Fragmente nga jeta e sahabëve

0
234

SEID IBNU AMIR EL XHUMEHIJ

“Seid ibnu Amir El‑Xhumehij është njeriu që bleu ahiretin me dynja dhe preferoi Allahun dhe Pejgamberin e Tij mbi këdo tjetër.”

I riu Seid ibnu Amir El‑Xhumehij ishte njëri prej atyre mijërave që kishin dalur në vendin e quajtur “Ten’im”, jo larg Mekës, me ftesën e parisë kurejshite, që të jenë dëshmitarë të ekzekutimit me vdekje të HUBEJB IBNU ADIJJIT, njërit prej sahabëve të Muhammedit a.s., të cilin e kishin zënë tradhtisht kurejshitët. Fuqia e tij e pafrenueshme rinore i kishte mundësuar të depër­tojë në mesin e turmës, derisa arriti te paria e Kurejshit, ku ishte Ebu Sufjan ibnu Harbi, Safvan ibnu Umeje e shumë të tjerë, të cilët shko­nin në krye të kolonës. Kjo i bëri të mundur që ta shohë robin e kurejshitëve të lidhur me pranga, ndërsa turma e grave, fëmijëve dhe e të rinjve e shtynin në drejtim të sheshit të ekzekutimit (trekëmbëshit). Këte e bënin në shenjë hakmarrjeje ndaj Muhammedit a.s. për të vrarët e tyre në be­tejën e Bedrit. Kur turma e madhe arriti me robin e saj në vendin e caktuar për ekze­kutimin e tij, i riu Seid ibnu Amir el‑Xhumehij qëndroi me shtatin e tij të hedhur duke e soditur Hubejbin se si e çonin te trekëmbëshi, ku edhe ia zgjidhën prangat. Atëherë u dëgjua zëri i tij i fuqishëm dhe i qetë në mesin e ulurimave të grave dhe të fëmijëve duke thënë: “Nëse dëshironi, më lejoni t’i fal dy rekate para se të më ekzekutoni!” Pastaj e pa Hubejbin se si u kthye kah Qabeja dhe i fali dy rekate. Oh, sa bukur i fali dhe sa mirë i kompletoi! Pastaj e pa se si iu kthye parisë së popullit duke u thënë: “Betohem në Allahun, se sikur të mos kishit menduar se po e zgjas namazin nga frika prej vdekjes, do të isha falur më gjatë!” Më vonë e pa me dy sytë e vet se si populli e masakronte Hubej­bin për së gjalli, duke ia prerë një nga një gjymtyrët e trupit e duke e pyetur: A dëshiron që Muhammedi të jetë në vendin tënd e ti të shpëtosh?! Derisa gjaku shkonte si rrëke prej trupit të tij, Hubejbi përgjigjej: Betohem në Allahun se nuk do të dëshiroja të jem i qetë me gruan dhe fëmijët e mi, nëse Muhammedi a.s. theret, qoftë edhe nga një therrë. Kur i dëgjuan këto përgjigje prej tij, të pranishmit i ngritën duart e tyre dhe brohoritën me zë të lartë: Mbyteni, mbyteni!!! Pastaj Seid ibnu Amiri e pa Hubejbin se si e qonte shikimin e tij nga qielli, e ai ishte mbi dërrasën e ekzekutimit, dhe lutej duke thënë: O Zoti im, mbyti ata, që të gjithë, dhe mos e përjashto asnjë! Pastaj dha shpirt e në trupin e tij nuk mund të numëroheshin të rënat e shpatave dhe të goditurat e shtizave. Kurejshitët u kthyen në Mekke dhe në rrëmujën e ndodhive të reja harruan trupin e Hubejbit dhe vrasjen e tij. Mirëpo, djaloshi i ri, Seid ibnu Amir el‑Xhumehij, asnjë-herë nuk e hoqi nga mendja Hubejbin. Hija e tij i paraqitej në ëndërr kur ai flinte, e kur ishte zgjuar ai e shihte hijen e tij. Gjithnjë e kishte parasysh pamjen e tij duke i falur ato dy rekate, të cilat i