TË ASHTUQUAJTURAT MREKULLI…

0
542

Na ka bërë shpesh vaki të dëgjojmë për disa ngjarje apo të shohim shfaqje e foto të cilat qarkullojnë në mesin e besimtarëve si mrekulli të Zotit, si p.sh, një luan i futur në kafaz që dukej sikur thoshte Allah me ulërimën e tij, pllaja mali, kokrra vezësh, degë dhe trungje pemësh, perime e fruta të prerë në gjysmë apo larat e kafshëve të ndryshme, që dukeshin sikur paraqitnin emrin Allah në arabisht apo Muhamed…etj…etj.

Para se flasë për temën që mban titulli i këtij shkrimi, më duhet detyrimisht, për të mos keqkuptuar atë që do të them më pas, të bëjë disa pohime që kanë të bëjnë me bazat e besimit tonë e të cilat as unë dhe as një mysliman tjetër nuk duhet t’i vërë në dyshim.

Së pari, çdo besimtarë në Zot duhet të besoj dhe të jetë i bindur plotësisht se Zoti është i Plotfuqishëm dhe se Ai bën çfarë të dojë dhe si të dojë dhe kur të dojë, asgjë nuk është e pamundur për Të, dhe pikërisht për të rrënjosur këtë besim Allahu e përsërit këtë gjë në Kuran në mbi njëzet sure në më shumë se tridhjetë ajete, ku Ai thotë shkoqur dhe qartë: “Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë”.

Së dyti, e gjithë bota që ne shohim dhe ajo që nuk shohim është krijesë e Zotit dhe si e tillë ajo i nënshtrohet ligjeve të Tij, ndaj asgjë që ndodh në këtë botë nuk del jashtë ligjeve të Tij, edhe pse mund të ketë gjëra të cilat janë të panjohura apo të pashpjegueshme për njerëzit, të cilat dalin jashtë njohurive të kufizuara njerëzore, ato në thelb nuk dalin jashtë të gjitha ligjeve që Zoti ka vendosur. Kjo natyrisht që ka lidhje me besimin se gjërat në këtë botë ndodhin në bazë të ligjit të shkak-pasojës dhe se asgjë nuk del jashtë këtij ligji të Zotit. Kjo është akidja e shumicës së myslimanëve, e ehli suneh uel xhemah, në dallim me disa sekte kelamiste që besojnë ndryshe.

Së treti, ne besojmë në ekzistencën e mrekullive, se ato kanë ndodhur dhe ndodhin e nuk janë ndërprerë dhe se -kur ato janë autentike- janë një provë e rëndësishme e Zotit për njerëzit. Ashtu siç besojmë gjithashtu se jo çdo fenomen i jashtëzakonshëm është një mrekulli nga Zoti, por mund të jetë një mashtrim, iluzion, magji apo fenomen i përshkallëzuar (istridraxh) i mundësuar për të vënë në sprovë njerëzit, siç është rasti me ndodhitë që do të shoqërojnë dexhalin kur ai të shfaqet. Kriteri i vetëm matës për të bërë dallimin ndërmjet këtyre gjërave është pajtimi ose jo me Kuranin dhe Sunetin, i asaj që ndodh dhe në duart e atij që ndodh. Me këtë rast kujtojmë fjalën e imam Shafiut i cili thoshte se nuk i besonte askujt edhe nëse ai ecte mbi ujë apo fluturonte në qiell, nëse nuk e shihte atë t’i përmbahej Kuranit dhe Sunetit.

