Rastet kur lejohet përgojimi !

0
282

Pyetja:
Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Pata një pyetje në lidhje me përgojimin. Vërtet që përgojimi është një prej harameve të mëdha. Unë desha të pyes se a konsiderohet përgojim nëse flas për një vëlla musliman se ai merret me punë të këqija, se e ka lënë namazin etj., ku qëllimi i bisedës nuk është shfaqja e kësaj të mete, por mënyra se si t’i dilet në ndihmë.
Es-selamu alejkum!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet përgojimi (gibeti) është një nga haramet më të rrezikshme, nga i cili vështirë shpëtojnë edhe ata që mundohen të jenë më të devotshëm dhe ruhen nga shumë ndalesa të tjera. Përkufizimin e përgojimit më të qartë na e ka dhënë Muhamedi salallahu alejhi ue selem në këtë hadith: Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “A e dini ç’është përgojimi?” (As’habët) Thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri!” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Përmendja e vëllait me atë që nuk i vjen mirë.” Dikush tha: “E ç’mendon nëse ajo që flas për vëllanë tim është e vërtetë?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse është e vërtetë ajo që ti flet, atëherë e ke përgojuar. E, nëse ajo që e flet nuk është e vërtetë, atëherë ke shpifur.” (Shënon Muslimi)
Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe mos përgjoni, as mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur…” (Huxhurat, 12)
Prandaj, është i ndaluar përgojimi i tjetrit dhe besimtari duhet të ketë kujdes të mos futet në përmendjen e veprimeve të të tjerëve, pasi është një ves që nëse mësohet me të, e ka shumë vështirë ta shërojë veten prej tij.
Imam Neveviu në librin e tij “Rijadu Salihin” në nënkapitullin “Ndalimi i përgojimit”, para se të përcjellë hadithet të cilat flasin rreth përgojimit, thotë: “Është e domosdoshme të dihet se çdo moshërritur është i obliguar ta ruajë gjuhën e tij nga çdo e folur, përveç asaj që tregon dobi. Madje edhe atëherë, nëse është e barabartë të flitet dhe të mos flitet edhe për gjërat e dobishme, sunet është përmbajtja nga të folurit, sepse shpeshherë kuvendimi i lejuar e çon njeriun në të palejuarën apo të papreferuarën. Kjo është praktikë e shpeshtë, prandaj është e nevojshme mbrojtja nga kuvendimet e ndaluara e të papreferuara.”
Por megjithëse gibeti është i ndaluar dhe nuk lejohet që besimtari të futet në këtë mëkat, në disa raste është i lejuar. Neveviu në po të njëjtën libër përmend disa raste kur lejohet përgojimi. Ai thotë: “Dije se përgojimi është i lejuar për qëllime të pastra të sheriatit, të cilat pa përgojim nuk mund të arrihen.” (Rijadu Salihin”, f. 370)
Duke pasur parasysh këtë, lejohet përgojimi në disa raste të caktuara me qëllim të përmirësimit, të realizimit të ndonjë dobie apo edhe në disa situata kur përmendja e kësaj vepre nuk shkakton dëm. Rastet në të cilat lejohet përgojimi janë:

1. Dhuna e vazhdueshme. Atij personi që i bëhet dhunë, i lejohet të ankohet te sunduesi, gjyqtari ose ndonjë tjetër që sundon apo që ka mundësi ta zbatojë drejtësinë mbi tiranin. I dëmtuari thotë: “Filani më ka bërë dhunë kështu e kështu.”

2. Përgojimi duke përmendur mëkatet që i vepron dikush, me qëllim të ndërhyrjes dhe përmirësimit të këtij personi tek ai që e ka mundësi ta bëjë këtë. Apo me qëllim që të çrrënjoset ndonjë punë e shëmtuar dhe që mëkatari të përmirësohet. Lejohet t’i thuhet atij që ka mundësi të pengojë ndonjë të keqe: “Filani punon kështu e kështu, prandaj pengoje atë nga ajo dhe të ngjashme.” Synimi i tij duhet të jetë arritja e çrrënjosjes së ndonjë pune të shëmtuar. Nëse synimi i tij është diçka tjetër, atëherë zbulimi i të metave të tjetërkujt është e ndaluar.