fali në qetësi, ndonëse ishte para dë­rrasës së varjes dhe gjithnjë i dukej se po e dëgjon zërin e tij kur ai lutej kundër kurejshitëve dhe kishte frikë se mos do ta godasë rrufeja apo diçka tjetër nga qielli. Rasti i Hubejbit i mësoi Seidin atë që më parë nuk e dinte. Mësoi se jeta e vërtetë është besim dhe luftë dhe se për besimin dhe bindjen tënde vlen të luftosh deri në vdekje. Mësoi, po ashtu, se besimi i fortë bën çudira dhe mrekullira. Seidi mësoi se njeriu të cilin aq shumë e donin sahabet e tij patjetër duhet të jetë Pejgamber i përkrahur nga Zoti. Kur i pa dhe i kuptoi të gjitha këto, Allahu xh. sh., ia hapi zem­rën për Islam. Në një rast, ndërsa ndodhej në një tubim të madh, ai u ngrit dhe e shpalli distancimin e tij nga mëkatet e kurejshitëve, duke i braktisur idhujt dhe bestytnitë e injorancës së tyre dhe e shpalli haptazi se ai e pranoi fenë islame. Më vonë, Seid ibnu Amiri emigroi në Medinë, e shoqëroi Pejgam­berin a.s. dhe ishte pjesëmarrës në betejën e Hajberit dhe në be­tejat e mëvonshme. Pasi Muhammedi a.s. ndërroi jetë dhe kaloi në jetën e am­shuesh­me, duke qenë i kënaqur ndaj tij, Seidi edhe pas vdekjes së tij mbeti shpatë e mprehtë në kohën e Ebu Bekrit dhe Omerit r.a. Ai ishte shembull i rrallë i besimtarit, i cili e kishte blerë ahire­tin me dynja dhe e kishte preferuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut xh. sh. mbi epshet e shpirtit dhe kënaqësitë e trupit. Të dy halifet e Pejgamberit a.s. e njihnin mirë Sied ibnu Amirin, besnikërinë dhe devotshmërinë e tij, e prandaj edhe i dëgjonin këshillat e tij. Në ditët e para të sundimit të Omer ibnul Hattabit hyri tek ai dhe iu drejtua me këto fjalë: O Omer, të këshilloj të kesh frikë Allahun në marrë-dhëniet me njerëzit e jo të kesh frikë prej njerëzve në marrëdhëniet me Allahun. Fjala jote të mos vijë në kundër-shtim me veprën tën­de, sepse fjala më e mirë është ajo të cilën e vërteton vepra! O Omer: Bëhu i njëjtë për të gjithë muslimanët, fatin e të cilëve Allahu ta besoi ty, si ndaj atyre që i ke të afërt dhe atyre që i ke të largët. Dëshiroju atë që dëshiron për vetveten dhe familjen tënde. Mos ia dëshiro të keqen atyre, ashtu si nuk ia dëshiron të keqen vetvetes dhe familjes tënde. Bëhu i qëndrueshëm në vështirësi, në emër të së vërtetës. Në rrugën e Allahut mos u frikëso prej qortimit të askujt! Omeri pastaj pyeti: Kush mund ta bëjë këtë, o Seid?! Ai u përgjigj: Këtë mund ta bëjë një njeri si ti, të cilit Allahu ia besoi fatin e umetit të Muhammedit a.s. dhe në mes tij e Allahut nuk është askush tjetër. Pas kësaj bisede, Omeri r.a. e ftoi Seidin që ta ndihmojë dhe i tha: O Seid, unë po të emëroj vali të Himsit. Seidi iu përgjigj: O Omer, pasha Allahun, mos më drejto nga kjo botë e ta harroj ahiretin! Omeri i hidhëruar ia ktheu: Ç’është me ju?! Më keni varur në qafë tërë këtë barrë (hila­fetin) ‑ udhëheqjen e muslimanëve ‑ e pastaj më lëni vetëm!! Atëherë Seidi ia ktheu: Pasha Allahun, nuk do të lë! Pastaj Omeri e emëroi