Ademi Alejhi Selam dhe qetësia shpirtërore

0
263

Hyrje

Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:” Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet..” (Bekare, 35)

Edhe pse Ademi a.s jetonte në xhenet, i rrethuar nga gjithë të mirat, nevoja për të pasur një bashkëshorte ishte e pranishme. Nevoja në këtë rast, përkthehet në nevojën për prehje dhe qetësi shpirtërore. Mirësitë dhe begatitë e xhenetit, nuk u plotësuan derisa u krijua bashkëshortja e Ademit a.s, Havaja. Për këtë ne do të trajtojmë krijimin e Ademit a.s dhe rëndësinë që paraqet prehja dhe qetësia shpirtërore mes dy bashkëshortëve, faktorët që ndikojnë në prishjen e kësaj qetësie dhe harmonie, si dhe efektet anësore të punës së gruas jashtë shtëpisë në qetësinë shpirtërore.

Mësime dhe konkluzione nga historitë e Kuranit

Mësimi më i madh që nxjerrim nga historitë e Kuranit, është kureshtja që këto histori zgjojnë në mendjen tonë dhe stimulimi i vullnetit dhe dëshirës për të mësuar më shumë. Historitë e Kuranit, nga nxisin të shohim përtej ndodhive dhe të studiojmë faktorët dhe pasojat. Gjithashtu, historitë janë mjete me të cilat rrit interesin e dëgjimit, stimulojnë trurin dhe ndikojnë në gjendjen shpirtërore.

Po të vërejmë, Kurani trajton tre aspekte: Adhurime, besim (akide) dhe histori.

Historitë, nuk përmenden në Kuran thjesht për relaksim dhe zbavitje, por janë përmendur për shkaka të mësimeve dhe konkluzioneve që përmbajnë ngjarjet dhe për vetë ndikimin që ushtrojnë në mendje. Një fakt të tillë e përmend vetë Zoti në Kuranin famëlartë ku thotë:”“Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.” (Jusuf, 111)

Ademi a.s, mëkëmbës i Zotit në tokë

Nga mënyra si e krijoi dhe misioni me të cilin u ngarkua Ademi a.s, ne ndjejmë që Zoti e fisnikëroi Ademin a.s dhe e lartësoi mbi të gjithë krijesat e tjera. Ai e ngarkoi të luajë një rol të rëndësishëm në popullimin e tokës, mbajtjen e amanetit dhe përcjelljen e mesazhit hyjnor. Thotë Zoti në Kuran mbi këtë fakt:

“Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).” (Ahzab, 72)

Ky koncept, duket qartë që është kundër filozofisë materialiste e cila zhvlerëson rolin e njeriut si forcë me ndikim në gjithësi. Po ashtu, është edhe kundër rrymës frojdiane që e paraqet njeriun si një qënie të etur për seks. Ashtu siç është kundër filozofive që e paraqesin njeriun zot të kësaj bote.

Allahu i madhëruar na tregon në Kuran që Ai krijoi njeriun e parë dhe prej tij krijoi dhe palën tjetër, bashkëshorten.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (Nisa, 1)

Njeriu prej të cilit u krijuam – siç thuhet në ajetin e mësipërm – është Ademi a.s, babai i njerëzimit.

Kurse kuptimi i  “prej atij krijoi bashkëshorten e tij” është se prej Ademit a.s, u krijua Havaja, bashkëshortja e tij dhe nëna e njerëzimit.

Ajeti që lartpërmendëm është tregues i lartësimit të figurës së femrës. Kjo, pasi edhe pse Ademi a.s ekzistonte dhe jetonte në xhenet, edhe pse Zoti i kishte dhënë jetë nga shpirti i Tij, i urdhëroi melekët t’i përuleshin për t’a nderuar, e pajisi me mendje dhe njohuri, i ofroi gjithçka në xhenet etj… Ademi ndihej i vetmuar dhe të mirat e xhenetit i dukeshin të mangëta…!

Kur u krijua Ademi a.s dhe kur banoi në xhenet?

Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:” :”Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Atë ditë u krijua Ademi, në atë ditë hyri në xhenet, në atë ditë u zbrit në tokë, në atë ditë iu pranua pendimi, në atë ditë vdiq dhe atë ditë do të bëhet Kijameti.Në këtë ditë, Zoti ka caktuar një orë, në të cilën nëse një besimtar e lut Zotin për diçka, do ia japë.” (Muslimi 2/585, numër 854)

Mirësitë e ditës së xhuma

Kjo ditë ka shumë mirësi, prej të cilave mund të veçojmë:

(Namazi i xhumasë – pëlqehet larja e plotë e trupit dhe parfumosja – leximi i sures Kehf – është festa javore e muslimanëve – është dita kur do të bëhet Kijameti – në të ndodhet një orë ku pranohen të gjithë lutjet – kush vdes ditën e xhuma, është i siguruar nga ndëshkimi i varrit etj…)

Dijetari i njohur Ibnul Xheuzi i ka numëruar të gjithë mirësitë e kësaj dite, të cilat arrinin deri tridhjetë e tre të tilla.

