Cilësitë e resulull-llahut a.s. dhe etika e tij

0
156

Resulull-llahu a.s. është shquar me norma të përsosura etike, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë. Për këtë dëshmon ndikimi i tij tek njerëzit, zemrat e të cilëve flakëronin për t’a respektuar dhe nderuar. Flakëronin për t’a shoqëruar dhe për t’a madhë­ruar atë, siç nuk mbahet mend për ndonjë njeri në këtë botë. Ata, të cilët kanë jetuar në kohën e Resulull-llahut a.s., e kanë dashur atë gjer në kufijtë e mahnitjes, sa që nuk kanë kursyer as jetën e tyre, vetëm e vetëm që atij mos t’i mungojë madje as thoni nga gishti. Gjithashtu e kanë dashur sepse ka qenë i përkryer si asnjë krijesë tjetër njerëzore. Ja disa tradita të cilat flasin për veçantinë e Resulull-llahut a.s. dhe përsosmërinë e tij si njeri.

Bukuria e etikës
Ummu Ma’bed El-Huza’ai, duke ia përshkruar burrit të vet Resulull-llahun a.s. kur kishte kaluar pranë çadrës së saj gjatë hixhretit, thotë: “Pastërti e pashoqe. Me fytyrë bujare, të ndritshme dhe të çiltër. Me sjellje të mirë. Nuk ka trup të madh e as kokë të madhe. Është i bukur dhe tërheqës. Me sy të zi, Me shikim të thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata. Në zërin e tij ndihet ngjirja. Me qafë të gjatë. Symadh. Sysurmë. Me vetulla të gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Me flokë shumë të zi. Kur heshtë, e shquan qëndrimi dinjitoz dhe maturia, e kur flet, e frymëzon shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. Me logjikë të pastër (kulluar) dhe rezonim të këndshëm. Dhantia e të folurit si varg margaritarësh. I matur. Modest. As trup­shkurtër, që të mos vërehet, as trupgjatë, që të dallohet. Më i pashmi në mesin e tre vetëve. I fuqishëm. Ka shokë të përzemërt dhe modest. Kur flet, e dëgjonë. Kur urdhëron, garojnë për ta kryer urdhrin. E shër­bejnë, e nderojnë dhe i janë besnik. I dashur dhe gjithnjë i mbrojtur. Nuk është i ngrysur e as i vrenjtur. I shoqërueshëm. Me sjellje të bukur. I kujdesshëm ndaj bashkëbiseduesit.” Ali b. Ebu Talibi, duke përshkruar Resulull-llahun a.s. thotë: “Nuk ka qenë shtatlartë e as shtatshkurtër e trashalluq. Ka pasur konstruksion mesatar. Flokët nuk i ka pasur të shkurtëra e dredha-dredha, e as të gjata e të drejta, por i ka pasur gjysëm kaçurrel. Nuk ka qenë i trashë, nuk e ka pasur nofullën të qitur e topolake. Ka pasur fytyrë paksa të rrumbullakët, ngjyrë bardheme. Sytë e zi e të mëdhenj, qepallat e gjata e të dendura, shpatullat e gjera, duart dhe këmbët të ndërtuara bukur dhe pa qime, nuk ka pasur qime as në trup. Ka pasur gishtërinj të trashë në duar dhe në këmbë. Kur ecte, dukej sikur shkonte tatëpjetë kodrinës. Kur kthehej, kthehej me tërë trupin. Mes të shpatullave e ka pasur vulën e pejgamberllëkut, shenjë çfarë e kanë pasur dhe Pejgamberët tjerë para tij. Kishte shtrëngim dore të fuqishëm. Kishte qëndrim burrëror, bisedë të sinqertë dhe të rrjedhshme. Ka qenë njeri i cili i respektonte marrëveshjet dhe kontratat. Kishte natyrë të butë dhe sjellje fisnike. Kur e shihte dikush rastësisht, ndiente ndaj tij respekt (nderim) të thellë. Kush shoqërohej me të, e donte dhe e çmonte. Secili që e përshkruante, thoshte: “Nuk kam parë as para tij e as pas tij dikënd që i përngjante atij. SalAll-llahu alejhi ve selem!”1) Në transmetimin tjetër të Aliut r.a. qëndron: “Ka pasur kokë të madhe dhe eshtëra të mëdhenj. Kur ecte dukej sikur shkonte tatëpjetë kodrinës.”2) Xhabir b. Semeri thotë: “Ka pasur gojë të bukur dhe sy të mëdhenj. Nuk ka qenë i trashë.”3) Ebu Tufejli ka thënë: “Ka qenë i bardhë , me fytyrë vezake dhe të kthjellët.”4) Emer b. Maliku ka thënë: “I ka pasur shuplakat e gjera. Ngjyra e lëkurës së tij ka qenë e freskët, as e bardhë as e vrugët. Flokët i ka pasur të zezë dhe vetëm ndoshta njëzet qime të thinjura në kokë dhe në mjekër.”5) Enesi r.a. shton: “Ka pasur shumë pak qime të thinjura në kokë, dhe atë në tëmtha (zylyf),” kurse në një traditë tjetër qëndron: “Në kokë ka pasur pak flokë të thinjura.”6) Ebu Xhuhajfi ka thënë: “Kam parë pak bardhësi (të thinjur) nën buzën e poshtme, një xhufkë të vogël të thinjur.”7) Abdullah b. Busiri ka thënë: “Nën buzë e ka pasur një xhufkë të vogël të bardhë.”8) El-Berra ka thënë: “Ka qenë shtatë mesatar, shpatullgjerë. Flokët i kishte të gjata gjer te pulpat e veshëve. E kam parë në kaftan të kuq. Kurrë nuk kam parë ndonjë njeri më të bukur se ai.”9) “Më parë flokët i mbante të lëshuara, nga dëshira që t’i imitonte Pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë.”10) El-Berra ka thënë: “Ka pasur fytyrën më të bukur dhe sjelljet më të bukura.”11) E kanë pyetur: “A e ka pasë Resulull-llahu a.s. fytyrën si shpata(të shkëlqyeshme)?”