vali të Himsit dhe i tha: A të caktoj një pagë të rregullt? Seidi iu përgjigj: Ç’të bëj me të, o prijës i muslimanëve?! Ajo që më ndahet nga fondi i pasurisë së muslimanëve i plotëson nevo-jat e mia dhe më tepron. Pastaj shkoi në Hims… Nuk shkoi shumë kohë dhe erdhi tek Omeri një delegacion nga Himsi, në të cilin ai kishte besim të plotë. Omeri iu drejtua atyre me këto fjalë: Shkruani emrat e të varfërve të Himsit që t’u jepet një ndih­më e cila do t’ua plotësojë nevojat më elementare të tyre. Delegacioni e përpiloi listën e të varfërve dhe ia dorëzoi Omerit r.a., e në mesin e të varfërve gjendej edhe emri i Seid ibnu Amirit. Kur Omeri e pa emrin e tij pyeti: Kush është ky Seid ibnu Amir?! Ata iu përgjigjën: Valiu ynë. Omeri pyeti përsëri: Valiu juaj i varfër?! Ata u përgjigjën: Po, pasha Allahun, kalojnë ditë të tëra e në shtëpinë e tij nuk ndi­zet zjarri. Duke i dëgjuar këto fjalë, Omeri qau derisa lotët iu bashkuan në mjekër. Mori një mijë dinarë dhe i vuri në një qese dhe tha: Përcillni Seidit të falat e mia dhe i thujini: “Halifeja e muslimanëve t’i ka dërguar këto të holla për disa nevoja personale.” Delegacioni shkoi te Seidi dhe ia solli qesen. E shikoi atë dhe kur i pa dinarët filloi t’i largojë duke thënë: Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi! Ishte goditur si­kur t’i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Kur e vërejti këtë gruaja e tij nxitoi tek ai për t’i dalë në ndihmë dhe e pyeti: Çka të ka ndodhur, o Seid?! A mos ka vdekur halifeja i muslimanëve?! Seidi u përgjigj: Jo, diçka më e madhe se ajo. Kur ajo përsëri e pyeti: – A mos kanë pësuar muslimanët disfatë në ndonjëren prej betejave të tyre?! Seidi përsëri u përgjigj: Jo, diçka edhe më e madhe. Atëherë ajo pyeti: Çka mund të jetë më e madhe se kjo?! Ai u përgjigj: Ka hyrë tek unë dynjaja, që të ma prishë ahiretin, dhe hyri e keq­ja në shtëpinë time. Gruaja tha: Largoje atë! ‑ duke mos ditur asgjë për dinarët. Ai e pyeti: A do të më ndihmosh? Ajo u përgjigj: Po. Seidi i mori dinarët dhe i ndau në qese të vogla e pastaj ua ndau muslimanëve të varfër. Pas një kohe të shkurtër Omeri shkoi në vizitë në Sham për të pa­rë për së afërmi gjendjen e popullit. Pastaj arriti në Hims, që qu­hej “El‑Kuvejfe” (Kufa e vogël), për shkak të ankesave të shumta të banorëve të Himsit ndaj valive të tyre, ashtu sikurse vepronin banorët e Kufes në Irak. Me rastin e ardhjes së Omerit r.a. banorët e Himsit kishin ardhur për ta përshëndetur e ai i pyeti: Si sillet valiu juaj! Ata u ankuan dhe përmendën katër çështje, secilën më të madhe se tjetrën. Omeri tregon e thotë: I bëra bashkë banorët e Himsit dhe va­liun e tyre dhe e luta Allahun që të mos më zhgënjejë në të, sepse kisha besim të madh. Kur u bënë së bashku tek unë, ata dhe valiu i tyre, u thashë: Për çka ankoheni nga valiu juaj? Ata u përgjigjën: Nuk paraqitet në mes nesh vetëm pasi kalon një pjesë e mirë e ditës. I thashë: Ç’thua për këtë, o Seid? Heshti pak e pastaj tha: Pasha Allahun, nuk