Përmendorja e Car Dushanit në Shkup

Përmendorja e Car Dushanit në Shkup

                                                                                                                                             foto

Në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë është ngritur përmendorja e Car Dushanit, një sunduesi serb, i cili – sipas historianëve – gjatë shekullit XIV kishte pushtuar të gjitha trojet e shqiptarëve, duke kryer masakra të shumta ndaj popullsisë shqiptare.

“Perandori Dushan është ndër figurat më kontroverse, sidomos kur kemi të bëjmë me shqiptarët, pasi dihet mirë se në shek. XIV, me anë të kodikut që ai imponoi, shqiptarët ishin vënë para një sprove: ose të konvertoheshin në sllavë-ortodoks, ose do t’u hiqej koka. Ngritja e kësaj shtatoreje në sheshin e Shkupit është një porosi për shqiptarët, që kryeministri i Maqedonisë i shëron frustracionet e tij kundër shqiptarëve”, tha Skënder Hasani, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë, në Maqedoni.

Vendosja e përmendores së Car Dushanit, në urën që lidh Muzeun Arkeologjik me sheshin e Shkupit, ka nxitur edhe reagimin e politikës. Sipas partisë opozitare shqiptare RDK, me ngritjen e këtij lapidari qeveria e Maqedonisë legjitimon pushtimin serb në territoret me shumicë shqiptare, transmeton Top Channel.

“Ky akt manifeston aktin e turpit dhe të nënshtrimit të plotë të BDI-së ndaj politikave serbofile, që tashmë publikisht menaxhohen nga kjo qeveri. Përderisa VMRO-DPMNE ka mbushur jo vetëm kryeqytetin Shkup me përmendore maqedonase e përmendore të tjera, që njihen si figura historike në Bullgari, Greqi dhe Serbi, BDI vazhdon që përmendoret e shqiptarëve t’i vendosë vetëm nëpër fusha dhe kodra”, tha Naxhi Xhelili, deputet i RDK-së.

Përfaqësuesit e pushtetit nuk kanë dhënë sqarime për simbolikën e bustit të Car Dushanit në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë. Ndërkohë, ata heshtin edhe për tre figurat historike shqiptare, që – disa vite më parë – partia e Ali Ahmetit premtoi se do të ngriheshin në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, por që ende nuk shihen askund.

Top Channel