Veç kësaj këtu nuk mund të lë pa përmendur faktin, që për fat të keq shumë prej besimtarëve nuk e dinë, se që një ndodhi të quhet mrekulli, ajo duhet të jetë tepër e qartë dhe sfiduese, e tillë që të mos ketë mundësi të hidhet poshtë apo vihet në dyshim për shkak të paqartësisë së saj. Kështu pra tendenca që shohim sot tek disa muslimanë për të zbuluar emrin e Allahut apo të Profetit nëpër konfigurime që formohen nga vija të ndryshme në formë damarësh nëpër objekte të ndryshme është tepër mjerane, sepse të tilla “shkrime” shpesh herë nuk janë qartësisht të lexueshme dhe shumëkush nëse i sheh i pa motivuar dhe i painformuar më parë, nuk do tu bënte asgjë përshtypje për t’i tërhequr vëmendjen, mirëpo pasi dikush “e sheh të veçantën” e saj dhe ua tregon të tjerëve si të tillë, atëherë në këtë rast leximi dhe vëmendja apo vështrimi i saj bëhet subjektiv nga të tjerët, duke mos marrë parasysh pjesën tjetër të konfigurimit, por duke u fokusuar në mënyrë të njëanshme vetëm tek pjesa e “mrekullisë”. Pra kjo në fakt nuk është vetëm se një vetëmashtrim, për shkak të një efekti psikologjik që ndodh për shkak të motivimit për të parë një mrekulli. Kështu që mrekullia duhet të jetë patjetër e qartë e të japë një mesazh të qartë e të lexueshëm për të gjithë ata që e shohin, pa pasur nevojën e një procesi motivimi të tillë, aq sa vetëm nga një njeri mohues, i verbër në shpirt e kryeneç mund të mohohet. Duke u nisur nga kjo që thamë shfaqje të tilla jo që nuk janë mrekulli, por është turp dhe mungesë serioziteti të trumbetohen si të tilla.

Së katërti, Allahu e ka shfaqur Veten e Tij për ne si krijesa nëpërmjet shenjave apo argumenteve të Tij, këto shenja janë ekzistenciale/kozmologjike dhe fetare. Të parat janë gjithçka që ne shohim, qielli dhe toka, njerëzit, kafshët dhe bimët, ujërat, detet, oqeanet, liqenet, lumenjtë, shiu, yjet dhe planetët, dielli, hëna, jupiteri, marsi etj… etj… Allahu thotë në Kuran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që zbret Allahu prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” (el-Bekare: 164)

Këto shenja janë kaq të mëdha e të lexueshme nga njerëzit sa do të mjaftonin për çdo njeri me mendje të hapur dhe objektiv të besonte në Zot. Ndërsa argumenti i dytë apo shenjat fetare janë librat e Zotit, duke filluar që nga i pari deri tek i fundit, Kurani. Nëse bota është libri i shenjave të Zotit, Kurani dhe të ngjashmit me të janë Libri i fjalëve të Zotit, ku që të dy janë argumente që flasin për Krijuesin.

Së pesti, Kurani mbetet mrekullia më e madhe që Allahu i dhuroi Profetit Muhamed (alejhi salatu ue selam). Natyrisht që ne besojmë edhe në mrekullitë e tjera që Allahu i dhuroi Profetit tonë gjatë jetës së tij, ato të cilat provohen se janë autentike, si p.sh, vajtimi i trungut të palmës mbi të cilin Profeti (alejhi salatu ue selam) mbante hutbet, shumëfishimi i ushqimit të pakët apo ujit, etj, por gjithsesi mrekullia më e madhe e tij e asaj kohe dhe e sotme ngelet Kurani, ndaj dhe Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Çdo Profeti i janë dhënë argumente të atilla saqë prej tyre do të besonte mbarë njerëzimi. Por, mua më është dhënë zbulesa hyjnore (uahji) të cilën Allahu ma shpalli, ndaj shpresoj që të jem Profeti që do të ketë më shumë ndjekës Ditën e Kiametit.” (Buhariu & Muslimi)