3. Lejohet zbulimi i të metave të të tjerëve duke kërkuar fetvanë përkatëse. Njeriut të cilit i është bërë e padrejtë i lejohet të thotë: “Më ka bërë padrejtësi babai im, vëllai im, burri im ose dikush tjetër kështu e kështu, prandaj a ka të drejtë ai në këtë? Si do të çlirohem unë nga kjo dhunë, si do ta arrij unë të drejtën time, si do ta pengoj dhunën e të ngjashme?” Kjo është e lejueshme në rast domosdoshmërie. Gjithsesi më e mirë dhe më e pëlqyeshme është t’i thuhet (myftiut): “Ç’thua ti për njeriun, personin ose bashkëshortin, puna e të cilit është kështu e kështu?” Qëllimi mund të arrihet edhe pa përcaktimin dhe emërtimin e saktë, por edhe të përcaktohet saktësisht, të shënohet dhe të emërtohet dikush është e lejuar.

4. Rast tjetër është nëse pyetemi për ndonjë person nga dikush që është i interesuar për te, qoftë për martesë, marrëdhënie pune, shoqërim në udhëtim, etj.. Është obligim i personit që pyetet për dikë që mos ta fshehë gjendjen për të, por t’i shtrojë haptas të gjitha të metat që gjenden te personi për të cilin hulumtohet, por me qëllim të mirë që t’i jepet këshillë pyetësit. Pra, të mos jetë qëllim prishja e ndonjë pune për shkak të zilisë, etj.. Kjo është punë ku mund të gabohet lehtë, sepse është e mundshme që folësin ta udhëheqë xhelozia dhe që djalli ta mashtrojë e ta verbojë në atë punë, kurse atij t’i duket se puna e tij është këshillë, prandaj të tillët duhet të jenë të kujdesshëm dhe largpamës.

5. Të metat e dikujt zbulohen nëse një person publikisht gabon apo predikon herezinë (risitë), si: pirja publike e alkoolit, tiranët, mashtruesit, plaçkitësit e pasurisë së huaj, ai i cili haptas kryen mëkate etj. Natyrisht se këtu nuk bëjnë pjesë çështjet dhe punët sekrete të njeriut. Është detyrë që t’i zbulohen publikisht mëkatet e një individi personit kompetent apo organit, nëse për këtë realizojmë dobi sikurse përmendëm në rastin e dytë. Prandaj nuk lejohet zbulimi i të metave të tjera të tij, vetëm nëse për këtë ka ndonjë nga shkaqet e theksuara.

6. Nëse bëjmë zbulimin e të metave të dikujt me qëllim përkufizimi, njoftimi preciz, p.sh. për një person të njohur me ndonjë ofiq, siç është: lotues, çalaman, shurdh, qorr, vëngërosh dhe emërtime të tjera, atëherë është e lejuar të precizohet edhe kjo. Nuk është e lejuar përgjithësisht të tregohet dikush si i mangët. Nëse është e mundur të shmangen ofiqet e këtilla, kjo është më e mirë dhe më parësore.
Këto janë gjashtë shkaqet kryesore për të cilat është i lejuar zbulimi i të metave për individin jo të pranishëm, shkaqe të cilat i kanë theksuar dijetarët dhe për të cilat ekziston pajtueshmëri e plotë. Të gjitha këto kanë mbështetje në hadithet e njohura dhe të vërteta (Këto raste kryesisht janë marrë nga libri “Rijadu Salihin”, f. 370-373).

Rasti dytë ka të bëjë me atë që ju kërkoni sqarim, se a lejohet përgojim në qoftë se ne përmendim ndonjë vepër të keqe të vëllait musliman me qëllim që të ndihmohet ai të largohet nga ajo. Prandaj themi nëse qëllimi i kësaj është kjo dhe nëse besojmë se përcjellja e kësaj do të ndikojë në përmirësimin e tij, atëherë lejohet, mirëpo duhet të kemi kujdes se përmendja e këtyre gjërave në masë të gjerë dhe në prani të shumë njerëzve shpesh do të ketë efekt negativ dhe kjo nuk është e drejtë. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
29.2.2008

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here