Këto janë cilësitë e besimtarëve të përkushtuar

Këto janë cilësitë e besimtarëve të përkushtuar

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) duke i treguar cilësitë e besimtarëve të përkushtuar thotë: “Ata janë njerëzit e mirësisë! Të folurën e kanë të vërtetë, veshjen e mbajnë mesatare, të ecurin e kanë të thjeshtë, i ulin shikimet nga harami dhe dëgjimet i shfrytëzojnë për gjërat e dobishme. Shpirtrat e tyre kur përjetojnë një fatkeqësi, është njëlloj si t’u kishte ndodhur një mirësi.

E madhëruan Krijuesin në shpirtrat e tyre dhe të tjerët veç Tij u zvogëluan. Zemrat i kanë të mërzitura dhe e keqja nga ata nuk pritet, kërkesat e tyre në dunja janë të papërfillshme dhe shpirtrat e tyre i ruajnë nga joshjet e saj. Duruan ditë të numëruara dhe fituan rehati të përhershme. Gjatë natës, këmbët i drejtojnë dhe lexojnë Kuranin, ashtu të ulur në gjunjë kërkojnë mëshirën dhe shpëtimin. Nuk gëzohen me punët e mira e të pakta, e as nuk i quajnë shumë nëse bëjnë vepra të mëdha. Të frikësuar ndaj Zotit të tyre dhe të ndrojtur nga punët që bënë. Zbukurohen atëherë kur nuk kanë dhe durojnë kur janë në vështirësi dhe falënderojnë për mirësitë e dhuruara. Shpresën e kanë të afërt dhe gabimet të pakta, e mira prej tyre pritet dhe e keqja prej tyre nuk mund të vijë kurrë.”

Përktheu: Fatjon Isufi