Atëherë ku është Lumturia?!

0
214

“Jeto në këtë botë si një jabanxhi apo si një kalimtar.”, “Tuba (luginë në xhenet) për të vetmuarit, të cilët përmirësojnë kur ç’rregullojnë të tjerët.”
Nuk është lumturia në pallatet e Abdulmelik ibën Mervanit, as në ushtrinë e Harun Er-Rashidit, dhe as shtëpitë e Ibën Xhesasit, as në thesaret e Karunit. Nuk është hareja në librat e Ibën Sinas dhe as në poezit e Mutenebis, dhe as në kopshtet e Kordobes, apo parqet e Zahras.

Lumturia ishte tek sahabet përkundër varfërisë që posedonin dhe vrazhdësisë së jetës.

Lumturia ishte tek Ibën Musejib gjatë adhurimit, tek Buhariu gjatë përmbledhjes së sahihut tij, tek Hasan el Basri me besnikërinë e tij, me Shafiun në nxjerrjen e dispozitave të sheriatit, tek Maliku në frikën ndaj Allahut, tek Ahmedi në devotshmërinë e tij.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë “Nuk ishte me vend ngase ata nuk i godet as etja, as lodhja, as uria kur janë në rrugën e All-llahut, dhe nuk shkelin ndonjë vend që i hidhëron mosbesimtarët, dhe nuk arrijnë kundër armikut çkado qoftë (mbytje, robërim të tyre ose ngadhënjim mbi ta), vetëm se të gjitha ato do t’u evidentohen atyre si vepër e mirë (shpërblyese). All-llahu nuk ua humb shpërblimin veprimmirëve.”

Nuk është lumturija në shpenzimet e teperta, as në veturat e mira, e as në aromën e trëndafilit, as në pasuri, dhe as në posedimin e dyqanëve.

Lumturia është në bartjen e të vërtetës, dhe të vepruarit me parimet për të cilat jeton dhe në komoditetin e shpirtit pas një vepre të mire që e fsheh nga sytë e njerëzve.

Mendonim se nëse kemi shtëpi të mëdha, enterier të famshëm, dhe inventar bashkëkohorë, se do të jemi të lumtur, të gëzuar, do të jetojmë në hare. Pas gjithë kësaj kuptuam se këto ishin thelbi i brengave, pikëllimeve, ngase të gjitha këto inventarë dhe interier bartnin në vete telendisje dhe telashe.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërbimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.” [Ta ha, 131]

Reformatori dhe revolucionari më i madh që njeh historia, udhërrëfyesi i të drejtës Muhamedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], jetoi një jetë modeste, vuante nga uria, nuk posedonte hurma me të cilat do ta largonte urinë. Mëgjithatë, jetonte një jetë shumë të lumtur, në komoditet dhe rahati, në gëzim dhe hare, në qetësi dhe pa strese.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “2. Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde.3. E cila shtypte shpinën tënde.” [El-Inshirah , 2-3]

Dhe:

“Dhuntia e All-llahut ndaj teje është shumë e madhe.” [En-Nisa, 113]

Lumturia dhe jeta e këndshme nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm se nën ombrellën e besimit dhe devotshmërisë. Për këtë duhet ta dimë se ai, i cili dëshiron të jetojë një jetë të lumtur dhe të mbushur me gëzime duhet ta ketë gjithnjë All-llahun para syve të tij.

Mos të flas dhe as të veproj vetëm se në pajtim me ligjin All-llahut dhe Sunetin e të Dërguarit të tij [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].

Nëse njeriu dëshiron të ketë një jetë të lumtur dhe me plot hare patjetër duhet të ndjek rrugë që na ka lajmëruar All-llahu [subhanehu ve teala], ngase Ai është Krijuesi.

E assesi mos të ndjekim rrugë të tjera, të vështira, përplot probleme. Por, le të pasojmë rrugën e të Dërguarit të All-llahut, Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].

“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” [El-En’Amë, 153]

Përktheu dhe përshtati:
Bexhet Dernjani

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here