Më lejo, o babai im, të them ca fjalë, me anë të të cilave do të ngritem në pozitën tënde të lartë dhe t’i shpreh ato nga vendi yt i shtrenjtë që e ke në shpirtin tim. Mjafton që ti je tenda ime që më bën hije dhe shtylla me anë të së cilës unë qëndroj drejt. Kësisoj fjalësh unë nuk të kam thënë kurrë më parë. Ku jam unë para teje? Unë s’jam gjë tjetër veçse një copë prej teje dhe e ytja, si dhe një stoli e kësaj bote, të cilën ti e mbrojte dhe e sigurove. Emri im është shtesë e emrit tënd dhe unë nuk jam gjë tjetër veçse, shpresoj, një fëmijë i mirë i cili lutet për ty!!
Unë jam gëzimi yt dhe borziloku i zemrës tënde. A ke menduar, o babai im, për zotimin tënd rreth edukimit të fëmijës tënd? A ke menduar për atë se kush janë miqtë dhe shokët e tij me të cilët e kalon kohën, duke e ditur se me kë shoqërohesh, i tillë do të bëhesh. Mjafton ta dish këtë që të kuptosh ndikimin e shoqërisë tek individi, qoftë shoqëri e mirë apo e keqe.
Nuk jam unë ai që të mëson ty, larg qoftë. Por prej asaj që kam parë është se disa të rinj, në fytyrën e të cilëve dallohej morali, turpi dhe feja, pasi u shoqëruan me shokë të këqinj, u bënë sikur ata, kështu që ato fytyra të ndritura që kishin më parë u shndërruan në fytyra të zymta dhe rruga e mëkateve u bë rrugë e tyre. Kështu, qortuesi i tyre fetar dhe ndërgjegjja u shuan për shkak të mëkateve të shumta.
Babai im i shtrenjtë… I biri yt është te ti mëngjes e mbrëmje, shkon e kthehet, shëtitet e argëtohet. A e ke pyetur ndonjëherë a di të falë namazin si duhet, a i di kushtet dhe pjesët përbërëse të tij dhe a e falë në kohë dhe me xhemat? Madje, fillimisht a e ke pyetur se a e falë namazin, duke qenë se pegamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dallimi mes nesh dhe mes tyre (jobesimtarëve) është namazi; e kush e lë atë, ka bërë kufër (ka dalë nga feja).”
A e ke pyetur ndonjëherë sa di përmendësh nga Libri i All-llahut? A e ke pyetur kush është shembull dhe model për të në këtë jetë, dhe cilat janë qëllimet dhe ambiciet e tij në këtë jetë.
Me këtë nuk kam për qëllim vetëm pyetje të thjeshta me të cilat dikush mendon se e ka kryer obligimin e vet, por kam për qëllim përcjelljen e vazhdueshme të edukimit dhe mësimit të cilat gjëra nuk ka mundësi që shkolla t’i bëjë vetëm, pa ndihmën e dikujt në shtëpi.
Po, o babai im, e kam fjalën për shkollën time, që sipas mendimit tim, ti as që e di rrugën e cila të shpie deri tek ajo. A nuk është e vërtetë kjo? Pastaj kohë pas kohe të kanë ardhur shkresa dhe thirrje telefonike nga pedagogu i shkollës, i cili është një njeri i mirë dhe i sjellshëm, për të cilin mendoj se është njeriu më i kujdesshëm për atë që mua më sjellë dobi. Dhe më në fund, ç’u bë?.. Sikur asgjë s’kishte ndodhur!!
Këtë çështje, pra obligimin tënd, ia le mbi supe nënës sime, sikur obligim i saj të ishte çështja e shkollimit dhe arsimimit tim dhe sikur ajo e ka për obligim të flasë me burrat e shkollës në lidhje me mua. Përse ikën nga përgjegjësia yte?
Po, e di që ti je i zënë dhe e lus All-llahun të të ndihmojë dhe të të udhëzojë, por jo deri në këtë shkallë! Merr frymë thellë dhe ngadalësoje shpejtësinë tënde. Planifiko orarin tënd ditor dhe javor, i cili, mendoj se përmbanë shumë gjëra për të cilat nuk ke nevojë dhe ato mund t’i plotësosh duke u marrur me ne, si p.sh teprimi në kalimin e kohës me miqtë e tu, shikimi i ndeshjeve sportive, e kështu me radhë. Ne jemi më prioritarë, o babai im! Ne jemi më prioritarë për ty sesa ato gjëra!
