A lejohet që gruaja të merr mbiemrin e burrit?

0
689

Pyetje: A është e lejuar që gruaja e martuar të merr mbiemrin e burrit?

Përgjigje: Mbiemri i njeriut në thelb nënkupton se emri përkatës i takon një familjeje të caktuar, gjegjësisht një prindi. Kjo ishte kështu edhe në trojet tona, kur thuhej: filani është nga familja/ fisi i Gashëve, tjetri nga fisi Berisha, i treti nga familja e Topallëve e kështu me radhë. Varësisht nga kjo, njerëzit edhe marrin mbiemrat e tyre. Edhe pse, në kohën e fundit këtij rregulli nuk i përmbahen shumica e njerëzve.

Sidoqoftë, nëse një grua (apo ndonjë burr) ndërron mbiemrin e saj për shkak të martesës, për të treguar se ajo tashmë është anëtare e familjes së re, në fakt vërejmë se ajo po falsifikon origjinën e saj dhe në këtë mënyrë po kundërshton fjalën e Allahut:“…fëmijët e përvetësuar nuk janë fëmijë tuaj të vërtetë. Këto janë vetëm fjalët tuaja – prej gojës suaj, e Allahu thotë të vërtetën dhe Ai udhëzon në rrugë të drejtë. Ju thërritini ata sipas baballarëve të tyre! Kjo është më e drejtë tek Allahu” (Ahzab 4,5). Edhe nusja, që vjen në shtëpinë e burrit nuk bëhet bijë e asaj shtëpie, prandaj edhe atë duhet ta thërrasim sipas babait të saj d.m.th. sipas mbiemrit të familjes së saj.

Gjithashtu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kush pretendon atësinë e dikujt duke e ditur se nuk është i tij, ai ka bërë kufër”. Ky kërcënim është shumë i rëndë dhe vlen për atë person i cili dëshiron të fshehë origjinën e tij, ndërsa për nuset që ndryshojnë mbiemrat nuk besoj se vlen ky kërcënim, sepse ato nuk e bëjnë ndryshimin e mbiemrit me atë qëllim.

Sidoqoftë, për të qenë më larg kërcënimit dhe gabimit në përgjithësi gruaja duhet të mbajë mbiemrin e familjes së saj, ndërsa nëse dëshiron të bëjë dy mbiemra, duke marrë edhe mbiemrin e burrit, si shenjë se është e martuar, atëherë besoj se nuk prishë punë, p.sh. Arjeta Berisha – Gashi.

Allahu e di më së miri.