SHTËPIA ISLAME

0
564

Lavdërimi i takon Allahut, e lartëson atë që i bindet dhe i nënshtrohet, e poshtëron atë që e mëkaton. Ai na mbulon me dhuntitë e Tij të njëpasnjëshme dhe begatitë e vazhdueshme. Atë e lavdëroj dhe e falënderoj. Kush e shpreson Atë, Ai i mjafton, kush i mbështetet Atij, Ai e ushqen dhe ia shuan etjen. Nuk ka zot tjetër pos Tij, Ai është i Vetëm dhe i pashoq.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Pejgamberin, të cilin Allahu e nderoi dhe e zgjodhi me mesazhin, për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet, Allahu i Madhërishëm na ka begatuar me begati të shumta, me dhunti të mëdha, të cilat nuk mund t’i numërojnë numëruesit e as t’i regjistrojnë regjistrat e llogaritësve.

Prej begative më të mëdha të Allahut të Lartësuar është edhe ajo se i ka bërë për njerëzit shtëpi, në to banojnë dhe pushojnë, prej të ftohtit ngrohen, nga të nxehtit freskohen, nga shikimet mbulohen, nga armiqtë mbrohen, në të strehohen dhe pasuritë dhe nderet e tyre i ruajnë.

Këto shtëpi kanë çështje të shumta, gjendje të ndryshme, sekrete të fshehura, për të cilat kjo fe është kujdesur me kujdes të veçantë nga aspekti i ndërtimit, edukimit dhe zhvillimit. Me disa nga këto çështje do të ndalemi në ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Shtëpia – vëllezër dhe motra të nderuar – është një shoqëri e zvogëluar në të cilën bashkohen shpirtrat në dashuri dhe mëshirë, siguri dhe pastërti, jetë të ndershme dhe mbulesë, në gjirin e së cilës rriten fëmijët dhe zhvillohen ngjarjet, shtrihen marrëdhëniet me të afërmit, forcohen lidhjet e solidarizimit dhe miqësisë, shpirtrat lidhen me shpirtrat, zemrat bashkohen me zemrat.

Nën hijen e këtyre lidhjeve koherente, shtëpive të banuara, kultivohen vetitë fisnike, formohen burrat që do ta drejtojnë Umetin, edukohen gratë të cilat do të jenë të sigurta dhe të besueshme. Në shtëpi rriten lulet dhe ajka e rinisë në një ambient të mbushur me dashuri dhe mëshirë, mirëkuptim dhe bashkëpunim, që jetojnë nën hijen e atësisë dhe dhembshurinë e butësinë e amësisë.

Në shtëpi zhvillohen pasardhës të mirë dhe të dobishëm, prej fryteve të së cilëve janë edhe dobia e fëmijëve dhe bamirësia ndaj nënave dhe baballarëve. Shtëpia është shkollë që rrit brezat, nxjerr dijetarë, prijës dhe trima. Shtëpia është begati e madhe, vlerën dhe meritën e të cilës nuk e dinë përveç atyre që e kanë humbur atë, ose ai që i sheh ata që jetojnë në jetimore dhe në rrugë, ose në trotuaret e rrugëve, ose në kampe të përkohshme – sikur në vendet e shumta të botës – të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga qielli, i ekspozohen të nxehtit dhe të ftohtit, i djeg dhe i përvëlon nxehtësia e diellit, i dëmton ashpërsia e ftohtit të madh. Ai që i sheh të tillët dhe të ngjashëm me ta ose dëgjon për ta, arrin të kuptojnë begatinë e madhe të Allahut në shtëpinë, i drejtohet Allahut duke e falënderuar dhe lavdëruar, me fjalë dhe me vepra, fshehurazi dhe haptazi, e zgjat dorën e tij për tu solidarizuar me vëllezërit e tij muslimanë ndërsa me falënderim zgjasin begatitë.

