Kur muslimani i ri hyn në Islam, lë pas vetes mëkatet dhe veprat e këqija dhe hynë në gjerësinë e pafund të fjalës së Allahut të lartësuar: “Thuaju atyre që nuk besuan, nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara” (El Enfal: 38), “Sikur ithtarët e librit të besonin dhe të ruheshin (haramit), Ne do t’ua shlyenim mëkatet e tyre dhe do t’i fusnim në xhennete me përjetime të begatshme.” (El Maide: 65)
Mirësia e Allahut të lartësuar është e madhe, falja dhe bamirësia e Tij dominojnë çdo mëkat dhe gjynah të cilin e vepron njeriu dhe pendohet prej tij: “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun falës dhe mëshirues.” (En Nisa: 110)
Kur muslimani i ri të rrënon kalanë e shirkut në zemrën e tij dhe t’ia dorëzon veten e tij Allahut, kthehet i dëlirë dhe i shëruar nga shirku i tij. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) na ka lajmëruar se Islami rrënon (anulon dhe fshin pasojat) mëkatet e mëparshme. Në hadithin e Amr b. El As (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Kur Allahu vendosi Islamin në zemrën time, erdha te Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe i thash: Shtrije dorën që ta jap besën (ta pranoj Islamin)? Ai e shtriu dorën e tij të djathtë. Përnjëherë, tërhoqa dorën time dhe Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) më tha: Çfarë ke o Amr? I thashë: Dua ta vë një kusht: Ai tha: Çfarë kushti? I thashë: Të më falen mëkatet? Ai tha: “A nuk e dinë ti se: Islami rrënon mëkatet e mëparshme? Hixhreti e rrënon atë që ka qenë më parë? Dhe se Haxhi rrënon atë që ka qenë më parë? …” (Transmeton Muslimi) Kjo është natyrshmëria e Islamit dhe fshehtësia e madhështisë dhe përjetshmërisë së tij.
Kur Allahu e ka dërguar Muhamedin (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) te Kurejshitët, ata ishin në një injorancë të thellë. Shumë mendime dhe fjalë që i paramendonin si dije në të vërtetë ishin injorancë, dhe shumë vepra që i llogaritnin të mira në të vërtetë ishin të shëmtuara, megjithatë Islami është fe e drejtësisë! Virtytet e tyre të lavdëruara u miratuan nga Islami sikur që thotë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Në të vërtetë jam dërguar për të plotësuar normat e moralit.”
Allahu i lartësuar i ka krijuar njerëzit të pajisur në natyrshmërinë e tyre me të vërtetën, ndërsa Pejgamberët – sikur që thotë Shejhul Islam Ibn Tejmije – janë dërguar për ta përsosur këtë natyrshmëri dhe për ta konfirmuar atë, e jo për ta devijuar apo ndryshuar atë. Në çdo umet gjenden një mori virtytesh të lavdëruara, edhe pse ndryshon vëllimi i tyre nga një umet në tjetrin. Për këtë, është gabim të mendohet për muslimanin e ri se është i zhveshur nga ndonjë virtyt i lavdëruar para se ta përqafoj Islamin! Përkundrazi, ata që e kanë thirr në Islam dhe ata që shoqërohen me të duhet që t’i nxisin te ai ato virtyte të mira që i ka pas para Islamit dhe ta inkurajojnë të vazhdojë të stoliset me to. Ajo çka i preferohet një muslimani të ri është të vazhdojë në veprat e mira të cilat i ka bërë para se ta pranoj Islamin. Buhariu në “Sahihun” e tij shënon hadithin e transmetuar nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Në periudhën e injorancës jam zotuar se do të rri një natë në itikaf, në Qabe? Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha atij: Përmbushe zotimin (Nedhrin) tënd.”
Disa dijetarë kanë thënë: “Ky është argument se muslimanit të ri i preferohet që të plotësoj adhurimet të cilat po t’i vepronte gjatë kohës sa ishte mosbesimtar nuk do të pranoheshin nga ai, ndërsa po të ishte musliman do të ishte i obliguar t’i përmbushte.”
Muslimi shënon në Sahihun e tij hadithin e Hakim b. Hizamit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili kishte thënë: “I thash: O i Dërguar i Allahut! Si është puna me veprat që i bëja gjatë kohës së injorancës, me qëllim të bamirësisë?! Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha atij: “Ke hyrë në Islam së bashku me të mirat e bëra më herët.” Atëherë, unë thashë: Pasha Allahun, nuk do ta lë një vepër të cilën e kam vepruar gjatë kohës së injorancës vetëm se do ta bëj të njëjtën pas përqafimit të Islamit.
Sujutiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ky hadith na bënë të argumentojmë përmes asaj që kuptohet tërthorazi se duhet të plotësohet mangësia e veprave të bëra në kohën e injorancës. Ngase, veprat e mira të cilat i ka vepruar ai në periudhën e injorancës sikurse nuk i ka konsideruar të plota për shkak të mungesës së atributit të Islamit, për këtë e ka përsëritur veprimin e tyre në Islam për të plotësuar atributin e plotësimit që ka kaluar.”
Është për të të ardhur keq kur sheh të atillë që e trajtojnë të kaluarën e muslimanit të ri në kundërshtim me atë që përmendëm. Në vend që ti ndjell veprat e tij të mira që i ka bërë para Islamit, disa njerëz qëllimisht e vënë në siklet muslimanin e ri me pyetje të cilat ia rikujtojnë disa nga mëkatet e tij të mëparshme, të cilat i ka bërë para se ta pranonte Islamin. Sidomos veprat të cilat supozohen se ndjellin epshin, e që ndoshta rikujtimi i tyre mund të jetë shkak që ai t’iu kthehet atyre apo bëhet shkak në pakësimin e shpërblimit dhe mangësinë në pendimin e tij nga mëkatet. Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Disa të penduar nuk shpëtojnë pa iu kthyer me zemër mëkatit herë pas here, e ndoshta edhe e rikujtojnë kënaqësinë e veprimit të atij mëkati. Me këtë rast psherëtinë apo ngacmon epshin e tij, e kjo e bën pendimin e tij të mangët.”
Parimisht, muslimani i ri duhet të pendohet nga mëkatet e tij kur ta përqafon Islamin me një pendim të sinqertë dhe pas kësaj t’i përkushtohet Allahut të lartësuar me vepra të mira, me qëllim që ta plotësoj atë që i ka kaluar në periudhën e injorancës.
Abdullah b. Ibrahim El Luhejdan
Përktheu: Mr. Driton Lekaj
Burimi: http://www.islamhouse.com/s/9507