përsërit e njëjta dukuri. Menjëherë u nisëm dhe gjetëm mbi njëqind fëmijë të vegjël dhe bashkë me ta mësuesi i tyre që u mësonte Kuranin. Ne i pyetëm mbi shkakun që i bënte të mblidheshin dhe të mësonin Kuran në atë orë të hershme.

Ai na u përgjigj: ”Pas namazit të mëngjesit fëmijët shkojnë dhe mësojnë në shkollën arabe. Kurse paradite ata mësojnë në shkollat qeveritare. Kështu, mbetet vetëm koha para namazit të sabahut për t’u mësuar Kuran”.

Fëmijët e mi u mrekulluan dhe u prekën nga kjo ndodhi dhe më thanë:”O baba! Duhet medoemos që t’i ndihmojmë këta njerëz”.

Unë iu drejtova mësuesit dhe i thashë: ”Dua të më tregosh mbi hallin dhe shqetësimin më të madh, pasi do të të ofroj ndihmën time”.

Mësuesi më tha:”Kam dy kërkesa:

1 – E para, komiteti i muslimanëve të Afrikës (ai nuk më njihte kush isha unë) ka hapur një pus. Por për të nxjerrë ujin, unë detyrohem të zbres disa fëmijë në fund të pusit, ata mbushin enët ose lëkurat dhe i transportojnë sipër. Por kjo mund të shkaktojë rrëshqitje të tokës dhe vdekjen e fëmijëve, kështu që nëse ëshë e mundur, na sillni litarë, me qëllim që të nxjerrim ujin me litarë.

2 – Tek ne mësojnë dhe disa fëmijë, të cilët nuk shohin natën, sidomos netët pa hënë. Kështu ata e kanë të vështirë të lexojnë. Punonjësve të komitetit të muslimanëve të Afrikës u kërkojmë të na sigurojnë një dritë, e cila do i ndihmonte të lexojnë, pasi siç e shihni dhe vetë, ne mund t’u mësojmë Kuran vetëm natën. Veç kësaj, të gjithë këta fëmijë kanë mungesë vitamine A, gjë e cila është shumë e lirë”.

Unë i thashë:”Sa është shuma e kërkuar për këtë”?

Mësuesi m`u përgjigj: ”Për një muaj, janë të mjaftueshëm dy ose tre dollarë”.

Kjo na la pa gojë, pasi kërkesat dhe nevojat e tij ishin shumë modeste”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Motër Sumejje! Çfarë ke përfituar duke shoqëruar babanë tënd në vepra bamirësie dhe punë vullnetare”?

Sumejje: ”Udhëtimet dhe vuajtjet e shumta ma kanë forcuar durimin. Kam marrë mësime konkrete dhe kam parë një pjesë të madhe të kontinentit Afrikan”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Unë uroj që Zoti të të japë ty dhe familjes tënde sukses në zbatimin e projekteve bamirëse.

“Doktor Abdurrahman! A keni ndonjë gjë për të shtuar pas atyre që tha vajza juaj Sumejje”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Unë i mungoj familjes time dhjetë deri njëmbëdhjetë muaj në vit. Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, trembeshin dhe nuk më afroheshin kur kthehesha në shtëpi, pasi u dukesha i huaj. Unë takohesha me ta vetëm në verë. Në fakt, unë nuk jam marrë fare me edukimin e fëmijëve të mi. Madje kam qenë shumë larg kësaj detyre. Por e ndjej sikur Zoti më thotë: ”Ashtu siç merresh ti me jetimët e Afrikës, do të caktoj dikë që të edukojë fëmijët e tu”. Ajo është gruaja ime dhe e lus Zotin t’a shpërblejë me të mira”.

Gruaja që kryen rolin e burrit!!