Ndalesa e dytë:

Kjo shtëpi e cila përfaqëson shoqërinë e zvogëluar në Islam ka një pozitë të lartë dhe rëndësi të madhe. Islami i ka kushtuar kujdes dhe i ka caktuar dispozitat, të cilat muslimani duhet t’i zbatojë dhe të sillet në hijen e tyre. Islami ka nxitur në rregullimin dhe ndreqjen e çështjeve të saj dhe kujdesin ndaj saj, sepse me përmirësimin e saj përmirësohet edhe shoqëria ndërsa me prishjen e saj, shoqëria i ekspozohet humbjeve të mëdha. Islami e ka bërë burim të mirësisë dhe përmirësimit e rregullimit.

E si të mos jetë kështu kur Allahu i Lartësuar, të zotin e shtëpisë e ka bërë përgjegjës për veten dhe për familjen e tij duke i ruajtur ata nga zjarri:

“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”(Tahrim, 6)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka sqaruar madhështinë e kësaj përgjegjësie të kujdestarit dhe mbrojtësit të shtëpisë. Shënon Nesaiu dhe Ibën Hibani me sened të saktë se Pejgamberi i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për atë që ka pasur në përkujdesje: A e ka ruajtur atë apo e ka humbur? Do ta pyesë edhe njeriun për anëtarët e familjes së tij”[1]

Atëherë, një ndalesë meditimi nga çdo përgjegjës i familjes së tij, në mënyrë që të kujdeset për këtë përgjegjësi dhe ta kryejë atë më së miri, me qëllim që të mos e ekspozojë këtë shtëpi drejt asaj që e shkatërron ose e prish atë.

Ndalesa e tretë:

Shtëpia e muslimanit dallohet nga shtëpitë tjera nga aspekti i formës dhe i përmbajtjes, haptazi dhe fshehurazi, specifikat e saj janë të veçanta, edukata e saj është e lartë. Prej specifikave më të rëndësishme janë: Mbulimi dhe ruajtja e saj nga shikimet, kush banon në të është i sigurt nga njohja e të tjerëve për të metat dhe fshehtësitë e tij, në të nuk hyjnë jashtë banorëve të saj përveçse me leje:

“O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin! Nëse atje nuk gjeni askënd, mos hyni derisa t’ju lejohet e, në qoftë se ju thuhet “Kthehuni”, atëherë kthehuni! Kjo është më e mirë për ju. Allahu e di se çfarë bëni ju.”(Nur, 27-28)

Prej specifikave është edhe: Në ndërtimin e saj të kihet parasysh ndarja e vendeve të burrave dhe të grave, me qëllim që të realizohet mbulimi dhe rehatia për të dy palët.

Prej specifikave: Nevojtoret të mos jenë të drejtuara të drejtim të kibles, sepse është transmetuar në hadith të vërtetë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush ulet për të kryer nevojën, të mos kthehet në drejtim të kibles e as të mos ia kthejë shpinën asaj.”[2]

Prej gjërave të rëndësishme: Të shikohet vendi dhe pozita e shtëpisë me qëllim që të jetë afër xhamisë aq sa ka mundësi, në mënyrë që të mos dembeloset për kryerjen e namazit me xhemat si dhe fëmijët e tij të edukohen në vizitën e vazhdueshme të xhamisë.

Një çështje tjetër: Të ketë parasysh dhe të zgjedh fqinjin e mirë për fqinjësi, sepse i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, në lutjen e tij ka kërkuar mbrojtje nga Allahu nga fqinji i keq. Shënon Hakimi dhe hadithin e vlerëson të saktë se Pejgamberi i Allahut është lutur: “O Allah! Të kërkoj mbrojtje nga fqinji i keq në vendqëndrim sepse fqinji i shkretëtirës ndryshon”[3]

Ndalesa e katërt:

Ashtu siç preferohet që forma dhe pamja e shtëpisë të ketë karakteristika të caktuara dhe të veçanta, për muslimanin duhet që shtëpia e tij të jetë shembull i shkëlqyer dhe i mrekullueshëm për mirësinë, përmirësimin dhe ndreqjen. Shembull për të mirën dhe të dobishmen, për lumturi dhe shpëtim, për këtë ekzistojnë faktorë të shumtë që e bëjnë të tillë, ndërsa në krye të këtyre faktorëve qëndron: Ndërtimi i raporteve ndërmjet bashkëshortit dhe bashkëshortes mbi dashurinë dhe mëshirën kështu që me ta të realizohet fjala e Allahut të Lartësuar kur thotë:

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”(Rrum, 21)

Allahu i Lartësuar ka thënë: “që të qetësoheni pranë tyre”, e nuk ka thënë: “që të qetësoheni me to”, gjë që vërteton domethënien e qëndrueshmërisë në sjellje, qetësi në ndjenja, rehatia dhe qetësia realizohet në format më të larta të tyre.

