NAMAZI NË AEROPLAN

0
264

Ndodh shumë herë që udhëtarin ta zërë ndonjë kohë namazi kur është në aeroplan dhe frikësohet se do t’i ikë namazi nëse nuk e fal aty ku është. Si duhet ta falë ai namazin në aeroplan?

Namazi nafile
Është e pëlqyer për udhëtarin që t’i falë namazet nafile gjatë udhëtimit të tij, edhe pse është i ulur në ulëse. Atij i mjafton të bëjë me shenjë me kokë për ruku dhe për sexhde dhe nuk e ka obligim të qëndrojë në këmbë dhe nuk e ka obligim të drejtohet nga kibla.
Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullahu radijAllahu anhu se “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem falej në kafshën e tij duke u kthyer në drejtim të lindjes, por nëse dëshironte të falte namaze obligative, atëherë zbriste nga kafsha dhe drejtohej nga kibla.” (Transmeton Buhariu, 1048)

Namazi farz
Udhëtari në aeroplan ka disa raste të faljes së namazit.
Rasti i parë: Nëse hyn koha e namazit përderisa udhëtari është në aeroplan, por ai mund ta zërë këtë kohë namazi kur të zbresë nga aeroplani, në këtë rast më parësore për të është që të mos e falë namazin në aeroplan, por të presë ta falë kur të zbresë në tokë.
Nëse në aeroplan nuk gjen vend për t’u falur duke i plotësuar kushtet dhe shtyllat e namazit, atëherë bëhet e domosdoshme falja e namazit pasi të zbresë nga aeroplani.

Rasti i dytë: Nëse namazi është nga lloji i namazeve që lejohet të bashkohen, siç është namazi i drekës dhe i ikindisë dhe namazi i akshamit dhe i jacisë dhe udhëtari ka mundësi t’i falë ato dy vakte duke i bashkuar, për shembull në kohën e drekës edhe namazin e ikindisë apo në kohën e ikindisë edhe namazin e drekës, në këtë rast më primare është të falet ky namaz i bashkuar në tokë, qoftë duke i bashkuar në kohën e parë (kohën e drekës) apo në kohën e dytë (kohën e ikindisë).
Qartësimi i kësaj çështjeje: Koha e namazi të drekës dhe e ikindisë për udhëtarin fillon nga zeniti i diellit (në drekë) deri para perëndimit të diellit, ashtu sikurse namazi i akshamit dhe ikindisë fillon nga perëndimi i diellit dhe vazhdon deri në mesin e natës. E nëse mundet ta falë këtë lloj namazi në tokë para udhëtimit apo pas tij, atëherë kjo është më primare.

Rasti i tretë: Nëse hyn koha e namazit për udhëtarin dhe ai është i bindur se nuk ka mundësi ta falë këtë namaz në tokë për shkak të udhëtimit të gjatë, atëherë në këtë gjendje ai duhet ta falë namazin në aeroplan, por duhet të ketë parasysh disa gjëra:
1. Të qëndrojë në këmbë aq sa ka mundësi, ngase qëndrimi në këmbë është nga shtyllat e namazit.
2. Të drejtohet nga kibla, ngase drejtimi nga kibla është nga kushtet e namazit.

Disa këshilla për udhëtarin
1. Udhëtari duhet të shfrytëzojë rastet për ta falur namazin në tokë sa është në aeroport, qoftë para hipjes në aeroplan apo pas zbritjes, nëse i jepet mundësia.
2. Udhëtari duhet të kërkojë nga punonjësit e aeroplanit që t’i sigurojnë një vend ku nuk i pengon të tjerët, në mënyrë që ta falë namazin në këmbë duke u kthyer nga kibla. Në rastet normale punonjësit e aeroplanit japin leje për këtë gjë dhe sigurojnë një vend në fund të aeroplanit apo diku tjetër.
3. Nëse punonjësit nuk japin këtë leje për ndonjë arsye, atëherë ai duhet të falet në ulësen e tij dhe bën me shenjë me kokën e tij kur bie në ruku dhe sexhde dhe nuk duhet ta lërë namazin derisa të kalojë koha e tij, ngase Allahu i Lartësuar thotë: “Frikësojuni Allahut sa të mundeni.” (Et-Tegabun: 16)

Rezyme

Ligjërohet falja e namazit nafile për udhëtarin ulur përderisa është në aeroplan dhe nuk e ka obligim të qëndrojë në këmbë e as të kthehet nga kibla.
Nëse e zë koha e namazit përderisa është në aeroplan, por ka mundësi që këtë namaz ta zërë në tokë, pasi të zbresë nga aeroplani, atëherë më primare është ta falë në tokë.
Nëse udhëtari dëshiron të falë namazin farz përderisa është në aeroplan, ai duhet të kërkojë leje nga punonjësit e aeroplanit që t’i sigurojnë një vend për të falur namazin në të duke u kthyer nga kibla dhe duke qëndruar në këmbë.
Nëse punonjësit nuk i japin leje, atëherë e ka për obligim të falet në ulëse dhe të bëjë me shenjë me kokë sa herë që bie në ruku dhe sexhde, ngase Allahu i Lartësuar thotë:”Frikësojuni Allahut sa të mundeni”.
Nuk lejohet që udhëtari ta falë namazin farz në ulëse nëse paraprakisht nuk ka kërkuar leje nga punonjësit që t’i sigurojnë një vend për falje.
Po ashtu nuk i lejohet ta falë namazin në ulëse nëse ka mundësi ta arrijë atë namaz në tokë pasi të zbresë nga aeroplani.
Allahu e di më së miri.

Fehd ibën Salim BAHMAN
Përshtati me disa ndryshime të vogla: Xheladin LEKA
Mekë (Arabi Saudite)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here