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Duke qenë se ju ndodheni gjatë gjithë kohës në udhëtim dhe larg shtëpisë, vallë si ka mundur gruaja juaj, t’u bëjë ballë problemeve, edukimit dhe punëve të shtëpisë”?!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Pjesmarrja në projektet bamirëse më ka larguar shumë nga familja ime. Gruaja ime i dërgon fëmijët në shkollë, është ajo që i merr dhe është ajo që përkujdeset për gjithçka tjetër. Edhe ato pak ditë në të cilat ndodhem në Kuvajt, më shumë jam i angazhuar me pregatitjen e udhëtimeve dhe fluturimeve të ardhshme. Kur njeriu vendos dhe është këmbëngulës për diçka, ai lëviz dhe malet për t’a bërë ëndrrën e tij realitet. Problemi ynë si arabë është, se mjaftohemi me pak dhe e pranojmë aktualitetin ashtu si të na vijë. Ne harrojmë se nënat dhe gjyshet tona na kanë rritur dhe edukuar në kushte shumë të rënda”.

Një teleshikues nga Kanadaja: ”Fjalët e doktorit të nderuar më bënë t’a ndjej realisht thënien e Zotit në Kuran: ”dhe nga ajo me të cilën i kemi furnizuar, ata japin”. Veprat e doktorit janë një mishërim i gjallë i këtij ajeti dhe e ndjej me zemër që ai është një nga evlijatë e Zotit”.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”E lusim Zotin që të na bëjë më të mirë se ç’na mendojnë njerëzit”!

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po gruaja juaj doktor, a nuk është mërzitur dhe lodhur nga kjo situatë dhe të thotë: ”Mjaft më! Nuk mundem më tej! Deri kur kështu”?!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Një herë më duhej t’a merrja atë në telefon, pasi udhëtimi i kthimit do të shtyhej për disa ditë. Kështu e mora në telefon dhe e njoftova mbi ndryshimet. Ajo mu përgjigj: ”Mua dhe fëmijëve na ka marrë malli, por nëse je i zënë me punë të mira bamirësie dhe u gjendesh njerëzve në nevojë, ne do të presim”.

Kurse mbi atë që përmendët, nëse është dëshpëruar nga një jetë e tillë, nuk më kujtohet diçka e tillë. Madje, ndonjëherë kur qëndroj si gjatë në Kuvajt, ajo më thotë: ”Ke një javë të tërë që qëndron në Kuvajt! E lusim Zotin të na ruajë nga ndonjë e keqe dhe fatkeqësi”!

Unë e lus Zotin që t’a shpërblejë me të mira. Ajo e ka parë farën dhe frutet e saj në Afrikë”.

Udhëtimi i familjes bashkë me doktorin.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po familja juaj, a udhëton për në Afrikë çdo vit dhe sa qëndrojnë atje”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Po, udhëtojnë çdo verë dhe qëndrojnë atje tre muaj. Ndonjëherë më pak dhe ndonjëherë më shumë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Udhëtojnë bashkë me ty, kudo që të shkosh”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Në fshatra, shkretëtira, fusha dhe kudo. Ndonjëherë kalojmë dy tre ditë në kushte tejet të vështira. Shumicën e kohës ushqehemi me banane dhe kallam sheqeri. Një herë, më kujtohet që për një javë të tërë nuk kemi ngrënë vezë, edhe pse na hahej. Shumicën e kohës flemë në xhami, pasi nuk ka hotele apo shtëpi me qera. Shpeshherë na merr malli për të ngrënë diçka të nxehtë, patate, oriz dhe vezë”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Dhe flini pa mbulesa apo jastëkë”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Flemë me ç’të na rastiset. Megjithatë mendoj se fëmijët dhe gruaja janë të lumtur”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Si ia bëni për insektet e shumta”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Po, atje ka shumë insekte, sidomos mushkonja të cilat gjenden me shumicë në fshatra dhe këneta. Një herë, vajtëm një një zonë me emrin Enkatabi. Atje gjetëm një hotel me gjysëm ylli por për arsye morale e lamë. Bashkëshortja me fëmijët kishin parë një xhami pothuaj të shembur. Më kujtohet që atë natë fjetëm në xhami, në qiell të hapur. Edhe pse ishte hëna e plotë, ne nuk e dallonim dot hënën për shkak të reve me mushkonja që silleshin rrotull. Sigurisht që kishim bërë vaksina kundër malarjes dhe sëmundjeve të tjera të përhapura dhe asnjë nga ne nuk u sëmur shyqyr Zotit”.