Secili bashkëshort në strehimin e tij gjen qetësi në rast shqetësimi, përzemërsi e përkëdhelje në raste vështirësish, gëzim në rast pikëllimi, shpëtim dhe çlirim në raste mërzish, nëse gjendja qenka kësisoj, atëherë shtëpia bëhet shkollë për zhvillim, në të cilën edukohen djemtë dhe vajzat mbi cilësitë e mira dhe vepra fisnike, kjo nuk mund të realizohet përveç se nën hijen e butësisë së amësisë dhe atësisë. Nga këtu, Islami ka urdhëruar për përzgjedhjen e mirë të bashkëshortit bashkëshorten e tij dhe peshojë të kësaj e ka bërë fetarinë dhe mirësjelljen.

Prej faktorëve të shtëpisë së virtytshme dhe të sigurt: Është që shtëpia të jetë shtëpi e imanit dhe e Kur’anit, shtëpi e të përmendurit të Allahut dhe e lutjes, shtëpi e namazit dhe e agjërimit. Imam Muslimi shënon nga Ebu Musa, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Shembulli i shtëpisë, në të cilën përmendet emri i Allahut dhe i shtëpisë ku nuk përmendet është sikurse shembulli i njeriut të gjallë dhe të vdekur.”[4]

Gjithashtu Muslimi shënon se Pejgamberi i Allahut ka thënë:

“Nëse një person kur hyn në shtëpi përmend emrin e Allahut dhe kur ha po ashtu, shejtani i thotë shoqëruesve të tij: “Nuk kemi ku ta kalojmë natën e as ushqim nuk ka” por nëse ai nuk e përmend Allahun kur hyn në shtëpi, shejtani thotë: “Kemi gjetur një vend ku të kalojmë natën’ dhe nëse nuk përmend Allahun ndërsa nis të hajë shejtani thotë: ‘Kemi gjetur të dyja, edhe vendin për të kaluar natën por edhe ushqimin”[5]

Gjithashtu ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varre, shejtani largohet nga ajo shtëpi e cila lexohet në të surja Bekare.”[6]

Po ashtu Muslimi shënon se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“O njerëz, faluni në shtëpitë tuaja. Vërtet namazi më i vlefshëm është kur njeriu falet në shtëpinë e vet, përveç namazeve të obliguara (farz).”[7]

Prej faktorëve të shtëpisë së virtytshme dhe të sigurt: Të jetë shkollë në të cilën pasardhësit do të edukohen mbi dijen e dobishme dhe moralin e mirë, i vogli mëson nga i rrituri, djemtë dhe vajzat nga baballarët dhe nënat, mësojnë dijen bashkë me punën. Dahaku dhe Mukatili, Allahu i mëshiroftë, kanë thënë: “Është e drejtë dhe obligim i muslimanit që t’i mësojë familjen e tij dhe të afërmit e tij me çka i ka obliguar Allahu atyre dhe çka i ka ndaluar”.

Taberiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ne kemi obligim t’i mësojmë fëmijët tanë dhe familjen tonë fenë, mirësinë dhe atë çka është e domosdoshme nga edukata”.

Prej gjërave që ndihmojnë në mësim: Sigurimi i një librarie të përshtatshme në shtëpi që i posedon librat e dobishme, në të t[ ketë literaturë që i përshtatet të voglit dhe të rriturit, burrave dhe grave, fillimisht nga Libri i Allahut të Lartësuar (Kur’ani), Suneti i Pejgamberit të Zotit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, dhe biografia e tij e bekuar.

