LARGOHU NGA PASURIA E FITUAR PADREJTËSISHT!

0
217

Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar. Mos ndërhyni te gjykatësit me rryshfete, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve të tjerë, kur ju e dini.” El Bekare 188.

 

Shpjegimi i ajetit

– “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar.”

Kuptimi: Mos i merrni pasuritë tuaja me padrejtësi. Fjala e përdorur është “emuâlekum” – “pasuritë tuaja”, edhe pse qëllimi është “pasuritë e të tjerëve”. Kështu, Allahu i Lartësuar na udhëzon që ne ta konsiderojmë shoqërinë si një bashkësi të vetme, ku nuk ka “ne” dhe “të tjerë”. Pasuria e vëllait konsiderohet si pasuria ime. Ashtu sikurse nuk duam që të na i marrin pasurinë tonë pa të drejtë, po të njëjtën gjë duhet të dëshirojmë edhe për vëllanë musliman. Nëse do t’ia lejonim vetes që të merrnim pasurinë e vëllait pa të drejtë, po kështu duhet të pranonim që edhe të tjerët të na merrnin pasurinë tonë pa të drejtë.

Duke qenë se fitimi dhe marrja e pasurisë prej tjetrit është dy llojesh: e drejtë dhe e padrejtë, Allahu i Lartësuar përcaktoi si të ndaluar vetëm përfitimin me padrejtësi. Ka shumë forma përfitimi të padrejta, prej të cilave mund të përmendim:

1. Marrja e pasurisë nëpërmjet grabitjes, vjedhjes, mashtrimit, shkeljes së amanetit e të tjera si këto.

2. Kërkimi dhe pranimi i ryshfeteve, përfitimi nga fajdet, kumari e të tjera të ngjashme. Të gjitha këto mënyra fitimi janë të padrejta dhe nuk janë të lejuara nga Sheriati.

3. Marrja e pasurisë së njerëzve duke ngrënë në peshë, duke mashtruar në shitblerje, qiradhënie etj.

4. Të marrësh tjetrin në punë dhe të mos i japësh hakun që i takon (sipas marrëveshjes).

5. Fitimi që merr njeriu për një punë, së cilës nuk ia bën hyzmetin ashtu siç duhet.

6. Fitimi që merret për adhurime, të cilat nuk mund të jenë të sakta nëse me to synohet shpërblimi material, e jo kënaqësia e Allahut.

7. Përfitimi prej zekatit dhe sadakasë, nëse nuk hyn në kategorinë e njerëzve që përfitojnë prej tyre. E tillë është edhe marrja prej kësaj pasurie më tepër sesa është e përcaktuar nga Sheriati, ose më tepër sesa është e nevojshme.

Të gjitha këto që u përmendën janë mënyra të ndaluara të përfitimit të pasurisë së njerëzve. Këto mënyra janë të palejueshme, edhe sikur të arrihen nëpërmjet gjykatësve, të cilëve u është dhënë ryshfet.

 

– “Mos ndërhyni te gjykatësit me ryshfete, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve të tjerë, kur ju e dini.”

Shpesh, ndodh që njerëz të padrejtë, me mundësitë dhe argumentimin e tyre, i bindin gjykatësit që t’i lejojnë të përfitojnë padrejtësisht nga pasuritë e të tjerëve. Por, sido që të jetë, gjykimi i një gjykatësi nuk e bën të lejuar tek Allahu atë që është haram dhe nuk e bën haram atë që është e lejuar. Tek Allahu i Lartësuar çështjet mbeten gjithnjë ashtu sikurse janë në të vërtetë. Pra, njeriu i padrejtë të mos mendojë kurrë që vendimi i gjykatësit në favor të tij është i pranueshëm tek Allahu, sepse Allahu i Lartësuar i njeh fshehtësitë deri në imtësi.

Atëherë, nëse dikush fiton padrejtësisht një pasuri, në bazë të një vendimi gjykate, e ka përsëri haram që ta marrë atë pasuri. Nëse ai e merr, konsiderohet prej atyre që hanë pasurinë e njerëzve pa të drejtë, prandaj meriton ndëshkimin e Allahut të Lartësuar. Ndëshkimi i tij është i meritueshëm, sepse ai e ka grabitur pasurinë e tjetrit me vetëdije dhe me mashtrim.

Po kështu, edhe avokati i çështjes së këtij të padrejti duhet të mos bëhet palë me padrejtësinë. Pra, nëse ai sigurohet që klienti i tij nuk ka të drejtë në pretendimet e veta, atëherë nuk i lejohet që ta mbrojë, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Mos u tregoni të dobët në ndjekjen e armiqve, sepse nëse ju ndjeni dhimbje, edhe ata, sikurse ju, ndjejnë dhimbje, por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. Allahu është i Dijshëm e i Urtë. Ne të zbritëm ty (Muhamed) Librin (Kur’ânin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mëson Allahu. Mos u dil në ndihmë tradhtarëve. Pra, kërkoji falje Allahut, se Allahu është Falës e Mëshirues. Mos i mbro ata që mashtrojnë vetveten! Allahu nuk i do tradhtarët e gjynahqarët.” Nisa, 105.

 

Tefsiri i Sadit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetes

24.11.2015

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here