Uria në kontinentin afrikan

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në dorë mbaj disa foto, të cilat i keni marrë përgjatë udhëtimeve tuaja të shumta. Mes tyre shoh foton e një fëmije, i cili duket si një skelet. Cila është historia e këtij fëmije”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Disa shtete të kontinentit afrikan (Etiopia, Xhibuti, Somalia, Sudani) u përfshinë nga uria. Për fat të keq, të prekurit nga uria ishin mbi njëzet milionë banorë. Ne mendonim se të vdekurit do të ishin të shumtë nëse nuk do të kishim shi, pasi ekonomia e këtyre vendeve ishte shumë e dobët. Shiu për ta ishte gjelbërim dhe gjelbërimi ishte ushqimi i kafshëve, të cilat ishin ushqimi i njerëzve. Nëse nuk do të kishte gjelbërim, kafshët ishin të destinuara të ngordhnin dhe bashkë me to dhe njerëzit.

Ne e gatuanim ushqimin një një kazan të madh, me miell, sheqer, vaj ose dhjam dhe ndonjëherë qumësht. Nëse një fëmijë kishte vuajtur nga uria dhe ishte dobësuar shumë, duke ngrënë nga ky ushqim, ai fillonte pak nga pak të përmirësohej. Një racion ushqimi si ky kushtonte afërsisht gjashtë centë amerikanë. Është për t’u përmendur që 80 % e të prekurve nga uria ishin muslimanë. Sigurisht ne nuk i pyesnim njerëzit mbi fenë. Ne u ofronim ushqim të gjithëve, pa dallim feje. Profeti Muhamed a.s na ka mësuar se një grua lavire fitoi parajsën, për shkak se i dha të pijë ujë një qeni të etur”.

Edukimi i fëmijëve që të jenë mirënjohës

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A ua tregon fëmijëve dhe familjes tënde foto të tilla?! A nuk ke frikë se duke i parë këto foto mund të preken dhe këto foto të lënë ndikim negativ në psikologjinë e tyre”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Unë do të doja që ata të preken nga këto foto. Unë dua që të ndikohen psikologjikisht. Dua që t’a falenderojnë Zotin e Madhëruar për të mirat që u ka dhënë. Ne në Kuvajt jetojmë në luks dhe begati. Duke qenë në vendlindjen e tyre, dua që t’a falenderojnë Zotin për këto të mira. Ata duhet të jenë të kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti dhe nëse nuk gjejnë ç’të hanë në një vakt ngrënieje, le të durojnë. Kjo nuk do të thotë, se gjithçka ka përfunduar. Unë nuk i dua të jenë si mbretëresha e Francës. Kur njerëzit e uritur dolën në demostrata, ajo i pyeti njerëzit e afërm të saj:”Çfarë kërkojnë?”

Dikush i tha:”Duan bukë”.

Mbretëresha u tha:”Nëse nuk ka bukë, le të hanë kek”!

Po këto fjalë i kam dëgjuar dhe në shtetet e Gadishullit Arabik, ku një nga donatorët më pati thënë: ”Nëse nuk kanë miell dhe grurë për të ngrënë, le të hanë diçka të gatshme. Le të hanë kek”.

Gjatë urisë dobësohet imuniteti

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A ka ndodhur që ndonjë fëmijë afrikan, të ketë vdekur në duart e njërit prej fëmijëve të tu dhe si ka ndodhur kjo”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Një ditë vajtëm në fshatin Karisa. Vajza ime e madhe me motrën e saj hynë një një kasolle të vogël, ku gjetën duke fjetur një nënë me nëntëmbëdhjetë fëmijët e saj. Mes tyre ishte dhe një fëmijë, i cili dukej se ishte në çastet e fundit të jetës. Vajzat e mia e pyetën nënën e fëmijës dhe ajo u tha se është i sëmurë me malarje dhe se nuk kishin asnjë ilaç për t’a ndihmuar. Kjo ndodhte, duke ditur që sigurimi i ilaçeve për kurimin e malarjes nuk kushton më shumë se tre cent amerikanë. Ne e morëm fëmijën, por ai na vdiq në duar.