A të kujohet, o babai im, dita kur dolëm nga xhamia në një ditë Xhumaje, dhe të gjithë i kishim zemrat të mbushura me iman, për të cilin ishim të bindur se shtohet me ibadete dhe pakësohet me mëkate. Erërat e qetësisë dhe rehatia shpirtërore na kishin kapluar tërësisht dhe e mbaj mend kur i pashë sytë e tu të mbushur me lot nga frika e All-llahut, ndoshta për herë të parë!! Pasha All-llahun, kjo pamje ishte më e mirë për mua sesa dhurata më e shtrenjtë e botës dhe më e dashur për mua sesa të gjitha lodrat me të cilat ma ke mbushur dhomën time, saqë desh nuk gjeja dot vend për një libër të dobishëm.
Babai im i shtrenjtë… Sikur ta dije me sa mall e pres dhe sa e dua ditën e Xhuma! Por, përse e dua dhe përse e pres? Ngase ajo është festa jonë, e myslimanëve, është ditë e madhe dhe me sa duket, është dita e vetme që unë e dua, sepse në atë ditë e gjej rastin të bisedoj me ty dhe të ulem pranë teje në makinë, të të flas e të më flasësh, ndërkohë që bashkë me ne janë edhe dy vëllezërit e mi më të vegjël se unë, që ulen në karriget e pasme.
O babai im! Ti nuk e di vlerën e këtyre minutave të cilat i kalojmë me ty. Nuk e ke idenë sa krenarë jemi kur je i pranishëm mes nesh, kur sillesh me ne sikur me burra, kur komunikon me ne, kur na merr me të mirë dhe i bashkëngjitesh bisedave tona. Nganjëherë unë me vëllezërit e mi garojmë se kush do të arrijë “të pikturojë” buzëqeshjen në fytyrën tënde të ëmbël duke treguar gjëra humorostike me shpresë që do të të pëlqejnë dhe do të marrim lavdëratat e tua.
Një gjë kurrë nuk e harroj, o babai im. Nuk i haroj fjalët e tua me të cilat e lavdërove imamin a xhamisë së lagjes sonë kur ai mbajti hutben e Xhumasë në të cilën ligjëroi për rëndësinë e edukimit të fëmijëve dhe rritjen e drejtë të tyre, rrezikun e mjeteve informative dhe kanaleve satelitore, dhe pastaj e sqaroi dispozitën e All-llahut për sa i përket ndalimit të çdo gjëje në të cilën dominon e keqja ndaj të mirës dhe këtë e argumentoi me argumente në të cilat nuk ka vend për polemikë, duke e përmendur fjalën e All-llahut: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre.” (El-Bekare 219). Me këtë ajet ai e sqaroi se si All-llahu e bëri haram verën dhe bixhozin për shkak të dominimit të sherrit në raport me hairin në to, dhe nga ky ajet madhështor e nxorri në pah rregullën e dobive dhe dëmeve të përcaktuar nga dijetarët e fikhut.
Pastaj imami, mes tjerash, përmendi edhe fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Çdo njeri të cilit All-llahu i ka lënë diçka në përgjegjësi, dhe e gjen vdekja duke qenë i papërgjegjshëm për të, All-llahu ia ka bërë atij haram xhennetin.” Të betohem, o babai im, se unë kam frikë për ty dhe për nënën time nga ky kërcënim i ashpër.
Sa herë të kam dëgjuar, o babai im, duke thënë se ti e bleve këtë televizor vetëm sa për të ndjekur lajmet, por unë po të siguroj në emrin tim dhe të vëllzërve të mi se ne nuk i ndjekim lajmet dhe nuk jemi të interesuar për to dhe për atë çfarë ndodhë matanë oqeanit!!
Mua më kujtohet dita kur të pyeta për dispozitën për të, ndërsa ti vetë më vërtetove me fjalët e shejhut duke më thënë: Haram… haram.
Atëherë, ç’u bë me ty, o babai im, që hyn e del nga shtëpia dhe na sheh të ngujuar para televizorit gjatë kohëve të namazit duke përcjellur çdo gjë që na sjellë dëm e jo dobi, ndërsa ti nuk merr asnjë masë.