Kurse Sujutij, ka shkruar një libër të plotë me titull “Veçoritë e ditës xhuma” ku përmend mbi njëqind veçori. Ky libër gjendet i botuar dhe shitet në tregje.

Përshkrimi i Ademit a.s ditën që u krijua

Transmeton Ebu Hurejre se I dërguari I Zotit a.s ka thënë:” :”Zoti e krijoi Ademin a.s të gjatë gjashtëdhjetë parakrahë. Më pas i tha:”Shko tek ato melekë dhe përshëndeti me selam dhe dëgjoje përgjigjen e tyre, pasi kjo do të jetë përshëndetja juaj dhe e pasardhësve tuaj.” Shkoi Ademi a.s dhe u tha:”Esselamu alejkum!” Melekët ia kthyen:”Ue alejkum selam ve rahmetullahi ve berekatuhu!”

Të gjithë ata që do të hyjnë në xhenet do të jenë në gjatësinë e Ademit. Që nga ajo kohë, krijesat kanë ardhur duke u zvogëluar.” (Buhariu 3/1210 – Muslimi 4/2183, hadithi 2841)

Rëndësia e qetësisë shpirtërore

Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Jetoi Ademi a.s në xhenet i vetëm pa bashkëshorte, tek e cila të gjente prehje. Kjo bëri që ai të mërzitej. Kështu u krijua Havaja nga një brinjë e tij, teksa ishte duke fjetur. Kur u zgjua dhe e pa përkrah tij, e pyeti:”Kush je ti?” Ajo ia ktheu:”Jam një grua.” Ademi a.s e pyeti:” Përse je krijuar?” “Për të qenë prehje për ty”.

Melekët, duke dashur të provojnë njohuritë e tij, e pyetën Ademin a.s:”Si e quajnë?” Ai u përgjigj:”Hava.”

Melekët:”Po përse është quajtur Hava?”

Ademi:”Ngaqë është krijuar nga diçka e gjallë.”

Njohja e dallimeve, është baza e lumturisë bashkëshortore

Kush ka thënë se  gruaja është njëlloj si burri dhe se burri është njëlloj si gruaja?! Në këtë trajtesë, unë dua t’i drejtohem çdo burri dhe gruaje me fjalët: Ju të dy nuk jeni të barabartë, ju jeni të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ju jeni të ndryshëm në formën fizike, në ndjenja dhe emocione, në mënyrën si mendoni, në funksionet jetësore … madje edhe në obligimet fetare keni dallime. Njohja me këto dallime esenciale, shtron rrugën për një jetë bashkëshortore të lumtur dhe të qetë.

Faktorë që prishin lumturinë familjare

Mos vallë është koncepti i gabuar mbi autoritetin (kavame) në familje? Mos është mos përgjegjësia e burrit? Mos është puna jashtë shtëpie e gruas?

Aktualiteti pohon se: çdo mungesë qetësie në një familje, ka të bëjë me shkaqe të cilat lidhen direkt me atë familje. Këto shkaqe mund të kenë të bëjnë me ato që përmendëm më sipër, por ne do të fokusohemi tek puna e gruas jashtë shtëpisë.

Për shkak të nevojave ekonomike, shumica e të rinjve – në kohët moderne – zgjedhin si bashkëshorte një femër e cila është e aftë për punë jashtë shtëpie. Kjo, me qëllim që të përballojë një pjesë të përgjegjësive familjare. Sipas disa statistikave në vendet arabe, 44.4 % e bashkëshorteve nga Egjypti, ushtrojnë profesione të ndryshme jashtë shtëpie. Në Siri arrinte në 15 %, kurse në Liban 35 %.

Në një studim të kryer me disa nëna për të parë mendimin e tyre rreth punës së gruas jashtë shtëpie, në vitin 1987, rezultati ishte se:

92 % prej tyre ishin kundër punës së gruas jashtë shtëpie nga meraku që kishin se fëmijët do të qëndrojnë me dikë që nuk u kushton kujdesin e duhur.

32 % pohonin se ndiheshin të lodhura nga puna gjatë periudhës së shtatzanisë.

75 % mendonin se puna ishte një ndër arsyet që gruaja nuk i kushtonte rëndësi pamjes së saj brenda në shtëpi.

84 %  e tyre pohonin se burrat e tyre ndiheshin keq, kur nuk i kishin gratë në shtëpi.

53 % ndiheshin të lodhura nga barra e punës ditën dhe nga pagjumësia me fëmijët natën.

Përfundim

Në fakt, ne nuk e shohim burrin si armik të gruas dhe anasjelltas, por të dy i shohim plotësues të njëri-tjetrit, bashkëpunëtorë dhe përkrahës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here