Unë nuk e harroj dot këtë ndodhi, pasi po të kishim vajtur disa orë më shpejt në atë kasolle do e kishim shpëtuar jetën e fëmijës. Çdo vit vdesin një milionë fëmijë afrikanë nga malarja. Një pjesë e mirë e tyre janë fëmijë të vëllezërve tanë muslimanë.

Dua të them gjithashtu, që malarja e dobëson imunitetin e njeriut, gjë e cila e bën atë një sëmundje vdekjeprurëse. Rubeola p.sh i ka prekur të gjithë fëmijët tanë, por ajo nuk ka mundur as t’i detyrojë të zënë shtratin. Por rubeola gjatë urisë është një sëmundje vdekjeprurëse për fëmijët”.

Projektet e komitetit të muslimanëve të Afrikës.

Një teleshikues nga Amerika: ”E falenderoj Zotin që jemi bamirës dhe dhurojmë donacione, sidomos komuniteti somalez në Çikago. Kjo ka ndikuar që edhe fëmijët tanë të ndjekin shembullin tonë. Unë dua t’a pyes doktor Abdurrahmanin dhe ai është i lirë t’i përgjigjet ose jo. Paratë që ai shpenzon në Afrikë a janë paratë e tij personale, apo janë kontribute dhe donacione të mbledhura në Kuvajt? Unë e lus Zotin që t’a shpërblejë me të mira për atë që po bën”.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”O vëlla i nderuar! Komiteti ynë ka ndërtuar 1.200 xhami gjatë njëzet viteve të kaluara. Një numër i tillë është më i madh se numri i xhamive që ndodhen sot në Kuvajt. Komiteti ynë ka hapur 840 shkolla, ku studiojnë mbi gjysëm milioni nxënës. Ky numër është më i madh se numri i studentëve të ministrisë së arsimit të Kuvajtit. Ne kemi hapur mbi 3.750 puse, ndihmojmë me pensione mujore mbi 9.500 jetimë, kemi ndërtuar 143 spitale dhe klinika, numri i të cilave është më i lartë se numri i spitaleve në shtetet e Gadishullit Arabik. Veç kësaj, ne financojmë një kanal televiziv në Seareleone, i cili transmeton Kuran dhe tefsir. Valët e këtij kanali mbulojnë gjashtëmbëdhjetë shtete. Sikur pasuritë e mia të ishin sa deti, do të kishin mbaruar. Këto janë bërë me pasuritë dhe donacionet e donatorëve dhe bamirësve, sigurisht me nxitjen dhe përpjekjet tona”.

Fëmijë që kontribojnë në mbledhjen e donacioneve.

Një teleshikues nga Algjeria: ”Kush prej nesh nuk e do të mirën?! Kur qytetet Ajnutab dhe Shems në Algjeri u goditën nga një tërmet i fuqishëm, edhe fëmijët e vegjël në shkolla dhanë kontributin e tyre në mbledhjen e donacioneve. Vetëm për pesëmbëdhjetë ditë, ata grumbulluan shuma të paimagjinueshme. Vetë djali im më thoshte shpesh herë: ”O baba! Fëmijët e filan lagjeje kanë nevojë për rroba dhe këpucë. Le të shkojmë dhe t’u çojmë nga veshjet tona”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kjo ishte një ndërhyrje me vlerë nga teleshikuesi nga Algjeria. Kameramani ynë u takua me disa prindër të cilët i pyeti: ”Si do të reagoje, nëse fëmija yt refuzon të ndihmojë me të holla njerëzit në nevojë”?

Disa prej tyre u përgjigjën: ”Nuk do ia imponoj, por do e lë të lirë të mendojë si të dojë.” Disa përgjigjeshin: ”Do e këshilloj dhe udhëzoj me të mirë dhe të butë”.