O babai im, a nuk e sheh se ka kohë që ne jemi angazhuar me gjëra të kota dhe e kemi lënë anash zakonin tonë të të presim me mallëngjim apo të të përcjellim me lot në sy siç bënim më parë kur ti vije në shtëpi apo dilje nga shtëpia?
Pastaj ti e sheh ndikimin e kësaj kulture perëndimore në shoqërinë dhe fenë tonë, ndërsa këtë e thithim nëpërmjet këtij ekrani. Tani jemi duke thënë gjëra që s’i thonim e as s’i bënim në të kaluarën. Këto gjëra ti i sheh konkretisht edhe te motrat e mija të vogla për sa i përket sjelljes dhe veshjes së tyre. Lidhjet e mira familjare mes nesh tanimë kanë filluar të dobësohen, kështu që nuk na mbetet kohë për dashuri dhe ruajtje të lidhjeve farefisnore, ngase të gjithë kohën tonë e kalojmë para ekraneve televizive, madje edhe gjatë vakteve të ushqimit kur familja është bashkë.
Prej ku, o babai im, mendon se do ta mësojmë të mirën? Dhe si shpreson që ne të pasojmë udhëzimin e të dërguarit të All-llahut dhe të mësojmë sjelljen e shokëve të tij dhe të gjeneratave të para të këtij ummeti, ndërsa ne mëngjes e mbrëmje ushqehemi me traditat dhe sjelljen e mosbesimtarëve. Dhe siç thotë fjala e urtë: Nga ferra nuk mund të vjelësh rrushin!
Nga ana tjetër, ne dëshmojmë që ti je i kujdesshëm për të na siguruar veshmbathje dhe ushqim, dhe kjo, pa dyshim, është punë për të cilën do të shpërblehesh, falënderohesh dhe përmendesh.
Mirëpo, a nuk mendon ndonjëherë për ushqimin e shpirtrave tanë dhe për imanin tonë, burimet e të cilit janë tharë apo janë zhdukur tërësisht. Pastaj, a e mban mend ditën kur nëna ime erdhi dhe të tha të na marrësh me vete dhe të na regjistrosh në mësonjëtoren e kur’anit, ndërsa ti u shprehe se atë natë kishe një takim të rëndësishëm që nuk kishte mundësi të prolongohej. Pastaj këtë punë e harrove krejtësisht apo u angazhove me gjërat të tjera për ardhmërinë e karrierës tënde. Madje edhe zelli i nënës u shua apo edhe ajo u angazhua me gjëra të tjera sikur ti.
Babai im i shtrenjtë! Të ftoj t’i hedhësh një shikim asaj që shkrova në mesazhin tim për të cilin e morra guximin me gjysëm zemre për të ta shkruar ty dhe për të ta dorëzuar me dorën time në dorën tënde… dhe ndërkohë nuk po mundem dot të të shikoj në sy nga turpi që ndjej kur gjendem para teje.
Babai im i dashur! Ku është zemra ime dhe e jotja nga libri i All-llahut dhe këshillat e tij nga të cilat edhe shkëmbinjtë copëtohen dhe burimet e mençurisë shpërthejnë në shpirtrat e të mirëve?
All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit. Nuk janë të barabartë ata të xhennetit dhe ata të xhehennemit. Banuesit e xhennetit janë ata fatbardhë që ia kanë arritur qëllimit. Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.” (El-Hashr 18-21).
Babai im i dashur! Të lutem shumë ta kujtosh këtë moment dhe ta vendosësh gjithnjë para vetes. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Po kur të arrijë (shpirti) në gropë të fytit (të gjoksit), Dhe thuhet (nga familja e të të afërmit): “Kush do ta shërojë?” Dhe ai bindet se ai po ndahet. E t’i puqet kofsha për kofshe (t’i vështirësohet gjendja). Atë ditë vetëm te Zoti yt shkohet.” (El-Kijameh 26-30)
Kije frikë All-llahun ndaj nesh, o babai im, dhe kujtoje fjalën e All-llahut: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim 6).
www.thirrjaislame.com
Nënshkrimi: Biri yt i dashur!
Shkroi: Abdurr-Rrezzak EL-MUBAREK
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI