AGJËRIMI PËRTEJ URISË DHE ETJES!

0
217

Feja islame është rrugë e cila i jep gjallëri dhe freski jetës, është rrugë e ndriçimit të trupit dhe zemrës së njeriut.

Njeriu është skenë e përhershme e ndeshjeve të fuqive të kundërta të brendshme. Njëlloj siç i është ekspozuar shtypjes së përhershme të faktorëve të jashtëm. Agjërimi luan rol me shumë rëndësi kundër tërë asaj që e shtyp dhe e tjetërson njeriun. Këtu nuk është fjala për një tjetërsim total të pasioneve dhe materies. Agjërimi paraqet armë jashtëzakonisht të fuqishme dhe efikase për të luftuar fuqinë e egër dhe brutale të materies, shtypjen dhe robërimin e saj.

Synimi i agjërimit?
Agjërimi nuk synon të zhvillojë te njeriu asketizëm. Të zhvillojë tek ai marrëdhënie pasive ndaj begative materiale, apo t’i shuajë pasionet e tij. Këtu është fjala për të vënë baraspeshë midis shpirtit dhe materies, zemrës dhe arsyes, dëshirës dhe diturisë dhe agjërimi synon ekskluzivisht të mbajë këtë ekuilibër. Të gjitha dispozitat e Islamit kanë për qëllim që pasionet dhe fuqitë e brendshme të njeriut t’i mbajnë brenda kufijve dhe funksioneve të tyre biologjike dhe fiziologjike, pasi në çastet e shfrenimit dhe të dominimit të epsheve, njeriu është i gatshëm të bëjë çdo gjë. Kur njeriu bëhet rob i pasionit dhe materies, për të nuk ekziston asnjë vlerë tjetër; ai transformohet në një krijesë të pangishme, e cila gjithmonë kërkon forma të reja për t’u kënaqur.

Agjërimi dhe pasionet?
Në të vërtetë agjërimi nuk mund të kuptohet thjesht si mohim apo largim nga begatitë materiale, as thjesht si kundërshtim i pasioneve. Një agjërim i tillë nuk do të ishte tjetër veçse etje dhe uri e kotë. Agjërimi nuk është tërheqje pasive para materies dhe largim prej saj, përkundrazi, ai paraqet një qëndrim aktiv, në mënyrë që materies t’i jepet statusi i vërtetë, pra ajo të ketë statusin e mjetit dhe jo statusin e qëllimit. Agjërimi na ndihmon të zotërojmë vetveten, të frenojmë ndjenjat e të largohemi nga veprat e padrejta dhe kjo me të vërtetë është një gjë e madhe. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Lufta për të shpëtuar vetveten është më e vështirë sesa lufta kundër armikut”.

Parë në këtë prizëm, roli i agjërimit bëhet gjithmonë e më i vlefshëm. Agjërimi ngjall te njeriu ndjenjat njerëzore, forcon tek ai dëshirën për t’u drejtuar nga mirësia, e çliron nga shtypja e materies, në mënyrë që të jetë sa më i përgatitur dhe i aftësuar për të ndjerë e përjetuar sa më fuqishëm bukurinë, gëzimin, lumturinë e botës së lartë. Agjërimi është çelësi i falënderimit për të mirat që Allahu na ka dhuruar. Sa të ndritshme na duken fjalët e Pejgamberit a.s. kur thotë: “Agjërimi është mbrojtje”. Këtu Pejgamberi aludon në faktin se, në të vërtetë agjërimi na mbron në çdo pikëpamje; ai mbron jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tonë.

Domethëniet tjera të agjërimit?
Agjërimi ka gjithashtu domethënien e tij sociale. Ai nxit dhe zhvillon te njeriu prirje të natyrshme, dëshirën për humanizëm dhe drejtësi sociale. Njeriu me agjërim e refuzon të ngrënën në mënyrë që të ndjejë uri. Kështu ai arrin të kuptojë më mirë ata që janë të detyruar të jenë të uritur. Ai heq dorë nga ushqimi, jo që ta kursejë atë, por që t’ia dhurojë tjetrit. Duke ndjerë personalisht urinë, ai do ta kuptojë më mirë se ç’është uria tek ata që s’kanë mundësi të ushqehen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here