Kush është Zoti yt?
Përgjigjja: Zoti im është Allahu i Madhëruar.
Ku është Allahu i Madhëruar?
Përgjigjja: Allahu i Madhëruar është mbi qiejt e lartë.
Cila është e drejta e Zotit kundrejt robërve të Tij?
Përgjigjja: E drejta e Zotit kundrejt robërve të Tij është që ta adhurojnë Atë, e të mos i shoqërojnë askënd dhe asgjë në adhurim.
Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush thotë: Jam i kënaqur që Zoti im është Allahu…”
Përgjigjja: “… Jam i kënaqur që feja ime është Islami dhe jam i kënaqur që Pejgamberi im është Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!), këtij njeriu i bëhet obligim Xheneti.”[1]
Përse na ka krijuar Allahu i Madhëruar? Cili është argumenti?
Përgjigjja: Allahu i Madhëruar na ka krijuar që ta adhurojmë Atë pa i shoqëruar askënd dhe asgjë në adhurim.
Allahu i Madhëruar thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” Dharijat, 56
Cili është obligimi ynë më i rëndësishëm?
Përgjigjja: Teuhidi (monoteizmi), i cili nënkupton njësimin e Allahut të Madhëruar në lidhje me gjithçka që Ai meriton të veçohet.
Cilat janë tre llojet e Teuhidit?
Përgjigjja:
Teuhidi Rrububijeh (Njësimi i Allahut në zotërim).[2]
Teuhidi Uluhijeh (Njësimi i Allahut në adhurim).[3]
Teuhidi El Esmau ue Sifat (Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij të përsosura).[4]
Pyetja e tetë: Ç’është dëshmia e Teuhidit dhe cila është domethënia e saj?
Përgjigjja: Dëshmia e Teuhidit është fjala ‘La ilahe il Allah’. Domethënia e kësaj fjalë është: ‘Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut’.
Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Cilido që dëshmon ‘La ilahe il Allah ue en-ne Muhameden resulullah…’[5]
Përgjigjja: “… me sinqeritet nga thellësia e zemrës së tij, do të jetë haram për të zjarri (do të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit).“[6]
Cili është gjynahu më i madh?
Përgjigjja: Shirku (Idhujtaria).
[1] E transmeton Ebu Daudi me nr 1529, nga sahabiu i nderuar Ebu Said el Hudriju (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Albani e ka vlerësuar këtë hadith ‘të saktë’, ashtu siç gjendet në librin e tij “Es Silsiletu Es Sahiha” me nr 334.
[2] Me ‘Teuhidin Rrububijeh’ është për qëllim pohimi me bindje të thellë dhe besim të plotë se vetëm Allahu i Madhëruar është Krijuesi, Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me krijesat e Tij!
[3] Me ‘Teuhidin Uluhije’ është për qëllim veçimi i Allahut të Madhëruar me adhurim, të përkushtuarit e fesë vetëm Atij dhe refuzimi i idhujtarisë me të gjitha llojet dhe shfaqjet e saj.
[4] Me ‘Teuhidin El Esmau ue Sifat’, është për qëllim të besojmë dhe të pohojmë me vendosmëri të plotë emrat e bukur të Allahut të Madhëruar dhe cilësitë e përsosura të Tij, të cilat përmenden në Librin e Tij dhe në thëniet profetike.
[5] ‘Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Allahut’
[6] E transmeton Buhariu me nr 128, Muslimi me nr 32, nga Enes bin Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).
Autori: Salim bin Sead Tauil
Përktheu: Edmond Ajdini