Cili është mendimi juaj rreth kësaj doktor i nderuar”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Nëse një fëmijë refuzon të japë sadaka, mendoj se problemi nuk qëndron tek fëmija por tek edukimi i prindërve. Fillimisht ne duhet të fajsojmë veten, para se të fajsojmë fëmijët tanë. Jo vetëm kontributi financiar, por asnjë vepër e mirë nuk mund të bëhet me imponim dhe presion. Unë besoj se shumë prej nesh kanë gabuar rëndë gjatë edukimit të fëmijëve. Nëse fëmijët tanë refuzojnë të marrin pjesë në një vepër të mirë, ata që duhen ndëshkuar fillimisht jemi ne prindërit e tyre. Gjatë bisedave familjare është mirë, që vlera dhe virtyte të tilla të kultivohen dhe të rrënjosen në psikologjinë e fëmijëve, duke i konktretizuar me histori dhe ndodhi të ndodhura”.

Program për të vizituar Afrikën.

Një teleshikuese nga Amerika: ”Në lagjen tonë kemi disa të rinj pesëmbëdhjetë dhe njëzet vjeçarë. A është e mundur që të rregullojmë një fluturim me këta të rinj drejt Afrikës, për të kaluar pushimet dhe për të përfituar nga eksperienca juaj”?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Nëse një grup i tillë të rinjsh, do ju dorëzoheshin juve doktor, a keni mundësi të organizoni një program të caktuar për ta”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Është fakt që familjet në emigrim jetojnë me shqetësimin e edukimit të fëmijëve të tyre. Më kujtohet që një miku im, Ahmed El-Kadi më tha një ditë: ”Ah sikur të gjeja një vend të sigurtë, ku t’i dërgoj fëmijët e mi, ku të mësojnë moralet dhe vlerat islame! I kam dërguar fëmijët në çdo vend arab, por kur janë kthyer kishin mësuar të gjithë fjalorin e sharjeve.

Po, ne jemi të gatshëm që t’i presim këta të rinj dhe t’i dërgojmë në Afrikë, ku do i nënshtrohen një programi të studiuar. Uroj që donatorët të dhurojnë shumën e duhur, me të cilën do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit. Pjesën tjetër e garantojmë ne”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A vlen kjo edhe për një familje me të gjithë pjestarët e saj”?!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Edhe për një familje”.

Meka në Afrikë.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Kur isha në Madakaskar, dëgjova mbi një fshat që quhej Meke. Unë i kërkova zyrës tonë në Madakaskar që të shkoj atje, por ata refuzuan. Megjithatë unë insistova dhe kështu u nisëm. Gjatë rrugës jemi lodhur si kurrë asnjëherë. Rrugët e pa shtruara dhe kënetat e shumta na sfilitën. Edhe pse vuaj nga sheqeri, unë u detyrova të pij unë kënete, pasi kisha larguar nga sipërfaqja e ujit më parë bajgat e kafshëve.

Më në fund, kur arritëm në fshatin Meke, pyetëm mbi shkakun e emërtimit të këtij fshati me këtë emër. Banorët e fshatit na thanë: ”Është emri i vendit mëmë nga i cili kemi ardhur”! Ata nuk dinin gjë rreth Arabisë Saudite dhe tokave arabe. Një e veçantë tjetër ishte, se ditët e javës ishin në arabisht. Po ashtu dhe emrat e muajve dhe të yjeve. Ata nuk e hanin mishin e derrit, nuk i pëlqenin qentë dhe kishin një libër në arabisht, i cili përmbante disa ajete Kurani, por që ishin të mbushura me bestytni të tjera.

Kjo tregon që origjina e tyre ishte arabe dhe muslimane. Falenderoj Zotin, të gjithë ata pranuan Islamin sërish dhe sot janë shumë të dhënë pas fesë”.

Të paharrueshme!

Një teleshikues nga Arabia Saudite: ”Duam që doktori të na tregojë disa ndodhi të cilat e kanë prekur dhe nuk mundet t’i harrojë”!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Ndodhitë janë aq të shumta, saqë e kam të vështirë të zgjedh. Në vitin 1983 duhej të shkonim në kufinjtë mes Çadit dhe Sudanit dhe për këtë duhej të përdornim kamionë shumë të vjetër dhe të konsumuar. Kjo, pasi në ato vende nuk mund të shkoje veçse me kamiona të tillë ose helikopterë.

