A lejohet përdorimi i dhjamit të derrit për shërim?

A lejohet përdorimi i dhjamit të derrit për shërim?

Pyetje: A lejohet përdorimi i dhjamit të derrit për qëllim shërimi, më konkretisht: probleme me çarje të zorrës së trashë dhe hemorroideve?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe mëshira qoftë mbi Muhamedin, familjen dhe ndjekësit e tij…

Përdorimi i dhjamit, eshtrave apo i lëkurës së derrit për qëllime tjera përveç ushqimit, lejohet në rast nevoje. Nëse është vërtetuar se dhjami i derrit mund të bëjë dobi në sëmundjen tuaj, qoftë në përshpejtimin e shërimit apo pakësimin e dhimbjes atëherë nuk prishë punë të përdoret.

Dijetarët kanë përmendur se ajo që është e ndaluar nga derri është të ushqyerit me diçka prej tij, kurse përfitimi nga derri në forma tjera sikurse për mjekim (mirëpo, pa e ngrënë), për të bërë veshmbathje nga lëkura e tij apo për të bërë pasta për pastrimin e dhëmbëve nuk është e ndaluar, ngase Allahu në ajetet që përmend derrin, kryesisht e përmend kësisoj:

“Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut” (Bekare 173).

“Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua, se është e ndaluar ta hajë njeriu atë që do, përveç coftinës , gjakut të derdhur, ose mishit të derrit, se ai është i ndyrë…” (Enam 145).

Pra, Allahu e ndalon ngrënien prej tij dhe jo format tjera të përfitimit. Sigurisht, i Lartësuari nuk e ka bërë këtë nga harresa, ashtu që, nuk është e drejtë ta ndalojmë një gjë pa pasur argument. Gjithashtu Resulullahu, alejhi salatu ue selam, lejoi të përdoret lëkura e cofëtinës pasi që të regjet e nga kjo lejesë dijetarët thanë që lejohet të përdoret edhe lëkura e derrit pasi të regjet, sepse teksti i hadithit është: “Cilado lëkurë që regjet, ajo pastrohet”.[1]

Në anën tjetër, kjo nuk na lejon që të zgjerohemi në këtë pikë dhe të mendojmë se është e lejuar edhe kultivimi i derrave me qëllim të përfitimit në aspekte tjera dhe jo për ushqim, sepse është vërtetuar se kur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, bisedonte njëherë me shokët e tij rreth disa çështjeve të tregtisë, u tha: “Allahu e ka ndaluar (për tregëti): alkoolin, cofëtinën, derrin dhe bustet”; ndërsa ata e pyetën: Po çfarë thua për dhjamin e cofëtinës, sepse me të lyhen anijet, zbuten lëkurat dhe njerëzit i përdorin për ndriçim? “Jo, edhe kjo është haram (për tregëti)”.[2]

Përfundim:

1. Ngrënia nga cilado pjesë e derrit është haram edhe nëse ajo ngrënie bëhet me qëllim mjekimi.

2. Përdorimi i cilësdo pjesë të derrit për diçka tjetër përveç ushqimit dhe ngrënies  (p.sh. mjekim) është e lejuar.

3. Kultivimi dhe tregëtimi i derrave apo i pjesëve nga derri është i ndaluar.

Allahu e di më së miri.