kam dashur të flas për këtë. Mirëpo, pasi po më pyetni, po ju tregoj. Familja ime nuk ka shërbëtor, prandaj unë çdo mëngjes e përgatis brumin dhe e lë një kohë de­risa të vijë e pastaj i gatuaj bukët. Pas kësaj marr abdes dhe dal në popull. Omeri pastaj pyeti: Cila është ankesa tjetër? Ata thanë: Askujt nuk i përgjigjet në ftesë gjatë natës. I thashë: Ç’thua për këtë, o Seid? U përgjigj: Pasha Allahun nuk kam dashur ta nxjerr në shesh këtë. Unë ditën ia kam kushtuar nevojave të popullit, kurse natën e kam caktuar t’i bëj ibadet Allahut xh.sh. Omeri pyeti prapë: Cila është ankesa tjetër? Ata u përgjigjën: Nuk paraqitet te ne një herë në muaj. E pyeta: Ç’thua për këtë, o Seid? Ai u përgjigj: Nuk kam shërbëtor, o udhëheqës i muslimanëve, dhe nuk kam rroba të tjera përveç këtyre që kam në trupin tim. Këto i laj një herë në muaj dhe i lë të thahen, e kur të thahen i vesh dhe dal në popull dikur vonë, nga fundi i ditës. Pastaj Omeri pyeti përsëri: Për çfarë ankoheni tjetër? Ata u përgjigjën: Shumë herë thellohet në mendime, kur rrimë së bashku, saqë nuk di se ku është. E pyeta: “Ç’thua për këtë, o Seid? U përgjigj: Isha dëshmitar i mbytjes së Hubejb ibnu Adijjit, kur unë isha pabesimtar. E kam parë se si kurejshitët ia prenin gjymtyrët e tru­pit një nga një dhe i thonin: “A do të dëshiroje që Muhammedi të jetë në vendin tënd?” Ndërsa ai përgjigjej: “Pasha Allahun, nuk do të dëshiroja që unë të jem i qetë me fa­miljen time e me fëmijët e mi e Muhammedi të theret qoftë edhe prej një therre.” Betohem në Allahun se çdoherë që më kuj­tohet ajo ditë dhe i bëj pyetje vetvetes përse nuk i dola në ndihmë, më kap frika se Allahu nuk do të ma falë këtë dhe për këtë arsye kaloj në atë gjendje. Pas kësaj Omeri tha: Falënderimi i qoftë Allahut, që nuk më zhgënjeu në para­gjy­kimet e mia ndaj Seidit. Pastaj nxori një mijë dinarë dhe ia dhuroi Seidit për t’i plotë­suar disa nga nevojat e tij më elementare. Kur i pa gruaja e tij tha: Falënderimi i qoftë Allahut, i cili na liroi prej shërbimit tënd. Blej gjërat ushqimore dhe merre me pagë një shërbëtor. Seidi ia ktheu: A ke propozim më të mirë se ky? Gruaja pyeti: Cili është ai?! Ai u përgjigj: Ia japim Atij që na i kthen, atëherë kur ne kemi nevojë shumë të madhe për të. Gruaja pyeti: Kujt?! Ia japim dikujt për Allahun, si hua më të mirë. Gruaja ia ktheu: Allahu të shpërbleftë me të gjitha të mirat! Ende pa u larguar nga tubimi, dinarët i shpërndau në disa qese dhe i tha njërit nga familja e vet: Dërgoja këta dinarë të vejës së filanit dhe jetimave të filanit, të varfërve të familjes së filanit dhe atyre që kanë nevojë prej familjes së filanit. Allahu qoftë i kënaqur me Seid ibnu Amir el‑Xhumehiun. Ai ishte prej atyre që u jepte përparësi të tjerëve para vetvetes, edhe pse ai kishte nevojë për pasuri. Qytet në Siri, ndërmjet Damaskut dhe Halepit. Në të gjendet varri i heroit të madh islam ‑ Halid ibnu Velidit. /xhamiteetiranes

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here