Këto fjalë të Profetit (alejhi salatu ue selam) tregojnë qartë se nga do të vijnë argumentet më të rëndësime dhe më të forta që do t’i bëjnë njerëzit të besojnë tek Zoti dhe në këtë fe.
Por, le t’i kthehemi edhe njëherë pikës të argumenteve që Allahu ka shpalosur në krijimin e Tij, për të cilat Ai na tërheq vazhdimisht vëmendjen në Kuran, si p.sh.: “Hâ, Mîm. Ky Libër është shpallur prej Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Urtit! Me të vërtetë, në qiej dhe në Tokë ka shenja për ata që besojnë. Edhe në krijimin tuaj dhe të kafshëve të shpërndara nëpër Tokë, ka shenja për besimtarët e bindur. Edhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, edhe në ujin që Allahu e zbret nga qielli, duke gjallëruar nëpërmjet tij tokën e shkretuar, edhe në ndërrimin e erërave, ka shenja për njerëzit që mendojnë. Këto janë shpalljet e Allahut, të cilat Ne t’i tregojmë ty me tërë të vërtetën. Atëherë, në çfarë fjalësh të tjera do të besojnë ata, nëse mohojnë Allahun dhe shenjat e Tij?!” (El-Xhathije 1-6)

Në këto ajete Zoti e thotë qartë se nëse njerëzit nuk u besojnë shenjave të Tij në këtë gjithësi -që Ai përmend këtu- dhe as argumenteve të Tij në këtë Kuran, atëherë çfarë argumentesh të tjerë ata do tu besojnë?!

Përkundrazi! Ata njerëz që kërkojnë argumente dhe mrekulli të tjera, në fakt duket se çojnë ujë në mullin e jobesimtarëve të mëparshëm, që kërkonin nga Profetët e tyre mrekulli të një natyre krejt tjetër për të besuar, siç i kërkuan këtë edhe nga Profeti ynë “Ata thonë: “Ne nuk do të të besojmë (o Muhamed), derisa të bësh, që të shpërthejë nga toka një gurrë uji për ne, ose, derisa të kesh një kopsht hurmash dhe rrushi, nëpër të cilin të rrjedhin lumenj ose, derisa ta bësh qiellin të bjerë copa mbi ne, siç ke thënë ose, derisa të sjellësh Allahun dhe engjëjt para nesh; ose, derisa të kesh shtëpi prej ari ose, derisa të ngjitesh në qiell. Ne nuk do të të besojmë, edhe sikur të ngjitesh në qiell, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë”. Thuaj: “I Përlëvduar qoftë Zoti im! Unë nuk jam tjetër, veçse njeri – i dërguar”!” (El-Isra: 90-93)

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët,për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al-imran: 190-191)

Kështu pra mrekullitë e Zotit janë kaq të gjalla, madhështore dhe të pranishme mes nesh, sa që të kërkosh mrekulli të tjera për të provuar besimin në Zot apo vërtetësinë e Islamit tek konfigurime damarësh e vijash që formohen në një domate të kalbur, që pas prerjes u duka se qenka shkruar në të Allah në arabisht, apo tek vija të ngjashme nëpër male e kodra, e nëpër kafshë të ndryshme, nuk tregon në fakt vetëm se krizë besimi që i ka kapluar njerëzit, krizë intelekti dhe meditimi, që edhe pse besojnë në Zot shkojnë e u bien pas çikërrimave të tilla, shpesh edhe banale e abuzive, tamam si ai që kërkon të gjejë rrugën në mes të ditës me diell, nga drita e fishkur e një qiri të largët!

Kështu pra, fakti që edhe një pjesë e besimtarëve bien në një nivel të tillë ngjashmërie me jobesimtarët e dikurshëm, tregon se çfarë krize besimi në Zot përjetojnë sot njerëzit. Në fakt këta njerëz veç mangësisë së dijes në njohjen e fesë dhe nivelit të mjeruar të arsyetimit e të qasjes ndaj këtyre fenomeneve, dëmin më të madh ia bëjnë besimit dhe fesë së tyre me imazhin që ata japin në sytë e atyre që nuk besojnë dhe që kanë njëfarë niveli intelektual në të kuptuarit e gjërave. Këta besimtarë nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se me padijen e tyre u “provojnë” këtyre të pafeve se besimi në Zot nuk është vetëm se besëtytni të kota dhe broçkulla me okë, të denja për tu tallur me to! A ka shërbim më të keq sesa kjo që mund t’i bëj dikush besimit të tij?! E për më tepër i hapin rrugën edhe idhujtarëve dhe gjithëfarë besimesh të kota të kenë mundësi “të provojnë” fetë e tyre me të tilla “argumente”! Pse jo?! “O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për jobesimtarët dhe falna ne, o Zot. Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (el-Mumetehine: 5)

