BABAI IM, PSE NUK E FALË NAMAZIN E SABAHUT

0
162

Një ditë nga ditët mësuesi gjatë orës së mësimit filloi të flet për namazin, e në veçanti për vlerën dhe rëndësinë e namazit të sabahut. Fjalimi i mësuesit ishte shumë prekës dhe kishte një mesazh të rëndësishëm për çunat e klasës së tretë të shkollës fillore. Në mesin e atyre çunave gjendej një çun, i cili u ndikua shumë nga fjalimi i mësuesit të tij.

Ai më herët asnjëherë nuk e kishte falur namazin e sabahut, as ai e as familja e tij. Kur u kthye në shtëpi, filloi të mendojë për të nesërmen se si të zgjohet për namazin e sabahut. Mendoi sa mendoi dhe në fund nuk gjeti zgjidhje tjetër, përveç se tërë natën të mos flejë dhe ta presë kohën e namazit të sabahut. Dhe me të vërtetë, e realizoi atë që e mendoi.

Kur e dëgjoi ezanin, doli nga shtëpia dhe u nis drejt xhamisë për ta falur namazin e sabahut, mirëpo rrugës i doli një problem: xhamia ishte shumë larg dhe frikohej të shkojë vetë. Nga mërzia filloi të qajë dhe u ul para derës. Në ato momente, papritmas e dëgjoi zhurmën e këpucëve që vinte nga rruga. E hapi derën dhe doli shpejt. Kur doli jashtë e vërejti një plak të cilin e njihte, ishte gjyshi i shokut të tij, Ahmedit, djalit të fqinjit. Plaku ishte nisur në drejtim të xhamisë për ta falur namazin dhe fëmija filloi ti shkojë pas, mirëpo me qetësi të madhe, që të mos e vërejë plaku. Çuni frikohej se nëse plaku e vëren se i shkon pas shpine, do ta lajmërojë familjen e tij dhe ata do ta ndalin nga namazi e do ta dënojnë.

Në këtë mënyrë veproi një periudhë të gjatë, për çdo mëngjes dilte e priste plakun dhe i shkonte pas shpine deri në xhami, e pastaj kthehej në shtëpi. Mirëpo, pas një periudhe plaku ndërroi jetë dhe kur e kuptoi çuni, u mërzit tepër, derisa filloi të qajë pandërprerë. Prindi i tij kur e pa të birin në atë gjendje, u çudit dhe e pyeti:

-O biri im, pse po qan për plakun shumë?

Ai nuk ka qenë moshatari yt që të luash me të dhe nuk ka qenë i afërmi yt, që mos ta shohësh më?!

Shikoi çuni prindin e vet me sy të përlotur e të pikëlluar dhe i tha:

-Më mirë kishte qenë që ti të vdesësh, e jo plaku.

Prindi nga këto fjalë të birit u tremb dhe u çudit se pse ia thotë i biri këto fjalë dhe pse e do plakun aq shumë! Kurse çuni i dashur iu përgjigj prindit dhe i tha:

-Unë nuk qaj se e humba as për atë e as për atë!

– E atëherë pse qan? – e pyeti prindi.

– Qaj për hir të namazit! Po, për hir të namazit! tha duke i rrjedhur lotët. – O prindi im, pse nuk e fal namazin e sabahut?! Pse, o babai im, nuk bëhesh sikurse ai plaku dhe sikurse shumë të tjerë të cilët i pash se e falnin namazin?!

– Ku i vërejte ata se e falnin namazin? – u çudit prindi.

– Në xhami, o prindi im.

– Si ka mundësi ti kishe parë ti në xhami?

– u çudit prindi.

Çuni në fund ia shpjegoi rastin dhe ia qartësoi se si shkonte në namazin e sabahut pas plakut, edhe atë për çdo ditë. Prindi u prek dhe u ndikua shumë nga fjalët e të birit, derisa filloi lëkura t’i rrëqethet dhe lotët t’i rrjedhin dhe në fund e përqafoi të birin. Nga ajo ditë, ai asnjëherë nuk e la namazin në xhami.

I lumtë atij prindi, i lumtë atij çuni dhe i lumtë atij mësuesi!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here