Kur arritëm në një nga fshatrat atje, i pyetëm se cilat ishin nevojat e tyre më parësore. Ne prisnim të na kërkonin ushqime, miell, qumësht etj… Por ne u befasuam kur ata na thanë: ”Ne nuk duam ushqim, pasi ushqimi do të na e zgjasë jetën për disa ditë dhe në fund përsëri do të vdesim. Siç e shihni ne jemi të dobët dhe pranë varrit. Duke qenë se jemi në këtë gjendje, ne nuk mundemi as të hapim varret e të vdekurve”. Kështu, ata kërkonin prej nesh të hapnim varre për ata, që do të vdisnin. Kjo është një ndodhi të cilën unë nuk e harroj dot sa të jem gjallë.

Gjithashtu, unë nuk e harroj dot dhe një grua e cila më ndaloi dhe më tha: ”Më shiko””

Unë fillimisht i mbaja sytë përtokë, duke ditur që ajo është grua. Më pas ajo më tha: ”A ke parë ndonjë somaleze, që nuk mban shami mbi kokë”?!

Unë i thashë: ”Jo nuk kam parë!” Është fakt që të gjithë gratë në Somali e mbulojnë kokën me shami.

Më pas ajo shtoi: ”Vajza ime vdiq dje dhe nuk gjeta qefinë për t’a qefinosur, përveç shamisë time të kokës. Djali im po vdes dhe nuk kam me çfarë t’a qefinos. Prandaj, të lutem të më japësh shaminë tënde (gutren) që ke mbi kokë që t’a qefinos”!!

I shëroni të sëmurët tuaj me sadaka!

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ju jeni mjek dhe doktor i specializuar mbi aparatin e tretjes. Më vonë e latë profesionin e mjekut dhe iu përkushtuat një profesioni tjetër më të vlefshëm dhe më fisnik, atij të shërbimit të njerëzve në nevojë. I dërguari i Allahut thotë në një hadith: ”I shëroni të sëmurët tuaj me sadaka!” A të ka ndodhur ndonjë ndodhi, e cila e vërteton hadithin e mësipërm”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Në fakt më kanë ndodhur disa histori dhe ndodhi që e vërtetojnë këtë hadith. Më e freskëta është ajo që më ka rrëfyer miku im doktori Maxhid Shemrij. Ai është specialist dhe konsulent për sëmundjet e grave dhe të lindjes pranë spitalit Fervanije në Kuvajt. Djalit të vëllait të tij i ngrihet temperatura papritur. Ata e dërgojnë në spital dhe ia ulin temperaturën. Gjatë kohës që i bënin të gjithë analizat, temperaturat i ngrihen sërish dhe në mënyrë të frikshme. Doktorët u shtangën dhe nuk e kuptonin shkakun e kësaj temperature. Me të gjithë përpjekjet e mëdha, doktorët dështuan në uljen e temperaturës dhe zbulimin e shkakut të saj. Familja e djalit u grumbulluan në një dhomë, ku doktori Maxhid i këshilloi të mblidhnin një shumë të hollash dhe t’a jepnin sadaka. Doktori e mori shumën e grumbulluar dhe na e solli neve tek zyra e komitetit të muslimanëve të Afrikës. Tregon vetë doktor Maxhid: ”Ditën e dytë kur vajtëm në spital, pamë që temperatura e djalit ishte ulur dhe ai ndihej normal. Kjo ndodhi, pa marrë ilaçe, pasi nuk dihej shkaku i temperaturës”.

Fushatë e ashpër kundër organizatave bamirëse.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Këto ditë përjetojmë një fushatë të egër kundër organizatave bamirëse, ku në media ato etiketohen si financuese të terrorizmit dhe interesaxhinj. Familjet muslimane sot janë mes dy zjarreve: T’i dërgojnë fëmijët e tyre që të kontribojnë, por kanë frikë se do të akuzohen për terrorizëm dhe e dyta të mos kontribojnë, të mos japin donacione, duke i braktisur fukarenjtë dhe hallexhinjtë mbarë botës”.