Allahu thotë: “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?! Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit dhe bëmë lugina dhe rrugë për të udhëtuar në to. Ne e bëmë qiellin mbulesë të mbrojtur, por përsëri ata shmangen nga shenjat që gjenden aty.” (El-Enbija: 30-32)

Pra nëse ka njerëz që nuk u besojnë argumenteve madhështore të Zotit në këtë botë, atëherë mos prisni ju o myslimanë që ata tu besojnë këtyre gjërave qesharake, ndaj të cilave një besimtarë i mirë duhet të rrijë larg. Kur jobesimtarët e dikurshëm nuk u besonin as mrekullive që sillnin Profetët e Allahut, e si atëherë do tu besojnë këtyre gjërave -që disa besimtarë na i trumbetojnë si mrekulli të mëdha- jobesimtarët e sotëm që janë shumë herë më të sofistikuar?! A nuk e lexojnë ata në Kuran se Allahu për të tillë njerëz thotë: “Ata nuk e besojnë atë, me gjithë shembujt e popujve të kaluar.” E madje Allahu thotë: “Edhe sikur Ne të hapnim një derë të qiellit dhe të ngjiteshin nëpër të, ata me siguri që do të thoshin: “Sytë tanë kanë qenë të shushatur, madje na kanë magjepsur”!” (el-Hixhr: 13-15) E sipër të treguar se kush janë argumentet e qarta të Zotit në këtë botë për shkak të të cilave njerëzit duhet të besojnë, Allahu në ajetet në vazhdim të sures së cituar, u rikujton edhe njëherë njerëzve se është Ai që ka krijuar qiellin dhe yjet, tokën dhe gjithçka jeton në të, njeriun dhe ujin, e se është Ai që dhuron jetën dhe e merr atë etj; atëherë si është e mundur që disa myslimanë sot nuk ndjekin shembullin që Zoti i tyre u jep në Kuran?!
Nëse do të zgjatesha, do të detyrohesha të citoja me dhjetëra ajete të tjera ku Allahu u shpalos njerëzve të tilla argumente për besimin në Të, por besoj se edhe kaq është e mjaftueshme. Fatkeqësia e jonë sot është se e nuk e lexojmë Kuranin dhe nuk i jetojmë fjalët e Zotit në të, ndryshe nuk ka sesi shpjegohet një përkushtim kaq i madh nga një pjesë e besimtarëve ndaj të tilla “argumenteve”! E për më tepër edhe kur i këshillon disa prej tyre nuk heqin dorë, por replikojnë me arsyetime pavlerë me këshilluesin, duke i hedhur ndonjëherë edhe akuza banale dhe ironi fyese, siç mund të bëjnë edhe me këtë shkrim kur ta lexojnë.

Një problem tjetër që shfaqet në vazhdën e këtyre të ashtuquajturave mrekulli është se shpesh ngjarje apo fenomene të tilla rezultojnë mbas verifikimit ngjarje jo-autentike apo keqkuptime banale apo për fat të keq edhe gënjeshtra të mirëfillta. Le të marrim si shembull disa prej tyre. Shumë prej nesh ka dëgjuar se njeriu i parë që zbriti në hënë ka dëgjuar ezanin muhamedan në të dhe se kur atij i ra rasti njëherë të shkonte në një vend musliman u ndesh me të njëjtën gjë që kishte dëgjuar në hënë, e kjo u bë shkak që ai të futej në Islam.

