Mos i mbyllni sytë…

Mos i mbyllni sytë…

Sa e bukur është dita në pranverë. E kthjelltë, e ngrohtë, delikate, të fton që me gjitha shqisat ta jetosh atë. Të duket sikur asgjë nuk mund ta turbullon kthjelltësinë e ditës pranverore.

Por, ja që ndodhitë jo çdoherë u përshtaten dëshirave tona. Si të burgosurit, detyrohemi të ballafaqohemi me realitetin e dhimbshëm, gjendjen e vështirë të muslimanëve tek ne dhe botë.

Braktisja e shumë obligimeve fetare, akuzat e vazhdueshme në llogari të Islamit, etiketat e ndryshme fyese për besimtarët e përkushtuar, çoroditjet seksuale, abortet nëpër shkollat fillore, fëmijët e braktisur, dhuna ndaj tyre, ngacmimet seksuale janë vetëm disa nga lista e gjatë e problemeve që i brengosin muslimanët.

Fenomeni i “festave të stinës” nga ana tjetër tek shumica e njerëzve krijon një opsesion të manifestuar në pyetjet nevrike, si t’ia bëjmë, ku ti kalojmë, si të vishemi, si do t’ia bëjmë me dhuratat e kështu me radhë.

Festimi i maturës, dita e hyrjes në radhët e të pjekurve, ashtu siç është kuptuar nga shoqëritë tona, është dukuri problematike që është ngritur në shkallën e opsesionit.

A jemi të pjekur, sepse sonte nën mbikëqyrjen e profesorëve tanë, gjërat që ishin të ndaluara për neve bëhen të lejuara? Në shoqëritë e “hapura” dhe “demokratike”, si këto në të cilat jetojmë, alkooli, droga, orgjitë e shfrenuara në këtë natë fshihen nga lista e tabuve. Si duket tani jemi gati, t’i provojmë edhe këto dukuri “joshëse” të modernizmit.

Ata që kanë dyshime kanë të drejtë të vërtetohen në këto pohimet tona.

Shpenzimi i shumave astronomike për këtë mbrëmje me siguri nuk flasin shumë për pjekuri. Ajo që të le pa fjalë, është fakti që shumë njerëz huazojnë të holla që fëmijëve të tyre t’ua mundësojnë pjesëmarrjen në shfaqjen e kësaj mbrëmjeje, në sfilatën e “pjekurisë”. Si duket për fustanet “zhveshës” dhe kostumet “firmë” ka buxhet. Fatkeqësisht një zell i tillë, nuk tregohet kur janë në pyetje nevojtarët e popullit.

Është thënë: Fillimi i zgjidhjes së problemit është diagnostikimi i tij. Mendojmë se të mençurit e popullit këtë e kanë kuptuar. Atë që duhet ta bëjnë është t’i përveshin mëngët dhe t’ia fillojnë punës.

Tani mos i mbyllni sytë dhe vazhdoni të kënaqeni me bukuritë e pranverës. Besimtari më shumë se dikush tjetër e ka këtë të drejtë.

Zoti ju dhashtë të mira në dynja dhe në ahiret..

Hoxhë Talha Kurtishi