Sëmundja e adhuruesit injorant

0
528

Adhuruesi i paditur vuan nga një sëmundje, ai ia kthen shpinën diturisë dhe dispozitave. Ai është pushtuar nga fantazia e tij, nga shija, ndjenja dhe tekat e tij. Në lidhje me këtë, Sufjan ibn Ujejneh dhe të tjerë kanë thënë: “Ruajuni, kini kujdes nga sprova e dijetarit të prishur dhe nga sprova e adhuruesit të paditur, sepse sprova e tyre është më e rënda.” Injoranti me padijen e tij pengon nga dituria dhe zbatimi i saj, ndërsa tjetri me prishjen e tij fton drejt prishjes dhe tejkalimit të kufijve.

Allahu i lartësuar na ka dhënë një shembull për adhuruesin e paditur: “Siç bën shejtani, i cili i thotë njeriut: ‘Mos beso! ’. Por, kur ky bëhet mohues, shejtani i thotë: “Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” Natyrisht që fundi i këtyre të dyve është qëndrimi i përhershëm në Zjarr; ky është dënimi për të gjithë njerëzit e këqij.” (Kurani, 59:16-17)

Historia e tij është e njohur (Transmeton Ibn Xheriri në “Xhamiul Bejan” 12/47 dhe Ibn Kethiri në “Tefsir-in” e tij 4/307). Ai e ngriti fenë e tij në një adhurim pa dije dhe kështu shejtani e bëri të binte në gjynahe si pasojë e injorancës së tij, bile ra në kufër për shkak të injorancës. I pari është prijësi dhe shembulli i çdo adhuruesi injorant, i cili mund të bjerë në kufër pa e kuptuar, ndërsa i dyti është prijësi dhe shembulli i çdo dijetari të prishur që zgjedh këtë botë kundrejt Ahiretit.

Pra, Allahu i lartësuar, rendjen e njeriut pas dynjasë, të kënaqurit me të, prehjen në të dhe shkujdesin nga njohja e argumenteve të Tij dhe Punën me to, i bëri shkak për shkatërrimin dhe mjerimin e tij. Dhënia pas dynjasë dhe shkujdesi në njohjen e argumenteve të Zotit, nuk mund të bashkohen veçse në një zemër që nuk beson në ringjallje dhe në takimin me Zotin e krijesave.

Nëse besimi te ringjallja do të kishte zënë vend në zemrën e tij, ai nuk do të kënaqej me dynjanë dhe nuk do t’ia kthente shpinën argumenteve të Allahut.

Nëse do të meditosh rreth kategorive të njerëzve, do vëresh se këtij lloji i përkasin shumica, pra shumica janë banorë të dynjasë dhe rendin pas saj. Ndërsa lloji tjetër janë pakicë, janë të huaj në mesin e kësaj turme dominuese. Ata ecin në një drejtim, kurse këta në një tjetër. Ata kanë dituri tjetër, të ndryshme nga ajo e shumicës. Synimet e tyre janë të ndryshme nga ato të shumicës, ata janë në një rrugë, kurse shumica në një tjetër; ata janë në një luginë, kurse shumica në një tjetër. Allahu i lartësuar thotë: “Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të dhe që janë të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona, do të kenë si vendstrehim zjarrin, për atë që kanë bërë.” (Kurani, 10:7-8)

Më pas Zoti tregon për palën tjetër, përfundimin dhe shpërblimin e tyre, duke thënë: “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë.” (Kurani, 10:9) Këta janë pala, të cilët besimi i palëkundur i bëri të mos mashtroheshin me dynjanë, të mos gjenin prehje në të dhe i përmbaheshin dhe i kujtonin argumentet e Allahut. Këto janë frytet e besimit në ringjalljen, ndërsa përfundimi i palës tjetër është pasojë e mosbesimit në ringjalljen dhe shkujdesin ndaj saj.

Ibn Kajim El Xheuzije – EL FEUAID, f.131-132.