Tani së pari, mund të thuhet se ne besojmë në mrekulli dhe se Allahu bën çdo gjë, mirëpo a mjafton kjo për të besuar se diçka e tillë konkrete ka ndodhur? Të besosh se ndodhin mrekullitë nuk do të thotë të besosh çdo gjë që thuhet, nëse ajo nuk provohet të jetë autentike, ashtu siç edhe të mos u besosh ndodhive të tilla përderisa të provohet autenticiteti i tyre, nuk mund të damkosesh padrejtësisht se nuk beson në shfaqjen e mrekullive dhe se u ngjan skeptikëve apo atyre që dyshojnë për çdo gjë.
Ne si myslimanë jemi umeti i vetëm në historinë e njerëzimit të cilët kemi zhvilluar si askush tjetër më parë dijen e verifikimit të autenticitetit të ngjarjeve. Është e vërtetë se kjo dije fillimisht lindi për të verifikuar saktësinë dhe origjinalitetin apo ndryshe autenticitetin e thënieve të Profetit tonë (aleji salatu ue selam), por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të praktikohet në një masë të caktuar edhe për ngjarjet e tjera historike, qofshin këto edhe të ditëve tona. Ne kemi shembuj të shumtë se një praktikë e tillë edhe pse e kufizuar është ndjekur nga dijetarët e Islamit në shumë disiplina të tjera veç atij të hadithit, kështu që e njëjta gjë pak a shumë duhet proceduar edhe në rastin konkret. Ku e ka burimin ky lajm dhe sa të sigurta janë ato?

Me gjithë përhapjen e madhe që ka ky lajm, e vetmja gjë që kam konstatuar deri më sot –nëse dikush di më tepër është i lutur të më informoj- nga dy burime të ndryshme është se, ky lajm është botuar në një gazetë malejziane. Mirëpo kurrkund nuk thuhet se nga e ka burimin ky lajm? Askush nuk citon vetë Nil Amstrongun -që për fat të mirë është akoma gjallë në momentin që po shkruajmë këto rreshta- të na tregojë këtë histori nga goja e tij, e për më tepër që sipas kësaj legjende urbane ai është bërë mysliman?! Do të ishte vërtetë diçka tepër interesante që këtë ngjarje ta dëgjonim nga goja e vetë protagonistit, mirëpo diçka e tillë deri më sot kurrë nuk e kemi dëgjuar dhe as parë!!! Në këtë rast tamam vlen ajo shprehja e urtë që thotë: Ç’më kërkon gjurmët kur ja tek e ke ujkun! Kështu që për shumë kohë për mua kjo ngjarje mbeti diçka e pa provuar derisa para disa kohësh më bie rasti të lexoj një intervistë të shkencëtarit musliman egjiptiano-amerikan Faruk El-Baz, një nga njerëzit kryesor të NASA-s që përgatiti dhe trajnoi ekipin që shkoi për herë të parë në Hënë. Dhe kur z. Faruk -njeriu më i afërt me Amstrongun sesa miliona muslimanë të tjerë- u pyet nga intervistuesi rreth kësaj ngjarje ai shpjegoi se nuk dinte që kjo të kishte ndodhur dhe as kurrë nuk kishte dëgjuar nga Amstrongu apo dikush tjetër që ai të kishte dëgjuar ezanin në hënë dhe se ai ishte bërë musliman! Madje ai aludoi se ndoshta kjo gjë mund të ketë ndodhur për shkak të një keqkuptim për shkak të përshëndetjes me Es-selam Alejkum, që bëri një nga anëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes Apollo kur ata mbërritën në Hënë, për respekt ndaj tij. Z. Faruk tregon se astronauti në fjalë kërkoi prej tij para se të nisej se çfarë mund të bënte ai për të në shenjë respekti ndaj gjithë atij mundi që ai kishte dhënë, dhe z. Faruk i kishte kërkuar që ta përshëndeste prej andej në gjuhën e tij, pra me Es-selam alejkum. E ndoshta është pikërisht kjo fjalë arsyeja që i ka dhënë fill gjithë kësaj legjende urbane të përhapur në mes muslimanëve që nga Maroku deri në Indonezi. Kjo që thashë është lehtësisht e verfikueshme nëse kërkoni në internet. Imagjinoni tani se çfarë imazhi të shëmtuar dhe gënjeshtar përhapin muslimanët duke përcjellë gojë mbas goje këtë të pavërtetë. “Mjafton për një njeri që të thuhet se gënjen, nëse flet me çdo gjë që dëgjon.” –thotë Profeti (aleji salatu ue selam)- (trs. Muslimi).

