Pyetje: Jam mbuluar tash një muaj, por nuk i di disa rregulla, kënd kam të drejtë ta përshëndes me dorë nga meshkujt, para kujt kam të drejtë të dal pa shami. Unë punoj me fëmijë deri në katër vjeç dhe nuk kam asnjë lidhje familjare me ta, ata janë mësuar të më shohin pa shami, a mund të rri me ta pa shami? Allahu ju shpërbleftë.
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…
Të uroj për mbulesën që ke vënë dhe e lus Allahun të të forcojë në këtë rrugë, e cila po luftohet nga të gjitha anët, e së fundmi me itenzitet edhe më të madh nga njerëz të gjuhës sonë. Shembulli yt dhe i shumë motrave tjera që po mbulohen është argument se betejat e tyre janë të humbura që në këtë dynja ndërsa në botën tjetër, Allahu do t’i jep atyre atë që meritojnë ndërsa besimtarët do t’i bëjë të lumtur me mëshirën e Tij.
Njerëzit me të cilët ke të drejtë të përshëndetesh për dore janë të njëjtit ata të cilët kanë të drejtë të të shohin pa shami, por kush janë ata? Allahu i Madhërishëm këtë e shpjegon në suren Nur, ajeti 31:
“…dhe, le të lëshojnë pelerinën e tyre mbi trupin e tyre dhe le t’u mos tregojnë stolitë e tyre, përpos: bashkëshortëve të tyre, ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve të tyre, ose djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave të tyre ose grave (mikeshave) të tyre, ose atyre që i kanë nën pronësi, ose atyre meshkujve që rrinë nëpër familje e që nuk kanë epsh ndaj femrave, ose fëmijëve që nuk i dinë gjërat e femrave”.
Pra, njerëzit që kanë të drejtë ta shohin një besimtare pa shami dhe t’i përshëndetë me dorë janë:
1. bashkëshorti,
2. babai, gjyshi, stërgjyshi e më lart,
3. vjehërri, babai i vjehrrit, gjyshi i vjehrrit e më lart,
4. djali, nipi, stërnipi e më poshtë,
5. djali i burrit, djali i djalit të burrit e më poshtë,
6. vëllai,
7. djali i vëllait, djali i djalit të vëllait e më poshtë,
8. djali i motrës, djali i djalit të motrës e më poshtë,
9. shoqet d.m.th. gratë muslimane ose ato jomyslimanë por që janë besnike,
10. robi që është pronë e asaj gruaje, (por këtë nuk e përshëndetë me dorë)
11. mashkulli që nuk ka epsh për shkak të ndonjë të mete, apo për shkak të pleqërisë, dhe
12. fëmijët që ende nuk kanë njohuri për gjërat intime të femrës, d.m.th. nuk dinë ta përshkruajnë një femër, nuk e dallojnë të bukurën nga e shëmtuara, pra ata fëmijë që janë të vegjël diku deri në moshën 7-8 vjeçare. Megjithëse këtu ka dallim mes fëmijëve në një shoqëri nga një shoqëri tjetër. Tash, në kohën e filmave serial dhe të paskrupullt kjo moshë mund të bie edhe në 5-6 vjet.
Kur themi pa shami është qëllimi pa atë mbulesë që normalisht rri në shtëpinë e saj, pra t’i ketë të zbuluara kokën, qafën, bërrylat, këmbët deri ndër gjunjë dhe të ngjashme. Mirëpo, çdoherë duke pasur kujdes veshjen e cila reflekton nderin dhe turpin pozitiv që ka një grua besimtare.