Është përgjigjur: “Jo, por sikurse hëna. “Në versionin tjetër qëndron: “Ka pasur fytyrë vezake (të rrumbulla­kuar)”.12) Rebia, vajza e Muavvidhit, ka thënë: “Sikur ta kishe parë, do të shihshe se është sikur dielli kur lind.”13) Xhabir b. Semereti ka thënë: “E kam parë në natën me hënë të plotë. E shikoja Resulull-llahun a.s. pastaj hënën – Resulull-llahu a.s. ishte në kaftan të kuq – dhe erdha në përfundim se për mua Resulull-llahu a.s. është më i bukur se hëna.”14) Ebu Hurejre r.a. ka thënë: “Kurrë në jetën time nuk kam parë diç më të bukur se Resulull-llahun, a.s. Dukej sikurse dielli lundronte në fytyrën e tij. Nuk kam parë askend që mund të ecte më shpejtë se Resulull-llahu a.s. Dukej sikurse toka të shpejtonte nën të, ne lodheshim për ta arritur, ndërsa ai ishte i palodhshëm.”15) Ka’b b. Maliku thotë: “Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur t’ishte një copë hëne.”16) Një herë ishte djersitur tek Aishja r.a. e ajo ia fshinte djersën nga fytyra duke cituar versetin e Ebu-l-Hazaliut,17) ku është kënduar bukuria e fytyrës. Gjithashtu edhe Ebu Bekri ka kënduar për bukurinë e fytyrës së Resulull-llahut, a.s.18) Umeri r.a. gjithashtu, për bukurinë e Resulull-llahut a.s. e citonte versetin e Zuhejrit, e thoshte: “Resulull-llahu a.s. ka qenë i bukur sikurse bukuria të cilës I këndonte ky poet.”19) Kur hidhërohej Resulull-llahu a.s. fytyra i skuqej, sikurse ta kishte derdhur shega ngjyrën e vet në faqet e tija.20) Xhabir b. Emreti thotë: “Këmbët i ka pasur në harmoni me pjesët tjera të trupit. Qeshte vetëm me buzëqeshje. Sikur ta shihshe, do të thoshe: “Sytë e surmë por pa surme.”21) Ibni Abbasi thotë: “Dhëmbët e përparme i ka pasur të ndara – të veçuara (njëri nga tjetri). Kur fliste, dhëmbët i shkëlqenin mes të buzëve sikurse varg margaritarësh.”22) “Qafën e kishte sikurse qafa e pikturuar nga piktura artistike. Qepallat i ka pasur të gjata e të lakuara, mjekër të dendur, ballëgjerë. Kishte vetulla të gjatë e të ngjitur, hundë të lakuar dhe gremçuar në kërce. Fytyrë të lëmuar. Nga ashti i kraharorit gjer në kërthizë një vijë të hollë qimesh. Përveç kësaj vije, qime tjera nuk ka pasur as në gjoks e as nëpër stomak. Kishte kraharor të gjerë, parallërë të fuqishme, llërë të gjata (pjesët e duarve) dhe ishte shpatullgjerë. Flokët i kishte të përdredhura. Çapat e gjatë në formë gjysmëharku e të lehta.”23) Enesi r.a. thotë: “Kurrë nuk kam prekur as mëndafsh e as kadife më të butë se duart e Resulull-llahut a.s. Kurrë nuk e kam hetuar erën e djersës apo ndonjë kundërmim të keq.” Në version tjetër qëndron: “As amberit as miskut nuk i vinte era më e këndshme se e lëkurës së Resulull-llahut a.s.”24) Ebu Xhuhejfe thotë: “E kam vënë dorën e tij në fytyrën time. Ishte më e ftohtë se bora dhe më aromatike se misku.”25) Xhabir b. Semuri rrëfen gjersa ka qenë fëmijë: “Resulull-llahu a.s. ma ledhatoi fytyrën, e dorës së tij i vinte era sikurse ta kishte nxjerrë prej ndonjë ene ku ruhet parfymi.”26) Enesi r.a. rrëfen: “Pikat e djersës i kishte si margaritarë,” Ummu Seleme ka thënë: “I vinte era më mirë se çfarëdo arome tjetër.”27) Xhabiri rrëfen: “Nuk ka mundur të kalonte ndonjë rruge, e që ai i cili kalonte pas tij të mos e ndiente erën që kishte mbetur prapa tij. Sipas asaj ere mund të kuptonte se ai kishte kaluar atypari. Ka pasur një erë (aromë) të posaçme e të këndshme, erë fluidi.”28) Në mes shpatullave e ka pasur shenjën – vulën e pejgamberllëkut, të madhe sa një vezë pëllumbi, ngjyrë trupi e që ishte më afër kockës së shpatullës së majtë, e madhe sa një leblebi e madhe.29)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here