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Përsa i përket interesave personale, dua t’ju kërkoj ndjesë teleshikuesve, pasi do të flas mbi veten time. Nëse unë do të doja të jetoja jetë luksi, nuk do të kisha një makinë të blerë para dhjetë viteve. Nuk do të kisha një orë, që nuk vlen më shumë se dymbëdhjetë dollarë. Por do të jetoja dhe posedoja pasuri si të gjithë kolegët e mi doktorë. E kisha të mundur të hapja një klinikë private dhe të siguroja kushte tepër luksoze. Unë jam shumë i gëzuar dhe e lus Zotin që t’i bekojë dhe t’ju japë bereqet kolegëve të mi në pasuritë që kanë grumbulluar nga puna e tyre. Në jetën time modeste, unë jam më i lumtur, se ç’janë kolekët e mi që jetojnë në luks. Lumturia nuk blihet me para. Vetëm fakti që jetën tonë e kemi kthyer në vakëf në shërbim të njerëzve, do të mjaftonte për t’iu përgjigjur këtyre akuzave meskine.

Së dyti: Përsa i përket financimit të terrorizmit. Në gjykatë njihet një rregull që thotë: ”Paditësi duhet të sjellë faktet për padinë që ngre”. Kushdo që pretendon se një organizatë bamirëse ka financuar terrorizmin, duhet t’a faktojë këtë. Të shumtë janë ata institucione, të cilët frikësojnë njerëzit nga organizatat bamirëse, madje në disa shtete janë mbyllur këto organizata. Unë dua të pyes: ”Çfarë kanë bërë më shumë se kanë ndërtuar xhami, klinika, shkolla, lidhur pensione për fëmijët etj… këto organizata?! A kjo konsiderohet terrorizëm dhe financim terrorizmi”?!

Veprat bamirëse në shtetet arabe.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Përse nuk e ushtroni aktivitetin tuaj bamirës në tokat arabe”?

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Ky është një fakt, i cili më shkakton dhimbje, por nuk ka qoftë dhe një shtet arab, që ka pranuar të punojë në tokat e tij në shërbim të njerëzve në nevojë, përveç Sudanit dhe Mauritanisë. Madje edhe Mauritania u detyrua t’i mbyllë organizatat muslimane bamirëse, nën presionet e disa shteteve perëndimore.

Veç kësaj, unë nuk kam ndërmend të punoj nën terrorin e institucioneve të sigurimit të shteteve arabe, pasi nuk kemi asgjë për të fshehur. Le të vijnë në këshillin e administratës tonë. Janë të mirëpritur kurdo që të vijnë. Ata mund të kenë ardhur dhe mund të kenë kontribuar, por ne nuk i kemi njohur. Gjithësesi nuk dua të akuzoj asnjë si agjent të sigurimit”.

Nuk ka shkop magjik në edukimin e fëmijëve.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një fjalë të fundit në fund të këtij emisioni”!

Dr. Abdurrahman Sumejt: ”Nëse ka prindër që mendojnë se fëmijët edukohen me anë të shkopit magjik, duhet t’a dinë se një shkop i tillë nuk ekziston. Shkopi i vetëm magjik, je ti o prind dhe kjo duke u bërë shembull dhe model i mirë për fëmijën tënd. Ti duhet të jetosh me nder dhe me djersën e ballit. Mos i thuaj fëmijës të mos vjedhë, në një kohë që vetë jeton me ryshfete dhe korrupsion.

Edukimi i fëmijëve nuk mund të bëhet vetëm me një predikim apo ligjëratë.

Unë uroj që t’a përjetojmë atë që themi dhe jo të përjetojmë akutualitet fallco”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”E falenderojmë doktorin për informacionin e dhënë në fushën e bamirësisë. E lusim Zotin që sakrificën e tij t’a vendosë në librin e punëve të tij të mira Ditën e Kijametit.

Derisa lumturia të kthehet në traditën tonë, u përshëndesim:

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here