Në krye të faktorëve të përmirësimit të shtëpisë: Qenie e saj burim i edukimit dhe zhvillimit të imanit, devotshmërisë dhe mirësjelljes. Prej gjërave që më së shumti ndihmojnë në këtë është që: Prindërit të jenë shëmbëlltyrë e mirë në shtëpi për pasardhësit, shëmbëlltyrë në adhurim dhe në mirësjellje, model në fjalë dhe në vepra, model në sjelljet dhe veprimet, shembull në dukje dhe në njoftim ngase prej specifikave të fëmijërisë është imitimi dhe ndjekja. Në shtëpinë e muslimanit fëmija nuk duhet të sheh veçse vepër të mirë, nuk duhet të dëgjojë veçse fjalë të bukur.

Ndalesa e pestë:

Fakti që e karakterizon shtëpinë muslimane është se fshehtësitë e saj janë të ruajtura, mospajtimet e saj janë të kufizuara, privatësitë janë të mbuluara, ato nuk duhet të shfaqen dhe të përhapen me qëllim që të ruajë ekzistencën e saj dhe moslëkundjen e saj.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, shënon se Pejgamberi i Allahut ka thënë: “Me të vërtet, njerëz me pozitë më të keqe tek Allahu në Ditën e Gjykimit janë ata që bëjnë marrëdhënie intime dhe e përhapin atë!”[8]

Ndalesa e gjashtë:

Shtëpia muslimane ka armiq të ndryshëm që kujdesen në lëkundjen e saj, cenimin e saj, paqëndrueshmërinë e saj dhe shkëputjen e lidhjeve të saja. Nuk gjendet ndonjë boshllëk i dobët vetëm se armiqtë e saj shpejtojnë të depërtojnë në këtë shtëpi. Prej këtyre boshllëqeve janë edhe: Zbraztësia e shtëpisë nga të përmendurit e Allahut të Lartësuar, nga namazi dhe e mbushur me gjëra argëtuese, fotografitë, qentë, jobesimtarë e jobesimtare e të ngjashme me këto, shndërrimi i saj në vatër të djajve ose shfaqja e mospajtimeve familjare, paqëndrueshmëria dhe rehatia në të, të gjitha këto dhe të ngjashme si këto konsiderohen vendkalim dhe korridor për armiqtë e shtëpisë muslimane.

Kujdesu – vëllai im musliman – për mbylljen e tyre dhe mos’hapjen e mundësive për depërtimin përmes tyre. Allahu e mëshiroftë atë që ka thënë: “Shejtani kur arrin të shkëpusë lidhjet e shtëpisë dhe të familjes, ai nuk e shkatërron vetëm shtëpinë, nuk shkakton të keqe të kufizuar, por ai e fut tërë Umetin në tmerr dhe në të keqen që përhapet gjithkund. Allahu pastë mëshirë mbi atë njeri me biografi të lavdëruar, me nijet të mirë, të lehtë e të butë, të mëshirshëm ndaj familjes së tij, të vendosur në çështjet e tij, nuk ngarkon me padrejtësi, nuk tregohet neglizhues në përgjegjësinë. Dhe Allahu pastë mëshirë mbi atë grua që nuk hulumton gabime, nuk është e zhurmshme por e mirë, e devotshme, e dëgjueshme, që ruan fshehtësinë që ka urdhëruar Allahu. Kini frikë Allahun o ju përgjegjës të shtëpive, bëni shtëpitë tuaja burim të dritës, shkëlqimit dhe të udhëzimit e mos i bëni ato fole të djajve dhe vendstrehim të armiqve të Gjithëmëshirshmit ngase Allahu do t’ju marrë në pyetje për atë që u ka dhënë në përgjegjësi”.

O ju muslimanë të nderuar!

Vërtet, Ramazani me dhuratat e tij të mira ngjall në shtëpi çdo gjë që çon drejt bashkimit dhe moslëkundjes së saj. Bëni Ramazanin pikënisje për përmirësimin e shtëpive dhe ndershmërinë e drejtësinë e familjes.

E lus Allahun e Lartësuar që të na përmirësojë ne dhe familjet tona, të na shpëtojë dhe të na falë mëkatet dhe gabimet tona. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi