ARKITEKTI I RAPORTËVE TË SUKSESSHME

0
197

Nebil ibën Abdulmexhid

Për suksesin është folur shumë, janë mbajtur ligjërata e seminare dhe janë shkruar edhe libra, duke rrahur të gjitha aspektet e tij, por ndër aspektet më të rëndësishme është suksesi i marrëdhënieve me të tjerët. Suksesi në përgjithësi është gjë e dashur si fetarisht edhe logjikisht, nuk ka dyshim për këtë, mirëpo njerëzit kanë rënë në mospajtim se cila është rruga që duhet pasuar e që të shpie në sukses. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem suksesit në marrëdhënie i ka dhënë rëndësi të madhe, ka vendosur shtylla dhe vija të trasha të cilat, nëse pasohen, do të realizojnë shkallën më të lartë të suksesit, prandaj le t’i shikojmë shkurtimisht disa qëndrime të tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Rezymeja e këtyre shtyllave dhe vijave të trasha të vendosura nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem përqendrohet në tri gjëra:

Suksesi në raport me Allahun
Suksesi në raport me vetveten
Suksesi në raport me të tjerët.

Shtylla e parë është bazamenti, kurse ato që vijnë pas saj ndërtohen mbi të, ose thënë ndryshe nuk ka sukses në këtë botë pa shtyllën e parë. Medito për shembujt e paraqitur më poshtë në mënyrë që ta kuptosh këtë shtyllë.

Enesi radijAllahu anhu përcjell nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem të ketë thënë: “Tri gjëra kush i zotëron, do ta gjejë ëmbëlsinë e besimit: që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur se çdo gjë tjetër (kjo është lidhja me Allahun), që të mos e dojë tjetrin pos për hir të Allahut (kjo është lidhja me të tjerët) dhe të urrejë të kthehet në mosbesim pasi Allahu e ka shpëtuar nga ai, ashtu siç urren të hidhet në zjarr (kjo është lidhja me vetveten).” Muttefekun alejhi.

Ebu Dherri dhe Muadhi radijAllahu anhuma përcjellin nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem të ketë thënë: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh (kjo është lidhja me Allahun), të keqen pasoje me të mirë, ajo e fshin atë (kjo është lidhja me vetveten) dhe sillu me njerëzit me moral të mirë (kjo është lidhja me të tjerët).” Tirmidhiu.

Këto tri shtylla të bashkuara janë rruga e vetme e suksesit në raport me të tjerët. Mungesa e baraspeshës në to shkakton defekte në jetën e njeriut, kurse dhënia përparësi ndonjë shtylle ndaj tjetrës ndikon në shkallën e suksesit, andaj nuk mund të ketë sukses të plotë pa asnjë mangësi vetëm se atëherë kur bashkohen të tria dhe secila është në masën e vet.

Të përqendruarit vetëm në adhurim nuk është e pëlqyer në sheriatin tonë, nuk është as nga udhëzimi i Pejgamberit tonë, ngase qielli nuk lëshon ar e argjend. Sjellja me të tjerët me edukatë të keqe dhe egoizëm është e refuzuar me natyrshmëri, neglizhenca ndaj shpirtit dhe mospërparimi i tij tregon për kuptim të mangët e sjellje të keqe, prandaj sukses është baraspeshimi i këtyre tri shtyllave, në mënyrë që njeriu të arrijë krenarinë dhe fitoren në këtë botë dhe botën tjetër, ngase njeriu nuk është i pavarur nga të tjerët. Edhe shpirti kërkon të drejtën e vet dhe kështu esenca e kësaj kthehet tek raporti i mirë i njeriut me Allahun e Madhëruar.

Si vërtetim i këtyre tri shtyllave, i Dërguari tërheq vërejtjen nga rrugët dhe metodat që i kundërshtojnë ato dhe si shembull kemi fjalën e tij: “Tri gjëra janë shkatërruese: koprracia që verbëron, epshi që pasohet dhe pëlqimi mendimit të vet nga çdonjëri”. Në një transmetim thuhet: “Pëlqimi i vetvetes nga njeriu.” (Në “Hiljetul-Evlija” të Ebu Nuajmit dhe “Mesavil-ahlak” të Haratit dhe të tjerëve.)

Dështimi i raporteve me Allahun ndodh me pasimin e epshit, dështimi i raporteve mes njerëzve ndodh me pasimin e koprracisë, ndërsa dështimi i udhëheqjes së njeriut është kur ai pëlqen mendimin e tij dhe në atë moment nuk e di të keqen e vet dhe mbetet e vazhdon në të keqen që është.

Këto ishin disa shenja nga udhëzimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në rregullat dhe ligjet e raporteve të suksesshme, të cilat mund t’i gjesh shumë lehtë mes haditheve të shumta dhe qëndrimeve të ndryshme. Kjo e shton edhe më shumë çudinë tonë, se si disa njerëz hulumtojnë dhe mundohen t’i përkthejnë librat e perëndimorëve lidhur me rregullat e raporteve me tjerët, edhe pse ndoshta ata libra mund të jenë të njerëzve të mëdhenj mes tyre, qofshin mendimtarë apo personalitete me ndikim, por prapëseprapë në krahasim me madhështinë dhe suksesin e shpëtimtarit dhe zotërisë së njerëzimit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk janë asgjë. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ishte shëmbëlltyra e suksesit të plotë dhe ishte në krye të të gjitha sukseseve, ndaj me të vërtetë është arkitekt dhe themelues i planprogrameve shembullore në krijimin e raporteve të suksesshme.

Përshtati: Dr Fidan XHELILI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here