Vazhdon të dëshmohet “drejtësia e demokracisë”: Gjorgjeviqit iu zvogëlua dënimi për krime në Kosovë

0
242

                                                                                                                                                      foto (1)

Tribunali i Hagës sot me vendim final e ka dënuar gjeneralin e pensionuar të Ministrisë së brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, me 18 vjet burg për dëbim dhe krime të tjera të luftës kundër shqiptarëve në Kosovë.

Komisioni i apelit i Tribunalit të Hagës, në këtë mënyrë, atij ia zvogëloi dënimin e shkallës së parë me 27 vjet burg. Ky dënim i ishte dhënë më 23 shkurt të vitit 2011.

Gjyqtarët pjesërisht e kanë miratuar ankesën e 64 vjeçarit Gjorgjeviq, dhe e kanë liruar nga përgjegjësia për krime në disa lokacione të theksuara në dënimin e shkallës së parë dhe kanë vlerësuar se dënimi i shkallës së parë ishte tepër i ashpër, raporton agjencia Beta nga Haga.

Megjithatë, me vendimin final është vërtetuar fajësia e Vllastimir Gjorgjeviqit, lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës për zhvendosje, deportim, dëbim dhe vrasje të shqiptarëve të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 1999, kur ai ishte kryeshef i njësisë së sigurimit publik të Ministrisë së brendshme të Serbisë dhe ndihmësministër i brendshëm.

Të gjitha këto vepra penale janë vlerësuar si krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Është vërtetuar se krimet janë bërë në kuadër të ndërmarrjes së bashkuar kriminale, qëllim i së cilës ishte dëbimi i përhershëm i shqiptarëve nga Kosova.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here