RUSIA DETYROHET TË MBYLLË NJË RADAR NË AZERBAJXHAN

0
542

Reprezalje nga Azerbajxhani Rusisë për radarin.

Rusia ndaloi veprimtaritë e bazës së radarit në Gebele për arsye se nuk ra dakord me Azerbajxhanin për çmimin e kontratës së qirasë.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit deklaroi se në negociatat me Rusinë nuk është arritur në një marrëveshje mbi çmimin e kontratës së qirasë për bazën e radarit në Gebele.

Në deklaratë theksohet se Rusia e ka informuar Bakunë përmes një note verbale se ka hequr dorë nga përdorimi i kësaj baze ushtarake. Si rrjedhim marrëveshja mbi “Statusin e Bazës së Radarit Gebele dhe Parimet e Kushtet e Përdorimit” të kësaj baze ka skaduar dhe që nga 10 dhjetori e këtej ka marrë fund përdorimi i bazës nga Rusia.

Baza ruse e radarit në Gebele të Azerbajxhanit ishte vënë në punë në vitin 1985.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, baza kaloi në kontrollin e Azerbajxhanit dhe në vitin 2002 iu dha me qira Federatës së Rusisë për 10 vjet. Edhe pse Rusia kërkoi të zgjaste kontratën e qirasë për bazën ushtarake, ku kryenin detyrën rreth 1400 ushtarë rus, bisedimet u bllokuan për shkak të rritjes së çmimit të qirasë nga ana e Azerbajxhanit.

Nga kjo bazë ushtarake mund të vëzhgohet me radar hapësira ajrore e gjithë Lindjes së Afërt dhe Oqeanit Indian duke përfshirë Iranin, Turqinë dhe Indinë.