Pyetje:
E përshëndes Hoxhën Shefqet. Kam një pyetje për të: Jam një djalë i ri, i pamartuar. I fali pesë kohët namaz, dhe të gjitha punët tjera i kam në rregull, përveç shikimit në haram. Kur jam në rrugë dhe shoh femra, e uli shikimin, por kur jam i vetëm në shtëpi, shikoj skena pornografike. Ju lutem, një këshillë që ta braktis këtë mëkat. Allahu ju ruajttë!
Përgjigje:
Transmeton Thevbani se i Dërguari i Allahut ka thënë [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]:
“Me të vërtetët unë i njoh disa pjesëtarë të Umetit tim, të cilët do të vijnë në Ditën e Kiametit me sevape të bardha e të mëdha sa Kodrat e Tihames e Allahu do t’ua bëjë hi e pluhur!”
Thevbani i tha: Na i përshkruaj, na i sqaro që të mos bëhemi prej tyre duke mos e ditur. I Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] u përgjigj:
”Ata janë vëllezërit tuaj dhe nga lëkura juaj, madje falen sikurse ju edhe natën, por se ata kur vetmohen me haramet – të ndaluarat e Allahut i veprojnë.” (Transmeton Ibën Maxhe)
I nderuari vëlla, këshillë më direkte dhe më të ndjeshme se ky hadith për çështjen tënde nuk ka, pra një gjë e tillë është haram. Dhe mos harro se: Dora bën zina, e zinaja e dorës është të prekurit. Syri bën zina, e zinaja e tij është shikimi. Veshët bëjnë zina, e zinaja e tyre është të dëgjuarit haram…, dhe kështu me radhë, derisa organi gjenital e realizon, e çon në vend krejt atë, apo e refuzon. E kjo çka je duke bëtë ti, i bie të jetë zina me sy.
Andaj kërkoj nga ti, dhe nga çdo njeri që është sprovuar me atë që je sprovuar ti: Të meditoni rreth këtij hadithi kaq prekës e kaq të ndjeshëm, dhe të pendoheni sa më parë. Me plot të drejtë kanë thënë dijetarët: Mos e konsidero Allahun shikuesin më të thjeshtë. Allahu e fisnikëroftë shpirtin tënd me çdo virtyt të mirë dhe ta pastroftë atë nga çdo ves e vepër e ultë dhe e ligë.
Allahu e di më së miri!
Dr. Shefqet Krasniqi