Le të marrim një shembull tjetër. Para ca kohësh një tjetër legjendë urbane u përhap mes muslimanëve se gjoja një vajzë në një vend arab paska përdhosur Kuranin dhe më pas Allahu e paska shpërfytyruar atë në pamjen e një njeriu që më shumë i ngjante një qeni! Dhe madje për këtë gjë na tregohej edhe një foto si argument! Nga verifikimet e mëtejshme dilte se kjo foto nuk ishte gjë tjetër veçse pamje e një vepre arti bashkë me disa të tjera të ngjashme me të në një ekspozitë të hapur diku në një vend të botës.
Raste të tilla nëse do t’i vihemi verifikimit do të gjejmë për fat të keq me dhjetra. P.sh. ne e dimë se dikur kanë ekzistuar njerëz me trup të mëdhenj, sepse të paktën dimë që Ademi, babai ynë i përbashkët ishte me trup të madh, siç thuhet në hadithet autentike të Profetit (aleji salatu ue selam), mirëpo kjo nuk do të thotë që për të provuar ekzistencën e tyre të sajohen mashtrime fotografike me anë të manipulimeve me programe kompjuterike për të provuar këtë gjë, fakt ky që fatkeqësisht më ka rënë rasti ta ndesh shpesh në internet. Apo edhe plotë raste të tjera që ulërijnë që janë gënjeshtra, si guri që gjoja qëndron në ajër etj…etj…
Nëse të tilla gjëra janë vepër e jobesimtarëve, për tu tallur me ata që besojnë, atëherë tregon vërtetë nivelin e ulët intelektual të atyre që i besojnë këtyre mrekullive false pa i verifikuar, e për më tepër të kujton hadithin e Profetit (aleji salatu ue selam) që tregon sesa lehtë shumë njerëz do të bien preh e mashtrimeve të dexhalit, ndërkohë që ky mashtrues do të jetë shumë më aftë sesa të merret me të tilla trike të afta për të mashtruar vetëm çiliminjtë.
Por, nëse të tilla mashtrime bëhen nga besimtarët –gjë që lus Allahun të mos ndodh- për të provuar të vërtetën e tyre të besimit me të tilla gënjeshtra, siç bënin dikur disa njerëz që sajonin hadithe për të mbështetur fenë, atëherë më duhet t’iu kujtojë atyre të gjitha ajetet dhe hadithet që kanë ardhur për të dënuar e denigruar gënjeshtrën dhe ata që gënjejnë, e që janë me dhjetëra. Mirëpo këtu do të citoj vetëm një hadith të Profetit (aleji salatu ue selam) e që ka të bëjë jo me vetë gënjeshtarët, por me ata që i përcjellin këto gënjeshtra: “Kush tregon diçka të cilën ai e sheh se është gënjeshtër, atëherë ai është njëri prej gënjeshtarëve.” (Trs. Muslimi)

Për të mos u zgjatur më tej më duhet të përsëris se jo vetëm lajmet që jepen kundra Islamit dhe muslimanëve duhet të hyjnë në sitën e verifikimit të vërtetësisë, por edhe ato që janë në favor të tyre, mes tyre padyshim edhe këto “mrekulli” që na shfaqen aty dhe këtu apo që pretendohen për gjithë farë evlijash të vërtetë apo të rremë.

Marrë nga http://lidhjahoxhallareve.com

Justinian Topulli

Burimijetes.com