3 Vendbanimet Që Ka Krijuar Allahu

0
505

Allahu ka krijuar tri vendbanime:

Vendbanim i veçantë për të mirët, i cili është i ndaluar për të këqijtë. Ai do të mbledhë të gjithë të mirët dhe të gjitha mirësitë. Ky vendbanim është Xheneti.
Vendbanim i veçantë për të këqijtë dhe të këqijat, ku do të futen vetëm të këqijtë. Ky vend është Xhehenemi.
Vend ku përzihet e mira me të keqen, ku ka edhe të mirë, edhe të këqij. Ky vend është dynjaja. Për shkak të kësaj përzierjeje, ndodhin sprovat dhe vështirësitë. Megjithatë, kjo ka ndodhur në bazë të Urtësisë Hyjnore. Kur të vijë Dita e Kthimit të krijesave, Allahu do t’i ndajë të mirët nga të këqijtë, duke i vendosur të mirët më vete, në vendqëndrim të veçantë për ta, ku s’do të ketë të tjerë veç tyre. Edhe të këqijtë do t’i vendosë në një vend të veçantë për ta, ku s`do të ketë të tjerë veç tyre. Pra, përfundimi do të jetë vetëm në dy vende: Xheneti – banesa e të mirëve, dhe Xhehenemi – banesa e të këqijve.
Allahu përgatiti për veprat e dy grupeve shpërblimet dhe dënimet. Ai bëri të mundur që fjalët, veprat dhe moralet e mira të xhenetlinjve të jenë vetë begatia dhe ëmbëlsia e tyre. Ai i bëri veprat dhe moralet e mira faktorët më të plotë të begatisë e të lumturisë së tyre. Allahu gjithashtu bëri që vetë fjalët, veprat dhe moralet e këqija të grupit të dytë t’u japin mundime e dhembje atyre. Ai i bëri që veprat dhe moralet e këqija të jenë faktorët më të mëdhenj të dënimit dhe të dhembjes që do të vuajnë të këqijtë. Të gjitha këto Allahu i bën me urtësi të përkryer, krenari të lartë, madhështore, të pamposhtur, për t’u treguar robërve përkryerjen e zotërimit të Tij! T`u tregojë atyre përsosjen e urtësisë, diturisë, drejtësisë dhe mëshirës së Tij! Ta dinë mirë armiqtë e Tij, se ata janë mashtruesit dhe gënjeshtarët, e jo profetët e ndershëm e të sinqertë të Zotit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata bëjnë be në emër të Allahut me betimet e tyre më të forta, që Allahu nuk do ta ngjallë prapë atë që vdes. Po, (Ai do t`i ngjallë ata), premtim më se i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. Ata duhet të ringjallen, me qëllim që Ai t`ua bëjë të qartë të vërtetën e asaj për të cilën ata nuk merren vesh dhe që ata të cilët nuk besojnë ta marrin vesh se ishin gënjeshtarë.” (Nahl 38-39).

Allahu ka bërë një adresë për lumturinë dhe një për hidhërimin, me anë të së cilës të arrihen ato të dyja. Të lumturit, të mirit i përshtatet veçse e mira. Ai vepron veçse mirë, prej tij del veçse e mira. I miri jeton, rri, shoqërohet dhe lidhet veçse me të mirët. Ndërsa të hidhëruarit, të mjerit, të keqit i përshtatet veçse e keqja, ai vepron veçse të këqija, prej tij dalin veçse të këqija. Prej zemrës së të keqit shpërthen e keqja, e cila shfaqet në gjuhën dhe gjymtyrët e tij. Ndërsa prej zemrës së të mirit gufon e mira, e cila po ashtu shfaqet në gjuhën dhe gjymtyrët e tij.

Megjithatë, mundet që një person t’i ketë të dyja këto cilësi. Cila mbizotëron më tepër, ajo e bën prej grupit të saj. Nëse Allahu dëshiron të mirën për një person, Ai e pastron prej së keqes para vdekjes, dhe Ditën e Gjykimit ai paraqitet para Allahut i pastër, kështu që s`ka nevojë që të pastrohet me Zjarr. Allahu ia pastron lëndën e keqe nëpërmjet pendimit të saktë, nëpërmjet të mirave që fshijnë gjynahet, si dhe nëpërmjet sprovave, e në këtë mënyrë, kur ta takojë Allahun, të mos ketë asnjë gjynah. Kurse tjetrit, Ai ia ndalon pastrimin e shpirtit, derisa ta takojë Allahun Ditën e Gjykimit, duke patur të këqija dhe të mira. Është prej urtësisë së Allahut të mos lejojë askënd që ka të këqija të qëndrojë pranë Tij, në vendin e Tij. Prandaj, Ai e fut në Zjarr për pastrim, kullim dhe larje të gjynaheve. Kur të përfundojë larja e besimit të tij prej të këqijave, atëherë ai është i përshtatshëm për afrimitet tek Allahu dhe për banim bashkë me robërit e mirë të Tij. Qëndrimi i këtij lloji njerëzish në Zjarr është në vartësi të plotë me afatin e pastrimit të të këqijave prej tyre. Atyre që u eliminohen më shpejt të këqijat, do të dalin prej Zjarrit më shpejt se të tjerët. E atyre që u vonon pastrimi i gjynaheve, do të vonohen gjithashtu edhe në daljen prej Zjarrit. Një dënim i meritueshëm në përputhje e në varësi të gjynaheve, se Zoti yt nuk i bën padrejtësi robërve të Tij!

Duke qenë se idhujtari është i keq në esencën dhe në qenien e tij, kjo e keqe nuk mund të pastrohet me Zjarr. Ky njeri, edhe po të dilte prej Zjarrit, do të kthehej i keq, sikurse më parë, ashtu si një qen që hyn në det për t’u larë e del prej tij. Për këtë arsye, Allahu ia ka ndaluar idhujtarit Xhenetin.

Përderisa besimtari i mirë është i dëlirë, i pastër nga të këqijat, Zjarri është i ndaluar për të, sepse ai nuk ka gjë për të pastruar me të.

I lartësuar qoftë Ai, urtësia e të Cilit i ka mahnitur mendjet dhe logjikat e shëndosha. Natyrshmëria e pastër e njeriut dhe logjika e tij, dëshmojnë se Allahu është më i Urti i të urtëve, Zoti i gjithë botërave dhe se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Tij!