PSE JEMI KETU ?

0
233

PSE JEMI KETU MENDON QE ESHTE LOJE?

Pyetja më e rëndësishme në jetë është “Përse jemi këtu?”.

E pra, përse jemi këtu? Për të grumbulluar famë dhe pasuri? Për të bërë muzikë dhe fëmijë? Apo për të qenë njeriu më i pasur në varreza, siç thuhet me shaka: “Ai i cili vdes me më se shumti lodra, fiton!”.

Jo, duhet të ketë diçka tjetër në këtë jetë, kështu që le të mendojmë rreth kësaj! Për të filluar, shiko përreth teje! Edhe nëse jeton në ndonjë shpellë, ti je i rrethuar nga gjëra të cilat ne njerëzit i kemi bërë me duart tona. Tani, përse i kemi bërë ato gjëra? Përgjigjja, natyrisht, është se i kemi bërë për të kryer disa funksione të veçanta për ne. Me pak fjalë: ne bëjmë gjëra për të na shërbyer. Pra, nëse shikojmë nga ky kënd, atëherë përse na krijoi Zoti neve, nëse jo për t’i shërbyer Atij?

Nëse ne e pranojmë (besojmë) Krijuesin tonë dhe besojmë se Ai krijoi njerëzimin për t’i shërbyer Atij, pyetja e radhës është: “Si? Si mund t’i shërbejmë Atij?” Pa dyshim se në këtë pyetje është përgjigjur më së miri Ai i cili na ka krijuar. Nëse Ai na ka krijuar për t’i shërbyer Atij, atëherë Ai pret që ne të funksionojmë në një mënyrë të caktuar, në qoftë se duam ta plotësojmë qëllimin tonë. Por, si mund ta dimë cila është mënyra e duhur? Si mund ta dimë se çfarë pret Zoti prej nesh?

Mirë, merre parasysh këtë: Zoti neve na ka dhënë një dritë, me të cilën mund ta gjejmë rrugën tonë. Edhe gjatë natës, ne e kemi hënën që na ndriçon dhe yjet që na drejtojnë. Zoti i ka dhënë kafshëve tjera sisteme udhëzuese, që u përshtaten më së miri kushteve dhe nevojave të tyre. Zogjtë që migrojnë mund të drejtohen, madje edhe në ditët e mbuluara me re, nga polarizimi i dritës që kalon nëpër re. Balenat lëvizin duke “lexuar” fushën magnetike të Tokës. Salmonët kthehen me ndihmën e të nuhaturit prej oqeanit të hapur, për të lindur në vendin e lindjes së tyre, në qoftë se një gjë e tillë mund të imagjinohet. Peshqit i ndjejnë lëvizjet e largëta me anë të receptorëve të presionit që rreshtohen në trupin e tyre. Lakuriqtë dhe delfinët e verbër të lumit, “shohin” me ndihmën e hidrolokatorit. Disa organizma detare (ngjala elektrike si shembull i një tensioni të lartë) prodhojnë dhe i “lexojnë” fushat magnetike, duke ua bërë të mundshëm “shikimin” në ujërat e turbullt, ose në errësirën e thellësive të oqeaneve. Insektet komunikojnë me ndihmën e feromoneve. Bimët i ndjejnë rrezet e Diellit dhe rriten në drejtim të tyre (fototropizëm – prirje për t’u kthyer nga drita), kurse rrënjët e tyre e ndjejnë gravitetin dhe rriten në drejtim të Tokës (gjeotropizëm). Me pak fjalë: Zoti ka pajisur çdo element të krijimit të Tij me udhëzim. A mund të besojmë se Ai nuk do të na jepte udhëzimin në aspektin më të rëndësishëm të ekzistencës sonë, pra, në raison d’etre – qëllimin e jetës tonë? Se Ai nuk do të na jepte mjetet me të cilat do të arrinim të shpëtonim?

E pra, çfarë na tregon Krijuesi ynë, Zoti, rreth qëllimit të jetës sonë? Zoti thotë në Kuran se Ai e krijoi njeriun që të jetë mëkëmbës i Tij në Tokë, pra, ia ka besuar kujdesin mbi Tokën. Themelorja që i është besuar njerëzve, pra, përgjegjësia jonë, është që ta besojmë dhe ta adhurojmë Zotin:

“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Kuran, 51:56

Shumë e thjeshtë! Qëllimi i krijimit të njeriut është adhurimi i Krijuesit. Kuptimi i adhurimit në Islam mundëson që tërë jeta e njeriut të jetë akt adhurimi, për sa kohë që objektivi i asaj jete është kënaqësia e Zotit, e cila arrihet duke bërë mirë dhe duke u ruajtur nga të këqijat. Një person mund t’i kthejë aktivitetet e tij të përditshme në akte adhurimi, duke e pastruar qëllimin e tij dhe duke kërkuar sinqerisht kënaqësinë e Zotit përmes këtyre aktiviteteve. Profeti Muhamed, lëvdatat qofshin mbi të, ka thënë:

“Të përshëndeturit e njerëzve është bamirësi; Të vepruarit me drejtësi është bamirësi; T’i ndihmosh një udhëtari është bamirësi; Fjala e mirë është bamirësi; Çdo hap i bërë rrugës për në xhami është bamirësi; Heqja e një pengese nga rruga është bamirësi.”

Adhurimi i jep besimtarit shumë përfitime, të cilat ndihmojnë për mirëqenien e tij shpirtërore dhe mirëqenien e kësaj bote. Trupi i njeriut ka nevojë për burime materiale për të ekzistuar, si për ushqim, pije dhe për nevojën e riprodhimit. Sa për shpirtin, nevojat e tij nuk mund të përmbushen përveçse përmes afërsisë me Zotin me anë të besimit dhe bindjes ndaj Tij, të cilat mund të arrihen vetëm përmes adhurimit.

Zoti duhet të adhurohet në kohë të vështira, por edhe në kohë të mirëqenies, dhe, vetëm duke e kujtuar Atë, njeriu mund të gjejë rehatinë e brendshme (shpirtërore):

“Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” Kuran, 15:97-99

“…ata që kthehen tek Allahu, ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Kuran, 13:27-28
Më tej, Zoti thotë se Ai e bëri këtë jetë, në mënyrë që ta sprovojë njeriun dhe se çdo person do të shpërblehet pas vdekjes, sipas asaj që ka punuar:

“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” Kuran, 67:2

Por për ta adhuruar Atë, duhet ta njohim Atë mirë, përndryshe mund të formojmë koncepte të shtrembëruara rreth Tij dhe kështu të humbim rrugën. Në Kuran, Zoti i tregon njerëzimit se çfarë Ai është dhe çfarë nuk është. Për shembull, duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth Zotit, që ia kishin parashtruar profetit Muhamed, lëvdatat qofshin mbi të, Zoti thotë:

“Thuaj (O Muhamed): ‘Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!’” Kuran, 112

Në konceptin Islam, Zoti nuk përngjan me qenien njerëzore apo me diçka tjetër që ne mund ta imagjinojmë dhe Ai është i vetmi që meriton të adhurohet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here