Misvaku (pastrimi i dhëmbëve) dhe pastërtia vetjake

0
247

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjell se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:“Siuaku është pastërti për gojën dhe kënaqësi tek Allahu.”[1]

Në dy librat e haditheve të sakta (“Sahihët”) përcillet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Pastërtia (instinktive) vetjake është në pesë gjëra: rrethprerjen (sunetllëkun)[2], rruajtjen e pubisit, shkurtimin e mustaqeve, shkuljen e qimeve të sqetullave dhe prerjen e thonjve.”

Po në dy “Sahihët” përcillet nga Ibn Umeri se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:“Shkurtojini mustaqet dhe zgjatini mjekrat.”[3]

Nga këto hadithe e të tjera si këto, dijetarët kanë nxjerrë këto gjykime:

Rituali i siuakut, që është pastrimi i dhëmbëve dhe i mishit të tyre me shkop, (furçë e ç’mund të shërbejë për këtë punë) për të hequr mbeturinat e ushqimit që mbeten në to dhe erën e rëndë.
Përcillet se i pari që ka përdorur siuakun ka qenë Ibrahimi (a.s.). Gjithashtu rreth siuakut përcillen mbi njëqind hadithe, çka tregon se ai është sunet i fortë që Zoti e nxit dhe e pëlqen, pasi ka dobi të mëdha, prandaj edhe hadithi i Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Siuaku është pastërti për gojën dhe kënaqësi tek Allahu.”

Misuaku (mjeti që përdoret për pastrim) mund të jetë prej një shkopthi nga pema e arakut, ullirit ose ndonjë bime tjetër që nuk shkërmoqet dhe nuk ta vret gojën.

Përdorimi i tij është sunet në çdo kohë, bile edhe për agjëruesin gjatë tërë ditës, por në disa raste është sunet i fortë dhe këto raste janë:

– Gjatë abdesit, sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Sikur të mos e rëndoja Umetin (popullin) tim, do ta urdhëroja të përdorë misuakun sa herë merr abdes.”[4] Kjo bëhet kur lahet goja pas abdesit, sepse kështu pastrimi i saj do të ishte më i plotë.

– Para namazit, qoftë i detyrueshëm ose vullnetar, sepse gjatë faljes i afrohemi Allahut të Lartmadhëruar, kështu që jemi urdhëruar të kemi pastërti të plotë.

– Kur zgjohemi nga gjumi natën apo ditën, sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e pastronte gojën me misuak sa herë që çohej natën. Kjo sepse në gjumë avujt e stomakut ngrihen lart dhe e prishin erën e gojës, kurse siuaku e freskon atë.

– Kur prishet era e gojës pas ngrënies etj.

– Kur do që të lexosh Kuran, sepse po nxjerr nga goja fjalët e Allahut.

Mënyra e përdorimit të misuakut është ta kalosh atë në dhëmbë e në mishin e tyre, duke filluar nga ana e djathtë në të majtën. Ai mbahet në dorën e majtë gjatë përdorimit.

[1] Ahmedi.

[2] Mutefekun alejhi.

[3] Mutefekun alejhi.

[4] Ahmedi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here