Devotshmëria dhe sjellja e mirë

0
314

“Frikësoju Allahut kudo që të jesh. Veprën e keqe pasoje me vepër të mirë që ta fshijë atë (të keqen) dhe sillu mirë me njerëzit.” (Tirmidhiu)

“Frikësoju Allahut kudo që të jesh”, kjo frazë tregon detyrimin që kemi para Krijuesit Fuqiplotë kudo që të ndodhemi dhe në çdo gjendje qofshim. Ata myslimanë që sillen në këtë mënyrë, Zoti i do dhe është me ta, pasi në Kur’an ai shprehet qartë se “Allahu i do besimtarët e devotshëm që i frikësohen Atij” dhe “Padyshim që Allahu është me të devotshmit dhe me punëmirët”2.

Devotshmëri do të thotë të frikësohesh nga Allahu në kuptimin e plotë të fjalës. Për të arrirë devotshmërinë e vërtetë një rol të rëndësishëm ka edhe këndvështrimi i njeriut ndaj kësaj bote. Kjo botë ka dy anë, njëra e tërheq njeriun kah e mira ndërsa tjetra kah e keqja. Njeriut i jepet mundësia që të vijë një herë të vetme në këtë botë prandaj çfarë do të mbjellë këtu, do të korrë në botën tjetër. Të gjitha begative të Zotit si rinia, shëndeti, pasuria, jeta, koha, etj., duhet t’ia dimë vlerën dhe duhet t’i vlerësojmë para se të na ikin prej duarsh. Ky vlerësim duhet të bëhet duke jetuar në bazë të kritereve që na ka bërë të ditur i dërguari i Allahut dhe duke qëndruar larg tepricave dhe mangësive në fe.

Shprehja “Veprën e keqe pasoje me vepër të mirë që ta fshijë atë (të keqen)”, tregon detyrimin që kemi ndaj vetes për t’i fshirë veprat e këqija duke bërë të mira. Përderisa njeriu është i urdhëruar për devotshmëri, patjetër që do të ndodhë ndonjë pakujdesi. Me veprën e keqe nënkuptohen gjynahet e vogla, ndërsa me veprat e mira obligimet, pendimi dhe lëmosha. Profeti Muhamed a.s., ka thënë: “Pesë namazet, ai i xhumasë deri në xhumanë tjetër dhe agjërimi i Ramazanit deri në Ramazanin tjetër, janë falje për mëkatet që bëhen ndërmjet tyre, përveç mëkateve të mëdha.” Me anë të këtyre të mirave Allahu e fshin njollën e mëkatit nga zemra e besimtarit dhe fletorja e shënimeve.

Nuk duhet harruar se te çdo gjynah ekziston një rrugë që të çon në mohim. Sepse njollat e gjynaheve të vogla duke u shtuar mund ta errësojnë të gjithë zemrën. Për këtë arsye është thënë se këmbëngulja në gjynahet e vogla është gjynah i madh. Myslimani i devotshëm e merr me seriozitet pastrimin e gjynahut të vogël dhe pa u vonuar pendohet me sinqeritet te Zoti. Të tillët Zoti i përmend në Kur’an kur thotë: “Dhe nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e toka, përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mi­rëqenie edhe kur janë në vështirësi, e frenojnë zemërimin dhe i falin njerëzit. Allahu i do bamirësit.”

Shprehja “Sillu mirë me njerëzit”, tregon detyrimin që kemi ndaj tyre, pasi shumëkush mendon se devotshmëria është të kryesh detyrat ndaj Krijuesit dhe jo ato ndaj njeriut. Në këtë mënyrë neglizhohen të drejtat e njerëzve. Të parët myslimanë janë shprehur se sjellje e mirë është bujaria, sakrifica, durimi, fytyra e qeshur dhe përmbajtja e ze­mërimit për hir të Allahut. Vetëm me zbatimin e këtyre virtyteve përmbushim besimin tonë, ashtu siç thotë edhe Profeti ynë: “Besimtari me besimin më të plotë është ai me sjelljen më të mirë”. Myslimani i cili është i buzëqeshur, tolerant, falës, i edukuar në të folur dhe veprime, fiton zemrat e njerëzve dhe krijon një atmosferë të ngrohtë mes tyre. Nuk ka një element të dytë që ta lartësojë njeriun sa morali i bukur. Morali i bukur është morali i Allahut dhe pajisja e njeriut me moralin e bukur, do të thotë pajisja e tij me moralin e Allahut. Kur Profeti u pyet se cila është ajo që i fut njerëzit më shumë në xhenet? Ai tha: “Devotshmëria ndaj Allahut dhe sjellja e mirë”.

Dorian Demetja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here